Kalosh Çeliku: Gjirizi i Shkupit hyri në shtëpi
| E Merkure, 10.08.2016, 07:21 PM |

GJIRIZI I SHKUPIT 2014

NA HYRI NË SHTËPI

NGA KALOSH ÇELIKU

Natyra siç duket u hidhërua me pjellën e saj kryeneçe, politikanët e dalldisur pas pushtetit, pasurisë materiale personale, familjare e klanore dhe më në fund mori masat ndëshkuese, u rebeleua në Shkup e rrethinë, i sulmoi me shi, breshër e rrufe nga toka e qielli banorët e kësaj ane. Porosi, të cilën ua përcolli si vërejtje një vit më parë në Tetovë. Qytetin dhe Malësinë rrëzë Sharrit Plak, kur rajonin e përmbyti bërlloku i vet, hedhurinat me të cilat banorët “turistë” e përdhunonin në mes të ditës Natyrën.

Realiteti, që nga sistemi komunist nuk është prek gjë me dorë në infrastrukturë: rrugë, parqe, kanalizim. Sheshin “Makedonija” dhe Shkupin e popullzuan me përmendore revolucionare. E ngushtuan shtratin e lumit me anije “lundruse”. Politikanët “demokratë”, gjithë barrën ia ngarkuan në shpinë Natyrës. Vite me radhë e bënë gomar mu si popullin. Shkak, që Natyra u hidhërua dhe samarin e hudhi në përrua.

Popullin e kujtonin vetëm gjatë zgjedhjeve parlamentare e lokale duke e blerë votën e lirë me një litër vaj, një kg. miell e sheqer. Premtime megalomane, që nuk i realizuan kurrë. Kulminacionin politik e arritën, kur në një fshat të Kërçovës u premtuan se do t’u ndërtojnë edhe shkollë. Katundari i sinqertë, nuk mundi ta gëlltis këtë premtin parazgjedhor, u çua nga fundi i sallës dhe ua përplasi në sy politikanëve: Po, ne nuk kemi fëmijë?! Politikani në foltore, shpërtheu: Partia do t’ju bëjë edhe fëmijë!

Fajin nuk e ka Natyra, po faktori njeri. E kaloi kufirin, u turr pak si shumë pas pasurisë materiale personale, familjare, klanore e partiake. I sakatoi qytetet, parqet me gjelbërim e drunjë anësh rrugëve dhe sheshet duke ndërtuar vend e pavend pallate komerciale. Përmendore, që mbinin gjatë natës si këpurdhat pas shiut në çdo hap mbi kuaj e më këmbë të armatosur deri më dhëmbë me thika në duar para innstitucioneve të drejtësisë. E ngulfatën Shkupin me kiç përmendore e stil barok sa që mezi merr frymë.

Natyra e humbi durimin, e sulmoi Shkupin me shi e rrufe nga toka e qielli. Edhe atë, në vend të politikanëve fajtorë, e sulmoi popullin e varfër dhe të pambrojtur pa brekë në bythë. Siç duket, ishte porosia e fundit që ua dërgonte përmes proceseve natyrore nga qielli: Mjaftë më vite me radhë, u vratë me njëri - tjetrin për karrige gjatë zgjedhjeve parlamentare e lokale për të ardhur këto politikanë në pushtet! Koha është t’i hapni sytë, zgjoni trurin nga gjumi mos e shitni veten për një kg. miell, vaj ose sheqer.

Partitë politike më të mëdha maqedonase: LSDM me protesta maratonike përpara Qeverise e në rrugë dhe VMRO-DPMNE në pushtet, patjetër duhet të mbajnë përgjregjësi për këtë katastrofë natyrore që e goditi Shkupin. Edhe, Partitë Politike Shqiptare. Shkaku se, vite me radhë e kanë ngulfatur Shkupin me përmendore, uzurpimin e parqeve me ndërtime të egra komerciale familjare.

Përçudi, Natyra edhe kësaj radhe i sulmoi njerëzit e pafajshëm në vend të politikanëve. I dënoi me dëme materiale dhe viktima njerëzore. Siç duket edhe Natyra bënë politikë, nuk i rrëmbeu me vete përmendoret e Shkupit 2014, por njerëzit.

Faji kësaj radhe nuk është jetim, nuk është vetëm i politikanëve, po edhe i qytetarëve. Vite me radhë dalldisin pas politikanëve, pasurisë personale, përmendoreve, kishave e xhamive me dy e katër minare. Kohë kjo, kur nuk kemi shkolla fillore për fëmijët tanë, ardhmërinë. Kanalizim, rrugë e kushte elementare për jetesë.

Zoti sheh nga Qielli, thotë prifti e hoxha dhe u kërcnohet besimtarëve mu si politikanët me Ferr e Xhehnem. Edhe unë them, se: Zoti (Natyra) sheh, por nuk shohin politikanët dhe shërbetorët e tij “besnik” cungun para syve. Jorastësisht, politikanët kur i vizituan këto vendbanime të përmbytura, u përzunë nga vetë banorët.

Gjirizi i Shkupit 2014, na hyri në Shtëpi...



(Vota: 17 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: