Nexhat Halimi: Vrasja e thëllëzës
| E Merkure, 03.08.2016, 07:17 PM |

Inserte tronditëse të këputura nga jeta

(Nexhat Halimi “Vrasja e thëllëzës”, poezi, botoi FAD 1916)

Libri i ri i Nexhat Halimit “Vrasja e thëllëzës”, në radhë të parë shquhet për një poezi lirike, meditative, me muzikalitet të brendshëm dhe bukuri të fshehtë  brenda tërësisë së vet. Krijimet, të shumtën e herës, kanë ndjeshmëri e përjetime të thella dhe pa përjashtim - strukturë të veçantë, herë moderne e herë tjetër klasike. Ndonjë herë me metrikë të rregullt, me rimta të përziera, siç janë tingëllimat, katrenat etj., që nuk është e njëjta gjë me vargje të lira. Në të dy rastet, autori - me stil modern,  joshës, përshfaq çaste, dromca të shkëputura nga rrjedha e jetës, pamje ndër më kyçet gjatë një kohe të caktuar – dramatike, gjatë një udhëtimi nga një stacion në stacionin tjetër. Udhëtimi pra ndërmjet dy stacionesh të jetës, prej lindjes deri te vdekja... me të gjitha përplasjet, dashuritë dhe plagët e thella që secili i bart brenda vetes. Ky udhëtim mund të kuptohet dhe  siç thotë autori, me një mjegull mistike, gjatë së cilës “të afrohem e ti zhdukesh pa gjurmë/ të ik e ti me ndjek deri në frymë të fundit/ as më lëshon as më mban zotIm/. Rrallë ngjet një autor të merret me motive kaq madhore, me motive me jehonë, me përplasje, shkulma e stërkala, pa  shpallur asgjë të vdekur kurrë, përveç në rastet e mbetjes vetëm.  Ja si e shpreh në një varg dashurinë “patjetër do të vish të mund të vdes”, një krijim i bukur dhe i thellë, me jehonë nga ngjyrimi popullor shqiptar.  Mjaft e rëndë, me tone të elegjisë, është dhe këndimi i përjetshëm – mërgimi, ikja nga më të afërmit, nga zemrat që rrahin për ty, nga dheu yt... jo për t`i kërkuar hapësirë më të mirë vetes, por për të vdekur larg për të krijuar udhë të jetës për ata që i ke pjesë të shpirtit. Ky krijim pa hamendje mund të radhitet libër brenda librit; gjatë tërë rrjedhës përjetohet me dhembje dhe dashuri, është realizuar me kaq mjeshtri, si rrallë tjetër herë në mbarë letërsinë shqiptare. Me tone të rënda dhe në mënyrë poashtu të veçantë është shkruar dhe poema “shënime të luftëtarit të UÇK-së”, ku përmes monologësh të fortë shprehet tërë egërsia, brutaliteti dhe krimi i hordhive serbe ndaj popullsisë së pafajshme, duarthatë. Tërë këtë  lexuesi do ta shikojë, do ta ndiejë në hapjen e një torbe të një ushtari të vrarë serb, në të cilën gjenden veshët, sytë, gjuhët, gishtat, etj., të prera me kama  gjatë krimeve të bëra në Kosovë ndaj  fëmijëve dhe nënave, qytetarëve duarthatë shqiptarë.

Ka të thuhet dhe shumë për këtë përmbledhje me poezi, por nuk duhet marrë kënaqësinë e lexuesi, i cili do t`i zbulojë dhe përjetojë vetë gatë leximit të librit.

Librin e botoi NSHB “FAD”, Prishtinë 2016.



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: