Gani Mehmetaj: Fyerja ndaj personaliteteve tona
| E Enjte, 22.09.2016, 08:50 PM |

Fyerja ndaj personaliteteve tona historike dhe denigrimi i historisë kombëtare

Nga Gani Mehmetaj

Është shpeshtuar fyerja ndaj personaliteteve tona historike e denigrimi i historisë kombëtare nga një lukuni jeniçerësh të njëjtë. Në shoqëritë e organizuara perëndimore sharësit e tillë i turpërojnë para se t’i izolojnë, ashtu sikurse i izolonin të gërbulurit a të infektuarit më murtajën e minjve. Nuk janë vetëm hoxhallarët e shitur në Serbi, Turqi e Arabi ata që na fyejnë rëndë, duke e keqpërdorë fenë, ndërsa ne nuk reagojmë, por janë edhe katër-pesë jeniçerë shqifolës, prania e të cilëve në televizionet tona në Tiranë e në Prishtinë është e shpeshtë. Ata e madhërojnë ish pushtuesin turk, që ka bërë krime të shëmtuara, ashtu sikurse e madhëronin deri dje pushtuesin serb. Ata financohen nga shtetet e huaja, për t’i rrëmuar themelet e dy shteteve tona, sepse kot nuk e zhvlerësojnë vetën aq të ulët sa të lavdërojnë të huajin e pushtuesin. Një pjesë jo e pakët e tyre nuk janë shqiptarë, ndërsa e fyejnë kombin tonë në dy shtetet shqiptare.

Ky fenomen i jeniçerëve agresiv është i pranishëm në Kosovë e në Shqipëri. Njëri i thotë Gjergj Kastriotit terrorist katolik, ndërsa prokuroria e policia nuk e arreston as nuk ia ndalon paraqitjen publike. Tjetri thotë kinse Sulltan Murati i ndihmoi arbërorët, ndërsa ai i masakroi si askush para tij. I treti çirret si i marr për osmanlinjt që qenkan baballarët e tij, ndërsa përpiqet të na i bëjë edhe tonët. Jemi shoqëri e papërgjegjshme me zyrtarë të papërgjegjshëm, apo nuk na bëhet vonë kur lejojmë zhvlerësimin e çdo gjëje kombëtare nga ata që s’kanë komb, fe as atdhe.

Pse i bëjmë yje urrejtësit e shqiptarëve?

Asnjëherë nuk e kam kuptuar pse televizionet publike e private në Kosovë e në Shqipëri i ftojnë tre-katër veta, të cilët bëjnë garë kush do të shajë e do të fyej më shumë kombin, historinë dhe personalitetet shqiptare. Asnjëri prej tyre nuk janë historian, nuk janë ekspert për asnjë lëmi, nuk janë emra që të imponojnë respekt publik, ishin të panjohur derisa dolën në televizione, nuk shquheshin dhe nuk shquhen për asgjë, ndërkaq, televizionet tona i kanë bërë yje, pikërisht sepse flasin më urrejtje për çdo gjë shqiptare. Morali i tyre është i diskutueshëm, thithin fonde të dyshimta islamike e serbe, i ke sa në Ankara, sa në Beograd, dalin publikisht në televizionet armike, janë gjakpërzier, që shihet edhe nga pamja arabo-selxhuke, kanë urrejtje të pafre ndaj shqiptarëve, që u shpërthen nga mimika e fytyrës dhe nga buzët që u shkumojë, kur flasin kundër kombit tonë, nuk dallojnë më asgjë nga serbët urrejtës të shqiptarëve.

Debatet e tre-katër urrejtësve të njëjtë na i rifreskojnë debatet e dikurshme të serbëve në TV Beograd apo në TV e Prishtinës, kur e morën serbët. Mirëpo, nëse serbët nuk mund t’i ndalnim, sepse ishim të okupuar pse i lejojmë islamikët të na shajnë e të na fyejnë? Ku është qëllimi? Pse e durojmë pështymën e tyre në shtëpi?

A thua vuajmë nga sadomazohizmi, një sëmundje mendore që kërkon shërim, apo dikush u bënë presion televizioneve tona që t’i nxjerrin në ekran? Tre- katër urrejtësit e specializuar nuk janë kundërshtarë politik që e thonë mendimin ndryshe, ata e thonë mendimin armik në televizionet që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë apo që u dedikohen shikuesve shqiptarë. Më asgjë nuk dallojnë këta urrejtës nga serbi i gjenocidit, apo nga turku i dikurshëm gjakatar.

Ku e mbështesin arsyetimin sajuesit e programeve e të debateve publike kur i ftojnë urrejtësit e specializuar? Në dijet e tyre për historinë, filozofinë apo psikologjinë? Ata nuk kanë njohuri për asgjë, sepse njëri ishte teknik dhëmbësh, ndërsa postin e deputetit ia kanë blerë votat e financuara nga fondet e dyshimta islamike, tjetri mësues matematike e bredhës nga një parti në tjetrën, apo nga një shërbim informativ në tjetrin, i treti flet me kompetencë eksperti si për patatet e specat si për historinë e shqiptarëve e marrëdhëniet ndërkombëtare Ankara-Prishtinë-Tiranë, i katërti është aventurier që shfrytëzoi fondet greke, pastaj ato turke e serbe. Pra, për temat që flasin në televizione janë analfabetë. Dhe këtyre analfabetëve televizionet tona u japin hapësirë të na terrorizojnë.

Disa thonë se debatet antishqiptare të tre-katër urrejtësve janë hapësirë e paguar nga shoqatat islamike e serbe. Edhe nëse kjo është e vërtet, atëherë do të duhej të bëhet një distancim, ku të thuhet: “përmbajtja e debatit të paguar nga filan organizate serbe a turke nuk është qëndrimi i redaksisë”. Nuk më kujtohet ta kenë bërë ndonjë distancim të këtillë televizionet tona, apo mbase e kanë bërë?



(Vota: 3 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: