Bajram Çeliku: 40 vjetori i themelimit të KF Bashkimi
| E Diel, 24.07.2016, 02:35 PM |

DYZETË VJETORI I THEMELIMIT TË KF “BASHKIMI”- CËRVICË

NGA BAJRAM ÇELIKU

Sporti në fshatin Cërvicë dhe rrethinën e Kërçovës, ka një historik më vete. Edhe të parët tanë dikur janë marrë me sport, edhe atë: me mundje (pelivanë), vrapimin me shkop dhe pa shkop, lojën e bishkës, hedhjen e gurit, kërcimin me shkop dhe pa shkop në një dhe tre hapa, lojën e filxhanave gjatë mbrëmjeve nëpër oda të burrave, lojën me top leshi  “shuk- shuk”, vajzat lojën e “Kliskës”, e disa lojëra të tjera tradicionale. Me daljen e disa të rinjve në gurbet, si që thuhej atëherë, e sidomos në Serbi, Mal të Zi, e vise të tjera, ata me të këthyer në fshat sollën edhe lojën e futbollit, të cilën e luanin nëpër oborre të shtëpive, livadhe të fshatit e vise të tjera të përshtatshme për momentin.

Një ndër nismëtarët e parë të kësaj loje njihet Rahit Spahiu i cili kishte punuar në Beograd të Serbisë me shokët nga mëhalla Spahiu, si: Veli Spahiu, Hajdin Spahiu, vëllain Afmet Spahiu, Kasam Spahiu, Selman Spahiu, Xhemë Qodari, Shefket Qodari, Nexhbudin Qodari e tj. Grupit së shpejti i bashkangjitet edhe: Xhevdet Ballazhi, Ramazan Ballazhi, Bajram Çeliku, Jusuf Spahiu, Nefruz Spahiu, Bajram Spahiu, Osman Spahiu, Kalosh Çeliku, Sadin Tika, Selam Xhambazi, Fehim Biseri, Hajradin Tika, Elmaz Murati, Begzat Dervishi, Abidin Dervishi, dhe më vonë edhe disa të tjerë.

Afrimi i të rinjëve të Cërvicës, ndikoi që të organizohen e të luajnë me shokë edhe nga fshatra të tjerë, si me: Tuhinin, Sërbicën, Arangjellin, Jagoll-Popojan, Greshnicën, Zajazin, Trapçin - Dollin, Kolibarë, Drogomishtin e Madh dhe të Vogël e tj. Filluan të organizohen edhe turnirë në futboll të vogël nëpër fshatra të ndryshëm, por si organizatorë më të mirë dalloheshin Cërvica dhe Osllomeja  për nderë të 25 Majit, - Ditës së Rinisë. Nëpër të gjithë këto turnirë, Cërvica në krye me aktivistin e shquar nga ky fshat Xhevdet Ballazhin, do të aktivizohej mirë dhe do të korrte suksese të dukshme. Aktivitete, që kulminacionin do ta arrinin në vitin 1976, vit kur në Kërçovë u muarr, inisiativë  për të formuar Ligën Komunale të Kërçovës.

Përsëri në skenë del Xhevdet Ballazhi, i cili në fillim më lajmëroi mua e pastaj në bisedë edhe me shokë të tjerë morëm inisiativë që edhe fshati ynë Cërvica të paraqes ekipin në garë kualifikuese. Në bisedë i thashë Xhevdetit se, Cërvica meriton të jetë anëtare e Ligës Komunale të Kërçovës, dhe ne duhet të japim maksimumin tonë që Cërvica ta ketë vendin aty si ekip sportiv. Menjëherë Xhevdet Ballazhi niset në aksion dhe i afrohet Jovçe Manakoskit, me të cilin qëndronte mirë në muhabet, në lidhje me sportin, dhe kështu  Cërvica paraqet ekip për gara kualifikuese. Në gara kualifikuese u paraqit edhe një ekip tjetër shqiptar nga fshatrat e rrethit të Tuhinit, me lojtarë nga fshatrat: Arangjell, Tuhin, Jagoll, Zhubrinë, Sërbicë dhe nga qyteti me emrin “ARTUJAZHUS”. Në themelimin e këtij ekipi futbolistik u morën dy shkronjat e para të këtyre fshatrave, përveç Sërbicës, e cila dha vetëm një shkronjë. U tërhoq dhe shorti, “ARTUJAZHUS” -i, për kundërshtarë tërhoqi  “Dërgovën” e Cërvica do të ballafaqohej me “Kombinatin e Qeramikës” nga Kërçova. I pari në garë kualifikuese hyri “ARTUJAZHUS” -i, dhe për fat të keq edhe pse posedonte një ekip mjaft cilsor të grumbulluar nga lojtarët më të mirë që në atë kohë luanin nëpër ato fshatra, dhe nga qyteti i Kërçovës, pësoi humbje me rezultat 1 me 3, nga ekipi i Dërgovës.

Radha i ra tani Cërvicës e cila në radhët e veta kishte vetëm lojtarë nga fshati i vet. Loja kualifikuese do të zhvillohej pas disa ditëve, mirpo koha ishte e shkurtër e duhej bërë strategji sesi të organizohej loja. Xhevdet Ballazhi nuk na lejoi neve lojtarëve që ta ndjekim ndeshjen e “ARTUJAZHUS” -it, por ai e kishte përcjellë me vëmendje lojën. Pas ndeshjes mu afrua dhe më tregoi sesi kishin rrjedhur punët, dhe si të veprojmë ne që në radhët tona kemi vetëm lojtarë të fshatit. Unë i propozova që edhe ne të përforcohemi me lojtarë cilësor nga rrethi i Zajazit, sepse ata nuk kishin paraqitë ekip për gara sportive. I thashë që ditën e nesërme të shkojmë në Greshnicë e Zajaz, e të kërkojmë ndihmë në lojtarë cilësor. Ne e dinim se në Greshnicë ka lojtarë shumë cilësor, e të lusim Xhemail Mehmedin një lojtar shumë i mirë nga ky fshat e i shpejtë si rrëfeja, e të na gjejë edhe disa lojtarë të tjerë e kështu të bashkuar t’ia arrijmë qëllimit.

Ashtu edhe ndodhi, shkuam në Greshnicë te shitorja e xha Fariut dhe e lutëm atë që të na e thirri Xhemsin si që e quanim ne në përkëdhele. Nuk shkoi shumë kohë dhe ia arriti Xhemsi. Pasi u përshëndetëm e u përqafuam si shokë të vërtetë ia parashtruam kërkesën tonë. Ai u zotua se do të bënte çkamos e do të na dilte në ndihmë.

Arriti edhe dita e kualifikimit dhe Xhemsi me vete na solli edhe tre lojtarë të tjerë cilësor, edhe atë: Bajram Musliun, njërin nga mesfushorët më të mirë në rrethin e Kërçovës, vëllain e Bajramit Faik Musliun, edhe ai njëri nga portjerët më të mirë në rrethin e Kërçovës dhe Muadin Bajramin një qendër mbrojtës të mirë. Kështu Cërvica me shtatë e nga Greshnica me katër lojtarë hyri në lojë për t’u sjellë shqiptarëve të Kërçovës klubin e parë të futbollit që do të garonte në Ligën Komunale të Kërçovës. U bë edhe ekipi që do të luante: Në portë, Faik Musliu (Greshnicë) me numër 2, Hajradin Tika (Cërvicë) me numër 3, Fehim Biseri (Cërvicë) me numër 4, Nuredin Tika (Cërvicë) me numër 5, Muadin Bajrami (Greshnicë) me numër 6, Shefket Qodari (Cërvicë) me numër 7, Xhemail Mehmedi (Greshnicë) me numër 8, Bajram Musliu (Greshnicë) me numër 9, Besim Spahiu (Cërvicë) me numër 10, Elmaz Murati (Cërvicë), dhe me numër 11- Bajram Çeliku (Cërvicë), dhe kapiten i ekipit.

Paisjet sportive me shumë mund na i rezervoi Xhevdet Ballazhi nga Manakoski, që ushtronte ekipin e KF “NAPREDOK”. Ishin të vjetra, të shkyera, por neve nuk na pengonin, për ne kryesore ishte që i gjetëm për nevojë. Luanim me patika, ashtu ishin dispozitat e lojës. Para se të fillojë loja, u them shokëve të ekipit që të mos komplikojnë lojën, por me një të marrme të topit, le ta hudhin para në drejtimin tim ose të Xhemsit, e ne nuk e lëmë pa shënuar gol në rrjetë.

Ashtu si që u morëm vesh edhe ndodhi, çdo top që shkonte në drejtimin tim e të Xhemsit krijonte tollovi e kundërshtari nuk dinte nga të mbrohej. Krijuam një numër të madh të rasteve të qindpërqinda, por shënuam vetëm dy herë gol.

Rezultati përfundimtar mbeti 2 me 0 në favorin tonë, por mundej të ishte edhe shumë më i lartë. Në krahun e majtë isha i ndihmuar shumë mirë nga Elmaz Murati, por edhe krahu i djajthtë me Xhemail Mehmedin dhe Bajram Musliun funksiononte si rrufeja. Përçudi, edhe mbrojtja funksiononte për mrekulli duke mos e lëshuar kundërshtarin as t’i ofrohet gjashtëmbëdhjetshit tonë. Portjeri ynë Faik Musliu, nuk pati nevojë që të bëjë asnjë intervenim. Kjo dëshmoi se, çdo gjë funksiononte për mrekulli duke kënaqur të gjithë ata që ndoqën këte ndeshje futbolli, pa dallim feje e kombi. Cërvica dhe të gjithë shqiptarët e Kërçovës me rrethinë festonin. Ishte kjo një festë e madhe, nga çdo anë dëgjoheshin brohoritje, e urimet shkonin nga dora në dorë. Kjo fitore do të mbahet mend gjatë kohë jo vetëm nga Cërvica, por edhe nga të gjithë ata që e ndoqën atë ditë lojën. Fitorja do të mbetet si një vit i paharruar, që edhe gjeneratat që vinë pas ta kujtojnë e të vazhdojnë rrugën e të parëve të tyre.

Pushteti komunist sllav i atëhershëm, nuk e priti mirë këte triumf të shqiptarëve, prandaj përdorte metoda të ndryshme që klubi futbollistik të mos inkuadrohet në garat e Ligës Komunale të Kërçovës. Këtë mund t’ua vërtetoj edhe unë, gjatë regjistrimit të klubit, ku pasi dërgova listën e themeluesve në përbërje prej 60 anëtarëve me emër, mbiemër e datëlindje, nga Lidhja e Rinisë dhe Bashkësia e fshatit Cërvicë, në katin e dytë, në një dhomë të vogël pranë Ministrisë së Punëve të Brëndshme, ku qëndronin tre të punësuar, më bënë shumë pyetje provokuese duke më thënë, se: Vallë, ju shqiptarët po formoni përsëri Ballin Kombëtar si ai moti i Mefailit të Vogël, kundër maqedonasëve?!... E pyetje të tjera të rënda e me një retorikë të ashpër provokative. Unë qëndrova i qetë duke ruajtur durimin, edhe pse më zinte gjaku nga përbrënda që të kapem fyt për fyt me të, pa dallim se çka del pas kacafytjes. U mundova në mënyrë të qetë dhe me mençuri të dal nga kjo situatë, duke u sqaruar se, kjo është punë sporti e në sport garojnë edhe maqedonasë, edhe shqiptarë, por edhe kombësi të tjera, jo vetëm këtu në Maqedoni por edhe kudo në mbarë botën. Ne Cërvicasit duam të garojmë në lojë futbolli, pa dallim se çfarë kombi i takon kundërshtari. Dikur, kërkova leje që të shkoj sepse më prisnin edhe punë të tjera. Dhe, pasi dola prej atje i tregova Xhevdetit se si kalova në polici, dhe ne vazhduam  aktivitetet tona në lidhje me klubin. Filloi edhe sezoni garues i vjeshtës, e ekipit tonë iu bashkangjitën lojtarët më cilsorë të asaj kohe që luanin në territorin e Kërçovës. Radhët tona i përforcoi njëri nga lojtarët më të mirë i asaj kohe Milahim Demiri, pastaj Rrahim Jusufi, Qamil Lika, Ikmet Lika, Nexhat Mehmedi, Husko Ahmedi, Nexhat Ballazhi, Nazim Bajrami, Ibish Rrahmani, Abdulla Imeri e disa të tjerë. Në klub mbetën të gjithë ata që luajtën në kualifikime. Postin e kryetarit të klubit e ushtronte Hamit Spahiu, që asaj kohe punonte si gazetar në Radio Kërçova, sekretar- Bajram Çeliku, arkatar- Nuredin Tika, dhe kryetrenjer Vehbi Haziri. Shumë të tjerë u angazhuan në kryesinë e klubit futbolistik.

Klubi edhe pse dëmtohej shpesh nga referimet skandaloze në dëm tonin si ekip sportiv, korrte suksese të mira, dhe ishte tmerr për kundërshtarët. Suksese të veçanta arriti duke mposhtur “Teron” në stadiumin e qytetit me rezultat 5 me 1, “Bukojqanin” në terenin kundërshtar 4 me 0, “Rudarin” e xeherores së Tajmishtit 6 me2, “Kombinatin Industral Bujqësor” 8 me 2, “Borecin” e romëve 5 me 0, “Reshtanin”, 1 me 0, “Goce Dellçevin” e Dërgovës 3 me 0, “Napredok” (2), 4 me 2, e rezultate të tjera pozitive gjatë sezonit pranveror.

Vlen të përmendet se në sezonin pranveror KF “BASHKIMI”, zhvilloi edhe disa lojë miqësore dhe fitorja ndaj KF “Napredok” përfundoi 1 me 0, dhe 2 me 1, duke cekur se ai garonte një rang më lartë, dhe miqësorja në fshatin Forinë të Gostivarit që përfundoi 2 me 2, duke lënë të kënaqur të gjithë ata që ndoqën këte ndeshje. Me mbarimin e sezonit pranveror intelegjenca nga Kërçova, në krye me shumë profesorë në një mbledhje e cila u mbajte në hapsirat e barakave të Komitetit, kërkoi që  selia e klubit të jetë Kërçova e jo Cërvica. Kjo i befasoi dhe hutoi cërvicasit, e në radhë të parë në këmbë u ngritë Rahit Spahiu dhe shumë të tjerë, duke thënë se klubi është i Cërvicës, dhe se ne, nuk kemi klub për të shitur, dhe selia do të mbesi në Cërvicë.

Verën e vitit 1977, qyteti paraqiti ekipin e “Vëllazërimit”, i cili u kualifikua në ligën komunale të Kërçovës, kështu numri më i madh i lojtarëve që luanin në KF “Bashkimi”, kaluan në radhët e “Vëllazërimit”. Lojtari më i mirë Milahim Demiri, kaloi në radhët e KF “Napredok”, Ibish Rrahmani, në “Tero - Osllome”, Husko Ahmedi, në “Zik - Kërçovë”, mbrojtësi i majtë Dushko S. në “Agrokop”. KF “Bashkimi”  edhe pse i dobësuar, vjeshtën e vitit 1977 vazhdoi të garojë me forca të reja, por me vështirësi, disa vite me radhë përderisa u konsolidua përsëri me gjeneratën e dytë të udhëhequr nga Ramiz Xhambazi me shokë, dhe me lojtarë cilësorë, si: Rrahman Bajrami, Gani Arsllani, Nevzat Tafallari, Isen Garona, Destan Çeliku, Ismet Xhambazi, Ismail Spahiu e shumë të tjerë. Pas një kohe shumica e lojtarëve nga jashtë lëshuan KF “Bashkimi”, dhe klubi ndërpreu garimin në Ligën Komunale.

Pasi kaloi një periudhë e shkurtër, nga diaspora erdhi Xhevdet Ballazhi dhe më tha se klubin duan ta aktivizojnë përsëri, dhe se a jam i gatshëm përsëri të aktivizohem? Unë iu përgjigja se po, dhe kështu klubi u aktivizua përsëri në Ligën Komunale të Kërçovës, në udhëheqje të kryetrenjerit Xhelil Mehmedi, Shukri Ballazhi si kryetar, Ismet Klosi nënkryetar, Bajram Çeliku sekretar, e me antarë tjerë të kryesisë.

Vjeshtën e vitit 1992, klubi filloi të garojë në Ligën Komunale Kërçovë duke i fituar të gjitha ndeshjet me rezultat bindës, dhe kështu fitoi të drejtën për të marrë pjesë në kualifikim për Ligën Rajonale Perëndim me seli në Manastir. Në ndeshjen kualifikuese kundër ekipit “Suvodoll”, nga Demir Hisari të zhvilluar në fushën e KF “Pelister”, në Manastir me fitore bindëse 3 me 0, bëhet antar i rajonit perëndimor me seli në Manastir. Gjatë këtij viti garues në këte rajon KF “Bashkimi” tregohet si një ekip mirë i organizuar dhe shumë cilësor, duke korrur shumë suksese dhe renditur në krye të tabelës së klasifikimit.

Vitin tjetër garues bëhen ndryshime, dhe nga katër rajone bëhen gjashtë e KF “Bashkimi”, tani bën pjesë në “Grupin Liqenas”, me seli në Strugë. Edhe në këte rajon garon disa vite me radhë duke korrur suksese të dukshme. Për ekipin e KF  “Bashkimi”, luanin lojtarët më të mirë në atë kohë që i kishte Kërçova, si: Qemal Kadriu, Fatmir Spahiu, Lulzim Ballazhi, Baftir Arsllani, Ibraim Ibraimi, Musa Imeri, Lutfi Bajrami, Bashkim Murati, Fazli Zenku, Nusret Jaoski, Rexhep Ibraimoski, Ajradin Emroski, Lulzim Mehmedi, Adnan Belba nga Shqipëria, një portjer nga Tetova e shumë lojtarë të tjerë nga territori i Kërçovës.

Përveç Xhelil Mehmedit si trenjer, kah fundi i viteve garuese u angazhua edhe Milahim Demiri me ndihmës Bajram Çelikun. Vit, kur arrijnë edhe ditë të vështira finansiare për KF “Bashkimi”, i cili detyrohet të lëshojë garimin një ditë. E, kur do të aktivizohet përsëri si klub futbolistik, hë pë për hë mbetet enigmë e kohës. Faleminderohen të gjithë ata që ndihmuan klubin dhe besojmë se ky klub futbolistik, përsëri do të ngrihet në këmbë një ditë dhe do të na gëzojë si dikur me fitore...

Të shpresojmë!...



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: