Ndue Ukaj: Nuk janë fajtorë gjithmonë ata
| E Enjte, 22.09.2016, 09:20 PM |

Nuk janë fajtorë gjithmonë vetëm "ata"...

Nga Ndue Ukaj

Kjo "dashni" që kemi dëfteu tani e sa kohë për vendin tonë, kulturën dhe gjuhën tonë, s' ka mjaftua aspak që t' i shërojmë plagët e së kaluarës; s' ka mjaftua të ndërtojmë të tashme, e as të projektojmë të ardhme. Për pasojë, çdo ditë e ma shumë, njerëz të këtij vendi, zgjidhjen për vendin, kanë filluar ta kërkojnë në ikje, me bindjen se këtu “nuk bëhet ma mirë.”

Prandaj, në vend që t’i kthejmë armët e gjuhës kundër çdo kujt e çdo gjëje, duhet të kthehemi ka vetja dhe të shohim rolin tonë në shoqëri.

Sot, kur pezmi e mosdurimi ndër ne ka arritë një nivel tejet serioz e shqetësues, është koha të këndellemi dhe të shohim realitetin në sy.

Pas temës së demarkacionit, këto ditë gjakrat janë ndezur sërish rreth “kishës” në hapësirën universitare. Mirëpo, si çdo herë, shqiptarët e Kosovës flasin me pezëm për këto tema politike e religjioze. Dhe kur sheh gjithë këtë mllef që shpërfaqet kaq shpejt e me kaq zell, s’ka sesi të mos kujtohet Legjenda e Rozafës, fenomeni i ndërtimit ditën dhe rrënimit natën; fenomen që na ka ndjekë shekuj me radhë.

Një gjë është e sigurt: e ardhmja nuk ndërtohet në rrënim, por në ndërtim.

Se Kosova ka probleme serioze, me sistemin politik, me drejtësi, me arsim, shëndetësi, kulturë e sfera tjera, këtë e di secili që e lexon, qoftë edhe përciptazi realitetin tonë.

Madje, secili që merret me problemet e shoqërisë tonë, e di se Kosova ka probleme serioze, të trashëguara e të reja, por pak kush di të tregojë si të menaxhohen këto probleme. Për ma tepër, pak kush e di të tregojë si të gjinden zgjidhje valide për probleme tona.

Në mungesë të alternatives mendore, intelektuale e politike, jemi zhytur në pellgun e debateve pafund dhe pa ndonjë qëllim mirëbërësi. Ndaj, në vend që të debatohet esencialisht për probleme, më shumë dëgjojmë kukurisje dhe shohim kampe pro dikujt e kundër dikujt.

Në këtë atmosferë, grupet fillojnë të mprehin “penat” e tyre dhe të zihen. Po, të zihen dhe pak të debatojnë për ide dhe me qëllim mirëbërësie.

Njeriu që e kundron realitetin shoqëror dhe që e përcill ligjërimin e pështirë publik, atëherë përnjëmend ndalet dhe e shtron pyetje e pyetje: çka është problemi me Kosovën? A kanë zgjidhje problemet tona?

Mirëpo, përderisa njerëz në pozita e me përgjegjësi në këtë vend, flasin përçartë për probleme shumë të holla e intelektuale, atëherë zgjidhjet për problemet tona janë larg. Dhe ne në vend që të hedhim një gur në kështjellën e qytetërimit tonë, në e heqim një. Pra, ajo që ndërtohet ditën, tenton të rrënohet natën.

Përderisa njerëz që ushtrojnë përgjegjësi për ta injektuar shoqërinë me etikë e humanizëm, ndikojnë në të kundërtën-në pezmatimin e shoqërisë- atëherë përnjëmend po rrënojmë sheshazi- natën e ditën- atë që është ndërtuar me mund e sakrificë.

Dhe në këtë atmosferë, sigurisht se pyetja e ankthshëm që shtrohet për çdo ditë është kjo: ku është problemi i gjitha të këqijave që e “godasin” kaq rrufeshëm shoqërinë tonë?

Një shoqëri e cila një vit flet për një temë, pa kristalizuar asnjë ide të qartë rreth saj, ajo përnjëmend ka krizë serioze. Krizë besimi.

Mirëpo, në gjithë këtë krizë, nuk janë fajtorë gjithmonë vetëm "ata" për gjitha të këqijat tona, do të shprehej nobelisti i letërsisë Aleksandër Sollzhenicini. Fajtorë jemi ne. Po, gjithsecili nga ne.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: