Gani Mehmetaj: TIKA të paditet për kulturocid
| E Hene, 22.08.2016, 08:06 PM |

TIKA të paditet për kulturocid

Nga Gani MEHMETAJ

TIKA pas luftës së vitit 1999 ka bërë kulturocid në Kosovë. Shkatërroi trashëgiminë, shleu gjurmët shqiptare, shpërfytyroi qytetin e vjetër të Prishtinës, rrënoi faltore e xhami, ndërsa mbi themelet e tyre ndërtoi xhami të reja me beton, duke e hequr nga përdorimi tërësisht gurin karakteristik të këtyre xhamive, minareve e faltoreve të vjetra, apo duke e zëvendësuar xhaminë e drurit me dru të përpunimit industrial. As materialin ndërtimor nuk e mori nga vendi, por e solli nga Turqia, që të mos le asnjë mundësi përngjasimi më diçka vendëse. Gur mbi gur nuk la nga objektet e vjetra.

TIKA mbi themelet e Kishës Katolike Shqiptare, ku u varros Pjetër Bogdani, rindërtoi edhe një herë xhaminë e Sulltanit Mehmetit, e cila që ndërtuar mbi themelet e kishës katolike, duke mos lënë asnjë gjurmë as nga kisha e vjetër, as nga xhamia e dikurshme. Me bekimin e kreut të BIK-ut, TIKA nuk lejoi as të vihet pllaka përkujtimore, ku do të shkruhej se në themelet e kësaj xhamie, dikur kishë, u varros personaliteti më i madh i Kosovës, imzot Pjetër Bogdani.

Tri xhamitë kryesore në Prishtinë, të cilat kinse i rinovoi TIKA, i rindërtoi nga themelet, i zgjeroi me hapësirë, i bëri krejtësisht ndryshe në organizimin e brendshëm, kështu që nuk i ngjasojnë fare xhamive të cilat i kemi njohur nga rinia jonë. Ato më nuk janë xhamitë e vjetra, ato nuk e kanë asnjë gur a shenj nga e kaluara, ato janë xhami të reja pa asnjë vlerë historike, ndërtime tipike andadollake për propagandë islamike që të madhërohet ish-pushtuesi, ku minaret kanë drita farfuritëse si pemët e Krishtlindjes, ku ndërtimi i ri dallon nga ndërtimet e xhamive në Ballkan, me ndërthurje të stilit oriental dhe atij të gadishullit tonë romako-bizantin, sepse shumica e xhamive në Prishtinë u ndërtuan mbi themelet e kishave katolike.

TIKA gjatë ndërtimeve vetëm për komunitetin islamik, shleu gjurmët e kalldremit shqiptar, ndërtimi më i njohur i shtrimit të rrugëve më gur lumi jo vetëm në Gadishullin Ilirik, por ky stil ndërtimi me mjeshtrit shqiptar , u përdorë në tërë Perandorinë Otomane përtej Azisë së vogël.

TIKA gjatë ndërtimit të tri xhamive të vjetra rrëmbeu hapësirë nga rruga publike, duke e vështirësuar trafikun për tmerr nga Kuvendi i Kosovës deri të Shkolla e Mesme Teknike. Futi trotuare e rrugë publike brenda oborrit të xhamive, bëri dyqane islamike gjithandej përreth Madje, hapësirën në mes të Xhamisë së Drurit (tash Xhamisë së drurit industrial) dhe Muzeut të Kosovës, që para disa vjetësh ishte rrugë publike e shtruar më kalldremin shqiptar me gurë lumi, TIKA e shkatërroi dhe e uzurpoi duke e futur brenda oborrit të xhamisë- pushimore për besimtarët, ku netëve të ramazanit gratë islamike bëjnë "iftar" e reklamë (në vend të hanë në shtëpitë e tyre), ndërsa gjatë ditës burrat myslimanë marrin "abdes", presin kohën e faljes dhe i bëjnë reklamë islamit.

TIKA nuk është e vetme në kulturocid. Në shpërfytyrimin e qytetit të vjetër të Prishtinës e kanë ndihmuar shoqatat islamike arabe, më bekimin e kreut të Bashkësisë Islame. Nga babëzia për para, kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës rrënoi xhamitë e vjetra, të cilat kishin vlerë historike përnjohje, ndërsa mbi themelet e tyre ndërtoi xhami të reja disa herë më të mëdha se sa që ishin, ku ka dyqane e vetëshërbime me hapësirë të pafundme. Janë disa xhami të vjetra jo vetëm në Prishtinë që u rindërtuan nga themelet pa asnjë leje ndërtimi me vetëshërbime gjigante poshtë e xhami sipër.



(Vota: 4 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: