Vangjush Saro: Shqipëria, jetë e mot slogane
| E Enjte, 22.09.2016, 08:14 PM |

Shqipëria, jetë e mot slogane…

Përndryshe: Me “Parrullat” pro parrullave (!)

Nga Vangjush Saro

Më ka tërhequr vëmendjen këto ditë një informacion në lidhje me përdorimin e filmit “Parrullat” për të hedhur dritë mbi të shkuarën, në një takim me nxënës. Nuk ka asgjë të keqe, është një mënyrë për të sjellë pamje pak a shumë realiste nga një rend tjetër, kohë tjetër, më vështirësitë dhe padrejtësitë e saj. Për më tepër, unë e dua atë film, është nga më të realizuarit pas vitit ‘90, madje kam shkruar për këtë, në veçanti për lojën e aktorëve dhe sidomos të Birçe Haskos. Por mendoj se ngërçi në lidhje me rrëfimin siç duhet të së shkuarës, duhet kapërcyer me drejtësi dhe realizëm, pa qëndrime dhe interpretime ekstreme. Prej dekadash, shoqërinë shqiptare e mundon sëmundja e mohimit të gjithçkaje, kohë pas kohe, për interesa që s’është vendi t’i trajtojmë këtu. Një fjalë e urtë thotë: “Të rrimë shtrembër e të flasim drejt.” Në këtë mënyrë, bëhemi edhe më të besueshëm.

Mendoj se kur të rrekemi të tregojmë për rendin e shkuar, qoftë edhe duke komentuar një film a një dokumentar, një libër apo rrëfimin e drejtpërdrejtë të dikujt, lipset të themi të vërtetën. Nuk kemi nevojë as për revansh, as për nostalgji. Në vështrimin tim, në filmin “Parrullat”, krahas vlerave dhe episodeve të vërteta, të trajtuara me art dhe me ndjenjë, ka njëlloj ekzagjerimi, dukuri që këto kohë vihet re në shumë krijime të tjera, si edhe shkrime a biseda nëpër televizione. Është një gjë realizmi i filmit në tërësinë e vet - gjetja qysh në skenar, e vërteta artistike, ansambli i mrekullueshëm i aktorëve, forca depërtuese e gjithë elementeve, veshjet, muzika, titrat - dhe një gjë tjetër sa ai, filmi, mund të shërbejë si dokument tërësor për kohën. Ajo që dua të theksoj në këto radhë, është përcjellja e të vërtetave, ashtu siç ato ishin, te shikuesi, veçmas te rinia apo moshat që nuk e kanë jetuar atë kohë dhe nuk kanë një pamje të qartë se çfarë ndodhi dhe si ishte vendi ato 45 vjet. Duke punuar përmbi 10 vjet në arsim, në disa cikle të tij, në fshat dhe në qytet, por duke ndjerë njëkohësisht përgjegjësi për çdo fjalë, si shkrimtar dhe si gazetar, po shkruaj në këtë opinion mendimet e mia dhe nuk dua të zgjoj as mëri dhe as pasione të fshehura.

Po. Parrullat ishin një realitet, në male e kodra, por edhe brenda në shkollë, në tekste, në jetën e të gjithëve. Por jo kudo mësuesit janë marrë gjithë kohës me parrulla; ato nuk ishin destinacioni kryesor i shkollës. Po. Nxënësit largoheshin nga mësimi për mitingje a ngjarje politike dhe sidomos për aksione, kur ishte fjala për vjeljen e grurit dhe të misrit. Ai rend i kishte të gjitha në dorë. Mbaj mend, njëherë na detyruan (ne mësuesve) të zbrisnim nga Vidhani - fshat në Tomorricë ku punoja në vitet e para të karrierës sime pedagogjike - për në Sotirë, një fshat tjetër poshtë në Devoll, nja dy orë larg. Na thanë se atje bëhej aty një mbledhje e rëndësishme. Me ne, erdhi edhe një mësuese që ishte shtatzanë. Iu lutëm drejtoreshës të mos e merrnim me vete, por ajo kishte frikë dhe nuk mori përsipër asgjë. Gruaja shtatzanë erdhi me ne, rrugë pa rrugë dhe pas mbledhjes së “rëndësishme”, për të cilën do të them dy fjalë më poshtë, u ngjit sërish rrugë pa rrugë për në Vidhan. Mbledhja ishte thjesht leximi i një materiali “sekret” për ngjarjet e fundit, goditjen e ndonjë grupi armiqësor, se nuk më kujtohet mirë. 4 orë marshim e lodhje për të dëgjuar 10 minuta një broçkull. Këto ishin të vërteta. Babai i një nxënësit tim, u arestua në mes të arës, në sy të të gjithë bashkëfshatarëve të vet. Kjo u bë për disa arsye: E para, ai diçka kishte mërmëritur dhe dikush e kishte spiunuar te I plotfuqishmi i zonës. E dyta, kjo u bë sepse ai ishte një familje kulakësh (siç thuhej atëherë) me mbiemrin Braçe. Në fakt, nga ajo familje, ashtu siç kishte pasur ballistë, kishte pasur edhe patriotë, por kjo e fundit nuk i interesonte rendit. Dhe e treta, kjo u bë gjithashtu për të trembur të tjerët, që të rrinin sus. Po. Këto kanë ndodhur.

Por ndërkaq, ashtu siç vihet në dukje fryma e kohës, lufta e klasave, përfshirja e shkollës në mitingje dhe ngjarje politike, sa edhe në agjitacionin figurativ deri në marrëzi (parrullat), ashtu të thuhet edhe që nuk ishin ato thelbi i programeve të shkollës. Personazhi kryesor i filmit, për hir të së vërtetës në një rol të shkëlqyer dhe në një interpretim gjithaq, sapo që shkel në drejtori, i japin parrullën që ka për të shkruar me klasën. Nuk e vë në diskutim që këto edhe kanë ndodhur; shumë gjëra në disa provinca zhvilloheshin me tepri dhe frikë. Por në tërësinë e problemit, më së pari mësuesi merrte programin e lëndës që do të jepte dhe në bazë të tij, hartonte planin vjetor, temë më temë, duke përfshirë mjetet mësimore që do të përdorte. Dhe meqë erdhëm në këtë pikë, sërish po them, ashtu siç vihet në dukje që shumë shkolla ishin copë e çikë, ashtu të kujtohet edhe që kjo nuk ishte e vetmja panoramë e kohës. Për vetë kushtet dhe propagandën që regjimi bënte, për vetë fondet që i blatoheshin arsimit, shkollat mbaheshin pak a shumë në një kondicion të mirë, sepse për këtë drejtuesve iu ikte koka.

Sërish për të ftilluar edhe më tej disa nga episodet që cekëm më sipër, le të kujtohet se shumica e shkollave ishin të pajisura me biblioteka, laboratorë fizike, biologjie dhe kimie. Personazhi kryesor (i filmit) ishte mësues i kimisë. Por nuk u pa asnjëherë të bënte mësim, përveçse parrulla. Kjo është teprim, është në kufijtë e gënjeshtrës. Në këto kushte, të përdorësh sërish “Parrullat” kundër parrullave, pa cilësimet dhe shpjegimet përkatëse, nuk më duket e drejtë, nuk është normale, nuk përputhet me parimet dhe praktikën e rendit në të cilin jeton vendi sot. Nënvizim. Në kohën për të cilën flasim, shahej keqas rendi dhe dekadat e Zogut. Varfëri, mjerim, shtypje, poshtërime, skamje, moçale, sëmundje… Krahas disa të vërtetave, shumë e shumë fakte dhe pamje vinin të gënjeshtërta, në mënyrë propagandistike, thjesht… antizogiste. Ndërkaq, kishte nga prindërit dhe gjyshërit që iu tregonin nipërve e mbesave edhe për vlera dhe ligje, për Parlament dhe gazeta opozitare, për fuqinë e lekut dhe të pasaportës shqiptare, etj., ku di çfarë tjetër nga ajo kohë e “urryer”. Pra, të mos bëjmë të njëjtën gjë sot, pasi që kemi kërkuar një rend tjetër, demokratik, të fjalës së lirë, të së vërtetës relative.

Më në fund, duke u ndalur e kufizuar vetëm në temën përkatëse, besoj të gjithë janë të bindur se arsimi i sotëm, edhe pse në kushte të tjera, është një problem shumë shqetësues për shoqërinë shqiptare. Nuk diskutohet që ka një sërë arritje, pavarësisht mashtrimeve dhe falsiteteve. Por të jemi më të ekuilibruar kur vjen fjala për krahasime. Të mos besojmë e agjitojmë teprime; shkolla e Lindjes, siç cilësohet ndonjëherë, ishte e fortë. Nuk është mirë që të rinjve të sotëm e të brezave të tjerë, që nuk kanë pamje të qarta të së shkuarës, t’iu shpëlahet truri edhe njëherë tjetër, tanimë në një rend që ka kaq përparësi. Të mos kujtojë askush se atëherë nuk bëhej matematikë, gjuhë, por bëhej vetëm… politikë. Edhe pse e përshkruar nga “filli i kuq”, edhe pse në kushtet kur vendi kishte dhe përballonte shumë vështirësi e padrejtësi, shkolla, gjimnazet, universitetet, ishin institucione ku bëhej mësim, jepeshin provime të vështira, kërkohej llogari për sjelljen dhe qytetarinë. Kishte kufizime në ndjekjen e shkollës së lartë, më së pari asi politike; por nuk merreshin diploma false. Dhe të diplomuarit, anipse nuk e kishin jetën bahçe me lule, nuk punonin kamarierë apo në lavazhe… Ja edhe dy fjalë nga një më i ditur se shumë nga ne. “Ata talleshin me shekullin dhe kjo gjë i shkarkonte nga barra për ta njohur atë më thellë.” (Honore de Balzak)



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: