Fritz Radovani: Kush ishte tek varri i Kastriotit?
| E Premte, 08.07.2016, 07:30 PM |

Nga Fritz RADOVANI:

KUSH ISHTE TEK VARRI I KASTRIOTIT ?

A  UJKU, …A  TURKU !?

“Kam me pasë shkretinë per votër,

E per shtroje të ndeztën ranë;

Kam me pasë ulkonjën moter,

Kam me pasë, ehu, tigrin nanë...”

At Gjergj Fishta O.F.M.

(“I dëbuemi” Mrizi i Zanave)

Të dy të presin në fyt! Kështu, na mësoi historia né Shqiptarëve!

Po deshët, edhe këte “harrojeni”!

Ngjarjet politike të shek. XII dhe XIII, lidhen ngusht me qendrimin e Kishës së Krishtenë. Nga dokumentat historike të asaj kohë kemi tri qendra të randsishme Katolike, Tivarin, Prizrenin dhe Shkupin, pa perjashtue Malet e Veriut. Me të gjitha mangsitë e kohës del i kjartë persekucioni që pushtuesit sllavë i kanë ba pa pikë mëshire popullsisë Katolike të këtyne krahinave Shqiptare, tue perfshi edhe brigjet e Adriatikut.

Dokumentacionet e këtyne qendrave ku nuk mungojnë as emnat e disa familjeve ma në za, vertetojnë se Populli i trojeve tona, ishte i Krishtenë dhe gjithnjë qender antiosmane në Ballkan.

Edhe pse nder dokumenta ka perzimje ritesh latine apo greko – bizantine, per çudi, nuk ka  dokumenta të nenshkruem me Romen, edhe pse të dy palët njohin Papen Kryepeshkop të tyne. Ndersa Arbëreshët janë urat e lidhjes së Kishës Katolike italiane me Kishat e Lindjes, gja që ka percaktue saktësisht edhe perkatsinë e ritit të Krishtenë të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut.

Kjo ka lidhje direkte me dinastinë e Kastriotëve, sundues të trevës së Matit, ku gjeneratat njenambastjetres kishin lidhje me ipeshkvijtë latino Shqiptarë, ku banin pjesë edhe klerikët Katolik të Principatës së Gjon Kastriotit, babës së Gjergj Kastriotit. Lidhjet martesore të princave feudal, nuk ndikonin në ndryshimet e riteve të besimit të tyne kjoftë edhe në pikpamjet etnike apo kulturore.

Në vitin 1389 zhvillohet beteja e Dardanisë, ku forcat otomane fillojnë edhe pushtimin e territoreve të tjera Shqiptare, që pasohen me ramjen e trojeve tona nen zgjedhen turke.

Shqiptarëve nga një pushtim antinacional, u shtohet edhe pushtuesi barbar antikatolik. Ata që nuk shkruejnë nguljen e Klerikëve Katolik nder “hunjë”, ndihmojnë “harresen”!

Toleranca fetare e feudalëve Shqiptarë lidhej kryesisht me interesat materiale të tyne. Kjo ngjet edhe nder shtetet tjera të Europës, të cilët synojnë me dominue me sundimin ekonomik. Europa në shek. XV asht shumë ma e fuqishme se perandoria otomane, dhe ka luejtë rol të randsishem në mbrojtjen e qytetnimit Europiano – Perëndimor, që vetkupton Krishtenimin.

Sundimtarët e shteteve të Europës, kanë pasë një aftësi të rrallë me iu adaptue shtresave të popullit, pavarsisht nga ritet e tyne fetare, per me mbrojtë interesat e veta të qeverisjes.

Fatkeqsisht, këta sundues të Europës... gati “asnjëherë”, nuk ishin të bashkuem.

Pothuej në të gjitha kohët kanë dominue perçamja dhe intrigat e tyne per pushtet. Një trashigimi e panderpreme nder shekuj. Lakmia e sundimit të tyne ka rrezikue ekzistencen e vetë shteteve të tyne.

Në të gjitha kohët në Europë, Kisha Katolike dhe drejtuesit e Saj, janë kenë dhe vazhdojnë me kenë faktor i Bashkimit Europjan, që me forcë e perkushtim kanë ruejtë vlerat shpirtnore, etnike dhe kulturore të kontinentit të vjeter, tue u ba faktor i paqes dhe i miqsisë mes Popujve.

Shpesh na jemi para fakteve të pakundershtueshme historike, ku “harresa” e së vertetes, ka risjellë persëritjen e atyne gabimeve, që popujt e shumë shteteve të Europës i kanë pague me robni, mbrapambetje e vorfni shekullore. Një nder ta që nuk po i ndahet vorfnia asht Shqipnia!

Nuk dij se prangat e një robnisë mund të quhen “taksa”!..

Pushtimi i Shqipnisë në 72 vitet e fundit nga sllavokomunistët, ka shkatrrue kulm e thëmel gjithshka të mirë nder Shqiptarë. Pasojat e 25 viteve të fundit janë pasoja të qeverisjeve shumë të djallzueme komuniste, sllave, otomane, greke e gjoja demokratike, që vetem i sherbejnë një  shkatrrimit total dhe të pasherueshëm antishqiptarë!

***

Ikja nga Atdheu asht pasojë e mungesës së Lirisë së Njeriut dhe Bukës!

A nuk jemi para një fakti të tillë me robninë që vuejti Populli Shqiptar?

A nuk jemi para një fakti të tillë me coptimin e Trojeve Shqiptare?

A nuk jemi para një fakti të tillë me shkaperdamjen e Popullit Shqiptar?

A nuk jemi para një fakti të tillë se, me ne po ikë edhe Shqipnia.?!

A nuk jemi para një fakti të tillë, me “harresen” me dashje nga qeveritarët tanë të Emnit Gjergj Kastriotit – Skenderbeut?

Ka mjaft nga “ata” që thonë se: “Në Shqipni, mungon Drejtësia!”

– Jo, jo, në Shqipni, “mungon Shqipnia!”

Melbourne, Korrik 2016

Marrë nga dorshkrimi F.Radovani, “Arkivi i Harresës”, Pjesa III, faqe 9 – 11. 2014.



(Vota: 5 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: