Elvi Sidheri: Tre hapat prapa të Padishahut të papërkulshëm
| E Hene, 27.06.2016, 08:00 PM |

Tre hapat prapa të Padishahut të papërkulshëm

Nga Elvi Sidheri

Ndonëse në fakt janë dy hapat e këtillë, gjithësesi, zhvillimet e orëve të fundit, na shpërfaqin edhe njëherë, në qoftë nevoja, sesa fluide është politika në përgjithësi, dhe gjithaq edhe nevojën jetike të regjimit obskurantist të presidentit Erdogan, për të gjetur, për t’u paqëtuar dhe për t’iu lëpirë gjer në vetë-shfytyrim, me fqinjët rajonalë dhe ish aleatët e dikurshëm strategjikë, me të cilët Ankaraja zyrtare është prishur së fundi, apo prej kohësh.

Sot, lajmi i ditës − mënjanë humbjes së Argjentinës së Mesit për të shumtën herë në finale (Copa America) dhe ndeshjes Itali – Spanjë që profilizohet në ajër me gjithë peshën e saj futbollistike −, sigurisht që do të bëhet kërkesë-falja zyrtare, e mishëruar në një letër përdëllyese, që padishahu i pakurorëzuar Erdogan, i dërgon presidentit rus Putin.

Në letrën në fjalë, të konfirmuar si nga burimet zyrtare të presidencës turke, ashtu edhe nga burimet homologe ruse, Erdogani kërkon falje për rrëzimin e avionit rus vjeshtën e shkuar në qiejt siriano-turq, duke shprehur keqardhjen e tij të thellë për incidentin në fjalë.

Ai po ashtu shpreh ngushëllimet e tij të thella dhe shkruan tekstualisht “Më vjen keq” në letrën në fjalë.

Gjithashtu, burimet tregojnë se presidenti turk pranon se ai kurrë s’pati menduar qëllimisht të rrëzonte avionin ushtarak rus.

Në ndërkohë, Erdogani nuk mungon të tregohet i gatshëm për të pranuar çfarëdolloj iniciative që do të shërbente për “t’ua lehtësuar dhimbjen dhe dëmet e shkaktuar nga ky akt”, familjes së pilotit rus.

Evenimenti tjetër i rëndësisë së veçantë diplomatik i ditës, është sigurisht pritshmëria e lartë lidhur me normalizimin e mundshëm të marrëdhënieve mes Izraelit dhe Turqisë.

Siç u shpreh vetë kryeministri turk Binali Jëlldërëm sot (27 qershor), dy vendet së fundi kanë arritur një marrëveshje për t’i normalizuar marrëdhëniet e tyre diplomatike dhe jo vetëm (ekonomike mbi të gjitha), pas gjashtë viteve tendosje të skajshme.

Marrëveshja pritet të nënshkruhet menjëherë dhe pritet të aprovohet nga kabineti qeveritar izraelit si dhe parlamenti i Turqisë, që paskëtaj të shoqërohet nga shkëmbimi i mëtejshëm i ambasadorëve midis dy vendeve (pasi përfaqësimi diplomatik reciprok nuk ishte në këtë nivel që pas krizës së shkaktuar pas ndërhyrjes izraelite në anijen turke “Mavi Marmara” gjashtë vite më parë).

Në ndërkohë, megjithëse Turqisë do t’i lejohet dërgimi i disa anijeve humanitare në Gaza, dhe Izraeli do të paguajë 20 milionë dollarë për familjet e viktimave të atij incidenti, sidoqoftë bllokada izraelite ndaj Gazës dhe pushtetit fondamentalist të Hamasit në këtë rrip toke bregdetar, do të vazhdojë njëlloj.

Përmbledhtas: regjimi erdoganist, i gjendur mes një vale dështimesh diplomatike − me një lufte praktikisht të humbur në fqinjin sirian, ku ëndrra neo-otomaniste për të shtrirë ndikimin e Ankarasë në Siri është copëtuar si qelq i brishtë, nën bombat ruse dhe mbështetjen amerikane për kurdët e urryer nga Ankaraja (që ndërkaq, përbëjnë formacionin e vetëm të armatosur, laik dhe jo terrorist, të pranueshëm njëkohësisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe Rusia); e gjendur në rivalitet thuajse të armatosur me Iranin (gjithmonë për shkak të Sirisë, ku secila palë mbështet formacione të ndryshme ushtarake; sunite apo shiite, pro dhe kundër regjimit të Asadit); me marrëdhënie të acaruara me Greqinë për shkak të krizës së emigrantëve; aspak entuziaste me Bullgarinë, Bashkimin Europian (si pasojë e shantazhit turk miliarda-zhvatës me emigrantët sirianë e irakianë ndaj Brukselit dhe vendeve të BE-së, të cilët Turqia i bllokon apo nis qëllimshëm për në Europë, sipas oreksit); lidhje ekonomike dhe politike të rrënuara me Rusinë, për shkak të veprimit të pamatur, sa edhe të rrezikshëm, të rrëzimit të avionit rus nga aeronautika turke; lidhje të shkatërruara me Izraelin, Irakun dhe çdo fqinj tjetër (patjetër edhe Armeninë, për arsye të vetëkuptueshme) – po nis të lëpijë atë që ka pështyrë apo vjellë vetë për vite të tëra.

Gjë kjo, që rëndom në shqip quhet veçse “zbythje” dhe pikë!

Pa qenë aspak nevoja të rivizitohen apo shqyrtohen “de profundis” (thellësisht) arsyet dhe rrethanat e rrëzimit të avionit rus muaj më parë; gjithësesi ky incident i rëndë, pati përbërë në atë kohë, rastin e parë qysh nga 1945-a e largët, dhe që pas krijimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO), të një përplasjeje të armatosur mes NATO-s dhe rusëve.

As në krizën e raketave bërthamore të Kubës në kohën e presidentit Kenedi në 1962-in, bota s’kish qenë dëshmitare e një zjarri të ndezur mes dy palëve.

Pra, tërheqja e madhe diplomatike e Ankarasë zyrtare sot, dhe e vetë padishahut Erdogan, pas deklaratave të para gjoks-rrahëse për kryeneçësisë erdoganiste, që pati sfiduar Rusinë dhe vetë NATO-n duke qëlluar avionin rus qëllimisht, pas disa paralajmërimeve dhe që do ta bënte këtë gjë përsëri po të vinte nevoja; pas zbythjeve të ngadalta përgjatë këtyre muajve, ja ku erdhi momenti i zbythjes finale erdoganiste, kërkimit të faljes dhe marrjes së përgjegjësisë për aktin e pamenduar mirë (siç duket)...

Duke pranuar kështu haptazi dhe botërisht, se padishahu  Erdogan e ka jorganin ca si tepër të shkurtër për t’i shtrirë kaq shumë këmbët e veta pushtuese dhe rrezen e dënglave neo-otomaniste.

Siria është një skenë konflikti dhe skakierë tepër thelbësore për ekuilibrat botërorë gjeostrategjikë dhe politikë, dukshëm jashtë aftësisë dhe mundësive tejet të kufizuara tashmë, erdoganiste, për t’u faktorizuar mes Fuqive të Mëdha, sidomos SHBA-ve dhe Rusisë, bashkë me tërë faktorët e tjerë rajonalë, Arabinë Saudite, Katarin apo Iranin dhe Izraelin; ndaj dhe sot, ndikimi i Ankarasë në këtë konflikt është shndërruar në tepër të imët, duke u mjaftuar me përpjekjet e pandalura për t’ua pamundësuar kurdëve pjesëmarrjen në tavolinën e negociatave për të ardhmen e këtij vendi pas luftës dhe mposhtjes përfundimtare të Kalifatit.

Gjithaq, hapi i dytë madhor prapa i Ankarasë erdoganiste kundrejt Izraelit, përbën sigurisht një lajm tjetër kuptimplotë.

Pas incidentit të gjashtë viteve më parë me anijen turke të supozuar “humanitare” (të paraprirë nga retorika thuajse në nivelet më antisemite të barasvlefshme me një propagandë terroriste dhe nga mbështetja e hapur e gjithanshme për Hamasin dhe politikën negacioniste ndaj vetë ekzistencës së shtetit të Izraelit nga ky formacion guerrilo-politik fondamentalist)... Ankaraja zyrtare dhe Erdogani, kaluan vite të tërë duke mësyrë gojarisht dhe politikisht kundër Izraelit dhe hebrenjve papushim.

Dhe, kur dukej se secila palë e kish fjetur mendjen për këtë gjendje, sot sërish Ankaraja dhe lideri i saj, shtyjnë përpara në mënyrë krejt të njëanshme procesin e pajtimit politik mes dy vendeve, ndërkohë që qëndrimi zyrtar i Izraelit ka mbetur përsëri i njëjti, Hamasi mbetet një organizatë fondamentaliste, Netanjahu i anatemuar dhe i urryer personalisht nga Erdogani, vijon të jetë kryeministër i Izraelit, Gaza mbetet nën bllokadë, dhe formalisht, Izraeli mënjanë dëmshpërblimit për familjet e të vrarëve, nuk ka lëvizur një centimetër nga pozicioni i vet kundrejt erdoganizimit filo-Hamas, dhe gjithë kësaj çështjeje.

Veç një film krejtësisht antisemit dhe anti-izraelit pati mundur të stisë regjimi i Erdoganit në tërë këto vite, dhe asgjë më shumë (“Valley of Wolves: Palestine” ose në turqisht “Kurtlar Vadisi: Filistin”, një tragjikomedi e turpshme e kinemasë turke, që shërbeu pas incidentit dhe turpërimit erdoganist pas krizës së “Mavi Marmara”, për t’ua ngrehur pakëz majën e krenarisë së squllur ithtarëve të neo-otomanizmit, duke sajuar historira fantazmagorike totalisht të paqena, për një skuadër speciale turke, që gjasme kish patur guximin të shkonte brenda “në gojë të ujkut” në Izrael, dhe të hakmerrej ndaj komandantit izraelit që pati drejtuar sulmin ndaj anijes turke. Ndërkohë që në realitet, mënjanë hakërrimit gojor, asnjë veprim tjetër nuk ish guxuar të ndërmerrej në të vërtetë nga autoritetet erdoganiste. Film me frymë të theksuar antisemite dhe anti-amerikane që ndërkaq për turpin më të madh, u pat shfaqur edhe në kinematë shqiptare në atë kohë. Duke shkelur kështu me të dyja këmbët ndjenjat dhe miqësinë e njohur shqiptaro-amerikane dhe lidhjet shekullore mes shqiptarëve dhe hebrenjve).

Për ta mbyllur, në mos do të ndodhë së shpejti, megjithatë, me kalimin e kohës, padyshim që nuk ka për të munguar, edhe tërheqja e rradhës erdoganiste, edhe ndaj Papa Françeskut.

Vizita historike e Papës në Armeni dhe respekti e mallëngjimi i tij i sinqertë njerëzor përballë vuajtjes së papërshkrueshme të këtij populli si pasojë e genocidit osman të vitit 1915, ku patën humbur jetën rreth 1.5 milionë armenë, të shfarosur qëllimisht nga autoritetet osmane; ndezën pashmangshëm edhe zemëratën e Ankarasë zyrtare, që e akuzoi liderin shpirtëror të mbi një miliard katolikëve si një “Njeri me mendësi kryqëtari”.

Sepse të njohësh dhe ngushëllosh një popull të martirizuar për një gjenocid, do të thotë të kesh një mendësi kryqëtari pra!

Fjalor ky, në sintoni dhe vijë të drejtë me arsyen përse në territoret e Kalifatit sot e kësaj dite, në Raqqa, Mosul apo ndonjë copëz tjetër toke që fondamentalistët mesjetarë akoma s’e kanë humbur − duke ia mbathur me të katërta nga sulmet e kurdëve, trupave lealiste të regjimit të Damaskut, ushtrisë së rregullt irakiane, bombardimeve të Aleancës me në krye amerikanët apo predhave ruse – akoma digjen të gjallë, përdhunohen në masë, theren, lapidohen apo torturohen në mënyrë çnjerëzore ata të krishterë të ngratë që ende nuk kanë ikur dot nga Lindja e Mesme, duke u akuzuar pikërisht pra, edhe në këto raste si “Kryqtarë”!

Të përdorësh gjuhën e Kalifatistëve shtazarakë, për të anatemuar një ndër krerët më paqedashës dhe largpamës, jo vetëm fetarë të botës së sotme, nuk është aspak diçka me mend, aq më pak vizionare apo me ndonjë fitim afatgjatë, por vetëm një dritëshkurtësi e skajshme dhe një autogol legjendar i politikës së sotme turke dhe erdoganiste.

Në stilin e tij të paqtë dhe me elokuencën e tij çarmatosëse, Papa Françesku nuk ngurroi sërish që këtyre akuzave qesharake, t’u përgjigjet saktë e thjeshtë, përmes faktit se “Për të përcaktuar atë që pati ndodhur ndaj armenëve, nuk njihte ndonjë fjalë tjetër përveç Gjenocidit!”

Kaq pra!

Kështu i përgjigjet bota e qytetëruar klithjeve të çakërdisura jashtë kohës dhe hapësirës në të cilën jetojmë, të një regjimi, që përveçse po shtyp përditë e më tepër të gjitha të drejtat themelore demokratike të popullit të vet, njëkohësisht po ndez prej vitesh në zjarr e flakë vendet fqinje, po shkel me tanke të drejtat e minoriteteve të veta të brendshme, dhe po rrënon marrëdhëniet bilaterale më të gjithë partnerët e vet strategjikë, duke i fryrë ndasive mesjetare fetare dhe u rrekur të rindezë hirin e mykur të hijes perandorake neo-otomane.

Dhe, kur je jashtë kohe, atëherë e tashmja një ditë ose tjetrën, të lëshon një dush të ftohtë aktualiteti real.



(Vota: 11 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: