Elvi Sidheri: Izraeli dhe përballja me terrorizmin
| E Shtune, 30.07.2016, 08:00 PM |

Izraeli dhe përballja me terrorizmin

Nga Elvi Sidheri

Si fillim, për të kuptuar si duhet mënyrën sesi shteti i Izraelit përballet me kërcënimet terroriste, do theksuar se për shumë qytetare izraelitë sot, pamjet rrëqethëse të kamionit që bie si drapër përmbi turmën e pambrojtur në Shëtitoren e Anglezëve në Nisë për më tepër se një milje, përbën pra, një imazh fatkeqësisht tepër familjar. Është kjo faktikisht, njëra ndër taktikat më të zakonshme palestineze për të goditur hebrenjtë, botërisht e njohur si “Car intifada” (Intifada e makinave). Pra, mjete të ndryshme motorike që lëshohen vrullshëm me shpejtësi skëterrë mbi civilët izraelitë. Taktikë që, më pas erdhi duke u përkryer edhe më tej, duke u përqendruar përgjithësisht drejt stacioneve rrugore të autobusëve urbanë në qytetet izraelite (tashmë të mbrojtura me mure të mirëfillta prej betoni). Europa pra, në ditët e sotme po bëhet e vetëdijshme për kuptimin thelbësor të bashkëjetesës me kërcënimin terrorist, ndërkohë që në Izrael kjo gjë ndodh pandërprerë prej dhjetëvjeçarësh të tërë. Qysh nga rrëmbimet e avionëve në vitet 1970, te kamikazët e intifadës së armatosur të viteve 2000 e gjer te të ashtuquajturit “ujq të vetmuar”, tepër të promovuar mediatikisht kohët e fundit. Por, thelbi i çështjes qëndron në faktin se ndërkaq në Izrael, përballja me të tilla kërcënime është qartësisht e ndryshme nga mënyrat e përzgjedhura në Europë për këtë qëllim. Sepse, në ndërkohë, Izraeli është i formësuar për të luftuar, për të rezistuar dhe për të ngadhënjyer gjatë ndonjë sulmi të beftë dhe të shkurtër nga armiqtë fqinjë arabë, pa qenë gjithaq nevoja, që ky rrezik të konsiderohet edhe në terma afatgjatë. Pohim ky, që buron nga fakti se sa i përket kapaciteteve ushtarake, Izraeli mund të krenohet me një nga ushtritë më të fuqishme në rang botëror. Për shembull, aeronautika izraelite gëzon një mundësi goditjeje në largësi, që tejkalohet vetëm nga ajo a aeronautikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që izraelitët zotërojnë edhe fuqinë ushtarake në mjete të blinduara, më të fuqishme të gjithë Lindjes së Mesme.

Izraeli ka aftësinë për t’i trefishuar trupat ushtarake brenda shumë pak orësh nga 180 mijë në 500 mijë menjëherë. Dhe, në rast të një lufte të plotë, 2 milionë e gjysëm burra dhe gra do të thirreshin nën armë nga ushtria izraelite. Por, nga ana tjetër, në frontin e brendshëm, qytetarët izraelitë, prej kohësh kanë pranuar diçka që në Europë do të shihej si një nivel i tepërt dhe thuajse i papranueshëm masash sigurie. Ndërkaq, vetë popullsia është “mësuar” tanimë të bashkëjetojë me terrorizmin, që kështu është bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë normale. Kushdo që të ketë vizituar ndonjëherë Izraelin, mund ta ketë vënë re fare lehtë faktin se vendet kryesore të mbledhjes së njerëzve, siç janë për shembull strukturat publike, ruhen përherë nga personel i armatosur dhe nga metal-detector në pikat e hyrjes.

Qindra ushtarë vazhdimisht qëndrojnë në gatishmëri për të mbrojtur mjetet e transportit publik në Jeruzalem gjithashtu. Aeroportet janë gjithnjë në gjendje alarmi, nën mbrojtjen e masave të atilla të sigurisë që në Europë do të cilësoheshin si të “jashtëzakonshme”.

Shërbimi sekret izraelit, për ta mbyllur, konsiderohet gjerësisht si më i mirë në botë (falë shpenzimeve të pallogaritshme të vëna në dispozicion të tij), me taktika inteligjente në evoluim të vijueshëm. Pas sulmeve në Bruksel, për shembull, ministri i shërbimeve inteligjente dhe i energjisë atomike, Yizrael Peretz, pati thënë: “Sa kohë që belgët do të vazhdojnë të hanë çokollata, duke e shijuar jetën dhe u vetëcilësuar si shtet demokracie dhe lirish të pakufizuara, atëherë kurrë nuk do të ishin në gjendje ta luftonin si duhet terrorizmin”.

Mbledhja e informacioneve nga Shin Beti[1], për shembull, në Europë nga shumëkush do të shihej si diçka e dëmshme për ekuilibrin e lirive qytetare të shtetasve europianë.

Gjithësesi, do të ishte me vend që të viheshin në pah disa ndryshime mes terrorizmit që kërcënon Izraelin dhe natyrën e sulmeve të Parisit, së fundi.

Në rastin e parë, zakonisht shënjestër e terroristëve janë vetëm qytetarët hebrenj, ndërkohë që terroristët e Parisit, ose kudo tjetër në Europë, duket sikur të synojnë vrasjen e sa më tepër civilëve rastësisht, me qëllim të vetëm amplifikimin e propagandës së Kalifatit.

Për shkak pikërisht të mënyrës spontane dhe vetëmjaftueshmërisë, këta lloj terroristësh (jo drejtpërdrejtë të lidhur sipas një zinxhiri komandues me grupet radikale) mbeten thellësisht të vështirë për t’u përballur me ta.

Siç thekson Miki Rozenfeld, zëdhënësja e policisë izraelite: “javë të tëra para kremtimit të Ditës së Pavarësisë së Izraelit, atëherë kur dhjetëra mijëra njerëz mblidhen festueshëm në bregdetin e Tel Avivit, shërbimet inteligjente izraelite zbresin në terren dhe e blindojnë zonën në këndvështrim 360 gradësh, me nivele të ndryshme sigurie sipas rëndësisë së perimetrit të mbrojtur”.

Nuk ndodh rrallë në Izrael, që mjetet e blinduara të shikohen të pranishme pranë manifestimeve kryesore publike. Në të vërtetë, në qytetet më të rëndësishme izraelite, mbeten përherë aktive 24 orë në 24, skuadra të ndryshme antiterrorizëm, gati për t’i dhënë një përgjigje të shpejtë, cilësdo sfide terroriste në rast nevoje. Vetë qytetarët izraelitë, si në atdhe, ashtu edhe jashtë shtetit, janë më të përgatitur për kërcënimet terroriste, sesa qytetarët e shoqërive të tjera Perëndimore.

Ndërkaq, sot kur Europa qan për viktimat  e saj të pafajshme, në Izrael ndodh një ngjarje terroriste sipas një mesatareje prej 1,2 sulmeve në ditë.

Sipas Ushtrisë Izraelite, që nga shtatori 2015 e gjer në janarin e shkuar, në Izrael kanë ndodhur 110 sulme me thikë ndaj civilëve, 38 përplasje me armë dhe 22 makina kamikaze, gjithësej 167 sulme terroriste.

Por, kërcënimet që i kanosen sot Perëndimit, në Izrael janë zhdukur prej kohësh.

Ndryshimi kryesor mes Izraelit dhe Perëndimit lidhur me terrorizmin, ka të bëjë me mënyrën e reagimit ndaj tij.

Perëndimi dënon vazhdimisht dhunën e pësuar nga qytetarët e tij, por nuk reagon njëlloj.


[1] Shërbimi i Brendshëm i Sigurisë i shtetit Izraelit.



(Vota: 9 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: