Agim Musta: Poligonet e vdekjes të diktaturës
| E Hene, 29.08.2016, 06:43 AM |

Agim Musta:

Rrëfej poligonet e vdekjes të diktaturës

Një pjesë e madhe e viktimave nuk do të gjenden kurrë", - shprehet Agim Musta, njeriu që në 12 librat e tij ka dokumentuar tmerret e diktaturës komuniste. Ai shton se ndërsa regjimet e tjera të japin të drejtën të varrosësh kufomën, diktatura komuniste nuk ta jepte këtë të drejtë minimale, pasi eshtrat e këtyre viktimave hidheshin në gremina, lumenj, ose digjeshin me acid.

Musta thekson se Ministria e Brendshme e regjimit të Enver Hoxhës kishte miratuar një sërë poligonesh ku bëhej ekzekutimi i të dënuarve me vdekje. Ai tregon disa prej këtyre, që i ka titulluar "Poligonet e vdekjes" në kapitullin XIV të "Libri i zi i komunizmit shqiptar".

"Por kishte dhe nga ato vende që nuk ishin autorizuar, por ku bëheshin vrasjet, kryesisht buzë lumenjve apo buzë greminave", - shprehet shkrimtari historian.

Musta më pas tregon dëshminë e Dervish Sulos, ish-prokuror i Durrësit gjatë viteve 1950: "Të dënuarit me vdekje i ekzekutonim në Porto-Romano. Dikur atje ndodhej një fabrikë për përpunimin e lëkurës dhe kishte shumë gropa, ku kishin hedhur mbeturina lëkurësh të dekompozuara nga acidet. Kështu që nuk ishte e nevojshme të hapnim gropa të reja për kufomat e të ekzekutuarve. E afronim "gazin" afër një grope, zbritnim njeriun që do të ekzekutohej, e vendosnim para prozhektorëve të autoburgut të lidhur këmbë e duar dhe e ekzekutonim nga mbrapa me automatik ose revolver.

Kur personi që ekzekutohej ishte i rëndësishëm, merrnim me vete edhe mjekun e Degës për të bërë pohimin me shkrim për personin e asgjësuar. Në shumicën e rasteve mjeku firmoste të nesërmen, pa ardhur në poligonin e vdekjes fizikisht…

Pas kryerjes së vrasjes, thirresha unë si prokuror dhe mjeku i Degës, për hartimin e raportit të ekzekutimit, që gjoja ishte hartuar në poligonin e vdekjes në Porto-Romano. Natën vonë, kufoma hidhej në gropat e Porto-Romanos dhe thithej menjëherë nga mbeturinat e fabrikës. Brenda një kohe të shkurtër ajo dekompozohej krejtësisht".

Musta tregon se janë përdorur metoda të tilla për zhdukjen jo vetëm të kufomave, por edhe të eshtrave të tyre. "Një pjesë e tyre janë përdorur si kadavra në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës dhe janë shitur edhe jashtë Shqipërisë, klinikave të spitaleve universitare, është kjo dëshmia e Halim Xhelos sa u takon të ekzekutuarve pas vitit 1948", - shprehet Musta.

Ai përmend tmerrin e kënetës së Maliqit, për tharjen e së cilës kanë punuar të dënuarit politikë. "Ata që vdisnin nga puna e rëndë, nga torturat e sëmundjet, nuk i groposnin, por i hidhnin në llumin e kënetës. Në vjeshtë kur të burgosurit i dërgonin në burgje nga kishin ardhur shirat e furishëm që sillnin ujëra të shumtë, merrnin me vete llumin e kënetës dhe kufomat e dekompozuara dilnin në sipërfaqe. Ato tërhiqeshin nga qentë e katundeve përreth kënetës, duke u bërë tmerr për fshatarët dhe subjekte për legjenda të llahtarshme", - pohon Musta.

Duke përmendur shifrën 4000 vetë që nuk kanë varre, evidencë e shoqatave të ish-të persekutuarve, shkrimtari historian Musta thekson se janë më shumë se 4000. Sipas tij, viktimat pa varre, pjesës më të madhe të cilëve nuk mund t'u gjenden eshtrat, janë 6000.


Për ZSH: Bardhyl Selimi

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: