Kalosh Çeliku: Ëndërra
| E Marte, 02.08.2016, 06:39 PM |

ËNDËRRA

NGA KALOSH ÇELIKU

Vite e vite, nuk kisha parë ëndërra. Që, në kohën e fëmijërisë time në Katund. Qofshin ato të mira, apo trishtuese me lugetër e xhinde që dilnin natën nëpër Katund. Pasdarke, kur bretkosat në hurdhën e Livadhit përpara Shtëpisë me këngë më vënin në gjumë. Këngë, të cilat pas pesedhjetë viteve do t’i dëgjoj te Kasollja e Gani Xhafollit, në mes të Prishtinës. Punë tjetër është ajo se, unë a u besoj ëndërrave si shkrimtar, apo jo?! Sinqrisht, po ua them në këtë shkrim publicistik: Edhe sot e kësaj dite u besoj ëndërrave. Shkaku se, deri më sot kanë qenë shenja paralajmëruese, që Dikushi m’i dërgonte nga toka e qielli, qofshin ato triumfuese ose tragjike. Përfitimi ka qenë se, unë në bazë të atyre endërrave jam përgatitur për pusitë që më pritnin pas porte.

Thashë, me vete: Ende, siç duket nuk pushon truri. Lufta vazhdon me penë, mu si dikur kur xhindet pasmesnate më merrnin mes Nënës dhe Babait nga shtrati dhe gjithë natën më hudhnin dorë më dorë mbi çati e majë lisave, rrëzë Çukës. E unë, për t’u shpëtuar duarve të tyre, nga Lugu i Ymerit i hapja krahët, fluturoja në Qiell.

Herët, në mëngjes më kthenin mes Nënës e Babait. Përçudia, si nuk e hetonin Nëna e Babai se, xhindet më merrnin nga mesi i tyre dhe luanin me mua gjithë natën mbi çati të shtëpive e majë lisave, në Katund?!

Ditën e nesërme ua shpjegoja ëndrrën prindërve. Grabitjen time nga mesi i tyre në shtrat dhe hudhja dorë më dorë mbi çati dhe majë lisave, rrëzë Çukës. I rrudhnin krahët, nuk më besonin për ngjarjen mistike. Përgjigja: Natën e ardhshme, përsëri më shtinin në mes edhe më me përgjegjësi. Pasmesnate, vinin xhindet dhe më merrnin nga mesi i tyre. Unë pritsha, të zgjohen e ta hetojnë rrëmbimin tim me dhunë, ato gërhisnin në gjumë.

Dorën në zemër, xhindet nuk më maltertonin shumë gjatë lojës së tyre festive, por vetëm luanin me mua dorë më dorë mbi çati dhe majë lisave. Kutadi unë, asaj kohe: ndoshta, edhe isha kukulla e tyre natyrore. Ende, pa zbardhë agimi më kthenin përsëri mes Nënës e Babait. Ama, Nusja me pashterkë të kuqe, kur më merrte në dorë, ma jepte hakun. Gjithë natën e gjatë më rrihte dajak.

Vite më vonë, unë do të ik nga vendlindja. Arsye, regjistrimi në Shkollën Normale, në Shkup. Përçudi, xhindet këtu nuk më merrnin nga shtrati dhe të më hudhnin dorë më dorë majë shelgjeve mbi Vardar, ose mbi Kalanë Dardane. Plani i kaçakëve të Zajazit “për oxhaku”, siç duket ua kisha humbur gjumët, në Bit-Pazar.

Edhe, një ditë, pas një jete të bujshme nëpër diskoklubet e natës dhe Parkun e Grave, para Qendrës Tregtare, përsëri do të arratisem në Prishtinë. Dhjetë vite me gjithë studime, edhe në këtë Qytet do të bëjë jetën e kaçakut të maleve. Papritmas, një ditë do të kthehem në Shkup, në fillim mes maleve e më vonë do të ngrej dolli me raki rrushi para këmbëve të Olimbisë, në breg të Vardarit.

Një natë në Shkup do ta shoh edhe ëndrrën e tmerrshme. Moti kohë nuk kisha parë ëndërra as me xhinde e as me engjuj. E pranoj, ëndërrat në jetën time ishin shenjat paralajmëruese që më vinin nga Toka e Qielli. Që, ditën e nesërme e dija se me çfarë porbleme do të ballafoqohem në jetë. Veten e pash ëndërr, jo mes xhindeve, por mes gjarpërinjëve: një i madh na, hakaret dhe pesë a gjashtë të tjerë më të vegjël. U rrokëm fytas me të madhin, kokën ia bëra copë-copë. Gjarpërinjt e vegjël m’u sulën kopeisht: njërit pas tjetrit, edhe atyre ua shtypa kokën me shkop në fushën e mejdanit.

Edhe, shpëtova përgjithmonë nga xhindet. Nusja me pashterkë të kuqe...



(Vota: 27 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: