Sinan Sadiku: Misionarët e arabizimit të shqiptarëve
| E Merkure, 29.06.2016, 09:46 PM |

ÇKA DO TË NGJANTE ME KOSOVËN, APO EDHE ME SHQIPËRINË, PO TË JETËSOHEN ËNDRRAT E MISIONARËVE TË ARABIZIMIT TË SHQIPTARËVE

NGA SINAN SADIKU

Do të zbatohej e Drejta e Sheriatit. Të gjithë meshkujt do të obligoheshin të lëshojnë mjekra të stilit arab. Gratë do të mbuloheshin dhe do t`u dukeshin vetëm sytë. Sa i përket muzikës do të këndoheshin vetëm ilahi, kuptohet pa përcjellje me instrumente muzikore. Televizionet, radiot nuk do ta lëshonin asnjë këngë të Nexhmije Pagarushës, të Ismet Pejës, të Ilir Shaqirit, të Leonora Jakupit, të Sali Krasniqit, të Augustin Ukës,   apo të rok e pop muzikës dhe të ngjashme. Emërtimi i institucioneve shtetërore, publike do të shkruhej vetëm me shkronja arabe. Alfabeti latin i gjuhës shqipe do të zëvendësohej me alfabet arab, ndërsa vet gjuha shqipe shumicën e fjalëve do t`i kishte arabe, persiane, apo turke. Në shkolla shumica e lëndëve do t`i kushtoheshin fesë islame, ndërsa pjesa më e madhe e figurave më të njohura shqiptare nuk do të përmendeshin fare ose do të përmendeshin në aspektin negativ si figura antiisalme. Të tillë do të konsideroheshin jo vetëm Skenderbeu, Pjetër Bogdani, Luigj Gurakuqi... Nëna Terezë, por edhe Vëllezërit Frashëri, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Bajram Curri. Ibrahim Rugova do të konsiderohej djalli vet, sepse shqiptarët i ka orientuar kah Perëndimi dhe ka krijuar lidhje të ngushta me Vatikanin dhe SHBA-në, dy armiqtë kryesor të islamizmit. Nuk do të kalonin më mirë as heronjtë: Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Fehmi Lladrovci, Agim Ramadani..., sepse lufta e tyre ka pas karakter kombëtar e jo fetar, sepse UÇK ka bartë simbole kombëtare shqiptare e jo simbole fetare islame. Andaj të gjitha përmendoret, lapidarët, komplekset memoriale do të rrënoheshin. Në vend të tyre do të ndërtoheshin objekte të kultit islam . Në shkolla e fakultete të rinjtë do ta mësonin historinë, kulturën, gjuhën arabe. Do të mësonin për luftërat që arabët i kanë bërë mes veti, për njerëzit që u kanë pri atyre luftërave, disa nga të cilët do të përshkruheshin  me fjalët dhe epitetet më të mira e disa të tjerë si armiq të islamit. Njerëzit që i përkasin besimit islam por jo sektit në pushtet do të detyroheshin ta ndërrojnë besimin e tyre. Andaj do të ndaloheshin sektet e ndryshme si dervishët, bektashinjtë... që do të konsideroheshin të pafe. Të pafe do të konsideroheshin edhe shqiptarët e besimit katolik. Ata do të keqtrajtoheshin, ndërsa femrat e tyre do ta përjetonin fatin e femrave të krishtera në ISIS. Nëpër rrugët e Prishtinës do të kalonin vetëm meshkuj me mjekra të gjata e pantallona të shkurtër, femra që ju shihen vetëm sytë. Në rrugë, sheshe, institucione ... shkrime arabe, citate të mendimtarëve arabë, flamuj, simbole arabe dhe turke. Flamuri shqiptar do të ndalohej. Librat e Naimit, të Ndre Mjedës, të Fishtës, të Lasgushit, të Mekulit, të Kadaresë,Arapit, Agollit,  të Qosjes, të Rugovës, Podrimës, Shkrelit... të gjitha do të digjeshin.  Të gjithë do të detyroheshin të luten (falen) nga 5 herë në ditë, të agjërojnë. Shumica do të agjëronin jo 30 ditë, por do ta pritnin dhe përcillnin ramazanin. Ata shqiptarë që i kanë emrat: Alban, Fatlum, Fatmir, Besnik, Lulzim... do të detyroheshin t`i ndërrojnë emrat psh. nga Alban në Husein, nga Luljetë  në Aishe. Edhe bartësit e emrave tradicional të shqiptarëve të besimit islam, që nuk janë shkruar në variantin origjinal arab, turk apo persian, por kanë marrë karakteristika shqiptare do të detyroheshin t`i korrigjonin. Psh. nuk do të lejohej emri Hysen por Husein, nuk do të lejohej Sadik, por Sadek. Do t`ju shtohej edhe ndonjë shtesë  arabe si El, Al dhe të ngjashme.

Përshëndetjet  e ëmbla shqipe si: Mirëmëngjesi, mirëdita, mirëmbrëma,  tungjatjeta, mirë se vjen, mirë se ke ardhur,  ditën e mirë, mirupafshim , lamtumirë... do të ndaloheshin dhe do të  zëvendësoheshin me  shprehje arabe dhe turke.

Femrave nuk do t`u lejohej drejtimi i automjeteve, veturave. Ato nuk do të guxonin të dilnin në qytet apo në rrugë pa qenë të shoqëruar nga ndonjë mashkull. Jo pak nga ato do të martoheshin në moshë 9 apo 10 vjeçare. Disa nga meshkujt e pasur do t`i kishin nga disa gra, ndërsa me që numri i femrave do të ishte më i vogël se numri i meshkujve shumë meshkuj do të mbeteshin tërë jetën pa u martuar.  Burri do të mund t`i kishte disa gra, ndërsa femra, ajo mund ta kishte vetëm një burrë. Do të fillonin martesat me njëri-tjetrin të  fëmijëve të vëllezërve dhe motrave.

Po të bashkoheshin Kosova dhe Shqipëria në një shtet , kuptohet islamik,  ai do të quhej Arnautistan.

PASOJAT

Forcimi i islamit radikal, aktet terroriste tashmë e kanë lodhë popullatën Perëndimore (Evropianët, Amerikanët). Nëse këto vinë duke u shtuar do të fitojnë forcat e djathta nacionaliste antiislame. Do të ndryshojnë ligjet evropiane. Perëndimorët do të përpiqeshin me mjete të buta, humane ta pengojnë krijimin e një Arabisatani në Evropë. Nëse me mjete të tilla nuk do të mund ta pengonin do t`i a shkelnin syrin Serbisë dhe ushtria e saj do të futej në Kosovë. Disa politikanë Perëndimor të djathtë tashmë kanë thënë se NATO ka gabuar kur e ka sulmuar Serbinë dhe e ka çliruar Kosovën, sepse përvojën më të mirë, më efektive për ta luftuar islamin e ka Serbia. Ushtria e Serbisë  si çdoherë do ta pushtonte,  Kosovën dhe do të dilte në Durrës. Gabimin që e ka bërë në vitin 1912 nuk do ta përsëriste më. Shqiptarët (tanimë një pjesë e mirë të arabizuar) do t`i vriste ashtu siç dinë ajo , ndërsa ata që do të mund të iknin do të iknin. Nuk e di ku do të shkonin, kush do t`i pranonte. Shtetet arabe tani po shohim nuk po i pranojnë arabët dhe vështirë që do të na pranonin neve, por edhe po të na pranonin në numër të kufizuar, atje do ta përjetonim ferrin, sepse ligjet e tyre janë shumë diskriminuese ndaj atyre që nuk janë shtetas të tyre. Edhe popullata do të na konsideronin dhe trajtonin si të huaj. Se çfarë të drejtash gëzojnë punëtorët në shtetet arabe e dinë disa nga njerëzit tanë që kanë punuar atje. Në këtë situatë Greqia do ta okuponte Shqipërinë nga Durrësi e tutje.

Shqiptarë të besimit islam thuajse nuk do të mbeteshin në Ballkan, njësoj siç nuk kanë mbetur në Sanxhakun e Nishit, në Lebanë, Prokuple, Vranjë... Siç nuk kanë mbetur në Çamëri. Shqiptarët e besimit  ortodoks të persekutuar nga mjekroshët me pantallona të shkurtër, disa  do të iknin kah të mundnin e disa do të asimiloheshin në grek,  pa dëshirën e tyre. Perëndimorët  do të ndërhynin t`i mbronin katolikët shqiptarë edhe nga shteti islamik i arnautistanit , por edhe Serbinë do ta detyronin që në Shqipërinë Veriore ta lejonte krijimin e një njësie autonome shqiptare. Ajo njësi autonome do t`i kishte rreth 5 mijë kilometra në katror, me  rreth 250 mijë banorë. Ndoshta pas qetësimit ë situatës kjo njësi autonome do të mund të bëhej shtet. Një ngushëllim i vogël se do të vazhdonte të flitej gjuha shqipe të ruhej dhe avancohej kultura, letërsia...

Në Kosovë me mjekra do të shiheshin vetëm priftërinjtë ortodoks serb, ndërsa kisha serbe në kompleksin universitar do të ringjallej e shkëlqente.

Siç e thashë të lodhur nga veprimet e islamit radikal, nga organizatat terroriste që pretendojnë se luftojnë për të mirën e fesë islame në Perëndim do të fitojnë partitë e djathta nacionaliste, madje edhe të djathtat ekstreme. Ato forca do t`i ndryshojnë ligjet dhe do të ndërmarrin masa të ashpra ndaj atyre që kryejnë, organizojnë, nxisin , mbështesin, ndihmojnë akte terroriste. Do t`i shpallin persona Non Grata të gjithë ata të cilët  ua prishin rehatinë psh. do ta ta shpallin Person Non Grata dhe do ta dëbonin secilin i cili mundohet t`i detyroj gjermanet të mos pinë birra, sepse do të thonë: Ju keni ardhur  në vendin  tonë, pa ju ftuar  dhe nuk po ju përzihemi çka hani e çka pini, bile po kërkoni të mos ju japim mish derri, nuk po ju japim, po ju po e teproni po doni të na mësoni neve çka të hamë e çka të pimë në shtëpinë tonë. Atëherë shkoni nga keni ardhur. Dëbimi do t`i përfshijë edhe shumë shqiptarë të arabizuar. Realisht në Perëndim do të ashpërsoheshin dënimet  edhe ndaj keqbërësve. Faktikisht demokracitë liberale, ligjet liberale, sjelljet tepër liberale ndaj keqbërësve, kriminelëve do të ashpërsoheshin dhe kjo do të ishte e mira që do t`i vinte Evropës nga Islami radikal.

Nëse edhe  në Turqi  fiton islami radikal. Tashme kur Serbia e ka marrë Kosovën dhe ka dalë në Durrës, ndërsa pjesën tjetër të Shqipërisë Londineze Greqia, në botë kanë ndodhë shumë ndryshime. Kurdistani është bërë shtet dhe përfshinë një pjesë të mirë të Turqisë, Irakut, dhe Sirisë. Kurdëve që e duan vendin e vet dhe luftojnë për atdhe, që janë kundër islamit radikal u është mundësuar krijimi i shtetit. Turqisë një pjesë të territorit ia ka marrë edhe Jermenia. Megjithatë në Turqi në fund  del një Ataturk i ri me origjinë shqiptare (tashmë i turqizuar) i cili pas luftërave të përgjakshme e ruan pjesën e mbetur të Turqisë, pa Kurdistanin dhe pjesën që ia ka marrë Jermenia. Kthehet sistemi i Ataturkut. Tashmë Bosnja është e ndarë midis Serbisë dhe Kroacisë dhe në Evropë nuk kanë mbet popuj që i përkasin besimit fetar islam.

Po shpresoj që unë, nëse jam ndokund i gjallë të jem në Evropë e jo në shkretëtirat arabe apo të Anadollit. Kjo sepse, nëse më imponohet që të zgjedh midis të qenit arab apo evropian (gjerman, francez... ) do të zgjedhja të jem evropian, sepse evropian jam. Kuptohet unë jam shqiptar dhe kurrë nuk do të ndërroja identitetin tim nëse këtë nuk ma imponojnë shqiptarët e arabizuar. Së pari jam shqiptar e pastaj jam evropian, po nuk jam as arab e as turk.

Dihet Turqia e Erdoganit falë përpjekjeve dhe rezultateve të tij për ta ndryshuar kushtetutën dhe sistemin e vendosur nga Kemal Pasha Ataturku, konflikteve me Lëvizjen pak më të moderuar islame të Gylenit, luftës së Kurdëve për çlirim... thuajse e ka të pamundur të stabilizohet pa e kaluar një luftë të brendshme.

Shtetet arabe si Iraku, Siria, Libia, Jemeni, që tashmë  janë në luftë qytetare, gjegjësisht fetare do ta vazhdojnë të njëjtën gjendje. Gjasat që kjo luftë civile të shtrihet edhe në Arabinë Saudite janë të mëdha. Aq më tepër kur çmimi dhe rëndësia e naftës do të bie me gjetjen e burimeve të reja energjetike që do ta zëvendësojnë atë. Nuk do të kalojnë më shumë se një gjysmë shekulli dhe çmimi, gjegjësisht rëndësia e naftës do të bie me të madhe. Me këtë do të ulet ndjeshëm standardi  i popullatës saudite dhe shteteve që burim kryesor të jetesës dhe mirëqenies e kanë naftën. Edhe arabëve do t`u duhet të shkollohen, të specializohen të punojnë  dhe të mbijetojnë. Kjo përshtatje do të kërkojë kohë dhe nuk do të kaloj lehtë. Nuk do të kaloj pa debate, polemika, lufta. Mbase do të kalojë një shekull kur një ditë  dijetarët islam, elita e tyre, do të mblidhet, me gjasë në Kajro, dhe do ta reformojnë islamin, do ta sjellin aty diku ku ka qenë tek shqiptarët para se të vinin misionarët e arabizmit.

Popujt e tjerë të besimit islam, qytetarët e tyre do të përjetonin shumë vuajtje deri sa të ndodh kjo, por thuajse nuk do të humbnin territore dhe do të mbijetonin, përveç shqiptarëve të besimit islam, e thuajse edhe atyre të besimit ortodoks . Ata që do t`u mbijetonin  masakrave serbe dhe greke do të ishin të shpërndarë nëpër botë, tashmë të asimiluar.

MEGJITHATË E KAM NJË LAJM TË KEQ PËR MISIONARËT E ARABIZIMIT. KJO NUK DO TË NDODHË KURRË. PRA NUK DO TË NDODHË QË NË KOSOVË DHE SHQIPËRI TË KRIJOHET ARNAUTISTANI, NJË SHTET I SHQIPTARËVE TË ARABIZUAR. KOMBI SHQIPTAR DO TË MBIJETOJË EDHE KËSAJ HERË, PËRKUNDËR DËMEVE TË SHUMTA QË DO T`IA SHKAKTOJNË BIJTË E VET, MISIONARË, APO MERCENARË TË ARABIZIMIT.



(Vota: 14 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: