Kalosh Çeliku: Unë shes gjela e jo pula
| E Shtune, 10.09.2016, 06:55 PM |

UNË SHES GJELA

E JO PULA

NGA KALOSH ÇELIKU

Vërtetë, tashti më në fund u binda se, një artist i lindur, e ka vështirë të mbijetojë në këtë shtet të “përbashkët demokratik” policor. E rrethojnë gjysëmanalfabetët nga të gjitha anët me armët tokësore e qiellore. Portën ia mbyllin me shul tullari. Derën. Edhe, dritaret. I ka mbetur vetëm oxhaku. Dalje, të cilën e kanë ditur vetëm fisi i kaçakëve. E plaçkitë shteti i “përbashkët”, e plaçkisin hajdutët politik të strukur nëpër institucione të Shtetit.

Vitet e fundit, që kur dolën në skenë bombat “politike” të Zaevit, telefonatat me provokime “erotike” më kanë lënë së paku rehat: sonte, a do të dal në takim me Miken dhe në cilën Tavernë?! Mos harro se, edhe unë jam një sexsi bombë, jo si ato të Zaevit “politike” e patetike të përditshme në rrugë, por edhe më e rrezikshme - atomike. Dallimi mes meje e Zaevit ështe se, Zaevi donte nga rruga të vijë në pushtet, e unë nga shtrati. Tjetra, përgjumshëm: vetëm me mua mund t’i rrokullisësh ato dy shtambat e tua historike me verë nën Rrap. Dhe, shkruash poezi antologjike. Libra.

I Treti në gjuhën “maqedonase”: Nuk e di nga ku më ka rënë në dorë numri yt i telefonit, mos shetë ti pula? Qesh, përmes telefonit. E ke gabim: Jo, unë nuk shes pula, po gjela. Përgjigja nervoze, aty për aty më vjen përmes telefonit: ti, po tallesh me mua? I përgjigjem gjakftohtë në stilin tim satirik të shkrimtarit: Jo, nuk tallem me ty o “burrë” telefoni anonim, por e kam seriozisht: Unë shes gjela.

Zëri matanë telefonit, tashti më përgjigjet i nervozuar me belbëzime pa kontrollë: Mirë, atëherë do të shihemi me ty një ditë sy më sy në fushën e mejdanit, do të të kërkoj nëpër qiell mes reve e nën tokë: Ti vazhdo të shesësh gjela e unë do të shesë pula. Patjetër, i përgjigjem përmes telefonit: brez pas brezi unë kam shitur gjela, e jo pula. Përmëtepër sa për dije, unë jam akoma në tokë. Sotpërsot, ende nuk kam fluturuar në qiell si Azreti Isai. Nuk ka nevojë të më kërkosh nëpër qiell. Përditë më ke në Tavernë, përpara këmbëve të Olimbisë me fëmij në bark, gji e prehër.

Dhe, kohën e fundit, përçudi askush nuk më bënë telefon, përkujton si mik i fiçit dhe penës me dy tyta. Mendja, ma thotë: Vallë, nuk e dinë se Unë ende jam gjallë, në Shkup?! Luftën e vazhdoj me penë. Nuk më kërkon njeri i gjallë në takim “erotik” nën Rrap, apo policor tek Vetëshërbimi i mallërave, në Bit – Pazar. Nuk do të bëjë “biznes” me mua si shkrimtar. Shteti nuk më dërgon gra “besnike”. Nëna Parti, mu si dje ndonjë rrunzë kopeje nga ato të nënkryemet. Ndoshta, të vdekurit më kërkojnë për ndonjë përkujtim vjetor, por ato nuk më kanë mbetur borxhe. Problem nuk kam me të vdekurit, por me të gjallët. Zgjohuni të vdekur se, më mbytën të gjallët! Edhe, në ndihmë papritmas me “tabutin” mbi shpinë më erdhën të vdekurit, jo të gjallët. Kopshti im poetik, përçudi sot u mbushë me gra besnike. U kënaqa.

Shqiptarët, ende vazhdojnë të merren me lugët dhe enët. Asnjërit, deri më sot nuk i teket të merret me Shtëpinë. “Vatanin” (Atdheun), që sipas porosisë pejgamberit fundit: Muhamedit a. s.: Pa “Vatan” nuk ka “Iman”. Pejgamberi a. s., gra e shtëpi ka pasur me shumicë, por luftë ka bërë për gra azgane e “Vatan”. Zemra nga inati më plasi me shqiptarët: Çka u duhet shqiptarëve një Nënë Terezë pa “Vatan”?!

Ditën e Sotshme Historike janë kapur mbi Urë si ato Dy Dhitë kryeneçe: shqiptarët dhe “maqedonasit”. A, është Nënë Tereza me prejardhje shqiptare, apo maqedonase?! Rroken kokë më kokë me brirë shyta mbi Urë dhe përfundojnë bythekrye në lumë. Shkaku, se: Ballkani historikisht është i përzier me popuj vendor fisnorë, pak veta kanë gjak të pastër shqiptari. Mjerimi, nuk e dinë, se: maqedonasit e sotshëm që thirren si “maqedonas”, nuk janë të gjithë fis i Ilirëve, por popull sllav pakicë i përbërë nga bullgarët, shqiptarët, vllehët, serbët, turqit dhe romët, që shoku Tito i bëri shtet komunist. Përçudia: pakica nga shteti komunist me ndihmën e shqiptarërve ende kanë shtet “demokratik”, e shumica vazhdon të jetojë në pushtetin e tyre si robër. Punë tjetër është ajo se, vendin e shokut Tito në sheshin “Maqedonia” e ka zënë Aleksandri i Madh i Maqedonisë. Realiteti: Nënë Tereza i takon gjithë botës, mbarë njerëzimit.

Fatkeqësisht, mu si dje: shqiptarët ende vazhdojnë të merren me lugët dhe enët. Dhe, jo me Shtëpinë. Malet dhe arat e Babait. Politikë “madhore” bëjnë nëpër Katunde, e “maqedonasit” nëpër institurcionet e shtetit të “përbashkët”. U kënaqën duke i lexuar poezi njëri - tjetrit për Nënë Terezën nëpër Katunde. E, “maqedonasit” para syve të botës u përgjigjen me Akademi Shkencore nëpër Institucione shtetërore. Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve e "arrin “kulminacionin”: Kryetarit të Akademisë të Shkencave të IRJ të Maqedonisë i dhuron edhe një katalog për Nënë Terezën. Turr mjetet e “pavarura” të informacinit ta bëjnë kush i pari “patriotizmin” e tij si lajm “ekskluziv” në publik. Propagandë e politikës ditore. Kalorësit e arratisur shqiptar të ASHM -së me nga dy-tre vende pune, pensione shtetërore e paga të majme mujore nga shteti i “përbashkët“, distancohen” pas gjumit dimëror shekullor. Vetëmse, asnjëri nuk jep dorëheqje?! Orët letrare poetike vazhdonjë me vargje patetike deri në mengjes për Nënë Terezën. Edhe, ditën e nesërme. Ndoshta, edhe pas një jave. Viti. Shekulli.

Shqiptarët, ende nuk kanë politikanë për Ditën e Sotshme Historike, ama kanë poetë Katundi me shumicë e pakicë. Kutadi unë, ndoshta ky soj i poetëve janë ato që do ta shpëtojnë Atdheun (“Vatanin”) nga Robëria shekullore. Ndoshta.

Populli shqiptar thotë: ku të dhëmbë dhëmbi, aty shkonë dhe gjuha. Përçudi, edhe mua gjuha më shkon tek dhëmbi: Koha erdhi, të mbes pa gra “besnike” dhe “patriotë” kuqezi. Përmëkeq, edhe pa shkrime publicistike.

Bombat “politike” të Zaevit dhe gjirizi i Shkupit 2014 na morën në qafë...



(Vota: 32 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: