Kalosh Çeliku: ''Analist madhi'' politik
| E Enjte, 18.08.2016, 07:45 PM |

“ANALIST MADHI” POLITIK

NGA KALOSH ÇELIKU

Nuk mbeti politikan i gjallë pa u bë edhe “analist” politik. Nateditë rrinë para kamerave televizive dhe dalin në ekran me analiza “parashikuese” për Nesër: i shesin mend popullit. Parashikime, që deri më sot, nuk na lëvizën nga vendi. E kënaqën përderisa ishin nëpër institucionet e shtetit të “përbashkët” si ministra, zv/ministra, drejtorë, zv/ drejtorë e deputetë të popullit me nga disa mandate.

Edhe, frikë të kesh ta hapësh televizorin t’i dëgjosh ngjarjet e ditës, hop para syve të del si syrret bostani “Analist Madhi” politik, dje funksionar partiak në Qeveri, sot “analist” politik me diplomë partiake. Tjerrë e tjerrë lesh harapi në furkën e Njerkës, saqë dikush që nuk e njeh partizanin thotë: “hallall” i qoftë qumështi i Nanës! Popullit shqiptar, sot mu ky politikan  i duhet kur është në rrezik.

Unë që e njoh moti këtë burrë me dimi, i cili i shëtiti gati të gjitha partitë politike shqiptare, ndonjëri edhe ato maqedonase si “kuadër” profesionist deficitar, përpak kohë i mbuloj sytë me dorë. Them, vetmevete: amani, kush të dojë le të na prijë për në Liri, por jo edhe ky dudum me pashterkë të kuqe që me vite zvarritet parti më parti politike si rrospia kur shkon burrë më burrë. Tekefundit, rrospisë i ka hije kur i ndërron burrat, por jo edhe këtij dylberi t’i ndërrojë gratë politike. Dhe, sot e heq veten si “analist” politik.

“Analist Madhi” ynë politik, vërtetë nuk ka aftësi politike, ama di t’u ngjitet për herdhesh si rriqër prijësve të partive politike. E lëvdon kryetarin e tij partiak vend e pavend në mjetet e “pavarura” të informacionit: gazeta, portale eleketronike e radiotelevizione. Kryetari ynë është vizionar dhe patrioti më i madh shqiptar.

E dini, pse?! Jo, nuk e dini. Shkaku se, kryetari i ka dhënë një post politik: ministër në Qeveri, zv/ ministër, ose drejtor i Pallatit të Kulturës, në Katund. Padashtas, ky soj politikani ma kujton anekdotën popullore: babai kur e marton djalin e hazretit shumë të ri me një nuse më të rritur nga një familje agallarësh. Edhe, djali pas natës së martesës, delë te pragu i derës me një çanak me përshesh me kos. Gjeli i afrohet, dhe herë pas here e zgjatë kokën tek përsheshi. Dhëndrri, dikur zemrohet dhe i thotë gjelit: Ikë ore shoq, lemë rehat se, do t’i them babait edhe ty të të martojë me një nuse!

Arsye, që sot marr guximin ta them publikisht: nuk jemi popull shqiptar, por jemi popull analistë politik. Inatin na e kanë armiqtë historik. Përndryshe, ne jemi edhe popull politik. Profesion që e ushtrojmë brez pas brezi që nga djepi e deri në varr. I gjithë populli merremi me politikë “madhore”: mësuesi, shkrimtari, gazetari, mjeku, hoxha, prifti, bujku, bariu, punëtori, këpuctari, rrobaqepësi, berberi, tollumbaxhiu... Lëmsh i kemi bërë profesionet: mësuesi merret me politikë, politikani me arsim, shkrimtari me kultivimin e kungujve të Stambollit, gazetari me theshetheme Çarshie, bujku bëhet ministër, bariu - profesor, këpuctari - rrobaqepës. Tullumbaxhiu - poet. Hoxha - analist politik. Haxhiu - deputet i popullit. E shohim larg me dylbi Ditën e Nesërme. E, ajo si për inatë ikë me të katra tek “vëllezërit” e Njerkës. Papritmas, si shqiptarë na lë me gishta në gojë mes rruge, në Bit - Pazar.

Jo, edhe ne kemi diçka në gojë: biberonin e bebes. Ose, Kandarin e Çajupit. Arsye, që e ndalim vajin, Njerka, kur na e këndon një ninulë mbi krye duke e përkundur djepin: Biro, flej se të bënë mirë gjumi/ Njerka ty do të të bëjë plak Katundi!

Duartrokitje për “Analist Madhin” politik, që përsheshin ia hanë gjeli!...



(Vota: 24 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: