Frrok Vukaj: Bjeshkët e Tropojës – mrekulli
| E Diel, 18.09.2016, 07:07 PM |

TROKUZI - PERLË EMOCIONUESE E MIKËPRITËSE

DOBERDOLI E SYLBICA - BUKURI PËRRALLORE

Bjeshkët e Tropojës – mrekulli të pashijuara

Nga Frrok Vukaj

Çeremi,  porta e bjeshkëve të larta

Përjashtuar një përqindje relativisht të ulët të tropojanëve e disa qindra turistëve, mund të themi se magjia e këtyre bjeshkëve mahnitëse mbetet e pa shijuar. Unë pata rastin e mirë të realizoj një nga ëndrrat më mbresëlënëse të mbetura peng prej shumë vitesh. Miqësia dhe vera janë të ngjashme: sa më të vjetra e të qëndrueshme, aq më të mira janë. Me Hysni Musën jam njohur prej vitesh kur ai punonte Përgjegjës i Qendrës Ekonomike të Arsimit e unë drejtor i shkollës së mesme të bashkuar në Lekbibaj.

Shpeshherë më ka ftuar për një vizitë në stanin e tij në Tërkuz. Nga qyteti në zemër të Alpeve u nisa më 11 gusht duke kaluar përmes fshatit – qytezë Markgegaj, një ndër më të bukurit e krahinës. Pa e ndjerë, fare natyrshëm, pa pritur e pa kujtuar, u futëm në Luginën e bukur të Valbonës. Buzë lumit kaltërosh, makina ’’hante” me shpejtësi kilometrat e rrugës së asfaltuar vetëm në vitet e fundit. Në Dragobi shoferi ul paksa shpejtësinë për të zbatuar rregullat e qarkullimit, por edhe për të shijuar ato pamje tërheqëse, veçanërisht shpellën e famshme, emri i së cilës lidhet me heroin legjendar Bajram Curri. Edhe 100 vizita të bësh, përsëri nuk ke të ngopur. Objekti im janë bjeshkët e larta në veri dhe timoni pret djathtas për në Çerem në hyrje të të cilit kisha qenë vetëm një herë në fillim të viteve ’80. Shoferi Rifat Dunisha me pasion flet për gjithçka, por më së shumti për problemet ekonomike që lidhen me bujqësinë e blegtorinë, për lidhjet e forta me vendlindjen, çka mungon tek shumë të rinj që nuk e gjejnë veten, duke u shtyrë në pesimizëm e ëndrra boshe. Mbi 300 dhi kishte në bjeshkë familja e tij jo e madhe. Siç mora vesh edhe nga të tjerët, jo vetëm ato që thoshte ishin të sakta, por ishte edhe një punëtor i palodhur në zanatin e tij duke u kujdesur e kontribuar edhe për punët bujqësore e blegtorale. Pa harruar fillin e bisedës, mendja më fluturoi në vitet e para të kolektivizimit, atëherë kur Dunisha i bëri një qëndresë të fortë atij regjimi, duke mos pranuar për disa vite kooperativën bujqësore. Mu kujtua edhe Malësia e Gjakovës me shumë resurse të pashfrytëzuara sa duhet dhe si duhet: tokat pjellore, burimet ujore për vaditje e pirje, klima e mikroklima e mrekullueshme, masivet me pyje e gështenja, blloqet me pemë frutore e vreshta, pasuritë nëntokësore, bimët mjekësore etj.

Çeremi me lumin përmes ngjan me oborrin e një kalaje; portat e bedenat e saj janë shkëmbinjtë mijëra vjeçar, të bukur e madhështorë.

Në njërën anë Kollata hijerëndë e përballë saj Gjarpri i Çeremit. Sa më shumë afrohemi, hapësirat zgjerohen me pyje të dendur ahu e livadhe të gjelbëruara edhe në këtë mes gushti rreth të cilave bëjnë roje kreshtat e larta shkëmbore me shpate të veshura vende – vende me pisha e gjelbërim. Me dhjetëra turistë nga vende të ndryshme të botës, lëvizin nën hijet e dendura ku nuk depërtojnë dot rrezet e diellit; në atë pamje si muzg-mbrëmje u drejtohen për së shkurti kodrave për në thellësi të bjeshkëve. ’’Rivalizonte” e gulçonte makina jonë në rrugën gjarpëruese plot gropa e kthesa për lartësi të reja. Ne ngjitemi e ngjitemi, por në largësi shohim se turistët nëpërmjet të përpjetave e rrugëve direke kanë përparuar më shumë se ne. Markofçia është një ndër bjeshkët e para, si ato mini -fushat e futbollit para një stadiumi të madh.

Pas mëngjesit e kafes në dalje të fshatit Çerem, ndalimin tjetër e bëmë tek Kungji (kulmimi )  i Armëve, në atë shesh ku festohej e zhvilloheshin gjithfarë veprimtarish. Ndonëse në një pikë vështrim relativisht të ulët, mund të vështroje në të katër anët dukë bërë një fotografim të shpejtë siç bën çdo vizitor kur vjen për herë të parë në një vend. U befasuam me këtë “prezantim të parë”, por edhe nga fjalët e dy pasagjerëve dhe të shoferit: ’’Do të shihemi… Sot nuk kemi lek”.

– Mirë, mirë, nuk prish punë edhe një ditë tjetër, -foli qetësisht shoferi.

Thashë me vete se për sot i iku gjysma e fitimit. Meditoja në heshtje e shikoja shoferin aspak nervoz. Disa thonë se tropojanët nguten e janë gjaknxehtë; rasti i sotëm e të tjerë tregojnë krejt të kundërtën. Në linjat inter-urbane, por edhe brenda qyteteve kam parë të plasë sherri e debate mes pasagjerëve, shoferëve e fatorinove për gjëra fare të vogla, deri edhe në përplasje fizike.

Trokuzi-perlë emocionuese e mikpritëse

Duke lënë djathtas Mullafcin, Lugun e Vocit, Poligajën, e majtas Markofçën, fillon zbritja për në terrlën (stane-qytezë) e Torkuzit e mbledhur dhe e qarkuar në një lëndinë, e rrethuar me pyje si një oaz me rreze jo më shumë se 100 metër. Kjo bjeshkë është ndër më të bukurat në Alpe, por ndoshta edhe në Europë. I mirënjohuri dhe i respektuari  Hysni Musa, i befasuar e i gëzuar pamasë nga ardhja ime, nga oborri-ballkon turret drejt meje duke më uruar mirëseardhjen e duke më përqafuar e rrokur si të ishim ndarë prej vitesh. Me ngrohtësi e dashamirësi më priti i biri i tij, Petriti me nusen e vajzën, Fatbardhën e Erën studente në një universitet të Tiranës.’’ Stan i thënçin”, por ngjante më shumë si ’’shtëpi kukull’’ ; një vilë e vogël dykatëshe me oborrin-ballkon të ngritur për katin e parë, të përshtatur sipas pjerrësisë së relievit e katin e dytë për dhoma fjetje, me ballkone e mbulojë alpine me dërrasa. Me mjeshtëri janë harmonizuar thjeshtë, ndërtimi me gurë, tulla, çimento, lëndë drusore, por edhe punime të tjera artistike, ku bie në sy oxhaku karakteristik . Jo larg stani tjetër më i vogël me mur guri të thatë e lëndë drusore që shërben për magazinë e në raste të veçanta, kur shtohen mysafirët, edhe për fjetje. Mjediset ishin të thjeshta, të këndshme, funksionale, e çlodhëse; veshjet me dru m’u dukën kurative e anti-stres. Nuk ishim si në një stan tradicional me hapësira të vogla mbuluar me dushk lisi, fier apo bar, por në një mjedis relativisht të madh e modern, me dhomë pritje, ballkone, dhoma gjumi, kuzhinë e orendi, banjë me ujë të rrjedhshëm, ndriçim me panele diellor etj. gjëra që rrisnin rehatinë e komoditetin. Duhet thëne se ky është ndër më të mirët, por jo për të gjithë janë mundësitë për ndërtime të tilla.

Rreth e rrotull stanet e Buçpapajve, asaj dinastie me emër të njohur në të gjitha fushat, jo vetëm në Tropojë, por edhe më gjerë në të gjitha hapësirat shqiptare, biles në letërsi me njohje ndërkombëtare duke veçuar Skënder e Muj Buçpapaj me botime e çmime të rëndësishme prestigjioze botërore. Janë të një vllaznie edhe pse me mbiemra të ndryshëm Hysni Musa, Ali Ibishi, Skënder e Muj Buçpapaj, Skënder Haluci, Arber Ahmetaj, Bislim Ahmetaj, Avdi Haluci, Hasan Mehmeti e vargu nuk mbron as me Buçpapajt etj. Elida, Iliri, Flamuri, Halili, Abdyli, Zeneli, Alushi, Alia, Zmajli, Bajrami, Sejdia, Haxhia, Mehmeti, Shpendi.

Vizitën e parë atë pasdite të bukur e bëmë tek shkëmbi i Gjon Balës, i atij prijësi popullor shqiptar nga Vuthaj, emri e bëmat të cilit enden mes realitetit e legjendës. Thuhet se ishte aq i fuqishëm, sa me të dyja duart ka vendosur majë shkëmbit të lartë një masiv guri si sofër mbi dy kolona të mëdha karshi që ngjajnë si supet e dy vëllezërve krah njeri – tjetrit, ku dukshëm depërton drita tejpërtej. Sa më shumë afroheshim, shtohej edhe kurioziteti. Kaluam në ato lartësi, nëpër ca shtigje e labirinte misterioze e të rrezikshme. Rreth e rrotull pjesës qendrore që ngrihej dhjetëra metra pamë të shpërndarë në pyllin e dendur e tokën e butë me qindra masive gurësh me përmasa të ndryshme e forma gjeometrike, pothuajse të rregullta, por edhe të tjera të çuditshme. Mbase edhe ndonjë meteor nga hapësirat qiellore, hamendësi e cila meriton një studim shkencor.

E vendosur në një lartësi rreth 2000 metër mbi nivelin e detit,Trokuzi është një perlë emocionuese; ka kullota të bollshme, ujëra të shumtë e gurra poetike aq të çmuara e të vyera për bjeshkatarë e turistë, por edhe për gjënë e gjallë; ka pyje shekullore të pafundme me pisha, aha e drurë të tjerë të rrallë. Në këto bjeshkë gjenden të gjitha bimët mjekësore të Alpeve duke përfshirë boronicën e dëgjuar për vlerat kurative që  shtrihet në hapësira të konsiderueshme, mjedrat, luleshtrydhet, çajrat etj.; gjenden gjithfarë shpendësh e kafshë të egra si pula e gjeli, shqipet e famshme, ujku e ariu, kaprojtë e dhitë e egra, dhelprat e derrat, por edhe trofta pikaloshe në rrjedhën e lumit të Gashit etj.

Lëvizim nga njëra piramidë në tjetrën, nëpër ato kodra si kurriz peshku, bile disa herë edhe jashtë kufirit shtetëror. Këto ditë e në ditë të tjera kemi lëvizur ngjitur me piramidat që më ngjanin si thika në trupin e një njeriu. Nga qafa e Vranicës e deri në qafën e Sylbicës pothuajse i pashë të gjitha me sy e shkela afër tyre. Edhe sot, pas shumë vitesh që janë hapur kufijtë, përjeton një drithërimë të lehtë, një si ndjesi frike e trashëguar nga ajo perde hekuri e armiqësi që ndanin vëllain nga vëllai, popuj e kombe, por jo zemra; copëra bisedash që ngërthejnë drama e tragjedi, absurditete të pabesuara. Më vonë, jo larg staneve që shtriheshin  në një pllajë të gjelbëruar e të rrethuar nga pyjet gjithfarësh, bëmë një vizitë tek kroi i Grave, mes një pylli shekullor e një bimësie të dendur që na e vështirësuan gjetjen e dy burimeve afër njëra – tjetrës. Filluam të filozofojmë. Pse ky krua me këtë emër në mes të pyllit, kur kishte burime të bollshme afër vendbanimeve verore?! Pa dyshim gra e vajza në një ditë të caktuar të javës shkonin në mes të pyllit për të përvëluar në kazanë rrobat e familjes, por edhe për t`u dëfryer, për t`u larë e për t`u pastruar.

Ashtu si plazhi edhe bjeshka pa pushues, nuk ka kuptim; ato ngjajnë më shumë me një shkretëtirë. Duke qenë se verimi zgjat 2 – 4 muaj larg qendrave të banuara, ai është edhe manifestim vlerash, ku duhet veçuar shoqëria e miqësia e sinqertë, duke përballuar së bashku edhe shumë vështirësi, por ndarë edhe momente gëzimi. Qysh atë mëngjes herët kuptova se atë ditë në konakun e Hysni Musës do të ketë një tubim të vogël hareje... Pa u ngritur akoma nga krevati, dëgjova t`u thërriste disa njerëzve e t`u thoshte se nga ora 14  do të mblidheshin disa shokë.  E po thashë me vete ’’ndonjë sebep familjar”; tani është rasti të iki pa e tepruar. Pra, në ditën e tretë mendova të kthehem pasi shëtitjet e ditës së parë e sidomos pasditja e së dytës kur iku mjegulla e doli dielli e kishin përmbushur qëllimin e kënaqësinë e vizitës sime.

Ajo çanta pak më e madhe që s’e kisha marrë në ditët e tjera ’’më tradhtoi” disi. E zonja e shtëpisë më tha : ’’Pse po e merr sot atë çantë ta endësh kot ’’?  Kaq u desh e puna ime u bë disi                       ’’problem’’.  Më del përpara me të dyja duart Rasim Hasani, (nipi i shtëpisë )  e më shtyn për në stan, i zoti i shtëpisë më kap për njërën dorë, ndërsa i biri, si zakonisht fjalëpakë e i vendosur, më rrëmben çantën nga krahu e hyn në stan. U pa puna.. se si e ndjeva veten, edhe mirë edhe keq…

Ajo drekë e bollshme me gjithfarë ushqimesh BIO qe mbresëlënëse. Akoma më mbresëlënëse ajo tavolinë me burra të malësisë së Gjakovës për t`u marrë shembull në të gjitha drejtimet, harmonizuar natyrshëm tradita e mençuria popullore, me kulturën bashkëkohore e frymën civilizuese. Për një të panjohur ishte e vështirë të dallonte qartë nivelet e shkollimit, por jo profesionin, se secili fliste me maturi e kompetencë në fushën e tij, pa u hequr si eruditë në të gjitha fushat; çdonjëri i veshur thjesht, pastër e hijshëm.

Dashnor Elezi do të shiste këtë vit mbi 100 qengja. Rifat Ademi mbarështonte një tufë me lopë. Bajram Buçpapa, veteriner i pasionuar që banon në Tiranë, ka ardhur për pushime, por me çantën plot ilaçe. Ishte shumë entuziast e i gëzuar; ka shpëtuar një lopë e cila ka lindur 18 viça. Profesori i matematikës, Sejdiu, me përvojë si mësues e drejtues arsimi në Tropojë e Tiranë. Inxhinieri i talentuar Astrit Zeneli e juristi i njohur, i matur e i saktë Guxim Zeneli. Rasim Hajdari me kontribute të shquara në zhvillimet demokratike, vëllai i liderit e heroit të demokracisë, Azem Hajdari. Krah tyre Muslia, Selatini, Rexhepi, Fatosi etj. që plotësojnë mendimet e shprehura e gjallërojnë atë sofër bujare.” Jemi në stan” bëri shaka njëri, por me të shpejtë priti “rrufetë”. ’’Kudo ku janë burrat, bahet sobë burrash” (odë). Mendimet rrjedhin për shumë gjëra, se edhe jeta e tyre është e lidhur me zhvillimet politike, ekonomike e shoqërore. Do ta lehtësonin verimin e jetesën në këto lartësi ndërtimi i një ambulance, i një poste të vogël policie sezonale, i një shërbimi veteriner, i një punishteje për përpunimin e qumështit e boronicës me shumë vlera kurative, ndërtimi i një antene radio-telefonike, hartimi i një planimetrie për ngritjen e tërlave e staneve, përmirësimi dora-dorës i sistemit rrugor, kërkesa këto brenda mundësive ekonomike të shtetit tonë. Pa ndonjë pasuri të madhe, përkushtimi e kontributi i Sokol Avdiajt për hapjen e mirëmbajtjen e rrugëve është një shembull frymëzimi për çdo njeri, për biznesmenët e donatorët jo vetëm të Tropojës, por edhe më gjerë. Krah të zotit të shtëpisë në krye të tavolinës e ndjeva veten të respektuar në atë sofër burrash, edhe pse isha nga një krahinë disi më e largët e me prejardhje tjetër besimi fetar.

Doberdoli e Sylbica- bukuri përrallore

Përjashtuar ditën e kthimit, çdo ditë bëra vizita, çdo herë shikoja e shijoja gjëra të reja, por më mbresëlënëse qe vizita e papritur në Dobërdol. Kur u davarit mjegulla e doli dielli, makina mori rrugë të re.    Pasi e kuptova këtë ndryshim, kundërshtova me forcë për arsye etike, por me zemër pranoja edhe të kundërtën. Shoferi, si zakonisht i vendosur për të plotësuar dëshirën time për sa më shumë vizita.  Me të mbërritur në rrëzë të kershit të Vujkut, aty ku janë organizuar kuvende me rëndësi për mbrojtjen e trojeve autoktone shqiptare, pashë si në pëllëmbë të dorës atë perlë fantastike e u ngazëlleva shumë. Udhëtimi u bë magjik përmes rudinave të Dobërdolit e deri në Qafë; majtas midis dy majave të vogla pikëtakimi i kufirit të tri shteteve, dy prej tyre të krijuar vitet e fundit. Ajo luginë e shtruar me një qilim të blertë mes për mes të cilit rridhnin ëmbël burimet e Lumit të Gashit, ngjante si një banane gjigante e në shpinë të saj Sylbica me nam; i mendova si dy bukuroshe qafë më qafë, veshur me një pushe të blertë (pa pyje) që freskoheshin në ujin e burimeve të bollshme e rreziteshin në diell. Lotonin sytë e gjinjtë e tyre me ujë bore qelibar e përkarshi na shfaqet një bukuri përrallore: liqeni i Dashit, syri magjik i kaltër i Alpeve me diametër rreth 50 m e 2220 m lartësi mbi nivelin e detit. I pabesueshëm ky peizazh…buzë tij nga ai mister i mbushur  ’’grumbull’’ me ujë e burime të tjera zë fill burimi i lumit. Tronditëse dhe interesante ajo legjendë e pashoqe e krijuar nga populli, kujto djalin simpatik me fyell që artikulon tinguj magjepsës, vajza bukuroshe me gërsheta me zërin melodioz e dashin kobzi...Pas vdekjes tragjike, sipas gojëdhënës, fyelli i bariut nëpërmes rrjedhjeve nëntokësore të ujit  është gjetur në Vrellën e Molliqit në Kosovë e gërshetat e vajzës në Shoshan të Tropojës, dhjetëra kilometër larg nga burimi e njëri tjetri. Petriti pa e kursyer veten as makinën  në ato rrugë vërtetë problematike, shfrytëzon çdo mundësi për të respektuar shokun e babait, ndërsa Era fikson me kujdes në aparatin fotografik pamjet më pikante.

Pas atyre shëtitjeve të mrekullueshme e asaj dreke të paharruar, kupa e kënaqësisë ishte mbushur plot, por nuk po shkëputesha dot nga ajo natyrë marramendëse. Pasditen e fundit u ngjitëm me Hysniun në majën e Borakës me lartësi mbi 2000 m me një sheshpamje me hapësirë të madhe. Ai burrë fisnik që ka mbjellë vetëm mirësi gjatë gjithë jetës,  ecte përpara meje me shkop në dorë,  më ngjante si shenjtor a si profet që sjell fat.

I rroka si i pangopur  me sy ato hapësira e pas një frymëmarrje të lehtë bëra dhe një ’’inventar”.

Nga njëri krah : Gjarpri i Doçit, i Mulosmanajve, Rupat, Bira e Kusisë, Lugu i Vocit, Mullafci, Javori, Bullatergu, Policat, Lumi i Gashit e kulla e gurit e Mujë Hoxhës, Poligaja, Tërkuzi, Balçina, Kushetica, Kershi i Kocajve, Livadhi i Çillës, Luzhnicat, Prebuja, Tringëllima, Dobërdoli, Sylbica, Pojana, Ujeza, Radeshet e kreshtat e Shkëlzenit ; në krahun tjetër Kollata, Qafa e Borit, e Vranicës, Pecmarra, Brijza e Geghysenit, Droça, Maja e Hekurave, Shtylla e Grisë, Lugu i Thive, Bisheva, Soça e të tjera bjeshkë në ujëndarësen Valbonë – Curraj.  Burimet e bollshme të ujit janë qershia mbi tortë. Ato rrjedhin në lugina me pyje të reja e shekullore, mes gjelbërimit të paanë, bimësisë së dendur e kurative, në rudina nëpër bar e myshqe që shërbejnë si sfungjer pa sjellë asnjë gërryerje apo dëm ekologjik. Ato rrugë e gjurmë rrugësh, ndonëse me shumë probleme, janë një arritje e madhe, sepse vit pas vit mund e duhet të rregullohen e shtohen; rëndësi ka se ekziston traseja e tyre në terrene jo të rrëshqitshme. Mund të shkruash gjatë për tërlat për postat e ish-postat e kufirit për kërkime gjeologjike, për rudinat e pllajat alpine, për këto bukuri të fjetura, perla të vërteta e sa e sa pasuri e histori të pashoqe. Pushues, vizitorë e bujtës mposhtin edhe shumë vështirësi të motivuar nga tradita, romantizmi e krenaria, por jo pa kosto.

***

Rritet e harliset robi e zmadhohen mushkëritë nga ajri kurativ, gufon zemra e hidhet përpjetë nga gjelbërimi i paanë, sytë përpijnë gjolet  e bukur alpinë e burimet ujë-bore, trupi rinohet e gjeneron forcë, truri dehet e mendja merr krahë...

Fantazon imagjinata ime, lundron në liqenet interesant e lumin e Gashit, fluturon në kreshta malesh, përkundet e mbështillet në ca shtëllunga të bardha të reve në qiellin e kaltër e mjegullën e pambuktë në  fundin e luginave, që paralajmërojnë ardhjen e vjeshtës e befas, bjeshkët më shfaqen si mirazh, si në legjendat e Mujit e Halilit.

Këto hapësira të papara me reflekse marramendëse, të pa shijuara, të panjohura mirë e të pastudiuara, janë një pasuri e madhe që duhet menaxhuar, por jo shpërdoruar, as lënë në harresë.



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: