Klajd Kapinova: Konica u varros me tinguj nga Wagner
| E Diel, 28.08.2016, 03:10 PM |

FAIK ose DOMENIK KONICA  nuk u varros me ceremoni fetare, por vetëm me tinguj, tinguj të qetë të gjermanit të madh Vagner

Nga Klajd Kapinova

E vërteta, nuk ka nevojë për stil gjarpërues e të yndyrshëm të shkrimeve akademike.” – Faik KONICA, Albania 2, 1897

Shumë shqiptarë dhe të huaj patën mundësi t’i dhurojnë nder dhe vlerësime veprës së begatë e cilësore të Faik Konicës. Me të drejtë është cilësuar nga Poeti ynë Kombëtar At Gjergj Fishta si “...gjyqtari i letërsisë ma të hijeshme shqiptare”, nga Qerim Panariti me respektin si “Kalorës i atdhetarisë shqiptare”, prej Imzot Fan Nolit me vlerësimin sintezë “Enciklopedi e gjallë”, ndersa studiuesi i huaj Apolinier është përcaktuar si “Enciklopedi që ecën”.

Në kohë dhe rrethana të ndryshme normalisht kan vijuar vlerësime nga prof. Arshi Pipa,ku,për më tepër ndër të tjera shprehet: “Rrallë herë shprehja e famshme: “Le style c’est l’omme” gjen trupëzim më të përshtatshëm se te Konica. Pse ai qe i tani stil njohti të gjithë të mshehtat e stilit, të gjitha kthesat. Stili i tij qe në thelb satirik. Te tana gamat e satirës ai i provoi,prej ironisë ma s’ambel deri në sarkazëm, prej humorit deri në pamplet. Por qe edhe i kthjellët e i ambël kur deshi”.

Prof. Kapllan Resuli përherë ruajti vlerësimet më të ngrohta për shkrimtarin e madh. Shkrimtari Mitrush Kuteli me kohë ka lënë fjalë të shprehura hijshëm: “Konica, ishte stilist e prozator, kritik i kthjellët,cpolemist i rreptë - me qartesi mendimi që s’ka shok në botën shqiptare”.

Namik Resuli në mënyrë të përmbledhur,e koncepton fenomenin e papërsëritshëm të letrave shqipe kështu: “Ishte protogandisti numër një i zhvillimit kulturorë e letrarë të pjesës së dytë të Rilindjes.”

Për volumin në rritje të punës së frytshme me lëndën e pasur të brumit shqiptar, Konicën që punonte dhe jetonte në SHBA, pikërisht duke plazmuar papushim si mendje prodhimtare, ai në tokën mëmë do të ketë admirues që fare hapur do të shprehin se: “Në shkrimet e tij Faiku përdor një stil të mprehtë dhe shumë herë të ashpër”. “Shqipja e tij e thjeshtë dhe e kulluar u bë model për shumë shkrimtarë të tjerë”, -shkruan shkencëtari i palodhur Prof. Eqerem Çabej, gjuhtar i cili vlerësoi veprën e kryelëvruesit të gjuhës sonë, duke qenë në këtë mënyrë një ndër flamurtarët tanë më përparimtar për ecjen e saj përpara drejt rritjes cilësore.

Nuk mund të flitet për brezin e Rilindjes pa menduar Faik Konicën, si përhapës i shkrimit, i ideve dhe i kulturës kombëtare. Prof. Abaz Ermenji në veprën e vet historike “Albania – Vendi që zë Skenderbeu në historinë e Shqipërisë”, kur merr me rradhë vlerat e kontributit të mendimtarëve e atdhetarëve shqiptarë argumenton: “Faik Konica i dha bukuri artistike prozës, zbuloi shprehjet e holla të saja dhe e ngriti në lartësinë letrare... E përkohshmja “Albania” u bë si një enciklopedi e vogël shqiptare, ku shkruhej mbi gjuhë, letërsi, art, histori, probleme politike e shoqërore, botoheshin pjesë të folklorit dhe t’autorëve që jetonin të shpërndarë nëpër vise të ndryshme të botës”.

Në të kundërt me sa cituam më lart, në drejtim të njeriut të madh, mbretit të mendimit shqiptar, që aq shumë për formimin kombëtar shqiptar, duke ndezur dhe ushqyer talentet shqiptare, etj., në periudhën kur në Shqipëri vegjetonte koha e absurditetit dritëshkurtër, kanë shpërthyer edhe mllefe turpi, fyerje, injorime dhe mosmirënjohje nga më të ndryshmet, duke nisur me citime të cilat sot enden si njolla turpi.

Mirëpo, ende nuk mundemi sot të shijojmë deri në fund kryeveprat e talentit të tij, pikërisht ato vlera që përpara se të deshmojnë horizonte të gjera intelektuale, në unitet armatosin njerëzit me shpirt të pastër shqiptari.

Edhe pse eshtrat e tij erdhën në Shqipëri, pak kush u kujdes për veprën madhore të tij. Kështu, shumë numra të revistës “Albania” enden të shpërndara nepër botë. Ata për fat të keq dergjen nepër dhoma të ftohta të bibliotekave të huaja pa mundur të vijnë dot të plotë deri në duart dhe mendjet e shkollarëve e të studiuesve seriozë shqiptarë.

Në bibliotekën e pasur të tij bëjnë pjesë mbi 2500 libra me vlerë,që kan mbetur larg Atdheut,ndonse vetë Konica kishte dëshirë që librat duhet të jenë pjesë e Bibliotekës Kombëtare Shqiptare. Assesi nuk është vonë të luftojmë për dimensionin human të sjelljes, regjistrimit dhe vlerësimit të pasurive të frytshme shkrimore, të cilat duhet të jenë pronë e të gjithë shqiptarëve, duke u kujdesur kësisoj për trashegiminë kulturore të bashkëkombasve tanë.

Ai lindi për të mos vdekur kurrë në zemrat e shqiptarëve

Me 15 mars të vitit 1876,në Konicë lindi njeriu që e mbante gjithkund me krenari emrin e fshatit të lindjes. Ai është biri i një nëne e derës fisnike të bejlerëve të Delvinës,me ndikim të ndjeshëm në hierarkinë e lartë, me poste në kohën e Perandorisë Turke.

Përpara se të vinte në shkollën e njohur të jezuitëve të Shkodrtës, ai kishte mësuar nga mësues privatë, ende i vogël gjuhën arabe.

Mbas 12 muaj të qëndrimit në Shkodër, u kthye në vendlindje e më pas shkoi në Stamboll, ku u regjistrua për të vijuar studimet në një nga shkollat më të mira të Turqisë dhe pikërisht në Liceun Perandorak të Gallata Sarajt, me mësimdhënës francezë. Në moshën 14 vjeç niset për Francë për studime, ku këtu spikat veçanarisht në prirjet në drejtim të letërsisë klasike.

Dy vjet më pas,më 1882 u regjistrua në Liceun qeveritar të Korkanos (Francë), ku përsëri përthithi me deshirë letërsinë dhe filozofinë, ku për kulturë të përgjithëshme të tij u nderua me çmimin “Shpërblimi i Nderit për Retorikë”, dhe përkatësisht për vlerësimet e para në hartimin e frengjishtes dhe shpërblimin e parë në gjuhën antike latine.

Në fund të vitit 1895 përfundon pranë Universitetit të Dizhonit studimet për letërsi dhe filozofi. Gjatë kohës që ishte në Paris, për dy vjet, ndoqi kursin e letërsisë frenge të kohës së mesjetës, të latinishtes dhe të greqishtes, duke përfunduar serinë e studimeve të veta në Universitetin me famë botërore të Harvardit në SHBA, pastaj në Cambridge, Massachusetts deri sa me 1912 fitoi titullin “Magjistër i Artit” (Mastër of Arts).

Por, a do të mbyllet me kaq diapazoni i dëshirave kulturore të një njeriu me interesa të gjëra e të thella, për të ditur gjithçka e mbi gjithçka!?

Si njeri tepër i ndjeshëm ndaj madhështisë së muzikës simfonike, Konica si portret brilant adhuronte deri në madhështi kryeveprat e muzikës së pasur kishtare,të cilat i sherbenin ati si përiudha çlodhje shpirtërore tek dëgjonte me ëndje tingujt melodiozë që kumbonin mrekullisht.

Ishte dhe mbeti përherë një mendje brilante

Gjithnjë populli ynë është përulur me respekt, ndaj fytyrave të ndritshme të kombit të vet, pavarësisht se ku punuan e jetuan.

Të tilla vlerësime ruajti edhe për të madhin njeri të kompletuar, që mirfilli ishte dhe mbeti intelektual i rrallë dhei formuar më së miri,ku shquhej për kulturë të gjerë e të thellë, gama e sëcilës rrokte të gjithë drejtimet e vizionet njerëzore.

Pak e dinë në kohën e sotme, por që shumë duhet ta dinë gradualisht në të ardhmen nga brezi yn i ri, se Konica i papërsëritshëm, kudo e kurdoherë, mbrojti si një atdhetar i flaktë me pasion e bindje të shëndoshë misionin e parë të pavarësisë dhe të lirisë etnike të tokave martire të Atdheut të vet.

Ja se si shkruan në vitin 1907, në numrin e revistës “Albania”, që botohej rregullisht në diasporë: “Në vend të mbajmë mërirë dhe të kërkojmë çperblim të veçantë; le të mundohemi të trajtojmë një Shqipëri ku drejtësia dhe besa e përlindur e stërgjyshërve tanë të kenë zënë vendin e paburrërisë keqbërse të armiqëve tanë të trasheguar”.

Kohët e reja që erdhën në drejtim të Evropës sollën lëvizje të gjallë shoqërore, politike, të cilat në kompleksin e tyre hapën dhe një horizont të ri ndjenjash e mendimesh përmes së cilave normalisht nisi të vegjetojë krahas zgjimit të ndërgjegjes kombëtare, një kuptim i ri më i gjërë mbi vlerat e lirisë së individit dhe të bashkësisë ku ai bënte pjesë.

Në fillim të shek. XX lëvizja moderuese shoqërore të Prendimit, normalisht ndikuan në kthimin si domosdoshmëri të një rryme lëvizjesh kombëtare tek popujt e Evropës Lindorë e Juglindore, që aso kohe nuk gëzonin pavarësinë politike.

Në këtë mënyrë, fare mirë është konstatuar se elementët e parë në sensin pozitiv japin ndikimin e tyre si në lëmin e letërsisë ashtu edhe në artet tjera të këtyre popujve, që në atë kohë paraqiten para lexuesve shumëgjuhësh me plot tema kombëtare.

Mirëpo, pranohet se në shek. XVIII dhe XIX vetëm Shqipëria nuk po shkundej nga plogështia, ose e thënë ndryshe, ende nuk po zgjohej nga gjumi i shekujve për të levizur si komb. Por janë fatosat e saj të mëkuar me gjakun e popullit që u paraprinë nismave të reja progresiste, të parë në rrafshin kulturorë, kombëtarë, prijës i secilës ishte mendja dhe dora e begatë e Faik Konicës.

Alternimi i pendës dhe i mendjes në sherbim të kombit tëk Konica ishte shumë produktiv. Ai përherë u mundua që të ngrinte në një shkallë më të lartë vetëdijen e kombit të vet, në rrafshin e pavarësisë kombëtare,ku përherë spikat me elekuencë dhe me kulturë të thellë erudicioni klasik e bashkëkohor, karakteristikë e veçantë e një veprimtarie të shquar të politikës së lëvizjes demokratike kombëtare.

“Sot kan rast të behen të medhenj ata që japin zemër dhe gjak për lirinë e tre miljon njerëzve – s’besoj se në vent që të bëhen të mëdhenj – të zënë udhën shpirtunjësisë duke shitur veten tradhëtorë Grekërve”, - shkruante vetë Konica me përkushtimin e një atdhetari.

Pasi boton broshurën “Shqipëria dhe turqit” (1895), në Francë, vendoset në Bruksel, ku i jep jetë revistës politiko – kulturore dhe letrare me emrin kuptimplotë “Albania”, e cila gradualisht u bë një organ pararojë i rëndësishëm i çeshtjes së koklavitur të problemit shqiptar. Kjo e rriti më shumë autoritetin e revistës dhe të redaksisë të cilat i kryesonte vetë Konica.Nga viti 1879–1909 ajo doli edhe në gjuhë të huaj,ku çdo studiues mund të bashkpunonte në gjuhën që deshironte në se ishte i huaj dhe në gjuhen amtëare shqipe.

Kjo revistë u bë një enciklopëdi e gjërë,ku,në mënyrë të dukshme,vend të parë zë propoganda e ngjeshur e programit të qartë të levizjes kombëtare shqiptare, burime të rralla nga historia e kultura e lashtë e kombit tonë...

Si intelektual i barazvlefshme me pendat më të famshme të kohës, ai e ndjente se Atdheu kërkonte prej tij sherbime, e ndjente vazhdimisht se interesat e lëvizjes kombëtare i bënin thirrje ndërgjegjes politike dhe vetdijes kombëtare të çdo shqiptari pavarësisht se ku punonte dhe jetonte ai në ato kohra.

Si analist, në sasinë e madhe të shkrimeve që zënin faqe të tera në buletinin “Albania”, konstatonte se “Bashkimi s’është të ulim kryet para njeri-tjetrit, por të merremi vesh njerëzisht e të punojmë të lirë të gjithë për një qellim”.

Normalisht del se bijtë e tij të denjë aspirojnë e perpiqen për një jetë të lirë dhe shtet të pavarur, çka përbën edhe preokupimin e tij si bosht,ku vërtiten temat më të rrahura që Konica kishte për zemër si Atdheun që renkonte nga sundimi i huaj shumëshekullor.

Duke pëlqyer mirkuptimin ndërfetar, që ekziston ndërkohë si shembull në vendin tonë, mendimtari i mirë synonte një shtet modern shqiptar, mbasi ishte kundër ndasive pa interes kombëtar midis shqiptarëve, kundër prapambetjes ekonomiko-sociale, duke stigmatizuar mendësitë dhe praktikat e vjetra anakronike, çka e largonin Shqipërinë nga një shoqëri e vertetë e emancipuar, si pjesë e trungut të Evropes, ndaj së cilës, ai përpiqej që Atdheu të ishte sa më pranë mendimit, punës dhe shembullit të saj, gjithnjë progresist.

Publicisti, dallohet me pendën e tij për problematikën e pasur të temave, me shqetësimin e ndieshëm qytetar e atdhetar, ku falë argumentimeve bindëse, shquhet për një fuqi shprehëse.

Qartësia e mendimit, kulmon edhe në raste të tilla kur shkruan: “Kur është fjala për punë civile, për punë kombëtare, nuk është nevojë të vihen re besimet për të vepruar interesat e kombit. Mund të ndodh ndonjë herë katolikëve vetëm,a ortodoxë vetëm, a muhamedanë vetëm. Duhet të mësohen shqiptarët të mos shohinë,prapa Atdheut,fenë e njeriut.”

Pavarësia e liria, ishin çeshtje të shtrenjta të viganit të veçantë në historinë tonë. Kësisoj, ai kujtonte apelin e detyrave historike, të halleve të popullit,ndaj,duke shfrytëzuar rrethanat që iu krijuan punoi në dobi të interesave të Shqipërisë.

Në organin e vet “Albania”, si revistë të Rilindjes, Konica shprehet, “s’jam apostull i urtësisë, por anëtar i besës”. Si njohës i historisë së popujve dhe i psikologjisë së njerëzve,ishte mirnjohës dhe fisnik në respektin që ruante për ato kombe që ishin përherë përkrah me kontributin e tyre për çeshjen shqiptare.

Në karakterin e intelektualit mirnjohës ishte edhe natyra e Konicës. Kjo, falë pastërtisë shpirtërore të kombeve të civilizuara siç ishte Austria për të cilën do të jepte me saktësi, kthjellësi dhe elegancë këto rradhë falenderimi: “Kur bota flasin çiltas të na coptojin atdheun, u ndodh një Mretëri e madhe që na njohu zyrtarisht kombasinë, na vuri gjuhën në shkolla të guvernës së saj, u mundua të na bashkojë dhe të na rrit ndjenjat komëtare. Kjo mbretëri e dini të gjithë që është Austria.”

Duke menduar mbi jetën dhe veprën e madhe të Konicës, dalin menjëherë në pah ato pika kulmore, të cilat e lartësojnë denjësisht në vendin e atyre burrave të rrallë shteti, të një diplomati me një fizionomi të veçantë, me një mendim të mprehtë politik, punë të madhe cilësore në lëmin e kulturës, duke lëvruar në fusha të ndryshme kujtese të letrave shqipe,të ngritura në origjinalitetin e papërsëritshëm, si mjeshtër i rrallë i lakimit të fjalës së shkruar shqip.

Ishte kërkues, duke pasur përherë në mendje e në zemër shtimin e njohurive përsonale dhe normalisht kërkonte ta shtrinte përtej vetes, me deshirën e mirë që kjo rritje të kalonte edhe te populli i tij, duke luftuar kundër pranisë së obskurantizmit, e cila mohonte rritjen e nivelit kulturor të njerëzve.

Parapëlqente të trajtonte në një gamë më të gjerë tema të kohës, duke qenë kështu krijuesi i dialogut me kohën dhe përherë i pakënaqur me gjendjen e deri atëhershme dhe përherë kërkues në alternativat më të mira.

Kështu vijonte duke këmbëngulur me vendosmërinë e një “tekanjozi”. Për më tepër mendimi i tij politik vërtitej rreth pavarësisë që rrezatonte shpesh në revistët e kohës.

Karakteri i tij i vështirë e bënte të papajtueshëm me natyrat e ndryshme. Me këto ide e qellime fisnike, vazhdimisht jetonte e punonte për të siguruar normalisht bashkëkombësve të vet zhvillim në rrjedhë të natyrshme përparimi me synime të mirëfillta progresiste, iluministe dhe humaniste. “Me gjithë të ligat e tij, shqiptari ka në fund të zemrës një dashuri të shëndoshë për larine”, - sintetizon në mendimin e vet Konica mendimtar.

Mendoj, se nuk është koha të lakohet sot, përmes shkrimeve dhe kumtesave të ndryshme që po bëhen tani në drejtim të vlerësimit të figures dhe të qëndrimit të Faik Domenik Konicës, fakti se ai ishte përherë për qytetërim prendimor të popullit shqiptar, në një kohë që ajo shihte shumë qartë në tërësinë e kontributit që shpalosi shpesh për racën shqiptare, duke e radhitur atë në panteonin e hershëm të frymës oksidentale, që ajo i përkiste prej kohësh, për të cilin shkroi përherë me sukses edhe patrioti.

Esencialisht, pranohet me të drejtën e qytetërisë se njeriu i hapësirave të gjera diturore, është i veçantë në konceptin kulturorë shqiptar, pra, ku gjuha amëtare shqipe është një pjesë e rëndësishme e kulturës, si kulturë gjithnjë prendimore e jo lindore. Nuk është kjo përiudhë iluministe, për punë krijuese dhe jetë e tërë e njeriut gjenial e shembullor i kombit shqiptar.

Ai krijoi një kulturë,një sjellje krijuese,një model sjellje shembullore; e shprehur kjo përmes miqësive jetësore e artistike, dhe tërësisht punën e pavarur të tij. Sa herë të lexosh veprën e tij, çdo ditë shpaloset i kthjellët, virtuoz në të gjitha drejtimet origjinale si në fushën e pasionit shkencor, gjuhësor, letrar, artistik, në lëmin diplomatik, me të cilat mundë të ngrihen konturet e monografive të veçanta mbi të.

Për ketë ushqim të madh me vlera të reja kulturore e atdhetare ka më tepër se kurrë rinia jonë e përjashtuar nga këto virtyte të domosdoshme. Përsëri zgjimi i ndjenjave të pastra kombëtare kanë nevojë për busullën e moralit shumëdimensional,që shpalos dora – dorës figura tipike e Konicës.

U takon tashmë shqiptarëve, pra të rizbulojnë shkëlqimin e xhevahirëve të tillë që rrezatohen përmes Konicës, shumë shumë të harruar e të anatemuar deri ne një absurditet për disa dekada me rradhë.

Le të ulemi dhe të meditojmë mbi punën në vepra që njëpasnjë i la me nenshkrimin përsonal mendja e tij e ndritur dhe prodhimtare në dobi të kombit.

Brezat sot kanë me ke të mburren të gjithë që patën privilegjin të shpalosin dorëshkrimet e mrekullueshme që reflektojnë mesazhe të qarta.

Përpara studiuesve të tij, shpaloset përherë një minjerë e pasur stilesh e mendimi të mprehtë kritik, për kohën e fenomenet e spikatura negative që mbisundonin një herë e në një kohë në shtresat me nivele të ndryshme të shoqërisë së sonë në fillim të shek. XX.

Tërësia e tyre na dhurohet,falë kulturës së pasur pluridimensionale që kishte fatin e mirë të zotëronte qënja e tij,çka pasurojnë në mënyrë të ndieshme kontributin teoriko – praktik të Konicës.

Cili është mjedisi ku hulumtoi dhe zhvilloi veprimtarinë e gjërë vetë misionari aktiv i kulturës sonë Konica?

Pa bërë shumë hyrje retorike, sipas këndvështrimit tim,mendoj se gjerësia e kulturës që kishte grumbulluar me vullnet të fortë e reflektonte për pasojë me mesazhe të qarta në disa disiplina të veprimtarisë si; arsimor, studimor, letrar, kombëtar, i përfshirë mendërisht e shpirtërisht në strukturat e freskëta të mendimit politik të kohës, si njeri përparimtar dhe burr i zgjuar shteti deri në largpamësi.

Përmbledhur në mënyrë sintetike, ato kristalizojnë mendimin më të drejtë se Konica e kishte merituar këtë dhunti e begati, sepse studionte me endje kulturate ndryshme të familjes së madhe evropiane, ku lindi, u zgjerua e u thellua cilësisht kultura e tij e dalluar,duke zënë fill nga tabani komëtar shqiptar.

Me këtë vijë pune, ai u thellua më pas në kulturën e lashtë dhe bashkëkohore greke, italiane, franceze, turke, belge, angleze, rumune, austriake, zviceriane, gjermane, duke mberritur kësisoj në tokën e vendit të bekuar këtu të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (Boston), ku ndihmesa e tij, në këtë rast, zë një përqindje të lartë.

Tashmë të gjithë kanë mundur të shfrytëzojnë burime të ndryshme të lexojnë (përmes gazetës “Dielli” të Bostonit (sot botohet në New York), ”Iliria” etj., organe të larmishme të shtypit periodik e kulturor në Shqipëri), mbi përsonalitetin, ku shpejt do të njohin një intelektual të formuar mirë që përherë u ushqye me një kulturë shumërrumëshe, të cilën, me kënaqësi e pasion, i përpinte, vite e vite me rradhë, konturojnë dituritë e shumta të Faik Domenik Konicës.

Tashmë, për njerëzit e rinj të kulturës po hapen shtigje të reja të hulumtimit dhe të vënjes në vend të vlerësimit mbi publicistin dhe erudistin më të hollë të diasporës shqiptare për kohën e tij.

E thënë në mënyrë të përmbledhur,është koha e hapjes së minjerave të reja të kërkimit në udhë të pashkelura, për të nxjerr në dritë pasionin e flakët që kishte për fushën e magjishme të botës së letrave, duke hedhur poshtë opinionin e shtrembëruar që mbiu si këpurdhat pas shiut mbi të gjithë brezin e njerëzve me mendje të ndritur, në radhën e të cilëve bëjnë pjesë dhe veprat e lëna trashegim nga Faik Domenik Konica dhe mergimtarë të tjerë të letërsisë sonë që sot po zënë vendin e duhur.

Gjithsesi, në mënyrë më bindëse, zbulohet përcaktimi se ishte ky mjedis i ri ku lulëzoi për afër 6 dekada me rradhë, ku jetoi e punoi jashtë Atdheut të vet (shkrimtari vetëm 7 nga 67 vjet së jetës së tij jetoi në Shqipëri), që natyrshëm shkallë-shkallë formuan fizionominë e përsonalitetin konician, me natyrë të hovshme, disi të veçantë në karakterin e tij, shprehi e zakone të tjera, përkundrejt atyre të bashkëqytetarëve e bashkëatdhetarëve të vendlindjes.

Një portret të përmasave të mëdha jep në gjykimin e vet shkodrani erudite Prof. Arshi Pipa mbi njeriun e gjithanshëm, kur shkruan: “Na duket, ndërmjet atyre dy poleve të kombit që janë gega e toska, se i pari përmban ma tepër landë, brumin e shqiptarit dhe i dyti, trajtën, frymën. Dhe në se gjejmë ma të madhin përfaqësues të Gegnisë te Fishta, ndeshim kulmin e faqes tjetër jo te Naimi, jo te Noli, por te Konica”.

Mirëpo, duhet pohuar se me të drejtë, Konica dhe asokohe njihej e çmohej si luftëtar për liri, emancipim, qytetërim, për pluralizëm të mendimit politik, për debat të hapur luajal, ku mund të fitonte të drejtë qytetarie ai mendim e arsyetim bindës, gjë të cilën e reflektoi konkretisht në studimin e vëmendëshëm që i bënte prej së largu parlamentit shqiptar, Kuvendit Kombëtar Kushtetues, shtypit periodik brenda dhe jashtë vendit.

Mbi të gjithë, ai ishte i brujtur me një natyrë të pastër civilizimi prendimor, pëlqente trinomin domethënës që konsistonte në lirinë e fjalës, mendimit e të shtypit, të mbledhjes e të veprimit, mbasi njihte anatominë e trupit të lashtë të kulturës evropiane.

Përthithja pambarim e nektarit progresist ia mundësuan në mënyrë të natyrshme vetë gjuhët e shumta që zotëronte, duke qenë në këtë aspekt një njohës shumë i mirë i gjuhës italiane, frenge, angleze, daneze, ruse, gjermane, suedishte, serbo-kroatishte, arabe, gjuhëve klasike të antikitetit (greqishte e vjetër e latinishte), greqishte e re, me të cilat përpinte në origjinal shumë lehtë ajkën e kulturës së pasur të qytetërimit botëror.

Po më tej çfarë spikat tek fenomeni i rradhë Konica?

Tek ai bëjnë pjesë portreti i njeriut të pasur në shpirtë dhe i thellë si karizmatik, filozofi i hollë, folkloristi i vyer i gurrës së pashterrshme amëtare, publicisti sasior e cilësor, adhuruesi i së bukurës në art, duruesin në kërkim të arkivave kudo, ku flitej dhe shkruhej, për të nxjerr në dritë traditat e pastra e të vjetra të popullit të vet, kërkuesin e përhershëm e të palodhur pranë bibliotekave të famshme të evropës, për të sjell që andej thesaret e pandriçuara të kulturë sonë, duke u zhytur thellë nepër labirinthet e analeve të diturisë botërore,si një zbulues aktiv i letërsisë shqiptare, që e kishin joshur shumë atë.

Faiku ose Domeniku, ishte rezultativ në volumin e pasur të punës së tij shkencore. Që andej ai nxori në pah të dhëna nga antikiteti parahistorik që kishin të bënin me burime të pasura të mitologjisë e të legjendave të vjela me durim nga veprat e autorëve të ndryshëm antikë grekë.

Me të drejtë, në të ardhmen Konica (Domeniku), si glotolog në hartën gjeografike të gjuhëve të huaja në zotërim, mundë të përfshihet në vendin e parë deri më sot në rast hartimit të ndonjë libri të mundshëm të rekordeve (siç është më e njohura në botë “Il Gunness dei primati”), si një poliglot i mirë,si njohës i 16 gjuhëve të botës, pikërisht të atij njeriu enciklopedik për interesat që zgjonte qënja e tij origjinale dhe e etur, kur për zemër ky njeri, gjatë kohës së lirisë, kishte pasion veglën e dashur të violinës.

Deshirën e shpeshtë për të luajtur si aktor pjesë perla të kryeveprave botërore të Shekspirit të madh. Këtyre deshirave të mëdha që iu kthyen në vese, duke i shtuar edhe ato të novelistit të këndshëm,kritikut të mprehtë të kohës në botën e pasur të letërsisë, etnografis, përkthyesit, estetin (esseistin) sociologun, si një e tërë në kompleks, ndërtojmë tashmë hijeshëm piedestalin e ndërtesës origjinale të mendimit, që për fat të mirë njihet deri më sot me një emër, të gjeniut të mprehtë Faik Domenik Konica, si rast unikal në historinë e kulturës sonë kombëtare, gjatë gjysmës së parë të shek. XIX.

I tillë mbeti njeriu i alternativave të larmishme, antagonizmave, ku në mënyrë të dukshme dallohet me tone të ndezura natyra impulsive dhe kontardiktor, mbasi duke respektuar situata që shpesh shkrimtari si qenje e ndjeshme njerëzore jetonte me tensione të brendshme shpirtërore, ku impulsiteti në natyrën e karakterin e tij energjik,si e veçantë e spikatur zinte një dozë të madhe.

Pra, si pasoj e gjenialitetit, veprat e Konicës janë mesazhe të hapura, sinqeriteti i sëcilës skalit në mënyrë të dukshme transparencën e mendimeve të tij.

Ai ka provuar në veprat e tij format e gjata dhe i ka përfunduar ato (është fjala aktualisht për veprat letrare të papërfunduara të tij), ku gjtësia e tejskajshme e tyre do të ishte një lodhje.

Si pasoje e karakterit nervoz (tip sanguine), ishte një krijues rezultativ që gjithsesi shpërthente me dritëzimin e tij brenda fjalës, e kështu vijonte me rradhë në paragrafin që ndërtonte hijeshëm.

E veçanta tjetër e lexueshme është se ai assesi mendimin e hapur nuk e fshiht në figurë, por në formë të natyrshme e reflektonte nepërmjet një figure të pastër.

Në këtë plan, kur e shikon nga ky aspekt, vepraletrare gjithmonë e kryer apo e mbaruar, sepse tërësisht mendoj se ajo është e përsosur në esencën e vet.

Përballë këtyre sa theksuam, Domeniku (Konica), si gjeni bën pjesë ne rrethin e dijetarve encilklopedistë, që, si një bibliotekë e gjallë që ecën, konceptonte ide dhe mendime origjinale në dobi të kombit që e lindi dhe ai me respekt i dha gjithçka nga jeta e tij plot devocion.

Polemisti dhe kritiku i hollë i shumë fushave të diturisë shqiptare, u admirua në të gjallë dhe kur mbylli sytë nga një numër jo i vogël admiruesish të stilit e arsenalit të pashterrshëm të veprave letrare, duke kulmuar bindshëm në tërësi dhe në një shkallë cilësore në levizjen progresiste brenda universit të mendimtarëve të tjerë evropian e më gjerë, duke ngritur kësisoj shkollën e pasur koniciane, që gjithsesi kërkon shumë kohë e nivele të reja studimi e zbërthimi të mendimit,që në çdo pikëpamje na shpaloset me madhështinë e një epoke më vete,çka normalisht mundë të lënë gjurmë e ndikimsa herë që ulesh të lëvrosh mbi frytin e mendjes së Konicës.

Ato për fat të mirë të kombit tonë gjenden të shkruara si testamente, si dëshmi përmes qindra e mijëra faqeve origjnale të nënshkruara vetëm nga dora e ngrohtë e një margaritari plot energji siç ishte dhe mbetet Faik ose Domenik Konica.

I quajturi Ministri i Shqipërisë në SHBA, për 13 vjet me rradhë (1929-1939) kur mbylli sytë, eshtërat e tij nuk u lejuan të varroseshun në token shqiptare, por vetëm 6 vjet mbasi kishte vdekur, dhe përsëri jo në Atdheun e tij, që e deshi aq shumë.

Konica la këtë shenim përkushtimi: “Populli kur të mësoj një ditë, se për të mbrojtur interesat e tij, nderin e tij,lirimin e tij dhe bukën e tij,sa vuajta, sa u mundova,vetëm do ma dijë për mirë”. Me mallë, la të shkruar me dorën e vet në revistën “Albania”: “Natën kur më vete mendja te dheu ku linda,shpejt më del gjumi,nuk mund më të mbyll sytë,e lot e mia rridhnin të nxehta”.

Po ku pushoi trupi i tij?

Faik ose Domenik Konica, u varros në varrezat e Forest Hillit në Boston të SHBA-së, ku nuk pati ceremoni fetare, por vetëm, vetëm tinguj, tinguj të qetë të gjermanit të madh Vagner, të cilin e kishte adhuruar shumë...

Peshkopit të madh Imzot Fan S. Nolit dhe miku të tij të ngushtë Sejfulla Malishovës Domenik Konica i madh u la këtë amanet me nënshkrim, që ndryshe quhet dhe si testamenti i Faik Konicës, pjesë autentike të së cilës tekstualisht thonë:

“Të nderuar zotërinj!

Ndërroj jëtë me mejtimin, se ju njerëzit që më keni kuptuar më qartë në këtë dhe. Nuk do të më tretë dheu në se ti Imzot Noli, dhe Lamja im i vogël dhe të gjithë ata që e quajn vetën shqiptarë nuk do të çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë.

Kam lënë menjëanë dhe harxhimet e rrugës për trupin pa jetë dhe shumën për dy metra vend në Shqipëri.

Mbydh sytë se ju, i nderuari Noli dhe ju të nderuar shqiptarë dhe ti Lamja im i vogël në Paris do të më kreni këtë amanet.

Faik Konica, Boston 1942”



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: