Elvi Sidheri: Bashkimi i vërtetë kombëtar
| E Enjte, 16.06.2016, 09:00 PM |


Bashkimi i vërtetë kombëtar

Nga Elvi Sidheri

Nuk kam qenë askurrë për të thënë të drejtën, partizan i patetizmave të tepruara që (keq)përdorin fort shpesh ndjenjat tona kombëtare, duke u dhënë atyre ngaherë ndonjë tis të lodhur apo të shtirur partiak, rajonal apo të ashtuquajtur shoqëror, në prirjen e vazhdueshme tonën si popull, për të çnderuar të shenjtën, sublimen, të epërmen, hyjnoren, dhe tenduar gjithherë drejt blasfemes, duke rrëgjuar thelbin e kulteve tona gjithëkombëtare dhe i nënçmuar ato gjer në poshtërim...

Jo më larg se këto ditë, nën zhegun e porsa ardhur të verës ende të lagësht, diku dëgjohet himni i flamurit, bashkë me “Rreth flamurit të përbashkuar”, si sfond periferik i një reklame sigurimesh, sikur thua ti, himni ynë pamvarësues, çrobërues dhe çlirimtar, të shërbente si melodi për notat e këngës së kompanisë në fjalë; tjetërkund një dyshek merr vlerat e bashkimit ndërshqiptar që ngërthen në vetvete ekipi ynë përfaqësues, dhe publiciteti në fjalë të thotë e ta plas në fytyrë idiotësinë shpotitëse: “Një komb, një zgjedhje për gjumë...!” si të thuash pra: “Një dyshek i përbashkët!”

Por, mënjanë thagmave përkatëse të pamungueshme në një ambient si ky i yni − i mbarsur në patriotizëm të shëndetshëm, në admirim për djemtë tanë gjithëshqiptarë që po lenë zemrën dhe shpirtin në fushë për ngjyrat e fanellës tonë Kuq e Zi, dhe për gjithë këtë aventurë të jashtëzakonshme shqiptare që prej disa ditësh, për habi dhe shtangie të shumëkujt, po lë pa gojë një botë të tërë futbollistike dhe jo vetëm – Shqipëria mbrëmë, dhe gjithaq edhe të shtunën në pasdreken e herët, fitoi shumë më tepër sesa ç’humbi gjykuar nga rezultati i ndeshjes.

Një 0-1 dhe një 0-2; zakonisht çoku flasin qartë përmes numrave, dhe në futboll nuk mund të kontestohet rezultati i ndeshjes, qoftë edhe kur ti si tifoz, apo si shqiptar mbi të gjitha në këtë rast, ke mëdyshjet e tua të mirëbazuara mbi vërtetësinë e pakundërshtueshme të këtij rezultati.

Në futboll mund të luash mirë, të “hedhësh zemrën matanë pengesës” siç thonë italianët fqinjë, dhe sërish të fitojë kundërshtari; pikërisht ashtu siç bënë francezët në mbrëmjen e 15 qershorit, apo edhe zvicerano-shqiptarët e datës 11 qershor më parë.

Futbolli njeh fitoren, vlerëson lojën dhe përpjekjet e të mundurit, por kurora e dafinave i kushtohet dhe ngre në fronin e artë veçse fituesin.

Futbolli është një sport i mrekullueshëm, por njëkohësisht edhe sporti më mallëngjyes në të tilla raste, ndoshta edhe më i pashpirti me humbësin që i këtillë mund të cilësohet vetëm si pasojë e shifrave në tabelën elektronike, por kurrësesi jo në shpirt, në egon e tij të paepur dhe në sytë e tifozëve të vet, të bashkëkombasve dhe krejt Europës e më gjerë.

Shqipëria, përfaqësuesja jonë pra, si rëndom ka ndodhur përherë, pësoi golat e rradhës në shtesë...

Ngrimë në vend, na u pre frymëmarrja, na u errën sytë, gulçuam, shtangëm dhe gjithçka na u riduk sërish si një histori e riparë dhe e riprovuar...

Humbjet kështu e kanë, sidomos kur me to në fushë, por edhe në jetën e përditshme, ne shqiptarët kudo ku frymojmë, njihemi nga afër dhe ecim krah për krah qysh në natën e kohëve.

Humbjet rëndojnë gjithnjë, por fundja, ne nuk jemi aspak rastësisht populli i Pirros së Epirit, apo jo?

Komandantit dhe mbretit legjendar, që luftoi gjer në ushtarin e fundit epiriot-ilir, për të ngadhënjyer ndaj armikut romak, që po niste apogjeun e dominimit të vet shumëshekullor mbi Mesdhe dhe gjithë botën e qytetëruar antike.

Ne fitojmë në humbje, dhe humbim gjithmonë diçka në fitoret tona!

Është e shkruar të ndodhë në ADN-në tonë shqiptare kjo; të ndodhte ndryshe s’kish sesi!

Shqiptari dhe fitorja janë si dy imazhe që pikasen anasjelltas mes shkretëtirës kohore, fizike dhe mendore, dhe kaq rrallë takohen, por sidoqoftë në ndërkohë ceken e miklohen, gjersa një ditë bashkohen, dhe kur më në fund ndodh të takohen, atëherë ngadhënjimi i shqiptarit shndërrohet menjëherë në diçka me “N” të madhe; në një epope, një epos kreshnikësh apo shpërthim kryeneçësie që kujtesa jonë mbarëpopullore historike dhe bota e madhe, vështirë ta harrojnë dot ndonjëherë.

Jemi popull malesh, dhe historinë e gërryejmë me thonj nëpër shkëmbinj, aty ku dashtë Perëndia ende hap krahët ajo shqiponja jonë dykrenare; simboli ynë që na shpie pandalur shtrënguar fort në kthetrat e saj amënore, përmes tallazeve dhe kreshtës së valëve të detit të trazuar ku bijtë e shqipes − këto qenie kaq unike në veçantinë e karakterit të tyre kaq krenar, kokëkrisur dhe vetëshkatërrues në tendencën e vazhdueshme për t’u ringritur përsëri nga hiri i zjarrit që jo rrallë vetë e ndezim vetëurryeshëm, dhe për t’u bërë brez pas brezi, Feniksë të ringjallur − përçojnë ndër shekuj shqiptarësinë përpara, megjithë barrën e dritëhijeve të panumërta të kësaj ngarkese të padekriptueshme e thuajse të pagjasë gjenetike puro-shqiptare.

Kështu po rrekemi me të gjitha fuqitë − ata lojtarë në fushë, kolegët e tyre në stol, trajneri italian që pas minutave të fundit tragjike të përballjes me Francën, dukej sikur po mbante përmbi shpinë tërë peshën trishtimit gjithëshqiptar, ndihmësi i tij karizmatik, e gjer tek 25 mijë tifozët në stadium – që të korrim një fitore, që vetëmohimin e pakufishëm, ta shndërrojmë në rezultat që të tregojë në tabelë fitoren tonë tanimë edhe “faktike”.

Sepse psikologjikisht, moralisht, meritueshmërisht, njerëzisht, shpirtërisht, botërisht, mediatikisht dhe pafundësisht, në Francë, Shqipëria padyshim që ka arritur të kthehet në simbolin e Davidit që në mos arrin ta mposhtë, megjithatë e telendis për së mbari Golian hijerëndë.

Europa tashmë falë atyre djemve në fushë, na njeh edhe kështu, si burra që nuk stepen kurrë!




(Vota: 17 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: