Entela Binjaku: Divorcet në shoqërinë shqiptare
| E Shtune, 27.08.2016, 07:59 PM |

Divorcet në shoqërinë shqiptare...

Nga Entela Binjaku

Stina e verës dhe rituali i dasmave janë tashmë një simbiozë në shoqërinë tonë. Në kushtet kur  një e treta  e popullsisë ka emigruar, kur në vendet ku jetojnë e punojnë gushti është muaji i pushimit,  shumica e dasmave në vend zhvillohen gjatë muajit gusht.

E kombinuar edhe me një kulturë të  trashëguar  ku dasmat  zhvillohen gjatë stinës së verës, me ndryshimin se tanimë zhvillohen përgjatë gjithë ditëve të javës e jo vetëm në fundjavë, martesa është nga të paktat ngjarje jetësore që mbledh bashkë familjen shqiptare.  Bashkë me zhvillimet martesore mund të flasim edhe për  zhvillimet  e dukurisë së divorcit, sepse ku ka një divorc, ka pasur një martesë.

Nëse për martesën  mjafton një “po” mes partnerëve, për divorcin ka një seri cështjesh që duhen vlerësuar e që tregojnë kompleksitetin e  zgjidhjes së këtij institucioni. Para viteve ‘90 qëndrimi i shoqërisë ndaj divorcit dhe të divorcuarvë ishte i ngurtë, konservator dhe i kushtëzuar nga orientimi i një regjimi  që nuk lejonte “shthurjen e shoqërisë”. Pas viteve ’90 ky qëndrim erdhi duke ndryshuar;  madje që në  vitet e para, vitet ‘91 dhe ‘92 vëmë re një numër të lartë të divorcesh  ku ju jepej  fund atyre martesave që qëndronin “në këmbë” vetëm falë presionit të regjimit;

Nga të dhënat e viteve 1990 – 2000 vihet re se numri i martesave në këto vite ka ardhur gradualisht në ulje ndërsa numri i divorceve nga viti në vit në rritje.

Në vitin 1990 shënohen 28.992 martesa në vitin 2000 kemi 21.290 të tilla. Në vitin 1990 kishim 2675 divorce, në 2000 kishim 2168 divorce ndërkohë në 2008 kishim 3610 divorce. Në vitin 1990, për njëqindmijë banorë realizoheshin 8.9 martesa, në vitin 2000 ky indikator është 6.7. Viti  absurd ‘97 karakterizohet nga një shifër e ulët e divorceve për shkak se rregjistrat e gjyqësorit u dogjën dhe  institucionet nuk funksiononin.  Në vitin 2008 për çdo njëqind martesa që u realizuan shtatëmbëdhjetë të tjera përfunduan në divorce.

Per periudhen 01.01.2013 -01.10.2013 numri i rasteve per zgjidhje ne Gjykatën e Tiranes ishte 764 raste,  nga të cilat 563 ishin raste te mbartura dhe 201 raste te reja.

Ndërkohë që në 2014 në kryqytet ishin 660 raste te paraqitura per zgjidhje martese, nga të cilat  563 raste ishin te mbartura dhe 240 raste te reja

Në 2011-2015 në vend janë divorcuar 34.332 cifte, nga këto afërsisht  7080 cifte  janë vitin që kaloi pa llogaritur 1800 syresh që kanë aplikuar për zgjidhje gjatë këtij viti.

Numri më i madh i divorceve shënohet në Tiranë e pasuar nga qytetet e mëdha si Vlora, Elbasani e më pak divorcohen në Tropojë e Pukë.

Këto të dhëna flasin për ndryshime të sjelljes shoqërore tek qytetarët shqiptarë.  Një familje shkon drejt shpërbërjes, për shkak se shërbimi dhe përkushtimi ndaj njësisë së formuar nga kombinimi i dy personaliteteve të ndryshme,  nuk mjafton për të mbajtur gjallë institucionin.

Për ndryshim të sjelljes shoqërore të qytetarëve tanë mund të flasim po të shohim  edhe raportin e martesave për njëqindmijë banorë. Po të shikohet me kujdes numri i divorceve që kryhen për çdo njëqind martesa konstatojmë se në total shoqëria shqiptare ka nivel të lartë divorcesh duke shënuar tashmë një tjetër etapë në modelin social të saj.

Divorci është një proces në përgjithësi traumatik që nis me shpërbërjen e raportit martesor dhe përfundon me zgjidhjen ligjore të këtij institucioni. Shpesh herë ky proces  edhe kur mendohet t’i ketë dhënë fund një situate të vështirë, është shoqëruar me dhunë e konflikte që ju kanë marrë jetën qytetarëve, ose që kanë shenjuar thellësisht jetët e pasardhësve. Një ndër vështirësitë më të mëdha që e pason këtë proces është

Mospagesa e detyrimeve financiare që i lindin ish-bashkëshortit ndaj pasardhësve, gjë e cila ndodh në 70% të rasteve, apo mosrespektimi i detyrimit ligjor për të takuar fëmijën osë fëmijët, për shkak të pengesave që krijon njëri prind për tjetrin flasin për vështirësi që nuk po arrijnë ende të kapërcehen.

Numri në rritje i divorceve nga njëra anë flet për një shoqëri që emancipohet ku individi aspiron lumturinë;  fakti se një pjesë e madhe të divorcuarve rimartohen, tregon se shpresa për këtë lumturi dhe besimi tek institucioni i familjes tejkalon  përvojën e hidhur që krijon divorci.Ky numër në rritje  tregon se varfëria e gjithanshme e shoqërisë e ka kërcënuar këtë institucion  duke e cuar drejt shpërbërjes. Varfëria dhe dukuritë që lindin prej saj apo që e krijojnë atë  të tilla si: emigrimi, përdorimi i alkolit, i  substancave të ndaluara, varësia nga lojrat e fatit, papunësia e lartë etj,. kanë qenë disa nga shkaqet që kanë rritur në këtë mënyrë numrin e divorceve.

Të tjerë faktorë që cojnë në divorc lidhen me zhgënjimin e pritmënive nga institucioni i martesës,  me adulterin,  konfliktet e forta që shkojnë drejt dhunës verbale e fizike etj. Mungesa e tolerancës në shoqërinë shqiptare ndaj bashkëjetesës shpesh herë  nxit çiftet të përshpejtojnë martesën  kur ende nuk kanë  njohje të thelluar ndaj njëri-tjetrit.

Në ato cifte kur funksioni i riprodhimit nuk përmbushet dhe  përfaqëson të gjithë motivin e martesës,  ai zbeh cdo lloj funksioni tjetër mes partnerëve duke  bërë  që mjaft martesa të shkojnë drejt zgjidhjes.

Prirja e rritjes së divorceve në vendin tonë mund të lidhet me disa faktorë si : urbanizimin i jetës, shqiptare, modifikimi i raporteve familjare, rënia e ndikimit të faktorëve të traditës, rritja e shkallës së emancipimit të gruas, rritja e tolerancës sociale ndaj njerëzve me statusin e të divorcuarve etj.

Ndër treguesit fillestarë që flasin për një martesë që nuk kryen funksionet e saj  është  pakënaqësia ndaj bashkëjetesës në çift,  pakënaqësi që në fazën fillestare  nëse ndahet më të tjerë, ndodh të diskutohet me miq apo të afërm; Në një numër të madh rastesh, për shkak edhe të mendësisë së mbyllur, por edhe për shkak se këshilluesit e martesës mungojnë, ky divorc emocional përballohet në heshtje ndërkohë që vjen e zgjerohet.

Në një fazë tjetër pakënaqësia ndaj njërit-tjetrit shfaqet hapur dhe partnerët nisin edhe të përballen me të, ndërkohë që  në fazën e tretë partnerët arrijnë në përfundimin se qëndrimi sëbashku është i pamundur dhe raporti nuk mund të vazhdojë.

Në këto dy dekada e gjysëm familja shqiptare është zvogëluar,  i ngjan më shumë familjes së tipit bërthamë; gjatë kësaj periudhe janë rritur familjet njëprindërore, shoqëria ka treguar një lloj tolerance ndaj bashkëjetesës, ka më shumë çifte që jetojnë një kohë të gjatë pa lindur fëmijë etj. por

Aktualisht familja  shqiptare gjendet njëherazi nën ndikimin  e mjaft  faktorëve të trashëguar edhe të rinj,  duke qenë e  vetme, e pambështetur dhe e papërkrahur nga shteti dhe shoqëria.  Ndaj që të kuptojmë sjelljen shoqërore të qytetarëve shqiptarë në kushtet e një shoqërie të varfër por  që kërkon të emancipohet, nevojitet që prej shifrave të dalim në përfundime dhe prej analizës së tyre të dalim në rekomandime.

Demokratizimi i shoqërisë shqiptare vjen edhe nëpërmjet rritjes së ndërgjegjësimit të shoqërisë për domosdoshmërinë e ndihmës ndaj familjeve në nevojë, ndaj cifteve që janë në krizë dhe ndaj nevojës për të promovuar një nga vlerat e kësaj shoqërie që ka në qendër një familje ku marrëdhëniet të jenë të ngrohta, intime dhe të forta.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: