Sejdi Berisha: Poezi që ligjëron me gjuhen e kombit
| E Enjte, 30.06.2016, 07:52 PM |

Analizë libri

POEZI QË LIGJËRON ME GJUHËN DHE ARSYEN E KOMBIT DHE TË ATDHEUT

(Agim Desku: “Këngë ilirishte”, poezi – 2015)

Nga Sejdi BERISHA

Poeti, Agim Desku, nëse e analizojmë tërë krijimtarinë e tij, ai, përmes vargjeve dhe poezisë sikur nga prezanton një hartë historie, një tokë me peshën e vetë nëpër kohëra, një komb, i cili gjithnjë ngeli duke e mbrojtur, rregulluar, duke e ndritur dhe lulëzuar vendin e vet. Në këtë formë, poeti edhe vargun e poezinë i ka bërë pelegrin por edhe pjesë të pandarë të së madhërishmes, të betejave dhe të faqeve historike, që jo rrallë përshkohet me vuajtje e dhembje, të cilat edhe sot e kësaj dite i ngjajnë plagëve kujdestare, e që përherë apo në çdo kohë mund të kullojnë jo vetëm gjak. Andaj, një rrugëtim të tillë këndimi e hasim edhe tek vepra më e re me poezi, “Këngë ilirishte”, libër ky i cili reflekton kryeneçësinë e autorit, se ai dot nuk e heqë mendje as qafet krenarinë, qëndresën mbase edhe fatin me të cilin njeriu i tij dhe as atdheu, nuk kanë qenë asnjëherë të rehatuar, por gjithnjë me specifikën e jetesës, e cila edhe i ka kalitur ndër shekuj. Pikërisht për këtë arsye, edhe në poezinë me të cilën autori i prinë librit, “Ilirishte”, ku reflekton tërë ndijimin e tij shpirtëror për çdo fletë historie, për çdo pëllëmbë toke, për çdo rrugëtim, rrëfim që e përjetëson dhe madhështon të kaluarën dhe të sotmen, që në fillim edhe na imponon moton dhe motivin e veprës por edhe të përplasjeve të tij shpirtërore dhe poetike: Ilirishte e thënë/ Në secilën mendje/ Të ndritur/ E  ruajtur shqipeve Denbabaden”.

Krahas kësaj, poeti gjithnjë, por edhe tash, ka kënduar e këndon me peshën e arsyes, me dellin e arkitektit të fjalës së qëndrueshme poetike, por edhe me bekimin e ëndrrave për trojet shqiptare, të cilat cep më cep frymojnë, flasin, veprojnë e këndojnë e ëndërrojnë shqip. Këtë formë të këndimit, Agim Desku, sikur e ka formulë të vetme për ta ngritur peshën e shkrimit dhe të këndimit, por edhe të arsyes dhe të ndërgjegjes për ta ditur, njohur e ruajtur shenjtërinë e kombit dhe të atdheut, gjë të cilën e kanë bërë edhe krijues të shumtë nëpër periudha kohore shumë më të rënda e të vështira. Një formë të tillë e hasim tek shumë  poezi: “...Udhëtimit tim/Pa ëndrra/Drejt secilit cep atdheu/Të shikoj në sy të lirë/Më fjalët e pathëna/Që i sjellin vargut tim/Këngën...”.

Ose, edhe për ta sforcuar edhe më shumë frymën krijuese dhe përkushtuese, e për të ngre në piedestal mesazhin jo vetëm poetik por edhe këshillues dhe pedagogjik mbase edhe ndërgjegjësues, ai, na i sjell edhe shumë vargje e poezi, që jo vetëm se madhështojnë vlerat krijuese të poetit, por edhe begatojnë mendjen për të mos harruar asgjë dhe për të mos ia lënë as rastit të kohës dhe përplasjeve nëpër ditë, vite e decenie: “...Kjo tokë/Ilirisht frymon/Nëpër secilin cep/Atdheu...”.

Vargëzimi si hartë e dhembjes dhe e krenarisë

Nëse i bëjmë analizë fjalës, vargut por edhe poezisë, tek A. Desku, tani vërejmë se ai ka rritur atë stadin e të shprehurit poetik dhe filozofik, por edhe të ndijimit shpirtëror, që nganjëherë, duke lexuar poezinë e tij, sikur përjetimi dhe dhembja shpirtërore i ngjajnë shtrëngimit specifik të prangave të mendjes dhe të unit, që ngushtojnë e ngushtojnë e të sjellin gjer në pëlcitje, e cila pastaj na “detyron” mësimin e historisë, nëse atë nuk e kemi pasur pranë mendjes dhe zemrës, pikërisht si domosdo për ta njohur vetveten por edhe hartën e dhembjes së historisë të asaj që quhet tokë e atdhe: “...Kur s`kam liri/Për secilin cep Atdheu/Kah fluturojnë Shqipet/...Ta them si fjalë/Herë si këngë/ Që e kam për mall...”.

Një mesazh dhe metaforë e tillë e stërholluar, që i ngjanë si një fjale të urtë, e cila herë të mëson e herë të therë gjer në palcë, reflekton tërë atë peshën shpirtërore të krijuesit, i cili gjithnjë dhe pa u lodhur ka ligjëruar dhe ligjëron për diçka që ka aromë dashurie, peshë të dheut atëror, frymë ta pathyeshmërisë, se shqipet nuk harrojnë por as nuk ligështohen në përjetësimin e asaj që duhet të jetë hartë e cila e dëshmon dashurinë dhe fanatizmin për lirinë: “...Si fjalë Atdheu/Uratë ma lanë zotëruat/Të jem ushtarë e luftëtarë/Për emrin/Shqipe e Shqipëri...”.

Në këtë vepër, autori sikur në asnjë mënyrë nuk dëshiron t’i ikën temës dhe frymëzimit por edhe këmbëngulësisë shpirtërore, se kudo që shkon, shëtit dhe ecën njeriu, ai me vete ka mallin, dashurinë dhe etjen, por nëse doni, edhe rebelimin për atdheun, gjëra këto, të cilat autorin ndoshta ndonjëherë e bëjnë edhe “të mërzitshëm” duke bartur në çantën dhe fletoren e tij atdheun dhe njeriun e tokës së copëtuar e të përplasur: “...Një ditë në udhëtimin tim/Nëpër Avenytë De la Pari/Prizren, Guci, Preshevë, Tetovë/Prishtinë, Tiranë/Bashkë me vargun tim/Herë rebel...”.

Krijuesi, asnjëherë nuk është i ngopur me atë çfarë kërkon dhe ëndërron për lumturinë dhe për qetësinë e krenarinë e vendit të vet por edhe për njerëzimin. Andaj, ai kudo që është dhe vepron, nuk është i qetë nëse përbrenda damarëve të gjakut nuk i qarkullon detyrimi, madhështia, pesha e atdheut dhe komplet historia e tij gjer në ditën e sotme. Prandaj, ka se si ligjëron A. Desku në veprën e tij më të re: “...E luta atdheun të mos më mallkojë/Se Ilir nuk është emri im i fundit/Edhe unë kam besë e fe/Kam Shqipërinë time/Për Atdhe...”.

Dhe, pesha e bukuria e atdheut, dashuria dhe zjarri i poetit, shfaqen, këndohen dhe pastaj edhe komentohen në mënyra të ndryshme, ku vargjet shkëlqejnë si gjerdan jo vetëm lirie, por edhe gazmendi, zë drite e ëndërr dashurie për çdo gjë që jetën e bën jetë, që njeriun e bën të lumtur dhe krenar, por edhe të vetëdijshëm për përplasje gjatë rrugëtimit, i cili edhe me gjithë katrahurat, është me peshë dhe me madhështi rrëfehet për te: “...Një lule e këputa diku/Në malin e shqipeve/E ruaj për ma të bukurën mike/Që atdheut t`ia falë...”.

Autori i kësaj vepre, lexuesit i sjell shumë gjëra në trajtë të mendimit edhe të thjeshtë por edhe filozofik, gjëra këto të cilat opinionin e detyrojnë të bëhet kritik i vetvetes, të jetë përjetues i gjërave që dikur nuk ka mundur apo nuk ka ditur për t’i shijuar. Mu për këtë arsye, ligjërimi në këtë libër e ka vlerën e veçantë jo vetëm sa për t’u kënaqur me vargjet dhe librin, por edhe për të bërë krahasime e analiza edhe historie, edhe filozofie, edhe sociologjike, të cilat e vënë në “shënjestër” mendjen dhe përjetimin e ndijimin shpirtëror të secilit lexues. “... Kam ëndërruar me vite/ Ta shoh Lirinë/Se si  dukej ajo/E vogël e madhe/E dashur më thoshin është...”.

Ja, pra. Vargjet e tilla, a nuk e detyrojnë lexuesin që përveç përjetimit shpirtëror, në këtë formë të këndimit të hasin edhe mesazhin e ëndrrave dhe të vuajtjeve për dritën, për mendimin e lirë, për ta prekur e përjetuar vet lirinë! Këtu qëndron pesha jo vetëm artistike e vargut, por edhe sikur na shtrohet një fushë e gjerë, ku mund të shtrojmë e analizojmë gjërat e kohës, etjen dhe mallin e vuajtjet e njeriut!

Këndimi gjerdan lirie dhe dashurie

Prandaj, poezitë në këtë libër puthiten me titullin e librit, dhe frti në fund ka frymën e dashurisë ndaj tërë asaj që quhet atdhe, që ka frymën e lirisë dhe të dashurisë pa ndrydhje dhe të fjalës pa shtrydhje dhe shtërzime. Në këtë aspekt, sikur fortë e mirë krijojnë pikturë jete dhe realiteti edhe vargjet: “...Nëse kalon nëpër secilin cep atdheu/Edhe e bukur do të ishte/ Kur mikja ime shëtit lirisht atdheut/ E besa edhe udhëtar i botës se lirë/Me ëndrrat më të bukura të jetës...”.

Duke lexuar këtë gjerdan poezish, vërejmë se autori, natyrisht se nuk lë pa theksuar dhe pa i vënë në varg vlerat e luftës, të secilit që dha jetën për liri, që kjo nuk nënkupton vetëm në luftën e fundit por gjithnjë e përherë gjatë periudhave kohore e historike. Dhe me krenari, jo vetëm se vargëzon, por edhe në shpirt e përjeton atë që ia ofron lexuesit si dëshmi e madhështi: “...Vazo me lule/Atdheu/Në secilin lapidar/Në secilën zemër/Të shqipeve.../...Tek putha flamurin/Kuq e Zi/Tek lindim dhe vdesim/Vetëm shqip...”.

Përmes këtyre vargjeve, reflekton një gamë ngjarjesh e historish, një mori analizash, sepse, edhe madhështon edhe qorton për shumëçka kur shndritë “Në secilin lapidar”, kur lindet dhe vdiset vetëm shqip!

Padyshim se autori ka qenë i vëmendshëm, kështu që tek secili varg ushqehet dashuria për lumturinë dhe për të bukurën, stoliset edhe kurora me ngjyrën dhe aromën e tokës, me dashurinë e njeriut dhe vetëm të njeriut, ku autori, jo pa qëllim, personazh kryesor vë femrën, të dashurën dhe jo vetëm këtë: “...Për ty atdhe/Për pak liri/Për dashurinë e mikes/Nëpër secilin cep t’atdheut/Deri në Çamëri...”.

Rebelimi dhe protesta “detyrim” shpirtëror poetik

Përveç kësaj, nëse i bëjmë analizë më të gjerë kësaj vepre, mund të vërejmë se vargjet mbase edhe të gjitha poezitë i ngjajnë një proteste jo vetëm të poetit, e që tek vargëzimi, rebelimi dhe protesta janë thesari dhe e preferuara për ta dashur, kuptuar e vlerësuar më shumë poezinë, por edhe mesazhin dhe metaforën, të cilat, kujtoj se tek ky libër janë të qëlluara dhe të fuqishme, që përkojnë me këndimin me frymë edhe edukative. “...Me vite/ Jeta ime ishte protestë/Për një atdhe/Të lirë shqip.../...Dje protestoja/Nga burgu shekullor/Sot protestoj/ Më shumë se kurrë/Për flamurin Kuq e zi...”.

Duke pasur parasysh se shumë gjera nëpër kohëra kanë plasur shpirtin e njeriut, kanë djegur mallin e nënave, edhe në këtë temë autori vargëzon ilirisht dhe shqip, si veçanti e jetës dhe përjetimeve të secilit njeri, të secilës nënë për fatin e birit të saj, pra edhe të vet poetit: “...Nënë/Ti je lule/Aromë e shpirtit tim/Si hënë/Më ndriçon/Rrugën edhe natën/Kur shkruaj/Vargun për Ty...”.

Ndërkaq, duke mos harruar se jetën e njeriut tonë e kanë përcjellë shumë katrahura, shumë erëra të pamëshirshme të kohërave dhe historisë, por edhe përplasjet e njeriut me njëri-tjetrin, që kjo ligatinë, për fat të keq edhe sot është prezent, autori përpiqet që përmes ndodhive historike të na rrëfejë jo vetëm për vuajtjet por edhe për përpjekjet për bashkim dhe unitet të kombit, siç janë shumë tubime historike, si dy tubimet tek Verrat e Llukës. Edhe përmes kësaj forme të të kënduarit, autori na sjell jo vetëm një mesazh, por edhe shumëçka për të qenë bashkë e unikë: “...Ëndërr e gjallë është një gotë verë/Të pimë së bashku për Ty Çamëri/Mbi Verrat e Llukës shtriva duart/ Të paqes e bashkimit shpirtëror...”.

Autori, duke qenë i përkushtuar tani për sa vite për Çamërinë dhe fatin e saj, ai edhe në këtë libër, sikur është i ndikuar nga vepra që ia ka kushtuar kësaj pjese të trojeve etnike, dhe kështu na sjell mendimin filozofik edhe për trevat përbrenda Kosovës dhe më gjerë. Prandaj, ngjashëm ligjëron, që nënkupton mendimin dhe shkrumbin për bashkim: “...Të ngritim gotën/ Për Dukagjin/Se do bëhem edhe Drenicë/Edhe Malësi/Herë Tiranë e Preshevë/Më shumë Çamëri...”.

Krahas kësaj, përmes këndimit poetik, në të cilin, krejt e zakonshme, ndoshta e hasim edhe frymën dhe këndimin poetik të Din Mehmetit, Ali Podrimjes, të Migjenit, nga pak edhe të Zef Serembës dhe të disa të tjerëve, autori, përveç tjerash, dëshiron të na ofrojë edhe një hartë të moçme (edhe hartë të re) për trojet shqiptare, që kanë kallëzim interesant të shekujve e nëpër shekuj. Në këtë aspekt, ndoshta më së miri korrespondojnë mes vete, poezitë “Kodi X” dhe “Rri me vargje Drenice”: “...Kodi im/ X/Pesëqind vjet/ U ruajt në Durrah/E Rozafa...”. Ose: “...Shkruaj/ Për Kullën e Prekazit/Bac u krye/...Sot jam ushtari yt/Nesër nuk di ku do të jem/Në cilin cep atdheu/Do të shkruaj,/Bac u krye...”!

Agim Desku, në librin me poezi “Këngë ilirishte” i cili është i shtrirë në gjashtë kapituj, ka sublimuar vargje të veçanta dhe të arrira, që ndoshta, duke pasur për bazë tematikën që dëshmon edhe vet titulli, që i ngjajnë një almanaku poetik specifik, i cili e ka mishëruar kombëtaren me njerëzoren, dhe kështu ia ka dalë që lexuesit t’ia prezantojë një pjesë të rëndësishme të krijimtarisë së tij, e që këtë analizë libri do ta përfundoj me këto vargje, të cilat, si gjithherë janë veti krijuese dhe njerëzore të tij: “...Vargut tim/I vë zjarr/ Dashuri/Aromë lulesh...”!

Pra, si vepër e tillë, kujtoj se begaton letrat dhe letërsinë kombëtare jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë.



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: