Kadri Kadiu: Ali Kondit i këndonte zemra
| E Diel, 17.07.2016, 05:27 PM |

ALI KONDIT I KËNDONTE ZEMRA

(Me rastin e përvjetorit të ndarjes nga Jeta)

Nga Kadri Kadiu

Nuk ka devollit që nuk e njeh Ali Kondin e Vranishtit, artistin e Devollit, yllin e këngës e valles popullore. Aliu i ka rënë kryq e tërthor Devollit dhe si ajo bleta që mbledh nektarin e luleve, edhe Aliu, me atë vullnetin e tij të punës, me dashurinë për njerëzit, ka vjelë nga 45 fshatrat e Devollit mjaltin e fjalës, të mënçurisë, të trimërisë së devollinjve. E këtë mjaltë e ka derdhur në vargje poezie, në këngë e në valle; e ka përjetësuar.

Isha akoma fëmijë kur e kam njohur Aliun si këngëtar e valltar. Ishte një bilbil i rallë. Kur vinte në fshatin tim në Mançurisht, sëbashku me të vëllain, Nevruzin, te disa miqtë e tyre, mblidhej gjithë fshati; burra, gra e fëmijë se buçisnin këngët e Aliut e të Nevruzit: “ Vallë a vjen behari”, “Ku do ta shkojmë dimrin” , “Syrin rrush të zi ma ke”, "O kjo anë e lumit", “Llaj çobankë” etj. dhe tundeshin dyshemetë e odave kur ata kërcenin “ Vallen Devolliçe”.

Kur isha i ri, sapo mbarova shkollën e mesme bujqësore, në vitin 1960, më emëruan agronom në Kooperativën Bujqësore të Bashkuar të Vranishtit. Aty Aliu ishte Përgjegjës i Shtëpisë së Kulturës. Aty njoha një Ali me përmasa të tjera. Ai ishte njëherësh bibliotekar, koreograf, skenarist, regjisor, mbledhës e studjues folklori.

Falë këtyre cilësive të Aliut Kooperativa e Vranishtit kishte një veprimtari kulturore e artistike të gjithanshme. Grupet amatore të këngëve e valleve të Vranishtit ishin me nam jo vetëm në Devoll e në rrethin e Korçës por edhe më gjërë. Por Aliu krijoi dhe një grup amator për shfaqje teatri dhe estrade. Me që unë nuk ia thosha për këngë e valle, Aliu më futi në grupin teatror. Në atë grup bënin pjesë djem dhe vajza të talentuar kooperativistë por edhe arsimtarë, ndihmësmjekë etj. Patëm shumë sukses; konkuruam në Devoll e në Korçë dhe kemi dhënë me dhjetra shfaqje të bukura në fshatrat e rrethit të Korçës. Trupa e Teatrit dhe Estradës e Vranishtit ka konkuruar me sukses edhe në Festivalin Kombëtar të Estradave Amatore të Republikës, që u zhvillua në Vlorë. Tek ai grup amator teatri dhe estrade, me regjisor Ali Kondin, e kanë fillesën dhe dy aktorët e njohur të Teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës, shokët e mi dhe të Aliut, Refik Xhinaku e Nazif Tale.

E ku nuk ka buçitur kënga e Aliut, e ku nuk janë parë vallet mahnitëse të Aliut fluturues; në punë e në shtëpi, në dasma e në gëzime familjare, në festa e në koncerte, në festivale kombëtare e ndërkombëtare; në Bilisht, në Korçë, në Elbasan, në Gjirokastër, në Lezhë, në Berat, në Tiranë e në Moskë. Në Festivalin Folklorik Botëror të zhvilluar në Moskë në vitin 1957,  në Grupin prej 150 artistëve më të famshëm të Shqipërisë bënte pjesë dhe Grupi i Këngëve e Valleve të Devollit prej 7 vetash, me në krye Ali Kondin. Nam la Aliu me të vëllain, Nevruz Kondin, në atë Festival, duke interpretuar me virtuozitet krahas artistëve më të mëdhej të Shqipërisë, si Mentor Xhemalit, Vaçe Zelës, Anita Takes etj. Çmimin e dytë të këtij Festivali, ku merrnin pjesë 132 shtete, e fitoi Shqipëria.

Ali Kondi, ky artist i përmasave kombëtare, për më se gjysëm shekulli ka shkëlqyer në inerpretimin e këngëve e valleve popullore, duke përfaqësuar denjësisht shpirtin prej artisti të devollinjve. Në Repertorin e Aliut numërohen rreth 1000 këngë e valle, ku 500 prej tyre janë të inçizuara e të rregjistruara në Institutin e Kulturës Popullore. Për kontributin e dhënë në art e në kulturë, Ali Kondi është nderuar me shumë diploma e dekorata, si dhe me titujt "Artist i Merituar" dhe "Personalitet i Shquar i Kulturës i Qarkut të Korçës". Por nderimin më të madh për Ali Kondin e kanë devollinjtë pasi e kujtojnë përherë dhe e mbajnë në zemrat e tyre. Nuk mund ta harrojnë devollinjtë se në çdo festë të 7 Gushtit që zhvillohet në korijet e Dëmbravës për të festuar formimin e Batalionit Partizan të Devollit dhe për të kujtuar Komandantin Legjendar të atij Batalioni, Heroin, e Popullit Fuat Babani, Ali Kondi ia merrte këngës dhe Dritëroi ia mbante:

Të djelën, sahati tetë

Seç u ndez një luftë e shkretë

U vra Fuati vet' i tretë

Bashkë me Dulen dhe Demirë

Që të tre shokë të mirë...

Dhe kur Aliu me Dritëroin këndonin, bilbilat në korije pushonin, se këngën e tyre dëgjonin. Dhe kur mbaronin këngën, Dritëroi e përqafonte dhe i thoshte: "Po të të shtrydhësh ty Ali, nxjerr vetëm këngë".

Vitet si pa u ndjerë ikën. Ali Kondi arriti të tetëdhjetat dhe unë fillova ta thërras “Xha Ali”. Por ai më surprizoi me rininë e tij kur më dhuroi katër librat që kish shkruar.

I lexova ato libra dhe njoha një Ali edhe më të madh. Njoha një poet, një shkrimtar, njoha një historian të vërtetë. Dhe tani them: Ali Kondi është për mua një enciklopedi.

Ali Kondi formalisht nuk kishte ndonjë diplomë fakulteti por Ai ishte një brumë i gatuar mes devollinjve me shumë zell pune e dashuri. Ali Kondi ishte i rrahur me vaj e me uthull. Ai ka mbajtur në dorë pushkën partizane, ka mbajtur në dorë parmendën e bujkut, ka mbjellë e ka korrur me duart e tij, i ka rëzuar vetë drutë e dimrit nga Morava dhe vetë e ka zjerë rakinë për ta pirë me miqtë e shokët. Ndaj dhe pena ka ecur vetë në dorën flori të Aliut.

.......

Eh si është kjo jetë. Këtu në Koloradon e largët ku jetoj, mësova se më 20 korrik 2008 xha ALIU ndërroi jetë. Menjëherë, që atë ditë, e mora në telefon për ta ngushëlluar Mukadesin, bashkëshorten e Aliut. Iku, më tha, iku papritur, iku duke qeshur, iku duke kënduar; po këndonte me mbeskën e vogël që e donte aq shumë.

Tani që po shkruaj këto radhë, kam hapur televizorin dhe në You Tube  po dëgjoj këngët e bukura me zërin melodios të Aliut dhe bashkëshortes së tij Mukadesit, kushërirës time. I dëgjoj për t’u çmallur por më shumë përmallem. Lotët më lagin faqet. Janë lotë malli, lotë dashurie, lotë për gjithë Devollin tim.



(Vota: 5 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: