Lutfi Alia: Shenjtërimi i Nënë Terezes shqiptare (1)
| E Merkure, 17.08.2016, 09:00 PM |

SHENJTERIMI I NËNË TEREZES SHQIPTARE: 4 SHTATOR 2016. (1)

Më 15 mars 2016, Papa Francesko firmosi dekretin e kanonizimit shenjtore të Lumes Nënë Tereza shqiptare. Ceremonia e shentërimit do te zhvillohet më 4 shtator 2016, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan dhe është një ndër ngjarjet kryesore të Vitit Jubilar të Mëshirës.

Nga Prof. Dr. Lutfi ALIA

MEDITIM PËR NËNË TEREZËN SHQIPTARE.

Nёnё Tereza, kjo grua e madhe e shtatvogёl, e veshur me sarin e bardhё, me kordona blu nё buzёt anёsore, me shaminё nё kokё ashtu si e vinte nёnlokja Drane; me kryqin tё fiksuar nёn supin e majtё mbi zemёr, nё kёmbё mbathur sandalet; gjithnjё nё shtegtim me hap tё shpejtё dhe tё sigurtё nёpёr rrugёt e botёs dhe kur ngjiste shkallёt e pallateve mbretёrore, kur shkonte nё zyrat e pushtetarёve; me tё njejtin ritёm lёvizte nё shtёpitё motrave tё misionit dhe kur hynte nё shtёpitё e popullit tё thjeshtё, nё barakat e slum-eve tё Hindisё dhe tё botёs, pёr herë dhe kudo ishte aktive, dinamike, e fuqishme, e thjeshtё deri nё madhёshti, ishte Nënë Tereza Shenjtorja e Dashurisё. Nën hapat e lehtё e te sigurtё tё Nёnё Terezёs, gjithçka merrte jetë dhe Ajo bëhej me flatra qiellore.

Kushdo qe e ka takuar Nënë Terezёn, është ndodhur pёrballë pamjes e saj hyjnore, me sytё e saj tё zi plot dritё, nga buronte njё vështrim i butё, i ёmbёl, i qeshur, depёrtues, plot mirёsi, por dhe serioz e guximtar, i mbushur me preokupim dhe rrallё herё me zemёrim, qё i kthente nё forcё dhe nё aksion, pёr tё zgjidhur problemet shumta tё pjesёs sё mbrapshtё tё botёs.

Ky portret i mirёnjohur dhe i dashur nga tё gjithё, plotёsohet me njё veçori tjetёr tё Nёnё Terezёs, me pёrshёndetjen e saj tipike, me dy pёllёmbёt tё bashkuara para gjoksit tё vogёl, qё i puthiste lehtё – lehtё, si tё merrte ndër duar, pёr tё vendosur brenda zemrёs tё saj tё madhe, tё mbushur me dashuri nëne.

Kush e ka takuar Nënë Terezën, nga njerёzit e zakonshёm e deri te burrat e shteteve, Papёt dhe kardinalёt, artistët e shquar, shkrimtarёt, shkencёtarёt, miliona varfanjakë, lypsat, gazetarёt, mbretёr e mbretëresha, princa e princesha, presidenta, kryeministra e ministra, diktatorët, burra e gra, nёpunёsit e zyrave, kudo në rrugë dhe nё shtёpitё e misionit, të gjithë pa pёrjashtim, për ta përqafuar, ishin tё detyruar të përkuleshin para shtatit të saj të paktë dhe kjo s'ishte thjeshtё përkulje fizike, por metaforë e adhurimit dhe e magjepsjes, që u impononte madhёshtia e saj.

Nёnё Terezёs ёshtё ikona e kohëve moderne, shenjtorja e të varfërve, shenjëtoria e dashurisë.

Pёr veprat shpirtёrore dhe humanitare me dashuri nё shёrbim tё njerёzimit, Nënë Tereza ka nderohet nga tё gjithё popujt e botёs, qё e quajnë: "Nёna e dashurisё”, “Nёna e botёs”, “Ungjilli i gjallë","Ungjilli i pestё”, “Pena e Zotit", “Lajmetare e dashurisë të Jezu Krishtit”, “Nёna e tё varfёrve”, "Shёruese e plagëve të botës", “Shenjtoria e dashurisё”, “Shenjtoria e tё varfёrve”, “Investuesia e dashurisë”, “Engjëlli i dashurisë”, “Engjёlli i jetёs”, “Engjёlli i mirёsisё”, “Mesazhere e dashurisë dhe e lumturisë në botë”, “Emisaria e Zotit në tokë", Ungjilloria transparente” etj.

Pesha e viteve, i kishte lёnё gjurmёt e veta, ndёrsa mundimet qё kishte bartur nё jetё, ia kishin kёrrusur paksa trupin e saj shtatvogël, por nuk e thyen shpirtin dhe forcёn e kёsaj gruaje të madhe. Nёnё Tereza i shёrbeu njerёzve me vetmohim duke e shndёrruar dashurinё nё besim, në mision dhe nё profesion, përherë nё ndihmё tё viktimave tё varfёrisё dhe njerëzve në vuajtje.

Tё gjithё ruajmё nё kujtesё fotografitё e panumërta të Nënë Terezës shqiptare, me  fytyrën e bukur dhe fisnike, tё skalitur me rrudha, tё ndriçuar me buzёqeshjen e ёmbёl e hyjnore, me vështrimin e ngrohtë, të qeshur e plot dashuri për një botë të mjerë. Kështu mbetet Nënë Tereza, shumë më përtej kufijve të kishës katolike dhe ftohtёsisё zyrtare tё pushteteve.

Nuk ishte rastёsi, qё nga gjiri i popullit tё vuajtur shqiptar, Zoti zgjodhi Nënë Terezën, që e pёrdytёsoi me Jezu Krishtin, kёsisoj ajo u ngjit nё lartёsitё e shenjtёrisё universale, u bё simbol i pastёrtisë, i besimit me devotshmёri, i pёrkushtimit me dashuri nё misionin si motёr katolike, si misionare e bamirёsisë dhe e dashurisë; i shёrbeu të gjithë njerёzve pa dallime fetare, sociale dhe ekonomike, nё veçanti ndihmoi tё varfёrit, tё sёmurёt, tё braktisurit, jetimёt dhe me kёto vepra u bё modeli i pёrsosur i humanizmit dhe i dashurisë për njeriun.

Pёr kontributet shpirtёrore dhe humanitare, murgesha misionare Nënë Tereza – Nëna e Dashurisё, ёshtё vlerёsuar ndёr gratё mё tё shquara tё shekullit XX dhe pёr kontributin e saj, shumё shtete dhe institucione e kanё dekoruar me mbi 35 urdhёra, me medalje dhe me shumё çmime prestigjioze, ndёrsa nё vitin 1979 i akorduan çmimin Nobel pёr paqёn, pёr veprat e shquara nё aktivitetet e saj humanitare dhe nё inspirimin shpirtёror.

Atё ditё, kur iu dha çmimi Nobel, Nënë Tereza bёri dhe deklaratёn e fuqishme: “Me origjinё dhe me gjak, jam shqiptare.”, njё thёnie lapidare, qё pёrcjell kumtin e krenarisё të shqiptares, por dhe nderin pёr tё gjithё shqiptarёt, qё i gёzohen dhe e admirojnë bashkatdhetaren e madhe me famё botёrore.  Nëna Tereze e pranoi çmimin Nobel në emër të të varfërve, për tё ndihmuar të varfërit ndër të varfërit, tё cilёve iu dedikua me vetmohim, duke vënë në qendër dy shtyllat themelore: ZOTIN dhe NJERIUN - ZOT.

Ashtu si populli e “kanonizoi” Papën e mirë Gjoni XXIII, shumë më përpara se të hynte zyrtarisht në katalogun e fatlumëve dhe lumturimi “i posaçëm” dhe i shpejt i Nënë Terezës shqiptare me 19 tetor 2003, nuk shkaktoi kurrfarë dyshimi, as protesta të rrëmbyera, pёrkundrazi, nxiti dёshirën e pёrgjithёshme tё shpallej menjёherё shenjtore, andaj populli, ashtu si dikur e quajti Nёna e Dashurisё, pa hezitim e “kanonizoi” shenjtore dhe popujt e botës e quajtën e Shenjta Nёnё Tereza.

Gjithkush ёshtё i bindur se Papa Gjon Pali II, në emër të Kishës, i detyrohej me mirënjohje pёr veprёn madhёshtore dhe tё rrallё, qё Nene Tereza kreu duke ndihmuar tё varfërit dhe të semurët, tё cilёve u shёrbeu në emër të dashurise për njerëzimin. Pёr meritat e shquara nё shёrbim tё varfёrve, tё njerёzve qё vuanin dhe pёr kontributin nё mbrojtjen e jetёs, nё vitin 1987, Nёnё Tereza, zgjidhet unanimisht Presidente Nderi e Lёvizjes Ndёrkombёtare: “Pёr jetёn nё tё gjithё botёn”.

Ashtu si shenjtorёt e tjerё dhe e Lumja Nёnё Tereza është kudo e pranishme dhe frymёzuese, pasi Ajo ka lёnё testamentin e besimit katolik tё pastёr e tё ndjerё shpirtёrisht, optimizmin, guximin, shpresёn gjithmonё fitimtare, thjeshtёsinё e admirueshme, dashurinё hyjnore pёr njeriun, forcёn vepruese, dhёmbshurinё dhe pёrkushtimin pёr tё ndihmuar tё varfёrit, lypsat, jetimёt, tё sёmurёt, sakatёt, tё gjithё ata qё shoqёria i braktis dhe i konsideron tё “paprekshmit”.

Pёrgjigjia e saj hyjnore ndaj thirrjes sё Jezu Krishtit:“Eja, bёhu drita ime”, e bёnё motёr katolike tё devotshme, misionare tё bamirёsisё, nёnёn e tё varfёrve, dёshmitaren e dashurisё tё Zotit, pёr tё gjithё njerёzit pa dallime fetare, etnike, kulture dhe niveli social-ekonomik.

Besimi nё fenё katolike i dha forca tё veproi me dashuri nё shёrbim tё viktimave tё varfёrisё dhe keshtu krijoi moralin, humanizmin dhe dashurine terezian, qё edhe nё ditёt e sotme, janё modele sociale pёrgjithёsuese pёr tё gjithё popujt e botёs.

Duke vlerёsuar veprёn e Nёnё Terezёs, Papa Pali VI ka thёnё: “Ju prezantoj Nёnё Terezёn dёshminё autentike tё Ungjillit pёr tё gjithё, lajmëtaren e dashurisё tё Jezu Krishtit”.

Papa Gjon Pali II, ditёn qё e shpalli tё lumturueme Nёnё Terezёn tha: “Me dёshminё e jetёs dhe tё veprës sё saj, Nёnё Tereza na kujton tё gjithёve, se misioni ungjillor i Kishёs, kalon nёpёrmjet dashurisё, e ushqyer nё lutjet dhe nё dёgjimin e fjalёs sё Zotit”.

Nёnё Tereza ёshtё Ungjilli i pestё. Ndonёse dihen cilёt jane katёr Ungjijt  e tjerё, shumё tё krishterё dhe jo tё krishterё nuk e dinё cilёt janё ungjillorёt, por njohin Nёnё Terezën dhe e pranojnë unanimisht si Ungjillin e pestё, Ungjillin e gjallё, misionaren e bamirësisё, mishёrimin e dashurisё nё veprim, shenjtoren e dashurisё.

Dhe nё çastet e vёshtira tё pёrjetimit tё “natёs sё shpirtit”, Nёnё Tereza nuk u fsheh nё fenё e saj, nuk dyshoi, nuk u thye, nuk u dorёzua, nuk e braktisi fenё katolike, pёrkundrazi e kёrkoi Zotin me insitim, pasi besimin nё Zot nuk e donte si dhuratё, ashtu si e pranojnë besimtarёt dhe mistikёt e tjerё, por e kёrkoi me të gjitha forcat e besimit, me mençurinё e saj, kësisoj e gjeti, e përvehtësoi dhe e zbatoi në fè dhe ne jeteë si motёr katolike, si misionare e dashurise, duke rrezatuar dritё mbi tё gjitha errёsirat.

Nёnё Tereza nepermjet misisonit të bamirësisë (Mission of Charity), ka dhёnё njё kontribut tё shquar nё ndёrkombёtarizimin e humanizmit, duke krijuat kulturёn e shёrbimit pёr njerёzit nё nevojё, pavarёsisht nga pёrkatёsia fetare dhe kesisoj u bё protagoniste e ekumenizmit tё kohёve postmoderne.

Me misionin ungjillor, Nёnё Tereza u bё "Samaritania e mirё" pёr çdo person qё ka takuar, pёr çdo të varfër, të sёmurë, të braktisur, për çdo njeri nё krizё, nё vuajtje dhe nё dёshprim.

Nёnё Tereza mbetet Nёna e pёrjetёshme, Apostola e Dashurisё, Shenjtoria e Dashurisë.

MOTËR KATOLIKE E PËRKUSHTUAR

Dёshira e Gonxhe Bojaxhiut, pёr t’iu përkushtuar veprës sё Jezu Krishtit, e ka zanafillën në zemër të vendlindjes arbërore, e cila në vitet e fёmijërisë dhe të rinisë se saj, ishte e copëtuar dhe nё mjerim. Jetesa mes të varfërve të Shkupit, ndikoi nё shpirtin e brishtë të Gonxhes, duke ideuar ndjenjat e miqësisë, të ndihmёs dhe të respektit për të nëpërkëmburit nga fati i mbrapsht, nga shtypja dhe padrejtësitë shoqerore, andaj i u përkushtua atyre me dhёmbshuri dhe dashuri e kёsisoj i parandolli vehtes misionin e kryqit.

Në rrugën e shenjtërimit që ajo zgjodhi, nuk e çoi ndonjë kompleks, apo sugjerim, përkundrazi inspirimi për të hyrë në shёrbim të kishës si motër katolike, i lindi natyrshëm në shpirtin e saj të ndjeshëm e për këtë pёrkushtim të veçantё tregon: “Isha e ulur në gjunjë para Zonjës të Letnicës, në Santuarin pranë Shkupit, kur dёgjova thirrjen hyjnore. E kujtoj shumë mirë atë mbrëmje të festës së Zonjёs e ngjitur në qiell. Po lutesha e këndoja e mbushur me gëzim tё brendshëm, kur e dëgjova zёrin e Zotit, që më ftoi t’i përkushtohem Atij, të konsakrohem në shërbim të njerëzve”.

Gonxhja vendosi t’u shërbente njerëzve në emër të Zotit dhe jo të mbyllej si murgeshë në një kuvend, për t’i kaluar ditët me lutje dhe meditime, andaj me Jezu Krishtin në zemër, iu pёrkushtua atij në shërbim të njerëzve. Duke parë këtë pёrkushtim, Zoti e ndjeu nevojën e përsëdytjes së Krishtit mbi tokë, andaj zgjodhi Gonxhe Bojaxhiun për barazi dhe si dёshmi të një jete si motër misionare në shërbim të njerëzve. Pra, gjithёçka lindi dhe rrodhi natyrshëm, me besim te Zoti, me pёrkushtim shpirtëror të brendshëm, me thjeshtёsinё e saj rinore dhe nё mёnyrё të ndërgjegjshme.

Nё gusht tё vitit 1928, Gonxhe Bojaxhiu vendosi“... para Zonjёs Sonё, vendosa të shkoj nё mision e do t’i pёrkushtohem tёrёsisht Zotit dhe shpёtimit tё shpirtёrave”.

Kёsisoj Gonxhia e nisi jetёn e misionares, e lajmёtares sё ungjillit, e motrёs tё dashurisё.

Mё 26 shtator 1928, Gonxhja nisi udhёtimin e misionares dhe nga kjo ditё vazhdoi pelegrine tёrё jetёn. Fillimisht nё Urdhёrin e Motrave tё Loreto-s nё Dublin të Irlandёs, ku qëndroi pak kohё pёr tё marrё mёsimet e anglishtes dhe ku mori velin e motrёs nё rishtari.

Nё zbatim tё rregullave tё Urdhёrit tё Motrave tё Loreto-s, Gonxheia zgjodhi emёrin Maria Tereza e Jesu Krishtit Fёmijё, ashtu si Shёn Tereza e Lisieux. Nga ajo ditё, tё gjithё e thёrrisnin Motёr Tereza. Pёr kёtё zgjedhje ajo tregon: Mora emёrin e Terezёs, por jo tё Terezёs sё madhe tё Avila, zgjodha emёrin e tё voglёs, tё Terezёs sё Lisieux”.

Duke marrё emёrin e Terezёs sё vogel, Gonxhja bёri njё zgjedhje tё veçantё, qё i lindi si thirrje e brendёshme, si e tregon ajo vetё: “Tereza e Liseiux bёri gjёra tё vogla me dashuri tё madhe; gjёra tё zakonshme me dashuri tё jashtёzakonёshme; ja pse u bё e Shenjtё dhe unё besoj, se ne mund ta pёrdorim kёtё shembull nё jetёt tona, duke bёrё gjёra tё vogla me dashuri tё madhe”.

Preferoi emёrin Tereza, sepse ndjehej si rimishërim i tё dyjave, me tё parёn ngjante nga shtati i pakёt dhe inspirimin pёr tё bёrё  gjёra tё vogla, me dashuri tё madhe, ndёrsa me shenjёtoren e Avilas e lidhёte dashuria pakufi ndaj Krijuesit, deri në vetëflijimin absolut.

Besimi nё fenё katolike dhe shёrbimi me dashuri pёr viktimat e varfёrisё, pёr njerёzit në vuajtje, qё kishin nevojё për ndihmё, pёr pёrkrahje, pёr njё fjalё tё mirё, e kanё zanafillёn nё edukimin qё mori nga prindёrit, nё shkollёn, nё famullinё e Shkupit dhe nga shoqёria shqiptare e kohёs.

Pёr vitet e fёmijёrisё Nёnё Tereza tregon: “Dhe pse ndiqja shkollёn laike, para sё gjithash familja ime dhe famullia Zemra e Krishtit, mё kanë dhanё edukim tё mirё e tё shёndoshё”.

Ne Shkup, tё vobektit dhe nevojtarёt, e kishin ndjerё nga afёr dashurinë, dhёmbshurinё dhe dorёn e ngrohtё tё Gonxhes së vogël, qё u rrinte pranё dhe i ndihmonte, andaj e quanin“Engjёlli i ngushёllimit”.

Nuk duhet tё harrojmё se nё atё periudhё, femra shqiptare ishte e shtypur dhe pa tё drejta shoqёrore, ndёrsa Gonxhja e vogёl, i sfidoi paragjykimet e kohes, Ajo spikaste mbi kufizimet, qё diktonte kultura dhe mentaliteti patriarkal i kohёs.

Kёto janё tiparet e kulturёs humanitare, fetare dhe tё fisnikёrisё tё familjes Bojaxhiu, tё shkollёs shqipe, të shoqёrisё shqiptare dhe tё famullisё tё Shkupit, ku u rrit dhe u edukua Agnes Gonxhe Bojaxhiu. Nga nёnlokja Drane dhe nga babai Nikolla, Gonxhja mori vlerat më të mira, që çdo fëmijё dëshiron t’i trashëgoi nga prindёrit e vet.

Gonxhja ishte 18 vjeçe kur hyri nё jetёn e murgeshёs katolike dhe tё misionares e nё kёtё shtegёtim tё gjatё, mbajti nё thellësi të qёnies sё saj forcёn dhe dashurinё e nёnёs Drane, qё e edukoi me virtyte tё larta, ruajti krenarinё dhe shpirtin e aksionit tё baba Nikollёs, kishte mbёshtetjen e pёrherёshme tё vёllait Lazёr dhe tё motrёs Age, por ndjente dhe jehonёn e Rozafës, flijimin e nёnёs Rozafa, gruas mitike të murosur në përjetësi, qё e frymёzoi me sakrificёn sublime pёr tё bёrё mirёsi; nё shpirtin e saj ndjente madhёshtinё e mbretёreshёs Teuta dhe te princeshes Donika, mençurinё dhe fisnikёrinё e Dora D’Istrias, forcёn e fjalёs edukuese tё Parashqevi Qirjazit, trimёrinё e Nores të Kelemendit dhe të Shote Galicёs, ashtu si tërë jetën e shoqëruan dhe uratat e qindramijёra nёnave, grave dhe vajzave shqiptare.

Kjo botё shqiptare, qё gjallonte nё shpirtin e Gonxhes, u lidh dhe me njё  tjetёr botё tё dashurisё,  tё cilën e gjeti nё fenё katolike, madje i bashkoi nё njё tё vetme e kёsisoj, e plotёsoj universin e pёrkushtimit nё  katolicizёm, nё bamirёsi, nё dashurinё pёr njeriun dhe pёr jetёn.

Kёto misione, Nёnё Tereza i ka shprehur me veprat e shumta  fetare dhe humanitare, por dhe nё shkrimet e nё letrat e shumta, nё uratat, nё esse-tё dhe poezitё e saj tё bukura plot ndjenja, me kёshillat profetike, me veprёn apostolike, me predikimet, me sentencat ungjillore, nё takimet e nё bisedat me njerёzit e thjeshtё dhe nё marrёdhёniet me qytetarёt dhe zyrtarёt. Ta njohësh mirëfilli punën e saj të bërë në Kalkutë të Hindisë dhe në qindra vende tё tjera të botës, tё njohёsh besimin e palëkundur të saj për Jezu Krishin dhe Shёn Marien, do të thotë ta njohësh Nёnё Terezёn, tё njohish shpirtin e saj, mundësitë e pakufishme pёr të bërë mirësi në jetë dhe te kuptoh si flijohet për tjetrin, çka nënkupton të bëhesh shpirtërisht më i pasur,  më i mirë, më i dobishëm për njerëzit dhe për botën që i përket.

RISHTARJA DHE MOTRA TEREZA

Pasi qёndroi pak muaj nё Dublin, nё dhjetor tё vitit 1928, rishtarja Tereza udhёtoi pёr në Hindi dhe mё 6 janar 1929 mbёrriti nё Kalkuta. Ishte njё udhёtim i gjatё e i lodhёshёm dhe kёsisoj vazhdoi pelegrine tёrё jetёn, me impenjimin shёmbullor nё misionin e saj fetar dhe humanitar, deri sa e “pushtoi” tërë botën, si misionare e dashurisё.

Nё janarit tё vitit 1929, e dёrguan nё kuvendin e Darjeeling, rrёzё maleve Himalaja, pёr tё plotesuar noviciatin (rishtari) dhe pёr t’u kompletuar nё formimin si murgeshё, ku dhe e emёruan mёsuese nё shkollёn e kuvendit, por zhvillonte dhe aktivitete si operatore shёndetёsore, çka e ndihmoi tё vihej nё kontakt me tё sëmurët dhe tё njihej me realitetin ku jetonin banorёt.

Mё 24 maj 1931, pasi mori pёrkushtimin e pёrkohshёm tё murgeshёs, e rikthyen pёrsёri nё Kalkuta, nё kolegjin katolik tё Saint Mary’s High School, nё periferi tё Entally, ku jetoi e punoi për 17 vjet. Nё kolegj, Motra Tereza jepte mёsime nё lёndёt e historisё dhe tё gjeografisё.

Rregullat e rendit “Motrat e Loreto-s”, nuk i lejonin murgeshat tё dilnin jasht mureve tё kuvendit, por Motra Tereza duke pёrfituar nga veprimtaritё vullnetare tё nxёnёsve te saj, dilte dhe i shoqёronte nёpёr Kalkuta, kёsisoj njohu kushtet e rёnda ku jetonte populli nё lagjet e varfёra e aty preku mjerimin. Kёto realitete, i pёrjetoi me dhimbje dhe  kjo vuajtje nxiti thirrjen e brendёshme pёr t’i ndihmuar kёta banorё.

Mё 24 maj 1937, nё festёn e Zonjёs Ndihmёtare, nё prani tё kryeipeshkёvit Imzot Pèreir, tё motrёs superiore tё kuvendit, tё rishtareve tё tjera dhe tё motrave tё Bengala, mori pёrkushtimin e pёrhershёm tё murgeshёs dhe u quajt Nёnё Tereza, emёr qё e mbajti me nder gjatё gjithё jetёs.

Papa Gjon Pali II, pёr kёtё zgjedhje ka thёnё: “Ta quajmë Nёnё një fetare është e zakonëshme për të gjithë ne, por ky emër, për Nënë Terezën ka shprehje intensiteti special. Një nënë shquhet për aftësinë të dhuroi. Duke e vrojtuar Nënë Terezën në tiparet e saj, në të gjitha sjelljet e në mënyrën e të jetuarit, na ndihmon të kuptojmë çfarë pёrfaqësonte ajo përtej përmasave fizike dhe çdo të thotë të jeshë Nënë”.

Pasi mori pёrkushtimin motrёs sё pёrhersheme, u rikthye nё Kalkuta, ku e ngarkuan me pёrgjegjёsi drejtuese nё Kuvendin e Motrave tё Loreto-s, ndёrsa nё vitin 1944 e emёruan drejtore e kolegjit katolik tё Shёn Marisё nё Entally.

Nё vitin 1945, populli hindian u ngrit nё luftё pёr pavarёsi nga Anglia. Nё ditёt kur Kalkuta u pёrfshi nga luftimet, Nёnё Tereza i aktivizoi motrat dhe shumё nxёnёse të kolegjit, tё mjekonin tё plagosurit, të ndihmonin jetimёt, fëmijёt e braktisur dhe nё shpёrndarjen e ushqimeve banorёve tё izoluar nё mjerimin e slum-e të Kalkutёs. Nё fund tё vitit 1945, kuvendi i Entally u sekuestrua nga ushtria, qё e  shndёrruan nё spital, ku Nёnё Tereza dhe motrat misionare shёrbyen si infermjere për mjekimin e të plagosurve dhe të sëmurëve.

Nё gusht tё vitit 1946, Kalkuta u shndёrrua nё arenё luftimesh.  Ndёrsa ecte nё rrugёt e Kalkutёs shihte shkatёrrimet dhe masakrat, që e tronditёn dhe ndikuan, qё krahas dhimbjes munduese, nё shpirtin e saj tё ndjeshёm tё lindi njё reflektim i brendshёm dhe revolta shpirtёror ndaj padrejtёsive, qё e udhёhoqёn drejt marrjes tё njё vendimi tё rёndёsishёm nё jetёn e saj.

THEMELUESJA E URDHËRIT MISIONARET E DASHURISË.

Missionarie Della Carità

Congregatio Sororum Missionarium Caritatis.

Missionaries of Charity or Sisters of Mother Teresa.

Mё 10 shtator 1946, Nёnё Tereza mori trenin pёr nё Darjeeling, ku shkoi nё kuvend, tё kalonte 10 ditё me ushtrime shpirtёrore. Gjatë meditimeve kalonte nё kujtesё ngjarjet e Kalkutёs, luftёn, shkatёrrimet, djegiet, tё vrarёt, tё plagosurit, varfёrinё, vuajtjet e njerёzve tё thjeshtё dhe keshtu nё ndёrgjegjien e saj shpёrtheu “thirrja e thirrjeve shpirtёrore”. Pёr kёtё reflektim, Nёnё Tereza tregon: “Atё natё hapa sytё dhe pashё vuajtjen e njerёzve dhe ndjeva mungesёn e pёrkushtimit tim. Dёgjova Zotin, qё kёrkoi nga unё tё braktisja jetёn e qetё, atё brenda mureve të kongre-gacionit fetar dhe tё dilja nё rrugё, pёr t’u shёrbyer tё varfёrve, të pamundurve, tё sёmurёve, tё plagosurve. Ky ishte urdhёr, nuk ishte sugjerim, as kёshillё, as propozim”.

Motra Tereza, pas këtij reflektimi dhe e udhёhequr nga thirrja e Krishtit nё kryq: “Kam etje”, vendosi tё largohet nga Kongregacioni i motrave tё Loreto-s dhe t’i dedikohej me dashuri bamirёsisё, mbёshtetjes, ndihmёs materiale dhe shpirtёrore pёr tё varfёrit, qё shoqёria e kohёs dhe kastat hindiane i kishin braktisur dhe i konsideronin tё paprekshmit. Pёr kёtё vendim, i kёrkoi ipeshkёvit tё kalkutёs dhe Selisё sё Shenjtё, ta lejonin tё dilte nga kuvendi dhe të shёrbente si motёr aktive pranё njerёzve qё vuanin, t’u shёrbente tё varfёrve ndёr mё tё varfёrit, ashtu si e kishte ndjerё thirrjen e Jezusit.

Ipeshkёvi i Kalkutёs dhe bashkёmotrat e kongregacionit, u pёrpoqёn ta bindnin tё ndёrronte mendimin. Format e presionit ishin tё ndryshme, madje pёr njё periudhё tё shkurtёr kohe, Motrёn Tereza e transferuan nё qytetin e Asansol.

Ndonjё gazetar sensacionesh dhe njё sociolog atesit shqiptar, ka shkruar se Nёnё Tereza e braktisi kuvendin e Motrave tё Loretos, sepse nuk donte t’iu shёrbente vajzave tё familjeve tё pasura. U befasova, qё ky sociolog shqiptar, i cili hiqet si studiues i jetёs sё Nёnё Terezёs, na e servir kёtё gёnjeshtёr, si zbulimin e tij tё madh.

Nёnё Tereza nuk e braktisi kuvendin dhe nuk ka thёnё, se nuk donte t’i mёsonte nxёnёset e saj, sepse ishin nga familjet e elitёs, pёrkundrazi i donte shumё, i nderonte, i respektonte, i quante “nxёnёset e mia tё dashura” dhe i trajtonte njёlloj si motrat e kuvendit, pasi si motёr katolike, ajo i konsideronte tё gjithё njerёzit tё barabartё para Zotit. Ndarjen me nxёnёset e saj, e pёrjetoj me dhimbje, por misioni qё do ndёrmerrte, ishte mё i madh dhe mё i rёndёsishem, se sa detyra e njё mёsuese nё kolegj. Duhet t’i kujtoi ketij pseudosociologu, se shumë nga nxënëset e saj ne kolegj, madje dhe bija të elitës, u bënë misionare dhe punuan së bashku me Nënë Terezën.

Kjo zgjedhje e guximeshme e Nёnё Terezës nuk ishte rastësi, ishte inspirim i brendshёm, ishte lidhje mistike mbinatyrorё me Jezu Krishtin, që e kishte ftuar disa herë tё bёhej dishepulla dhe aposulla e tij, nё shёrbim të njёrёzve qё vuanin.

Nё letrёn dërguar Kardinalit - Prefekti i Kongregacionit, Nёnё Tereza i shkruan: “Kёrkoj tё mё jipet leja tu shёrbej hindianёve tё varfёr, duke jetuar si ata. Me sinqeritetin mё tё madh, ju them se nuk kam asnjё meritё tё veçantё tё qëndroj nё Kuvendin, ku nё vitin 1928 mora pёrkushtimin e motrёs. Pёr mua mbetet mister, pse Zoti mё bёri kёtё thirrje. Gjatё viteve qё kalova nё institut, isha shumё e lumtur e plot alegri dhe pёr mua ёshtё e dhimbёshme tё ndahem me motrat e Loretos dhe me nxёnёset e mia tё dashura, por unё duhet tё kryej kёtё veprim nё emёr tё Zotit, i cili mё ka kёrkuar ta bёj kёtё ndryshim radikal tё jetёs sime. Dua tё zbatoj porosinё e Zotit, duhet ta bёj me çdo kusht dhe tё shkoj e tё mbledh rreth meje ata qё do tu sherbejne tё varfёrve ... andaj po kёrkoj ndihmёn tuaj, qё tё arrij t’i pёrgjigjem thirrjes tё Zotit”.

Nёnё Tereza nuk e braktisi fenё katolike, por ndryshoi vetёm mёnyrёn pёrkushtimit katolik dhe perjetimin e fese se krishtere, krijoi kishën pa mure, e zbriti shёrbimin fetar mes njerёzve, zgjodhi tё qёndronte pranё tyre, duke i shёrbyer tё varfёrve, tё sёmurёve, tё braktisurve, leprozёve, jetimёve, atyre qё ishin pa mbёshtetje dhe pa pёrkrahje.

Me kёtё zgjedhje, Nënë Tereza revolucionarizoi misionin e fesё katolike, krijoi kishën e “hapur”  pranë njerëzve, duke treguar forcёn e besimit katolik nё shёrbim tё njerёzimit.

Me këtë vendim, Nёnё Tereza doli nga guacka e rehatisё, e qetёsisё, e komoditetit nё kuvend dhe zbriti nё rrugёt e hapura tё Kalkutes dhe mё pas duke e shtrirë misionin në 136 shtete tё botёs, i ndihmoi njerёzit me vepra tё vogёla e tё zakonёshme dhe me dashuri tё madhe.

Për këtë zgjedhje, shpesh shtrohet pyetja: Eksklaustrimi apo shekullarizimi i Nënë Terezës?

Nga letrerkembimi i Nënë Terezës me konfesorët, me ipeshkëvin e Kalkutës Imzot Pèreira dhe me eproret e kongregacionit “Motrat e Loreto-s”, rezulton se ata e këshillonin për eksklaustrim, pra dalje të përkohshme nga kuvendi, por me kusht të mbetej e lidhur me Rregullin e saj.

Këtë sugjerim, Nënë Tereza e shihte si kufizim te vepres se saj, si pengese për të kryer misionin, andaj vendosi ta linte bashkësinë e Motrave të Loreto-s, për të themeluar Rregullin e ri, ashtu si ia kishte këshilluar Jezu Krishti gjatë vegimeve mistike në kuvendin e Darjeeling.

Nё bazё tё teologjisё moderne, Nёnё Tereza preferoi shekullarizimin, kësisioj u largua nga kuvendi dhe e zbriti besimin fetar në popull, duke modifikuar skemat, rregullat, zakonet tradicionale, pozicionet dogmatike dhe ato apriore të besimit fetar katolik.

Kur u largua nga Kuvendi “Motrat e Loreto-s” dhe zbriti në mjerimin e Kalkutës, Nëna Tereza shkruante: “O Zoti im, me zgjedhjen time të lirë, nga dashuria për Ty, dua të mbetem dhe ta bëj vullnetin Tënd të shenjtë për Ty. Nuk i lejova vetes as një pikë loti... Kjo është nata e errët e lindjes së Rregullit. O Zoti im, më jep tani guxim, në këtë çast t’i mbetem besnike ftesës tënde”.

Në vitin 1948, Vatikani i dha lejen Nënë Terezës, tё jetonte në periferi të Kalkutës, ashtu si kërkoi, të jetonte pranë e me njerëzit e varfër, ku ndoqi rregullisht jetën fetare si motër katolike.

Më 15 gusht 1948, në festёn e “Zonja e Ngjitur ne Qiell” (Assunta), Nënë Tereza e hoqi vellon e zezё te Motrave te Loretos, veshi sarin e bardhë hindian dhe filloi jetën si motër e lirë dhe aktive. Në vazhdim, brenda pak vite, themeloi Missionarie della Carità, pra urdhërin e ri katolik.

Ne shtator 1948, Nënë Tereza shkoi nё kuvendin e Patna, pranë misionit të motrave mjeke, per te ndjekur kursin 4 mujor për operatore sanitare dhe infermjere, duke rritur aftësitë në shërbim tё njerëzve, qё jetonin në slum-et (barakopolet, lagjet me baraka, bidonvilat) e shumta të Kalkutës dhe të qyteteve të tjera hindiane, ashtu si sherbeu te varferev dhe në 126 vёnde të tjera të botës.

Ne janar 1949, filloi misionin e Motrës Misionare të lirë, aktive në shërbim tё varfërve.

Banonte në një barakё në Creek Lane në Motijhil. Jetoi vetëm deri me 19 mars 1949 dhe aty priti grupin e parë te motrave, që u bashkuan me Nënë Terezën.

Në ato ditë kur filloj misionin, në kuletë kishte vetëm 5 rupie, por nё zemër kishte një pasuri të madhe, besimin katolik dhe dashurinë për njerëzit e varfër, të cilëve u shërbeu me devocion hyjnor. Këtë vepёr modeste në ndihmë të të varferve, që e filloi vetëm me 5 rupie, por që e shndërroj në institucion humanitar gjithëbotëror, qeveria Hindiane, e ka nderuar me emetimin e monedhës 5 rupie me portretin e Nënë Terezës.

Në tё vetmen dhomë tё kёsaj shtёpie të vogël tё ndёrtuar me kartona, Ajo u mësonte fёmijёve shkrim e këndim, rregullat bazë te higjienёs, normat e sjelljes me kulturë dhe njëkohësisht u shpërndante ushqime familjeve të vobekta. Nënë Tereza e fillonte ditën me Jezusin në Eukaristi, me rruzaren në dorё, me shpirtëmadhёsinё e saj, për t’i u ndodhur pranë dhe për t’i u shёrbyer atyre, që askush nuk i donte, nuk i afronte, nuk i kuronte, të gjithë atyre, që i kishte braktisur familja, shoqëria dhe shteti.

Në shkurt të viti 1949, Nënë Tereza u sistemua në një shtepi, ku një nga dhomat e përdori për tu asistuar të sëmureve në gjendje të rëndë. Këtë pervojë të re, e tregon në një letër të vitit 1949.

Për çdo të djelë, unё vizitoj të varfërit e Kalkutës. Nuk mund t’i ndihmoj, sepse nuk kam asgjë prej gjëje, por shkoj t’i baj të lumtur. Herën e fundit, nja 20 fëmijë po prisnin me padurim “Ma”-nё e tyre. Kur më panë, brofën të më takojnё me ngazëllim e duke kërcyer me një këmbë. Në atë bllok ndërtesash, jetojnë 12 familje e sejcila ka një dhomë të vetme, dy metra me një metër e gjysmë të gjerë. Dyert janë të ngushta sa mezi kaloj, kurse tavanet i kishin të ulët sa nuk mund të qëndroja drejt në këmbë. Këta njerëz paguanin 4 rupi për këtë strehë e po të mos paguanin rregu-llisht, i hidhnin në rrugë. Tani nuk befasohem pse nxënësit e mi e duan shkollën aq shumë dhe pse shumë prej tyre janë shёndet lig dhe të sёmurё. Një grua e varfër nuk e çeli gojën për t’u ankuar për mjerimin e saj. Isha e pikëlluar por dhe e kënaqur kur pashë se u gëzua me vizitën time. “Oh Ma’, të lutemi eja prapë. Buzëqeshja jote ka sjellë dritën e diellit në shtëpinë time”. Duke u kthyer po mendoja: O Zoti im, sa e lehtë është t’i bësh të lumtur këta njerez. Më jep fuqinë të jem gjithmonë drita e jetës së tyre, derisa t’i udhëheq deri tek Ti”.

Gazetari Vinçenso Sanssoneti tregon një ngjarje të vitit 1949, kur Nёnё Tereza po kalonte nëpёr një rrugë të Kalkutës, pa një burrë të rreckosur, të palarë, i shtrirë në tokë në gjendje të mjeruar dhe Ajo iu tha vajzave që e shoqëronin: “Nuk mund ta lemë këtë bir të perëndisë, të vdesi si kafshë në mes të rrugës. Në fytyrën plot dhimbje të tij, shoh fytyrën e Jezu Krishtit, që vuan”. Kësisoj vazhdoi të ndihmoi njerëzit, që jetonin në mjerim të tejskajshme nё lagjet e varfёra tё Kalkutёs.

Në fillim të vitit 1950 Nënë Tereza i paraqiti Ipeshkëvit Imzot Pèreir, kërkesën për themelimin urdhërit të ri, tё cilin e quajti Missionarie della Carità (Misionaret e Dashurisë), si ia kishte sugjeruar Jezu Krishti nё vegimet nё kuvendin e Darjeeling.

Leja nga Roma erdhi më 7 tetor 1950,  ditën e festës Zonja e Rruzares. Atё ditё, kryeipeshkevi i Kalkutës Imzot Pèreir, shpalli themelimin e komunitetit te motrave katolike “Missionarie della Carità – Misionaret e Dashurise”.

22 gusht 1952, inauguroi Shtëpinë e Kalighat, për të semurët në gjёndje terminale, ku motrat misionare mjekonin dhe asistonin këta fatkeqё, që spitalet civile i refuzonin t’i shtronin.

Studiuesi Renzo Allegri, shkruan se Nënë Tereza, me Misionin e Dashurisë, krahas krijimit tё njё rendi tё ri misionar dhe njё kulture shёrbimi pёr tё varfёrit, kërkonte të shmangëte dhe gabimet e të kaluarës të disa prej urdhërave tё krishterё, që kishin lindur për të ndihmuar të varfёrit, por me pas ishin shndërruar në shërbim të tё pasurve. Nënё Tereza iu ka dhuruar të varfërve bukë, shtrat, veshmbathje, ilaçe, mbi të gjitha dashurinë, dinjitetin, ngrohtësinë, afërsinë.

Një ditё ajo pa një njeri të shtrirë në rrugë, i uritur, i pistë, i rreckosur, plot miza dhe krimba. Njerёzit i kalonin pranë dhe e vёshtronin me përçmim, ndërsa Nënё Tereza e mori nga rruga, e lau, e veshi e ushqeu dhe e vendosi në shtrat në shtëpinë e Kalighat. Ky njeri i braktisur nga të gjithë u befasua nga përkujdesia dhe nga kjo dashuri, që nuk e kishte ndjerë kurrë në jetën e tij të varfër, andaj i tha Nënë Terezës: “Nënë, kam jetuar në rrugët si kafshë, por tani do të vdes si engjëll!”. Dhe me buzëqeshje i tha: “Nënë, tani po shkoj i lumtur në shtëpinё e Zotit!”.

E filloi misionin duke ndihmuar njerëzit e braktisur në rrugët e varfërisë të Kalkutës dhe kësisoj vazhdoi të ndihmoi me qindramijëra tё tjerё, duke kryer vepra të vogla me dashuri të madhe, duke kryer mrekulli të shumta, nga ato që dinte të kryente vetëm Nënë Tereza.

Komuna e Kalkutës e vlerësoj këtë nisëm sociale dhe pёr ta mbёshtetur i dhuroi ndёrtesën e njё hoteli të vogël të braktisur në periferi të Kalighatit e njёkohesisht i dha njё buxhet modest, qё Ajo e përdori për krijimin e kushteve minimale të shërbimit ndaj të sëmurevë terminalё.

Ne kete qender asistence, motrat misionare perkujdeseshin per të sëmurët rëndë dhe për fëmijët dhe të moshuarit e braktisur nga familjet, nga shoqëria dhe nga shteti.

Ata mjerane ishin të feve të ndryshne, si hindù, myslimanё, budista, katolikё etj, por të gjithë qëndronin së bashku.

Qёndra e Kalighatit ishte strukturë asistence e një urdhёri të krishterë, por sejcili prej të sëmurëve, ishte i lirë të praktikonte ritet e fesë se vet, pra myslimani lexonte Kuranin dhe falej pesë herë në ditë, hindusëve u jipej uji i lumit Gang, katolikёt kryenin ritet sipas Ungjillit etj. Në këtë mjedis social punuan misionaret e dashurisё dhe përherë duke respektuar besimet fetare të sejcilit prej tyre, pa as më të voglën tentativë proselitizmi, sepse për Nënë Terezën, te gjithё njerёzit janё tё barabartë para Zotit.

Nënë Tereza, deri nё moshёn 18 vjeç jetoi në Shkup, ku shqiptarё dhe pse me besime fetare të ndryshme, bashkëjetonin në harmoni, me respekt e nderim reciprok mes tyre.

Harmonia dhe toleranca fetare janë padronet e kulturës shqiptare dhe këtë edukatë dhe kulturë, që kishte marrë nga familja, nga kisha, nga shkolla dhe nga shoqëria shqiptare e asaj kohe, Nënë Tereza e bëri parim bazë të misionit dhe e zbatoi në shoqërinë hindiane dhe me popujt e të gjitha vendeve dhe ato me popullatë myslimane, ku ishin hapur shtëpitë e dashurisë.

Nënë Tereza dhe motrat misionare, u shërbenin të gjithëve pa bёrё dallime fetare, pa bërë diferencime sociale dhe në këtë menyrë, Ajo solli një risi humanizmi në misionet e kishës katolike.

Aktiviteti i misionit të Nënë Terezës zgjerohej nga dita në ditë dhe rezultatet bëheshin të njohura publikisht. Personat e trajtuar në qendrat e asistencës flisnin me entusiazëm për shërbimet e motrave misionare dhe kjo atmosferë sensibilizuese ndikoi, që masat e gjëra popullore, të kishin besim dhe nderim për vepnёn e Nënë Terezës, madje ndihmonin në mbarvajtjen e këtyre qendrave.

Ipeshkëvi i Kalkutës dhe Vatikani e vrojtonin nga afër aktivitetin e misionit dhe vazhdimisht shprehnin vlerësime. Rezultatet e arritura, krijuan bindje për dobishmëritë shpirtёrore dhe shoqërore të veprës të Nënë Terezës si misionare e dashurisё.

Populli hindian e vleresonte kontributin e shquar ndaj banorëve të Kalkutёs dhe nё nderim të vepres se saj, te gjithë e quanin Nënë Tereza e Kalkutës, kësisoj e njohu bota, me kёtё “titull nderi” e quajti edhe mass media, duke e shёndёrruar nё mbiemёr “zyrtar”.

Kur ne vitin 1979, Nënë Tereza deklaroj se ishte me origjinë dhe me gjak shqiptarë, gazetat e revistat shkruanin Nëna Shqiptare e Kalkutës, Motra Shqiptare e Kalkutës, pra u shprehn me dyzim përkatësie, që bënte tё ndiheshin krenarë si banorёt e Kalkutës dhe populli hindian, por njёkohёsisht dhe të gjithë shqiptarët nëpë botë.

Në shkurt të vitit 1965, duke vlerësuar arritjet e rendit të themeluar nga Nënë Tereza, me dekret të veçantë “Decretum laudis”, Papa Paolo VI e aprovoi Urdhёrin “Missionarie della Carità” dhe e shpalli Kongregacion Pontifik, me selinë në Kalkuta.

Emёrtimi pontifik, do tё thotё, qё kisha katolike tё krijoi ura lidhёse me besimtarёt dhe me shume popuj dhe pikёrisht misioni i Nёnё Terezёs e meritonte mё shumё se çdo urdhёr tjetër, pasi duke e zbritur kishёn ne popull, krijoj lidhje tё fuqishme mes kishёs dhe popullit, mes Misionit tё Dashurisё dhe popujve të gjitha besimeve fetare.

Në vitin 1965, me Nënë Terezёn, punonin 300 motra misionare, të cilat krahas shërbimeve në qendrat e asistencës, zbritsnin në rrugët e Kalkutës për të ndihmuar të varfërit, të braktisurit, jetimët, të sëmurët. Shpirtёmadhёsinё, dashurinё dhe pёrkushtimin pёr tё ndihmuar tё varfёrit, njerёzit qё vuanin, Ajo ua transmetoi dhe motrave misionare, tё cilat i porosiste vazhdimisht: ”Lumturia ёshtё rrugё e gjatё dhe jo njё destinacion. Puno pёrherё sikur tё mos kesh nevojё pёr parà, duaj sikur tё mos jesh lёnduar kurrё dhe vallёzo sikur nuk tё sheh askush. Kujto mirё, se lёkura ngadalё do tё mbushet me rrudha, flokёt do tё zbardhen dhe do tё rrjedhin vitet, por rёndёsi ka tё mos dyshoni, pasi feja, bindjet dhe forca e juaj nuk ka moshё. Shpirti i juaj ёshtё si njё pupёl, qё fshinё merimangat. Pas çdo pikёarritje, ёshtё njё fillim i ri. Pas çdo rezultati, tё pret njё sfidё tjetёr. Pёr sa jeton, tregoje gjallёrinё tënde. Vazhdo tё rendish vetёm pёrpara dhe kur tё tjerёt tё thonё tёrhiqu”.

NËNË TEREZA DHE MOTRAT MISIONARE TË DASHURISË:

Me themelimin e Urdhërit Misionaret e Dashurisё, Nёnё Tereza i hoqi velin dhe veladonin e Motrave tё Loreto-s dhe veshi sarin e bardhё, hoqi kёpucët dhe mbathi sandalet.

Sari i bardhё i grave hindiane vishet për të shprehur zinё për vdekjen e burrit. Sipas kulturës vendase, burri ishte shtylla mbështetëse e familjes dhe ndarja nga jeta e burrit krijonte pikëllim dhe vuajtje. Ngjyra e bardhë e sarit të Nënë Terezës, shpreh pjesmarrjen në vuajtjen e njerëzve, është bashkëndarje e dhimbjes me të vuajturit.

Në buzët anësore të sarit të bardhë, Nënë Tereza shtoi katër shirita blu, që shprehin katër përkushtimet e motrave misionare: varfëria, pastërtia (kastità), bindja dhe jeta e varfër ndërmjet të varfërve. Zgjodhi ngjyrën blu për shiritat, në nderim të Virgjёreshës Marie, që i udhëhoqi me shembullin e saj.

Katër shiritat anësore, janë te formuara me tre ravijëzime, që shprehin Trinitetin e Shenjtë.

Nën supin e majtë, mbi zemër, Nënë Tereza vendosi një kryq me Jezu Krishtin e kryqëzuar, pra e përdori ndryshe nga të gjitha motrat e rendeve të tjera të krishtera, të cilat e mbajnë kryqin në qafë me varëse.  Sari i bardhë dhe kryqi nën supin e majtë, është veshja tipike për të gjitha motrat, që pranohen në rendin e Misionareve tё Dashurisë.

Nënë Tereza e nisi misionin e saj, së bashku me një grup të vogël motrash, që u perkushtuan me vetmohim të varfërve, të sëmurëve, jetimëve, sakatëve, të pastrehëve, të braktisurve, njё veçori shёrbimi, që e dallonte misionin e Nënë Terezës nga rendet e tjera të krishtera.

Varfëria nuk mposhtet me lёmosha e me fjalë, por me ndihma konkrete, me mbështetje ekonomike e shpirtërore. Nё takimet me bamirësit dhe me pushtetarët, Ajo i këshillonte: “Mos u kufizoni t’i dhuroni njerëzve një peshk sa për të shuar urinë, por jepini mjetet të peshkojnë vetë”.

Shumica e popullit hindian jetonte në varfëri dhe mjerim tё skajshёm dhe për këtë popull që e adapatoi, Nënë Tereza shkruan: “Hindia digjet si një ferr, por shpirtat e popullit hindian janë të bukur dhe të çmuar, sepse janë të ujitur me gjakun e Krishtit”.

Për rendin që themeloj, zgjodhi emërin Missionarie della Carità (angl: Missionaries of Charity), ashtu si ia kishte sugjeruar Jezu Krishti në vegimet e herëshme, kur i tha: “Eja bëhu drita ime”.

Fjala carità (karità) në gjuhën shqipe përkthehet me sinonimet: bamirësi, dashuri, dhëmshuri, përdëllim. Shumica e përdorin thjesht bamirësi, si e ndeshim shpesh dhe nё emërtimin Misionaret e Bamirësisë.

Mendoj se kësisoj si është përkthyer, nuk shpreh thelbin e misionit tё Nënë Terezës, pasi në plan të parë të veprimtarive të motrave misionare, nuk është vetëm bamirësia, mëshira, lemosha, altruizmi, filantropizmi, por është dashuria për jetën, shёrbimi me dashuri njeriut tё vuajtur.

Natyrisht, ndihmat për të varfërit, janë bamirësi, por Nënë Tereza dhe motrat misionare e kryejnë ndryshe nga gjithë të tjerët. Bamirësi është të dhurosh parà, ushqime, veshje për të varfërit, por këto janë ndihma individuale, të çastit dhe për pak njerëz, ndërsa misionaret e Nënë Terezës u dhurojnë nevojtarëve shumë më tepër, i trajtojnë me dashuri, i japin kurajo, iu shërbejnë me kujdes shembullor, i ushqejne, i lajnë, i përkëdhelin, i mjekojnë, u japin mbështje shpirtërore, u kthejnë buzëqeshjen, u shёrbejnë tё gjithёve me dashuri.

Nënë Tereza tregon: “E kuptova se dashuria i përfshinte te gjitha vokacionet, ishte gjithçka, që përqafonte të gjitha kohët e të gjitha vendet. Më së fundi e gjeta vokacionin tim, është dashuria”.

Vështruar në këtë aspekt, Don Lush Gjergji, me të drejtë ka përdorur emërtimin Misionaret e Dashurisë dhe është nderim e respekt për veprën e saj, tё quhet kesisoj dhe jo tё pёrdoret njё fjalё e përkthyer thjeshtë “bamirësi”.

shkurt të vitit 1953, motrat misionare u vendosën në selinë e re në shtepinë N° 54 A Lower Circular RoadMissionaries of Charity, ku ndodhet edhe nё ditёt e sotme, e njohur Shtëpia e Nënë Terezës, pra nuk quhet kuvend (manastir), si ato të urdhërave të tjerë të krishterë.

Nënë Tereza organizoi një urdhër katolik me rregulla të forta, që imponojnё shërbim me devocion ndaj tё gjithë nevojtarëve pa dallime fetare e social-ekonomike.

Funksionimi dhe stili i jetës i motrave në shtëpitë e misionit, janё tё frymëzuara nga jeta e Shën Françeskut, jetesё me thjeshtësi, njёlloj si tё varfërit dhe me kёrkesën rigoroze, që të gjitha motrat misionare të ruajne besnikërisht idealet e rendit Misonaret e Dashurisë tё Nёnё Terezёs.

Në dhjetë vitet e para të misionit, Nënë Tereza veproi vetëm në Kalkuta, duke iu sherbyer miliona banorёve tё kёtij megaqyteti. Në vitin 1959, e zgjeroi aktivitetin, hapi Misionin e Dashurisë dhe në rajonin e Ranchi, të shtetit hindian të Jharkhand e me pas u shtri dhe në rajone të tjera.

Në shkurt të vitit 1965, Papa Pali VI, duke vlerësuar arritjet e rendit Missionarie della Carità, i njohu të drejtat të shtrijë aktivitetet misionare dhe jashtё Hindisë.

26 korrik të vitit 1965, shkoi në Venezuela, ku hapi Shtёpinë e Misionit të Dashurisë në Kokorote (Cocorote), kryeqyteti i shtetit Yaracuy, i pari kongregacion jashtë kufijëve të Hindisë.

Më 8 dhjetor 1967, hapi Misionin në Kolombo të Sri Lanka, më pas në Itali, Belgjike, France, Tanzani, Sudan, Egjipt, në shumë vende të Afrikës, të Azisë, të Amerikës, Europës dhe në Australi.

Në vitet 1980 - 1991, Nene Tereza hapi Misionet e Dashurisё dhe në vendet ishkomuniste si BRSS, Polonia, Kuba, Kina, Kosova, Maqedonia dhe së fundi në Shqipëri

Ndërkombëtarizimi i Misionit të Dashurisë, është vepër dhe meritë e Nënë Terezës, e njohur dhe e nderuar në të gjitha vendet e botës.

Nënë Tereza iu përkushtua me dashuri njerëzve jo brenda mureve të kishave, manastireve dhe tempujve, por veproi jashtё tyre, në rruget e qyteteve dhe fshatrave, ne hapsirën e gjërë të slum-eve të shumtë, aty ku jetonte masa e madhe e njerëzve të varfër, ato që vuanin dhe që kishin nevojë për ndihmë, por edhe për qetësi shpirtërore. Duke vepruar në këtë mënyrë, Nënë Tereza e zbriti kishën nё popull, krijoi kishёn e hapur për shoqërinë e me këtë vepër novatore, bëri një revolucion në kishën e shekullit XX.

Nënë Tereza nuk i priste njerëzit nё kisha, por shkonte i takonte në barakat ku banonin, i takonte nё rrugё dhe i ndihmonte me thjeshtësinë dhe shpirtёmadhësinë e saj, pra vepronte e frymëzuar nga shembulli i Jezu Krishtit.

Këto mrekulli të përditëshme të Nënë Terezёs, populli i vlerësoi, andaj e konsakroi shënjëtore qysh në gjallje. Për vite me radhë, shumë klerikë të kishës katolike, motra misionare, teologë, shkencëtarë, sociologë, mjekë, gazetarë, bashkëpuntorë, dëshmitarë të shumtë nga bota,i mbushën dosjet me prova të shumta të mrekullive të Nënë Terezës.

Shumë njerëz dёshmonin dhe shtypi shkruante si i “ringjallte gjysëm të vdekurit”, që dergjeshin të braktisur rrugëve të pista të Kalkutës dhe si Ajo u bë mishërim i mëshirës, rrëfenin si u rikthente buzëqeshjen atyre, që varfëria ua kish mohuar gëzimin dhe shëndetin.

Për kohë të gjatë, Nënë Tereza dhe motrat misionare mbetën larg vëmendjes së medias botërore dhe mos prezantimi i aktiviteve te misionit, ndikoj që opinioni botëror ta njohi pak me vonesë.

Në vitin 1967, Malcolm Muggeridge gazetari i kanalit televiziv BBC, bёri intervistën e parё me Nënë Terezën e pas kësaj, media ndërkombëtare dhe sidomos ajo perëndimore, filloi t'i kushtonte vëmendje aktiviteteve humanitare të misionit.

Kanalet televizive, gazetat, revistat, filmat dokumentarё, i bënё jehonë aktiviteteve që kryheshin në shtëpitё e dashurisë, ekspozonin përkujdesjen e rrallë ndaj të braktisurve dhe të sëmurëve.

Dokumentarë prezantonin skena tepër prekëse për publikun dhe kësisoj njerëzit kuptuan, se me veprat që kryente Nënë Tereza, më shumë se një grua e famëshme, ishte një motër e shenjtë.

Në fund tё vitit 1976 u publikuan rezultatet e aktivitetit të kongregacionit të Nënë Terezës.

Në radhët e misionit shёrbenin 1400 motra misionare, funksiononin 100 Shtёpi të Dashurisë (66 në Hindi dhe 34 në vende të tjera të botës), ishin hapur 729 azile, leprozare, qendra asistence dhe shkolla për fёmijët e familjeve tё varfёra.

Ne 25 vjet aktivitet, Misionet e Dashurisë të Nënë Terezës, asistuan rreth 7 miljon banorë.

Personaliteti i fortë dhe autoriteti i padiskutueshëm i Nënë Terezёs, u shpreh në vitin 1984, kur ndërhyri dhe ndёrpreu luftimet në Liban. Konflikti vazhdonte me vite, por as diplomacia botërore,  as misioni multinacional i paqёs i OKB, me forcat ushtarake të USA, Francës, Italisë dhe Anglisë, nuk e ndaluan konfliktin e armatosur, në këtë vend të martirizuar nga luftimet e përgjakëshme.

Nёnё Tereza u dёrgoi letra presidentit Regan, presidentit te Libanit dhe Jaser Arafatit, duke iu imponuar ndёrprerjen e luftimeve dhe shpalljen e armёpushimit humanitar, pёr tё ndihmuar popullatёn dhe pёr tё mjekuar tё plagosurit e shumtё, nё dergjeshin rrugёve dhe nё shtёpitё e shkatёrruara nga bombardimet. Kjo ishte njё ngjarje pa preçedenta. Pёr herё tё parё nё historinё e njerёzimit, njё motёr katolike me gjak shqiptar, u bё protagoniste e paqes, duke detyruar armё-pushimin pёr motive humanitare. Nёnё Tereza dhe motrat misionare, sё bashku me operatorёt e Kryqit tё Kuq Ndёrkombëtarё, zbritёn nё sheshet dhe nё rrugёt ku ishin kryer luftime dhe bombardime, asistuan banorёt e terrorizuar, mjekuan tё plagosurit dhe ndihmuan popullin e cfilitur nga lufta.

Nё vitet 80’, Papa Gjon Pali II e takoi disa herё Nёnё Terezёn. Me mbёshtetjen e Papes, Nënë Tereza hapi tre shtёpi tё misionit nё Romё, ndёrsa nё Qytetin e Vatikanit, hapi mensёn, qё ia dedikoi Shёn Marta, pra i dha emёrin e shёnjёtores, që është padronia e mikёpritjes.

Misionaret e Dashurisё (latinisht: Congregatio Sororum Missionarium Caritatis), janё institute fetare femёrore tё drejtёs Pontifike dhe tё gjithё motrat misionare të kongregacionit, pas emёrit shkruajnё inicialet MC (Missionarie della Carità), pra shkruhet: Nёnё Tereza MC.

Nё rendin Misionaret e Dashurisё, pёrfshihen tё gjitha kongregacionet, familjet fetare katolike dhe shoqatat e themeluara nga Nёnё Tereza, pra nuk ёshtё njё mision i vetёm si flitet zakonisht, por janё shumë institute, qё kanё tё pёrbashkёta tё njёjtat parime, tё njёjtat rregulla, tё njёjtat funksione dhe tё njёjtat qellime: tё ndodhen pranё tё varfёrve ndёr mё tё varfёrit, tё ndihmojnё tё sёmurёt, t’u gjёnden pranё tё braktisurve dhe jetimёve, t’u pёrkushtohen atyre nё shёrbim dhe ndihmё me dashuri tё pakushtёzuar.

Misionaret e dashurisё tё Nёnё Terezёs, janё organizuar nё katёr kongregacione katolike:

1. Misionaret e Dashurisё (Congregatio Sororum Missionarium Caritatis), Kongregacioni Femёror

Ndёrkombёtar, me degёn aktive e themeluar nё vitin 1950 dhe me degёn kontemplative, e

themeluar  nё vitin 1976.

2. Vёllezёrit misionarё tё dashurisё, me degёn e jetёs aktive, e themeluar nё vitin 1963.

3. Vёllezёrit misionarё tё dashurisё, me degёn e jetёs contemplative, i themeluar nё vitin 1979.

4- Etёrit misionar tё bamirёsisё, i themeluar nё vitin 1984.

Kongregacionin, Nёnё Tereza e pasuroi nё vazhdim me themelimin dhe tё dy lёvizjeve:

- Bashkёpunetorёt e Nёnё Terezёs.

- Bashkёpuntorёt pёr tё Sёmurёt dhe tё Vuajturit.

Me kёto dy lёvizje, Ajo afroi nё misionet e saj dhe klerikёt e urdhёrave tё tjerё të krishterë, laikёt dhe personat e besimeve tё tjera fetare nga tё gjitha kombet, me tё cilёt bashkёndau shpirtin e lutjes, thjeshtёsinё, sakrificat dhe apostolatin e saj, pёr tё kryer vepra me dashuri, në ndihmë të njerëzve në nevojë, duke theksuar pёrherё: "Veprat me dashuri, janё vepra pёr paqe dhe frut i shёrbimit ёshtё paqa. Puna e jonё konsiston tё inkurajojnё tё krishterёt dhe jo tё krishterёt, tё bёjnё sё bashku vepra me dashuri”.

Me kёtё shpirt dashurie dhe shёrbimi pёr njerёzit nё vuajtje, Nёnё Tereza themeloi dhe dy misione tё tjera:

- Laikёt misionarë tё dashurisё (laikёt beqarё dhe tё martuar).

- Lёvizja Trupi i Krishtit i priftёrinjёve (Corpus Christi), i themeluar ne vitin 1991, që perfshinё

prifterinjtё shekullorё.

Aaktualisht, Shtёpitё e Dashurisё tё Nene terezes jane hapur nё 136 vende tё botёs, ku shёrbehet me pёrkushtim dhe dashuri. "Dashuria nuk ka mesazh tjetёr, - ka thene Nёnё Tereza, - pasi në vetёvete ёshtё mesazhi parёsor. Ne e jetojmё nё mёnyrё konkrete dashurinё pёr Jezu Krishtin, e pёrjetojmё nё çdo aksion tonin dhe çdo ditё. Nё se bёjmё ndonjё predikim, ai bazohet nё vepra, me fakte dhe jo nё fjalёt. Kjo ёshtё dёshmia e jonё ungjillore".

Gazetari spanjoll Josè González-Balado konstaton, se pёr shtёpitё e misionareve nёpёr botё, qe kishte hapur Nene Tereza, pёrdoren emёrtime tё ndryshme, me origjinё nga liturgjia, ose nga mençuria popullore, qe ia dedikonin posaçerisht vepres te Nene Terezes.

Nё morinё e emёrtimeve po radhis disa mё kryesorёt: Shtёpia e Yllit tё Mёngjezit, Shtёpia Dhurata e Paqёs, Shtёpia e Paqёs, Shtёpia e Mbretёreshёs sё Paqёs, Shtёpia e Gёzimit, Shtёpia e Zemrёs sё Papёrlyer të Maries, Shtёpia Dhuratё e Maries, Shtёpia e Nёnёs sё Dashurisё etj.

Nёnё Tereza, e filloi dhe e vazhdoi aktivitetin si misionare aktive dhe nё kёtё veprimtari, nuk u kufizua vetёm me predikimet pёr tё shpallur idetё dhe mёsimet e Jesu Krishtit, por Ajo donte t'i shihte ato tё realizuara, andaj u bё misionare e aksionit, misionare e dashurisё, misionare e ndryshimeve tё guximёshme, duke i shёrbyer kishёs dhe njerёzve aty ku jetonin

Nga dita e themelimit deri nё ditёt e sotme, Misioni i Dashurisё i Nёnё Terezёs u rrit, u zgjerua, u fuqizua, u pёrhap nё tё pesё kontinentet e sot ёshtё i pranishёm nё 136 vende tё botёs, me rreth 5000 motra misionare, qё u shёrbejnё me vetmohim pjesёs mё tё dobёt tё shoqёrisё, tё varfёrve, tё sёmurёve me SIDA, leprozёve, tё sёmurёve me tuberkuloz, me malarie, me kolera, invalidёve, toksikodipendenteve, jetimёve, tё gjymtuarve, tё uriturve, tё braktisurve, pleqёve tё mbetur vetёm dhe tё paaftё nga ana shёndetesore e mendore.

Papa Gjon Pali II ka thёnё: "Nёnё Tereza e Kalkutёs, bija e popullit shqiptar, i ka dhёnё nderin dhe shkёlqimin kombit tё saj, ashtu dhe Kishёs Katolike".

Ditёn e shpalljes e Lumturueme tё Nёnё Terezёs, Papa Gjon Pali II  tha: ”Ta lavdёrojmё kёtё grua tё vogёl tё dashuruar me Zotin, kёtё lajmёtare tё pёrulur tё Ungjillit dhe bamirёse e palodhur e njerёzimit. Ta nderojmё kёtё personalitet tё shquar tё epokёs tonё. Ta pranojmё mesazhin e saj dhe tё ndjekim shembullin e saj”.

Në vitin 1985, me rastin e 40-vjetorit të themelimit të OKB, Nënë Tereza u ftua të fliste para Asamblesë së Përgjithëshme. Sekretari i Përgjithëshëm i OKB Perez de Cuellar, e prezantoi Nënë Terezën me këto fjalë: ”Kёtu është salla e fjalimeve. Në këtë tribunë kane folur burrat më të fuqishëm të botës, ndёrsa tani kemi privilegjin të kemi mes nesh dhe tё dёgjojmё gruan më të fuqishme të botës. Nuk besoj se është e nevojshme t’ua pre-zantoj, sepse e njihni tё gjithё dhe Ajo s’ka nevojё pёr fjalё, por për veprat  tona. Mendoj, se gjëja më e mirë që mund të bëjë unë, është ta ftoj tё na nderoi me mesazhin e saj dhe t’u them, se ajo është më e madhe se unë, Ajo është më e madhe se të gjithë ne së bashku. Ajo është OKB-ja. Ajo është paqa në botë.”

Populli ynё, krenohet me shqiptaren e shquar, e cila gjithmonё dhe me krenari deklaronte pёrkatёsinё shqiptare. Ditёn kur e nderuan me çmimin Nobel, duke i u pergjigjur  pyetjes qё i bёri njё prift nё sallё pёr origjinёn e saj, Nёnё Tereza deklaroi me krenari: “Me origjinё dhe me gjak jam shqiptare, me shtetёsi hinduse, jam motёr katolike e pёrmes thirrjes time i pёrkas gjithё botёs, por zemra ime i pёrket vetёm Zotit”.

Nënë Tereza u bë një nga urat ndërlidhëse të njohjes së shqiptarëve në botë, ishte ambasadorja gjithёbotёrore e popullit tonё, madje ka bёrё shumё pёr rritjen e prestigjit tё vendit tonё nё arenёn ndёrkombёtare dhe pse politika shqiptare nuk ia dha meritat qё i takonin.

Presidenti i USA Bill Klinton, nё qershor tё vitit 2002 u shpreh: “Nënë Tereza, ishte e para Ajo, qё më bëri ta dua kombin shqiptar dhe tani unë ndihem shumё krenar, që plotёsova njё detyrim moral ndaj Saj dhe ndaj vlerave tё lirisё në Kosovë”.

Misionet e Nёnё Terezës pёrfshijnё aktivitete tё shumta tё karakterit fetar, humanitar, shpirtëror, bamirёs, kulturor dhe tё gjitha nё veçanti dhe sё bashku, janё shprehje e dashurisё pa kufi pёr njerёzit nё vuajtje, janё shёrbime pёr tё shpёtuar dhe shёruar jetёn, janё misione hyjnore, misione të shenjta, qё i realizoi me madhështinë e saj dhe nё pёrmasa gjithё botёrore.



(Vota: 9 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: