Kalosh Çeliku: Spiuni
| E Hene, 25.07.2016, 07:30 PM |

“SPIUNI”

NGA KALOSH ÇELIKU

Moti kohë, nateditë e vrisja mendjen sesi të shpetoj nga “miqtë” e mi dhe gratë “besnike”. Rrospitë meshkuj, që papritmas këmbën përmbi këmbë më uleshin në tavolinë për një kafe. Ditën e nesërme më shanin pas shpine. Publikisht e them në këtë shkrim profetik, unë nuk kam armiq. Punë tjetër është ajo se, herë pas here “patriotët kuqezi” më marrin në telefon me ato pyetjet e tyre të përditshme banale policore: ku gjëndesh, me cilin je, çka kemi të re sot, a do të të kemi sonte ty si shkrimtar në mjetetet e informacionit para kamerave televizive?!...

Ndonjëra, e cila me mua e kishte ndarë edhe shtratin, eksplodonte përmes telefonit: m’i shante Nanë e Babë. Tjetra, ajo më guximtarja shkonte dhe ankohej tek Gruaja besnike. Hojdodolja i thonte Mikes se, nateditë më ka pasur “ashik”. ”Bereqet” i arave tona pjellore shqiptare, plot zarzavate Kopështi, të cilat m’i dërgonte gjithë jetën “shpërblim” sigurimi shtetëror, ose partitë politike. Përçudi, edhe atë, kur mendime të tjera hudhnin para meje mbi tavolinë, e krejtësisht qëllime të tjera tek “punëdhënësi” i Vetëshërbimit të kukullave, në Bit - Pazar.

Punë tjetër ështe ajo se, çka raportonin ato “miq” besnik dhe xhadi tek “punëdhënësit” e Koperativës të Bujqësisë dhe Bagëtisë fushore në tokat shqiptare. Ose, që ditën e nesërme dilnin symbyllazi kundër meje me deklarata skandaloze në gazetat e “pavarura” Qeveritare. Shembull: Edhe,  kush (?!): djemtë dhe vajzat e spiunëve, që ishin rritur me ujin dhe bukën e “vëllazërim-bashkimit” komunist?! Sot, papritmas marrin guximin na dalin “patriotë kuqezi” para kamerave televizive. Kulminacioni, edhe më tregojnë mua sot, çka është patriotizmi?!... Atdheu?!... Demokracia?!... Liria?!...

Shenjat e para alarmuese, veç më erdhën pas “ndryshimeve” demokratike, publikimit të librit: Trumbetat e Tellallit (1992), në Shkup: Denoncimi në polici i nënshkruar nga njëzetë “patriotë” të këtij soji me emër e mbiemër. Gjoja se, jam i dërguar nga Kosova të veproj në këto anë dhe Çështjen Shqiptare dua ta zgjidhë me luftë. Helmimet nëpër restorantet e Shkupit, zjarri në banesë, vdekja klinike në Voskopojë, Ringjallja në Korçë, aksidenti i komunikacionit pasmesnate në Qafë - Thanë...

Edhe, e dini se kush më kishte shpëtuar nga gjithë këto provokime dhe pusi policore: Dervish Nurja i Zajazit. Burri me një mjekër të gjatë gati deri në fund të këmbëve. Fatkeqësisht, atëherë si fëmjë e sot si burrë i penës,  nuk më kujtohet fytyra e tij profetike shqiptare. Jetën e gëzoftë atje, mes varreve në vendlindje! E di se, i kam borxhe jo në këtë jetë, por edhe në atë jetë. Kohë qorre ajo pas lufte (1951), kur nënën bashkë me mua si dyvjeçar pas dy viteve mjekimi nga spitali i Shkupit na kishin përcjellur si të pashpresë për jetë në Katund.

Im Atë, asaj kohe ende nuk i kishte dorëzuar armët. Luftën, që dikur e bëri në male me shokë, e vazhdoi në Katund. Herët ishte mësuar me Zonjën Vdekje, që kur t’i teket i trokiste tek porta. Edhe, ia hapte portën krah më krah. Natën edhe ditën e kishin përdjekur gjyshin kaçak Emin Çeliku (Xhambazi), që ishte krahu djathtë i Dervish Carës për çlirimin e Shkupit, Babain edhe Nënën. Pesëmbëdhjetë fëmijë Nëna dhe Babai i kishin shti në varre, rrëzë Çukës. Gjallë kishim mbetur vetëm tre fëmijë: motra e madhe, vëllai i arratisur në Paris dhe unë sugari. Shkak, që ditën e nesërme më kishte dërguar tek Dervish Nurja, Përtejzalli. Plaku i mençur mjekërbardhë, që asaj kohe u dilte para stuhive pa hamendje më kishte fry në fytyrë, dhe ma kishte varë një hajmali përqafe.

Gjatë kohë atë hajmali të Dervish Nures do ta mbajë në gji, përqafe. Livadheve, fushave e maleve të Drenovës. Përderisa, një ditë do ta humb duke i mjelur dhentë tek Përroni i Thanës mes burimeve që na jepnin gji, si dikur kreshnikëve Zanat e Malit. Symbyllazi duke u turrur përmbrapa rrunzave të Bariut Çelëvjollcës. Megjithatë, jeta vazhdon nën dardhat gorrice në Katund. Shkup, e më vonë edhe në Prishtinë. Sotpërsot, përsëri në Shkup. Kurrë, deri më sot nuk kam pasur probleme me shëndetin. Përditë, në vend të hapeve (aspirinëve) jam duke i marrë si “ilaç” nga dy gota raki rrushi.

Fuqinë mistike të asaj hajmalie do ta kuptoj shumë vite më vonë, kur u ndava nga gruaja e parë besnike, dhe im Atë me çdo kusht edhe me pasuri të patundshme e para, përpiqej që të ma kthejë prapë në shtëpi. Qëllimi kryesor i tij si baba, edhe mua të më këthej në Katund si krah pune. Shpëtimin, dihet e kishte gjetur tek Hoxhë Qeshafi i Zajazit. Hajmalitë e të cilit i gjeja përditë nën jastëk, ose të qepura sukull në këmisha e pantollona. Mu si sot, më kujtohet edhe ardhja e Vëllait me Nënën e Babain tek banesa pranë restorantit “Arabeska”, në Prishtinë. Shtratin tim në dykatë, me shkallë në tavan. Atë ditë, kur i nxorën para meje disa mollë të kuqe mbi tavolinë që t’i hante edhe syri. Përçudi, unë nuk e shtriva as dorën. Vëllai duke mos e përmbajtur dot veten dhe durimin, edhe pse e dinte se ato mollë të kuqe i kishte stërpikur e larë me ujë “xhehneti” Hoxhë Qeshafi i Zajazit, u sulë me të katra si ujku mes dhenëve. Regjistrim i asaj kohe, që nusja e vëllait sa herë që uleshim në sofër për darkë, ia përplaste t’im vëllai në sy gjoja si me shaka përpara familjes: vërtetë, vëllain tënd nuk e zunë ato magji e hajmali të Qeshafit Zajazit, ama ty o burri im besnik të zunë këmbekokë.

Edhe, e dini sesi unë shpëtova nga hajmalitë e Hoxhë Qeshafit?! Edhe im Atë nga grabitja e parave për “shërimin” tim nga xhindet, që pasmesnate dorë më dorë më hudhnin mbi çatia dhe majë lisave, rrëzë Çukës në Katund?! Pacientin, që nuk e shëroi dot spitali i Shkupit?! Jo, nuk e dini me siguri edhe sot e kësaj dite. Ja, po ua rrëfej ngjarjen mistike: Babai, pas rastit me mollët e kuqe në Prishtinë, përsëri kishte shkuar te Hoxhë Qeshafi për ndihmë fetare edhe njëherë për mua t’i lutet Zotit. Hoxhë, më kot mundohemi me hajmali e mollë të kuqe katundi, nuk e zënë magjitë.

Hoxha merr guximin dhe i përgjigjet: a, vjen ai ndonjëherë në Kërçovë? Rrallë. Po, vjen ditëve të shtuna, ishte përgjigjur Babai. Atëherë, mirë është të ma tregosh sesi duket ai burrë mejdani që nuk e zënë magjitë?! E kam në disponim edhe hajmalinë e fundit, atë me të cilën pasi më vdiq gruaja, syrin ia vura një cuce të re në Katund. Padyshim se, është magjia me e fortë e imja si hoxhë. Magji të cilën ia bëra një cuce të re që ta marrë për grua. Shoqja e saj më tradhtoi: unë i thashë, magjinë t’ia shti në vorbën e groshës pranë zjarrit në oxhak, e ajo “shejtanja” ia kishte dhënë dhisë kryeneqe. E cila ditën e “xhuma” (premte), përderisa e falja mesditën në xhami, baaam i ra derës me brirë dhe m’u sul me të katra përpara xhematit si e tërbuar pas taxhisë. Edhe, magjinë e fundit do ta vë në përdorim, shkaku yt se të kam mik.

Ditën e shtunë, Babai matanë rrugës ia tregon Hoxhë Qeshafit burrin që nuk e zenin magjitë. Ja, ai matanë trotuarit është me gunën e zezë krahëve deri në fund të kmbëve, mjekrën dhe flokët e gjata pas shpine. Minçe, mos eja më për këtë burrë “dreq në tepsi” ta shpëtojmë nga xhindet, nuk e zënë magjitë! Përmëtepër, as hajmalitë. Dhe, kështu shpëtoi im Atë nga Hoxhë Qeshafi. Dihet, edhe unë nga hajmalitë e tia nën jastëk e pantollona, që edhe sot e kësaj dite nuk m’i kanë përzënë xhindet.

Vite më vonë kur u ktheva në Shkup, e hetova se më mungonte hajmalia e Dervish Nures. Gjatë një pushimi veror në Strugë, përpara hotel “Drinit” mes stolive turistike e pashë edhe një hajmali lëkure. Padyshim, e bleva dhe e vara në zingjirin e argjendtë së bashku me shqiponjën dykrenare që e mbaja përqafe...

Pasmesnate, duke u kthyer nga një manifestim kulturor tradicional nga Saranda, vetë i katërti me makinë rashë në greminë. Mezi na nxorrën nga vendi ngjarjes ndihma e shpejtë dhe policia rrugore shqiptare. Dhe, pas ndihmës parë në Përrenjas, na përcollën për në spitalin e Librazhdit. Dikur, pas analizave mjeksore na thanë: Edhe ne çuditemi, sesi keni shpëtuar të gjithë gjallë. Shkaku se, aty kush ka rënë në atë greminë vdekjeprurëse, nuk ka dalë deri më sot i gjallë në jetë. E kemi pagëzuar edhe si “Vendi i vdekjes”. Jo, ndërhyra unë, që sot ai vend do të thirret, “Vendi i Ringjalljes”.

Ditën e nesërme, pasi e kaluam kufirin shqiptaro-shqiptar, u binda se ma kishte shpëtuar jetën ajo hajmalia e Dervish Nures që e humba në Kërçovë dhe e gjeta në Strugë. Rrugës për në Kërçovë, hajmalisë Dervish Nures i bleva një zingjirë të ri argjëndi dhe e vara përsëri përqafe. Mesaduket, është Ëngjëlli im mbrojtës.

Javën tjetër, erdhën për vizitë “miqtë” dhe gratë e mia besnike. Interesoheshin sesi ka ndodhur ngjarja tragjike. Muzikën që dëgjonim gjatë rrugës në makinë. Edhe, kush ishte me ne atë natë?! Pastaj, në makinë a e kishit edhe ndonjë grua besnike? Ashtu, edhe ashtu. Ndoshta. Thashë me vete: “Patriotët kuqezi”, sot në mjetet e informacionit më akuzojnë si “spiun”, pse edhe unë të mos ua përplas para syve, në fytyrë. Ua thashë në sy: unë jam “spiun”. Aty për aty e ndërruan “qehren” e fytyrës. E dini, pse?! Shkaku se, ato kishin qenë gjithë jetën spiunë, dhe janë ende edhe sot e kësaj dite.

Dhe, shpëtova nga “miqtë” dhe gratë e mia besnike...



(Vota: 29 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: