Tahir Bezhani: Gjergj Gecaj, kultivuesi i mjedrës
| E Diel, 03.07.2016, 10:22 AM |

Nga bujqësia:

GJERGJ GECAJ, KULTIVUESI MË I MIRË I MJEDRËS NË KOMUNËN E GJAKOVËS

Nga Tahir Bezhani

Gjergj Ded Gecaj, në plantacionin e mjedrave

Bujqësia është njëra nga hallkat  më të  rëndësishme për zhvillimin e një vendi. Në vendet e zhvilluara të perëndimit, krahas degëve tjera, prioritet  të veçantë i kushtohet kulturave  bujqësore . Në vitet e fundit, edhe në vendin tonë, po bëhen përpjekje maksimale për ta zhvilluar  bujqësinë në forma të ndryshme, me qëllim të përmirësimit të standardit të jetës, duke u munduar të zihen hapat me botën në zhvillim. Në këtë kuptim, Gjakova si komunë, ka bërë  ca hapa pozitiv duke u dhënë buqëve subvencione  për kultura të ndryshme për zhvillimin sa më të shpejtë të kësaj dege me rëndësi ekonomike.

Në mesin e shumë buqëve, që përpiqen të ecin sa më shpejtë me kohen, është edhe Gjergj Dedë Gecaj nga fshati Janosh i Gjakovës, i cili tash e tre vite, njihet si kultivuesi më i mire i mjedrës në komunën e Gjakovës e jo vetëm. Këtij punëtori të vyeshëm,  komuna i ka ndarë subvencione që dy vite, ndërsa pret edhe këtë vit që ta shfrytëzoi këtë përparësi të premtuar nga komuna e Gjakovës.

Mjedra me dobi profitabile

Gjergj Gecaj, me profesion gipser-fasader, menaxhon firmën”Dardani”, i moshës 35 vjeçare, një djalosh i kompletuar me dije për  punë në çdo lami të jetës. Krahas profesionit të tij primarë, ka tre vite që me përkushtim  iu është rrekur edhe larmisë së bujqësisë,  e posaçërisht në kultivimin e mjedrës, e cila  rrallë ishte parë në arat tona,  deri këto vitet e fundit. Për këtë qëllim,  Gjegji ka ecur duke“provokuar”tregun me kulturën e mjedrës, kështu që ka filluar me pak mbjellje, ndërsa tani ka tre hektarë të mbjella me mjedra.

Vitin e kaluar, thotë Gjergji, mblodha mbi tetëmijë kilogram mjedra dhe e gjithë sasia ishte e garantuar për treg, kështu që më solli një fitim shumë më të mirë se sa prisja realisht. Tani edhe këtë vit pres një rendimet të mirë, përfundon Gjergji bisedën me mburrje, duke na i treguar mjedrat në grushtin e tij.

Gjergj Gecaj, tregon cilësinë e mjedrave nga plantacioni i tij

Punësimi dhe kujdesi për të punësuarit

Ky punëtorë i vyeshëm, është një shembull tipik edhe për bujqit tjerë, se si mund të zhvillohet një familje, një shoqëri, bazuar në punën e palodhshme gjatë stinës së një kulture bujqësore. Për këtë qëllim,  Gjergji, këtë vit,  ka punësuar në baza ligjore dy punëtorë të përhershëm gjatë tërë vitit, pesë të tjerë stinorë dhe pesë anëtarë familjarë, të cilët gjatë sezonit sa zgjatë kjo kulturë bujqësore, ( 90 ditë),  janë përherë në angazhim e sipër, me kujdesin maksimal ndaj kësaj kulture bujqësore. Pikërisht, për këtë përkushtim serioz, natyrshëm,  edhe rezultatet janë të konsiderueshme dhe fitimi i lakmuar....

Gjergj Geca, një pasdite,  duke punuar me familjen e tij

Frigoriferi për ruajtjen e cilësisë së mjed- rës  për treg

Gjergj Gecaj, duke pasur një përvojë  tre vjeçare në kultivimin e kësaj kulture, tani ka siguruar edhe një ekspert për kontrollin  shëndetësorë të sortës gjatë vitit, i cili, jo rrallë, pas kontrollit, jep edhe sugjerimin për veprim e kujdes në vazhdim.

Një kujdes të veçantë Gjergj Gecaj ka treguar  veçanërisht për  kushtet e të punësuarve,  sigurimin e tyre, tamam sipas parimit të ligjit, duke filluar nga pagat me kontratë, sigurimin shëndetësorë dhe ushqimin sipas marrëveshjes. Këto janë parime të demokracisë  kudo në Evropë.

Teknologjia për punën dhe tregu i garantuar për shitje, janë dy shkaktarë që  premtojnë  suksese në këtë lami pune.

Një pamje e përgjithshme e plantacionit të mjedrave të Gjergj Gecaj

Gjergj Gecaj, për kultivimin e kësaj kulture bujqësore, ka në përdorim mjete pune bashkëkohore për punimin e tokës,  sistemin e ujitjes , që mundësojnë prodhim cilësorë. Frigoriferi me ngrirje  deri në minus 18 c , ruan cilësinë për treg kohë të gjatë.

Këto ditë, nga pika grumbulluese”Eko-frut” nga Prishtina, pret çmimet e reja të tregut, për ta filluar eksportin e mjedrës. Për rrafshin e Dukagjinit, Gjergj Gecaj shërben si pikë grumbullimi edhe për kultivuesit tjerë të mjedrës, të cilët janë në hapat e parë të kultivimit të kësaj kulture.

Një punë të tillë si Gjergj Gecaj, mund ta bëjnë edhe shumë e shumë bujq tjerë të Kosovës, në kultivimin e llojeve tjera të kulturave, të cilat si tërësi, do sjellin ndryshime pozitive në jetën e qytetarit tonë. Për këtë arsye, Qeveria ose ministria përkatëse, duhet patjetër të veproi akoma ma me këmbëngulje për ndihmë sektorit të bujqësisë dhe të stimuloi me mjete e gjera tjera prodhuesit cilësor,  si  Gjergj Dedë Gecaj nga fshati Janosh,  komuna e Gjakovës.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: