Frrok Vukaj: Në qendrën e ri-intregimit të të miturve
| E Diel, 14.08.2016, 04:59 PM |

VIZITË NË QENDRËN E RI-INTEGRIMIT TË TË MITURVE, KAVAJË

Mirë sot, po nesër ku do të shkojnë?

Nga Frrok Vukaj - Akademia e Shkencave të Edukimit

Pas një pune relativisht të gjatë të grupit të punës për studimin “Përvojë dhe problem për punën e diferencuar me nxënësit me deviacione në sjellje”, meraku ynë ishte dhe për një vizitë në “Burgun e Fëmijëve” për të cilën ngulmonte me të drejtë Prof. Dr. Musa Kraja, kryetar i “Akademisë së Shkencave të Edukimit”. Jo larg nga Autostrada, në një mjedis disi të fshehur në Kavajë, u gjendëm përballë një ndërtesë të bukur e bashkëkohore të rrethuar me lulishte të bukura e plot gjelbërim. Qysh këtu ra poshtë emërtimi dhe përfytyrimi ynë për ato burgjet famëkeqe të lexuara në libra apo të treguara nga ish të burgosur ndër vite. Në pamjen ballore shkruhej në një pllakat “Qendra e ri-integrimit të të miturve”  pas së cilës do të shikonim një institucion me standarde bashkëkohore. Stafi përgjegjës, me kulturë e mirësjellje, na kontrolluan me korrektësi (larg brutalitetit) autorizimin, kartat e identitetit, çantat etj. duke na bërë edhe kontrollin fizik. Na priti në zyrën e saj psikologia Erida Hysesani, përgjegjëse e sektorit të çështjeve shoqërore së bashku me Jashar Ceken, përgjegjës i shkollës varëse 9 – vjeçare “Rilindja”, Ritvana Byxhymin, specialiste e monitoruese mësimdhënie e të tjerë persona. Brenda këtij institucioni funksionon kjo shkollë nën kujdesin e shkollës së qyteti me të njëjtin emër, e cila ka përgatitur për sot (27 korrik, 2016) shpërndarjen e dëftesave pa asnjë shenje diferencimi. Struktura e vitit shkollor, planet, programet, tekstet, orari, kuadri ligjor, veprimtaritë mësimore-edukative etj. gjithçka si në arsimin publik të lirë, me ndryshimin se këto zbatohen në këtë institucion “të mbyllur”, por me kushte të standardeve europiane. I pamë këto cep e më cep kudo shkuam e vizituam: klasat e mësimit, biblioteka, holli për zhvillimin e aktiviteteve mbi 120 m2, ekspozitat, mjediset akomoduese, kuzhina e pastër me hapësira të bollshme plot dritë, palestra e terrenet sportive të kompletuara më së miri, lulishtet e bukura, pa harruar edhe serrën me perime, e ngritur nga nxënësit e personeli i këtij institucioni. Takimin  me këta “të mitur” të moshës 14-18 vjeç, e bëmë në bibliotekën e shkollës (15 veta). U përpoqëm t’u krijonim një mjedis sa më miqësor: secili një botë më vete, me ëndrra e zhgënjime, me histori e minidrama, një portret fizik e moral që përsëri ka dritë e rrezaton. Këtë e pamë të pasqyruar edhe në ekspozitat e shumta, kryesisht me piktura, të realizuara me nivel ideoartistik. Po veçoj një kompozim pllakat ku shkruhej “Në 100 vjet Pavarësi, jemi krenarë për ty Shqipëri”. U gëzova shumë për këtë konceptim… Edhe pse në një shkallë të konsiderueshme janë fajtore shoqëria e shteti, ata e ndjejnë veten krenarë se janë shqiptarë, e ndjejnë veten pjesëtarë në rrjedhën e jetës, jo të braktisur. Na u ngroh zemra kur pamë të ruajtura me kujdes nga mësuesja përkatëse kartelat e anëtarëve të bibliotekës me shënimet e duhura, të cilat na u dukën të besueshme. Në vitin 2015 njëri ka lexuar 20 libra, por një tjetër vetëm 2. E rëndësishme është se stafi pedagogjik e vlerëson librin si burim dije, që mëson e edukon, si “një armë”  e fuqishme e civilizimit shoqëror. Mësuam se shkolla funksionon me tri klasa të bashkuara: 1-5, 6-8, 7-9, por këtu mungon mundësia e vazhdimit të arsimit të mesëm. Ndiejmë keqardhje për faktin se shumica e këtyre fëmijëve, para se të vinin këtu, kishin braktisur shkollën ose më saktë ishin braktisur nga shkolla e në disa raste edhe nga prindërit. Nga shoqëria e organizmat shoqërore, siç doli edhe në këtë takim, duhet rritur  ndjenja dhe përgjegjësia e detyrës, kujdesi e humanizmi, përkushtimi e profesionalizmi, por edhe kërkesa e llogarisë krahas lirisë e të drejtave të secilit. Moskuptimi e moszbatimi i saj është me pasoja e kosto të rëndë. Nga burime të tërthorta u informuam se përveç shpenzimeve ditore e të ngritjes së këtij institucioni (viti 2009) në një sipërfaqe rreth 14500 m2, shteti ka vënë në dispozicion të çdo të mituri rreth tre vetë që paguhen, përfshirë stafin pedagogjik, të sigurisë, akomodimit, të shërbimeve etj. Institucioni shërben si vend rehabilitimi, ri integrimi e shkollimi. Detyrat duhen ndarë e ndjekur me përparësi jo vetëm nga kjo qendër, e cila justifikon veten, por më shumë nga shoqëria pas rikthimit në gjirin e saj. Kur iu kërkua të shënonin pa emër në një letër se çdo të bënin pasi të ktheheshin pranë familjeve e çfarë ëndërronin, kishte një lloj stepje, mjegull e huti, ndoshta refleksion i problemeve të tranzicionit. Biseda e ngrohtë me ndjesi psiko-pedagogjike e sociale e profesor Krajës për pasojat e sjelljeve devijuese, për sheqerosjen e joshjen drejt akteve kriminale nga element keqbërës, i ftonte për reflektim, ndezte dritë e zgjonte ëndrra. Mësuam shumë prej tyre, por ndjemë edhe dhembje. Shumica ishin nga Shqipëria e Mesme: të dashur e të sjellshëm, disi të ndrojtur, por edhe të sinqertë. Për hir të privatësisë nuk po përmendim emra. Historitë e tyre disi të rënda për supet e njoma, aventura të moshës, kryesisht me vjedhje e ndonjë rast armëmbajtje pa lejë e drogë. Ai lazaratasi gazmor, që nuk ngjan fare me një kriminel, pohon me qetësi. “Jam i paraburgosur, i akuzuar për drogë e vrasje, kjo e fundit më është hequr kohët e fundit”. E bazuar apo jo, kjo një peshë e rëndë psikologjike dhe ekonomike. Akoma më dëshpëruese, kur mungojnë provat. Më ngjan me qengjin kurban, ujqërit me gjasa enden të lirë. Me gjithë nivelin arsimor të cunguar, kur ju dhuruam nga një libër, tek secili pati kërshëri e interes.

Sistemi i burgjeve shqiptare në bashkëpunim me ndihmën konkrete të specialisteve holandez ka përcaktuar dy qëllimet kryesore të këtij institucioni:

1. Mbajtja në kontroll e kufijtë e caktuar të sjelljeve të mundshme patologjike.

2.  Zhvillimi i aftësive bazë sociale për zhvillimin e tyre personal, nëpërmjet programeve rehabilituese duke rritur mundësinë e riintegrimit në shoqëri pas lirimit.

Perceptimi ynë qe për arritje pozitive, por kjo na u pohua edhe nga nxënësit dhe punonjësit që na shoqëruan. Pas një pune të kualifikuar, ata gjithnjë e më shumë po socializohen, po reflektojnë nëpërmes vetëgjykimit e vetëvlerësimit, po vete ndërgjegjësohen për zbatimin e regjimit ditorë, për vetëshërbimin e mirëmbajtjen e mjediseve, për harmoninë e solidaritetin pozitiv, për respekt të ndërsjellë ndaj njëri-tjetrit e personelit të shërbimit. Për t’i  shërbyer një integrimi sa më të natyrshëm pas largimit nga Institucioni, në bashkëpunim me Qendrën Rajonale të Formimit Profesional janë hapur kurse për kompjuter, për hidraulik, për elektrik, për saldator, për dru etj., të gjitha këto nën kujdesin e Ministrisë së Mirëqenies e Çështjeve Sociale, të certifikuara e të njohura zyrtarisht prej saj. Ka përpjeke të konkretizuara për mundësi punësimi brenda në institucion si ndihmës kuzhinier, berber, dizenjator, sanitarë, lulishtarë, bibliotekar. Mjediset janë përshtatur në atë mënyrë që të ndihet sa më pak mbyllja e izolimi nga shoqëria. Në funksion të këtij qëllimi janë edhe veprimtaritë e shumta mësimore-edukativë, artistike, fizkulturore-sportive e argëtuese. “Dhoma e Prindërimit” na bëri një përshtypje të veçantë. Pas plotësimit të disa kushteve, si shpërblim fëmija mund të qëndrojë me prindërit, vëllezër e motra (deri në 5 veta) për 5-6 orë. Ishte një mjedis i pajisur me kolltukë, tavolina, karrige, një minibufe, disa pajisje kuzhine, televizor, tualet etj. pa polic te koka a mjete survejuese. Një shoqëri e një shtet i civilizuar, me masa të gjithanshme parandaluese, mund e duhet të minimizojë ngritjen e këtyre qendrave. Mbase është shpresëdhënës fakti që numri i të dënuarve të kësaj moshe ka ardhur duke u ulur, kjo edhe për arsye të amnistisë. Duke mos qenë i një mendje me rastet e dënimeve të papeshuara mirë e të ashpra, gjykojmë se “shërbimi në komunitet”  e të tjera forma alternative, do të ishin më efektive e me vlerë, pasi do të kursenin ndjeshëm këto shpenzime, pothuajse jashtë mundësive tona. Një pjesë e rezerva të krijuara do të përdoreshin si profilaksi për parandalimin e sjelljeve devijuese në shkollat publike,  por edhe për zgjidhjen e disa vështirësive të Institucionit për pasurimin me bazë material- mësimore, fuqizimin e përsosjen e kurseve profesionale, mundësinë e hapjes së arsimit të mesëm e mësimin e gjuhëve të huaja. Së fundi, pse jo, të mblidheshin në këtë Qendër të kualifikuar të miturit e shpërndarë në burgjet e tjerë nga i gjithë vendi.

Duke mbyllur këtë shkrim mbetet pezull në mendjen time dilema e pyetja “Pas rikthimit në shtëpitë e tyre këta fëmijë vallë do të riintergohen, do të vazhdojnë shkollën, do t’i bashkohen ushtrisë së të papunëve a do të vazhdojnë rrugën e krimit?!” Uroj të ndodhë më e mira.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: