Brahim Avdyli: Ndahet nga ne Rrustem Selca
| E Diel, 25.09.2016, 09:14 AM |

In Memorian:

NDËRRIMI I JETËS SË RRUSTEM SELCËS

NGA JETA E PËRKOHSHME NË JETËN E PËRJETSHME

Me rastin e ndarjes nga ne të Rrustem Selcës, një nga aktorët e Baletit të Kosovës, koreagrafik i valles shqiptare dhe punëtor kulturës në mërgatë.

Nga Brahim Ibish Avdyli

Kur na thotë ndonjëni, me lot në faqe, se “është ndarë i shtrenjti i ynë nga jeta e përkohshme, në jetën e përjetshme”, jo të gjithë janë në pajtim me këtë thënie, sepse jetën e përjetshme nuk kanë mundësi t`a shohin e t`a përjetojnë të gjithë. Njerëzit dallojnë nga njëri-tjetri, si gishtat në dorë. Mendimet e tyre nuk përshtaten e nuk përputhen plotësisht. Sepse, kjo jetë nga jeta në këtë botë nuk është e njëjta me jetën në botën e amshueshme, e cila është deomos një jetë e pakapshme për njeriun.

Sido që të jetë “shkuarja” jonë nga kjo botë në atë botë, në botën e amshueshme, kur ndahet shpirti prej trupit, i cili mbetet brenda këtij planeti dhe vetëm shpirti i tij shkon në “botën tjetër”, ne na dhimbset pa masë ndarja e përhershme nga njeriu që e keni pase në ditët më të vështira pranë vetes, madje edhe me një fjalë të mirë. Na dhimbest shumë, sepse as atij njeriu nuk do t`i flasim kurrë për jetë dhe as ai ne. Pra, nuk është më ai i gjallë e duhet të përshëndetemi. Njeriu i rëndomtë nuk e sheh asnjëherë botën tjetër, pos në ëndërra, apo e fantazon me fuqinë e trurit të tij “përtej kësaj bote”, sepse vetë është njeri, ka lindur nga njeriu dhe vdes sikur njeriu.

Është e dhimshme të ndahesh nga njeriu i nderuar, i dashur apo i shtrenjtë. Sado që t`a mendojmë “jetën e përjetshme”, kjo gjë nuk na del aq e saktë e nuk na e kompenson as ndarjen e papritur të njeriut tonë nga kontakti i ynë, nga e cila, ne, në rastin më të kontaktueshëm, i kemi pasur fjalët e veprimet e përditshme.

Ai ndahet, sepse nuk ka mundësi të jetojë më tjetër në këtë botë, dhe ndahet nga jeta prej gjërave, të pazakonshme për ne, që janë të ndryshme, prej fatkeqësisë e deri te sëmundja, por ne kemi dëshirë të madhe që ta kemi më gjatë në këtë jetë; që të flasim e të punojmë mëtutje së bashku. Për çdo ditë ndahemi nga miqtë tanë; nga baba, nëna, nga i miri, andej e këndej. Të dhemb shpirti për këto ndarje, kur ndarja është ndarje nga mjedisi ku ke jetuar; ndarje nga vendi ku je i dërguar në këtë jetë, me një mision të caktuar; ndarja nga një popull, me vdekje. Ai shpirt del nga trupi. Shkon në qiell apo në tokë të thellë. Këtu e marrin kuptimin e tyre Parasja e Ferri. Purgatori e ka misionin që të pastrojë shpirtin nga disa gabime të jetës së rëndomtë, a e ke përmbushur apo nuk e ke përmbushur plotësisht detyrën tënde, ose nuk të kanë lënë kjo forcë apo ajo forcë që ti t`a përmbushesh, gjatë asaj kohe sa ke qenë në “jetën e përkoshme”. Shkurt, kjo jetë e përkohshme është provë për njeriun...

Me 7 shtator 2016, në ora 23:24, u nda përfundimisht nga jeta; na la, sepse nuk patë mundësi që të jetojë më gjatë, ndonëse ishte i sëmuar nga kanceri në kurriz dhe ishte bërë operacion, sado që fliste rrjeshëm e pa dhimbje të veçantë, deri në fundin e jetës. Ndërroi jetë në Kostancë të Gjermanisë, pas një sëmundje të rëndë, artisti, baletmaestri i njohur shqiptar, një ndër themeluesit e trupës së baletit të Teatrit të Kosovës, në Prishtinë, duke ua mësuar këtë art edhe të rinjëve shqiptarë të mërgatës sonë në Zvicër e Gjermani, pra vallen shqipe, këtë punë mjaft të vlershme, mbi 20 vite me radhë, Rrustem Selca...

E përjetuam kështu këtë ndarje të dhimshme, me plot dramacitet e plot dhembje, sado që i kemi përjetuar qindra ndarjet e tilla edhe më të dhimbshme, prej ditës që e mbajmë në mendje e deri më sot, qoftë edhe nga lufta, nga më të shtrenjtit, qofshin luftëtarë që i kemi përcjellur prej Zvicës, dhe asnjë gazetë apo organ nuk ka shkruar e përmendur personalisht emrin tonë. Pse?! Sepse jeta e përkoshme shkruhet nga “forcat politike” dhe ata na harrojnë ne, fillimtarët, deri sa të vije koha e del nga bota e përjetshme një i dërguar i Zotit, në këtë jetë, e të thotë: “si është e mundur që ta harroni këtë personalitet të veçantë?!”. Jeta në tokë është “jetë e përkohshme”, e nuk është “jetë e përhershme”. Prandaj, kjo jetë ka filluar me lotë dhe vazhdon të jetë me lotë. Asnjëherë nuk ndalen ata; ndonjëherë varg e vi, ndonjëherë qanë vetëm shpirti. Dhe, shpirti qanë edhe kur këndon. Shpirti është shumë i ndieshëm...

Kështu e përjetuam ndarjen e menjëhershme të Rrustem Selcës. Nuk e marr me mend pse u detyrova të marr penden e të qajë me shkrim e me zemër ato që nuk i nxjerr syri, sado që më vjen deri te plasja. Ne, nuk jemi fëmijë, edhe pse zemrën e shpirtin i kemi tepër të ndjeshme nga ndjenjat. Kam qajtur për shumë njerëz mjaft të devotshëm, të të gjitha trojeve tona, porse tani, po e shkruaj këtë shkrim. Nuk e sjelli fare në mendjen time çka mund të flitet për Rrustem Selcën, sepse qytetarët tanë janë tepër të ndieshëm ndaj cytësave të lloj-llojshën. Nga pikat më të skajshme të një segmenti ndodhë që të jesh mik i sinçertë i një punëtori të palodhshëm të të gjitha gjërave që lidhen me termat: kulturë, art, letërsi, mendim, punë e shqiptari, etj. Partitë kanë kundërshtitë e pozicionet e tyre kundër njëra-tjetrës, por punëtorët e kulturës, të mendimit, të artit e të letërsisë, bashkohen e janë të bashkuar, edhe nëse janë sikur të ndarë nga pozicionet e tyre dhe nga punët e ndryshme që i bëjnë.

Mua nuk më kujtohet asnjëherë se në jetën e tij të përkohshme Rrustem Selca nuk ka nxjerrë nga vetja as grimcë fjalësh, p.sh. fjalë të liga, të paqena, të ashpra e të kota apo fjalë të vrazhda. Përkundrazi. Ai thërriste vetëm me zë më të lartë emrin e mbiemrin, kur dukej se nuk pajtohej, dhe shtronte qartë e kuptueshëm mendimin. Të bënte përshtypje se është pedagog i lëmisë së kulturës e po flet vetëm me pedagog të mirëfilltë të kulturës shqiptare. Pa marrë parasysh raportin tim, në përgjithësi, ka folur vetëm gjëra të mira, kostruktive, kreative, dhe fjalë të ngritjes së sërishme në jetë, qoftë kjo një çështje parimore apo një çështje e ftesës së Festivalit të Folklorit “Mujë Krasniqi” në Klinë; qoftë në SH.K.A. “Bardhosh Gërvalla”, në Stuttgard, në të cilën merrja pjesë edhe unë; apo promovimit të librit “Shtetimi i lirisë”, e cila u pormovua edhe në Qendrën Shqiptare për Kulturë dhe Integrimtim, tani “BESA”, përmes duarve të Kryetarit Tomë Berisha dhe Rrustem Selca, në Kreuzlingen...

Më datën 11 shtator 2016, është mbajtur edhe mbledhja përkujtimore në sallën e Qendrës Shqiptare për Kulturë dhe Integrim “Besa”, në Seetalstrasse 41, 8280 Kreuzlingen. Ishim të ftuar; udhëtonim me lotë në zemër. Kemi pasur majft pengesa nga komunikacionet tona, prej Zvicrës e Gjermanisë. Në tubimin përkujtimor, janë mbledhur mjaft personalitete; familjarë, gruaja e të ndjerit; vajza e tij me lot në faqe; vëllai Hajdar Selca, djali i vëllait Sami Selca, e personalite të ndyshme. Tubmin e ka filluar kryetari Tomë Berisha, me të cilat u shënua ndarja e jonë nga Rrustem Selca. Salla ishte e mbushur plot. Jashtë qenë edhe të tjerë. Nuk kishte vende në sallë, sa ishin të grumbulluar aty. Të dielen, me 18 shtator 2016, në lokalet e reja të kësaj qendre, në Seetalstrasse 41, në 8230 Kreuzligen, pas stacionit të trenit në Kreuzlingen Hafen, e pas Sparr-it në anën e kundërt, kthehesh në rrotullak. Aty do të mbahet “E pamja”, me familjarët e tij, dritë pastë!...

Dritë të konsiderueshme dha puna e palodhshme në lëminë e kulturës; të artit; të folklorit; të skenës; të fjalës; veçanërisht të fjalës së folur me të gjithë të interesuarit dhe rininë shqiptare, në tërë mërgatën tonë, në Zvicër e në Gjermani, pa i harruar qëndrimet e tij për lirinë e përparimin e asaj pjesës më të vogël të atdheut- Kosovës dhe vendlindjes së tij. Dihet, atë tokë e deshi më shumë dhe vrapoi kudo nëpër tokat shqiptare të Kosovës; por edhe në mërgatën e këtushme apo në Gjermani e kudo, me përkushtimin e tij të veçantë të artit, duke i mbledhur gjeneratat më të reja prej Zvicrës e të Gjermanisë; qoftë piktorin e njohur të Bülach-ut, Arsim Berishën; apo piktorën e re, Abetare Berilën; dhe autorin e këtij shkrimi, Brahim Ibish Avdyli, të cilin, kur ishte në një krizë shëndetsore, materiale dhe të përgjithshme, bëri çmos, së bashku me Tomë Berishën, që t`ia promovojë e t`ia përhapë edhe librat e tij, në Kreuzlingen e më gjërë. Pak ka lexues të sotëm të librave, por Rrustem Selca lexonte më shumë; ai i mësonte shqiptarët prej pellazgëve të parë e deri në ditët tona; madje përpiqej t`i gjëjë ku i kanë gjenezat e tyre fiset e sotme të Kosovës, që prej pellazgo-ilirëve të parë. Ai kishte ëndje të madhe për kulturën e shqiptarëve kudo qofshin ata, të të gjithë brezave kohore, madje edhe vorrezat ilire, në vorrezat e qytetit Kostancë, me nënshkrime, që i kishte gjetur vetë, nëpër hulumtime të tij...

Po e sjellim ndërmend shkrimin e shkurtër e të dokumentuar me disa fotografi, të Arsim Berishës[1], në të cilin thuhet se i ndjeri Rrustem Selca, me lutjen e tij, pas dy dekadave të pushimit nga skena, nga trupa e Baletit të Teatrit të Kosovës, vendos që të bëhet pjesë e Ansamblit “VATRA” në Zvicër.

Me kryetarin e AV “VATRA”, Nexhbedin Isufi, dhe solistën e Ansamblit “SHOTA”, në Prishtinë- e më vonë valltaren e AV “VATRA”, Fatmire Kajtazi, Maetro Baletani Rrustem Selca, me një përkushtim të lartë e me shumë sukses e dashuri në punë, e realizoi Koreodramën e parë, dhe nga kjo u prezentua me plotë sukses në Klinë, në Gjirokastër, në Kroaci; e dhjetra herë si në Zvicër apo në Gjermani. Siç thotë vetë Arsim Berisha, nga Baca Rrustë u ndamë vetëm fizikisht, me shpresën se do të ta-kohemi në botën e amshueshme.

Nga fotografitë e kësaj Qendre, të varura në mur anë e përtej, do të marrim vesh se këtu, në praninë e Rrustem Selcës, ishin edhe disa personalitete prej Ministrisë së Diasporës së Republikës së Kosovës; Ambasadorëve të Republikës së Kosovës; të Konsulatës së Republikës së Kosovës, nga Konsulata e Zürich-ut, e tjera; të të gjithë aktivistëve të kësaj mërgate; apo edhe nga Gjermania. Disa personalitete, në këtë ekspozitë të QSHKI-së, janë bërë në takimet e mërgatës; me shoqatat apo festivalet e valles e folklorit shqiptar, veçanërisht nëpër Zvicër e Kantonin e Thurgaut, ku kamë qenë edhe unë, për festimet e Ditës së Pavarësisë. Janë të shumtë ata, por më së miri na përshtaten aktivitetet e Rrustem Selcës në mërgatë, me shoqatat.

Po i kthehemi pak biografisë së Rrustem Selcës, të cilën e mbanë me përkushtim Tomë Berisha.[2] Ai është i lindur me 22.08.1952, në fshatin Baran, Komune e Pejës. Aty e ka kryer shkollën fillore, ndërsa gjimnazin e shkollimin e mëtejmë profesional e ka kryer në Shkup, Republika e Maqedonisë. Karrierën e vet e fillon prej ditës së 01.09.1972, në Teatrin Popullor Krahinor, në Prishtinë, si Artist i Baletit.

Mund të themi se deri në filimin e tij në art të baletit, deri atëherë ishte deficitar ky art në Kosovë. Gjatë tri viteve të mëvonshme vjen e shtohet shumë ky interesim. Veçanësisht shtohet interesimi i mediave publike dhe i TV-së. Prishtina deri atëherë nuk ishte aq e madhe për mediat, por gjatë tri viteve bëhet baleti si temë për mediat publike e TV-në. Fillimet e para të Rrustem Selcës kanë qenë për kollazhet e Baletit, por në vitin 1976 realizohet Baleti i parë kosovar “Romeo e Xhulieta”, në liberton e Nuredin Loxhës, dhe pas saj baleti tjetër, “Sokoli dhe Mirusha”, me muzikë të Akil Kocit. Ai, në rolin e Sokolit e fillon karierën e tij 20 vjeçare. Gjatë këtyre viteve i bëri 25 role kryesore, në një Balet kombëtar e ndërkombëtar apo botëror. Ne po i cekim këto balete: “Hali e Hajria”, nën inskenimin e koreografit të njohur nga Shqipëria, z. Panajot Kanaqi; “Kënga e Rexhës”, “Besa”; “Vallja Pranverore”, “Zoja e Sizifi”, dhe shumë realizime të tjera të rëndësishme nga opusi kombëtar shqiptar i Kosovës, por duhet të ceken edhe ato të Baletit botëror: “Bolero”; “Romeo e Zhulieta”; “Don Kishoti”; “Zef Lushmarku”; “Kopelia-Shtrushida”; e mjaft realizime të TV-së, në Prishtinë, si dhe nëpër mediume të tjera publike. Është gjithashtu e rëndësishme të përmenden me këtë rast se Rrustem Selca ka marrë edhe shumë role në dramën shqiptare, p.sh. rolin e dhëndërrit prej vitit 1973, në dramën “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, të Ismail Kadaresë; “Sfinga e gjallë”, të Rexhep Qosjes; si dhe mjaft të tjera, deri në vitin 1992.

Mund të themi gjithashtu se si solist për Balet ai kishte specializuar në Londër, në Akademinë më të lartë të këtij niveli, në vitin 1982, ndësa në vitin 1985 arrinë një përvojë profesionale në mesin e gjithë pedagogëve të njohur të Kroacisë, në Zagreb të Kroacisë, si dhe të atyre ndërkombëtar, që ishin me punë atje. Këtë përvojë do t`a fuste në punën shumëvjeçare, deri sa u futën në Kosovë masat e dhunshme, të cilat vinin nga pushteti sllavo-komunist e ish-shteti federal serb-jugosllav.

Këto masa të dhunshme u futen edhe në institucionet e Kosovës dhe në drejtorinë e dhunshme të Teatrit të Kosovës. Rrustem Selca u detyrua të jetë ndër të parët që e braktisi këtë institucion në shenjë proteste, ku e shfaqi drejtëpërdrejtë mospajtimin dhe revoltën e tij me drejtorinë e dhunshme, që po rritej në tërë popullin e Kosovës. Për këtë arësye dhe për shkaqe të shpëtimit nga dhuna policore serbe u detyrua që të emigrojë në përëndim, por atje vazhdoi të merret rregullisht me kulturën, artin, vallzimin, dhe shumë shpejtë iu dha rasti që të marrë pjesë me vallen shqiptare. Me këtë rast është pjesëmarrës dhe themelues i disa shoqatave të këtilla shqiptare, në radhë të parë shoqata kulturore-artistike, si në Gjermani edhe në Zvicër. Kështu ai ishte detyrua që të braktise tërësisht teatrin e Kosovës, teatrin e Baletit, të artit dhe të gjëje hapësirë të gjërë në kulturën e vallen shqiptare.

Ne po i përmendim disa prej shoqatave që i ka themeluar: SH.K.A. “Mëmëdheu”, në Ludwidsburg; “Iliria”, në Heidelberg; “Rinia”, në Singen, sikurse mjaft të tjera, në Gjermani; QSHKI “Besa”, në Kreulingen; “Dielli”, në Amriswil, në Zvicër, e mjaft të tjera si këto. Nëpër shumë shoqata, Rrustem Selca e ka dhënë kontributin e tij të veçantë, si këshilltarë, sidomos në shoqatat kulturore-artistike, në tërë mërgatën tonë, si p.sh. në shoqatën dhe ansablin “VATRA”, në Bülach, që na tregon piktori i njohur shqiptar dhe valltari Arsim Berisha, [3]djali i vëllaut të piktorit Idriz Berisha, mikut tim e autorit të njohur nga ne, të dytë, Pren Buzhallës, në Klinë, i cili i thotë në shkrimin e tij, me rastin e vdekjes dhe kalimit të tij ne botën e amshueshme.

Na duhet të cekin me këtë rast rolin e tij të posaçëm në mesin e fëmijve, për të cilën jo vetëm zonja Shukrije Ramadani e cekë në letrën e saj[4], e cila posaçërisht në tubimin përkujtimor të datës 11 shtatorit 2016, u lexua në Kreuzlingen, e dërguar si Drejtore e Qendrës Kulturore e Kosovës për Diasporë e Mërgatë në Zvicër; por edhe në Berlin, për tërë mërgatën shqiptare, “Ditët e rinisë shqiptare”, në të cilën Rrustem Selca e ka fituar vendin e parë dhe të dytë.

Po e cekim se ai është pjesëmarrës i festivaleve, si i festivalit të folklorit burimor, “Mujë Krasniqi”, disa herë radhazi në Klinë, apo në “Sofra Dardane” në Tropojë, në Gjirokastër, në Kaçanik, etj. Ai ka qenë udhëheqës i sektorit për kulturë pranë QSHKI “BESA”, i cili e kishte themeluar Grupin e vallëzimit “BESA”, pranë kësaj qendre, detyrë kjo të cilën e udhëhoqi deri në fund të jetës.

Ndër shumë letra, vlenë të përmendet telegrami i ngushëllimt të Valon Muratit[5], Ministër i Diasporës së Republikës së Kosovës, dërguar familjes Selca, në të cilën shprehet hidhërimi i mbledhur se “e mora lajmin për ndarjen nga jeta të veprimtarit e artistit tonë të shquar”, Rrustem Selca. Ishte shumë mbresëlënës kjo figurë.

Me gjithë se ka qenë në moshë të shtyrë për baletin, ai na shprehej mjaft vital për një 64 vjeçar, sidomos atëherë kur paraqitej si 60 vjeçarë në vallen koreografike, të përgaditur së bashku me ansamblin e valleve “VATRA”, të Bülach-ut, me emrin e veçantë “Pavarësia”. Si valltar në skenë, gjatë viteve të fundit, përherë e kujtojmë.

Kuroherë do të na mbeten në mendje lojërat e tij me çifteli dhe instrumente të tjera, gjatë momenteve të rrala. Sikur i ndëgjojmë gjithë jetën...

Kënga dhe vaji nuk ndahen kurrë nga njëra tjetra. Ato vazhdojnë gjatë gjithë jetës. Kur nuk mund të qajmë, këtë rol e merr kënga. Kënga shqiptare ëshë vaji për burra. Të mos i përmendi vargjet e mija! Na qanë zemra, kur nuk mund të qajnë sytë...

U pafshim me shumë veta që dëshirojmë në botën e përjetshme...

Edhe me Rrustem Selcën, ndjesë pastë!...

Salla e mbushur plot me të ftuar në tubimin përkujtimor-në Kreuzlingen-me datën 11 shtator 2016


[1] Shiko shënimin e Arsim Berishës, „Maestro Baletani Rrustem Selca, baca Rrust: Na bashkoi arti e na ndau jeta“, në http://www.facebook.com/arsim.berisha.39/media_set?set=a.1279925938706800.1073741843.100000682183070&type=3&pnref=story, të bërë me datën 09.09.2016.

[2] Tomë Berisha, Biografia e Rrustem Selcës, në një pllakë përkujtimore, të mbajtur në lokalin e QSHKI-së, në Kreuzlingen.

[3] Arsim Berisha, shkrimi i shkurtër me fotografi, që kemi përmendur.

[4] Shukrije Ramadani, “Telegram ngushëllimi për QSHKI-BESA”, akt në arkivin e vdekjes së Rrustem Selcës, në Kreuzlingen.

[5] Valon Murati, „Telegram ngushëllimi për Rrustem Selcën“, poashtu një akt i ruajtur në arkivin e vdekjes së Rrustem Selcës, në Kreuzlingen.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: