Ndue Dedaj: Tri ditë në Serbi
| E Diel, 05.06.2016, 02:00 PM |

TRI DITË NË SERBI, ME DHE PA SHQIPTARËT

NGA NDUE DEDAJ

“Udha (nuk) ka vade”

Dikur Udha e Madhe ishte ajo që lidhte fshatin me bajrakun apo krahinën, dy-tri male përtej, apo deri në Prizren a Shkodër. Dikush mund të vente dhe deri në Stamboll, por më së shumti i internuar. Tani bota është bërë një “pëllëmbë” dhe asnjë rrugëtim nëpër udhënajët e qendrat e saj metropolitane nuk të befason më me largësinë. Megjithatë, çdonjëri sosh, dhe në vendet e rajonit, është si një zbulim, ngaqë përmban të panjohurën, të ndryshmen, çka e bën atë të larmishëm. Aq më tepër kur viziton Serbinë. Nisesh për atje, një fundjavë, duke u kujtuar për fjalën e urtë “Udha vade nuk ka”. Çfarë ka dashur të thotë shqiptuesi kanunor me këtë frazë sa poetike, aq dhe filozofike? Vërtet nuk është më ai kuptimi i hershëm, që rrugës nuk i dihet, ajo ka dhe të papritura etj., ama ne nuk hyjmë dot në Serbi nga Kosova, siç do të ishte e mbara, pasi këtë nuk e lejon shteti serb, ndaj do të vemi atje me “krahmarrje”, nga Mali i Zi. Një grup tjetër shqiptarësh, nga rrethet e Jugut, gjithashtu kanë udhëtuar drejt veriut serb, por nga Maqedonia, për 22 orë, në vend që t’i binin nga Prishtina. Pra, tash për tash, shqiptarët vetëm mund të dalin nga Serbia, por jo dhe të hyjnë lirisht. Teksa dikur fluturonte rregullisht aeroplani i linjës Beograd-Tiranë dhe anasjelltas. A nuk do të thotë dhe kjo se rruga nuk ka vade? Nuk iu ditka asaj as në kohë avionësh! Se po të kishte “vade”, shqiptarë e serbë do ta kishin prapë udhën e tyre ajrore dhe jo si në mitologji, ku ajo herë duket e herë zhduket nën krahë brumbujsh fluturues.

Është kohë integrimesh europiane dhe me këtë ndjesi e përshkojmë rrugën nga Hani i Hotit drejt Podgoricës, por sakaq ndihesh “i huaj” më shumë se vula hyrëse në pasaportë, ani se shkel nëpër ish-territoret e tua etnike, për më tepër që fjalori i Akademisë malazeze ende nuk është çliruar nga kinse “albanizimi” (albanizacija), kur e kundërta ka ndodhur me shqiptarët e Tivarit e të tjerë, sllavizimi i tyre. Vetëm vorret e Vuksanlekajt, në hyrje të Tuzit, kanë mbetur autentike-arbnore si në mesjetë, kurse shumëçka është tjetërsuar. Nuk po i hyjmë historisë, se si ka ndodhur me Kongresin e Berlinit e në vazhdim, por në një shtet multietnik, siç na thotë gjeopolitika e sotme ballkanike, lypet të ketë të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët, pavarësisht kombësisë, e nëse është kështu, ku janë librat shqip, gazetat shqipe në Malin e Zi?

Marrim përpjetë bregut të Moraçës, lumit simbol të shtetit fqinj, që derdhet në Liqenin e Shkodrës dhe si një jehonë na vjen “Lahuta e Malsisë” e Gjergj Fishtës, që dikur as që mund të shkohej nëpër mend, jo vetëm këtyre anëve, por as në “krajlinë” tonë komuniste. Por “shefi” ynë i udhëtimit, biznesmeni i njohur i farmaceutikës veterinare, doktor Prengë Pepa, ka qëlluar një idhëtar i poetit kombëtar, që e skaliti në vargje teatrin e qendresës shqiptare në këto vende, ndaj bëjmë me dorë andej nga mund të bien adresat historike-heroike të poemës: Vranina, Kraja, Ljarja, Shestani, Plava, Gucia, Rrozhaja, Bjello Polja etj. Pushkët e historisë janë varur në muzeun e Shtjefën Ivezajt në Tuz, sot është kohë shkëmbimesh kulturore, tregtie të përbashkët, turizmi etj. Jemi nisur për larg e na duhet të ecim, duke shijuar udhën plot larmi natyrore e tunele të vegjël, mbase nja pesëdhjetë të tillë, për të mbërritur fillimisht në vendin e famshëm të skive, Kolashin, ku siç na thanë vijnë herë pas here dhe turistë nga Shqipëria, e më pas në qendrën e vogël të Bjello Poljes. Që në nisje, kurreshtja më e madhe ka qenë Sanxhaku, pak i njohur nga shqiptarët e sotëm, i cili ndan Malin e Zi me Serbinë, duke qenë një pjesë e territorit të tij në të parin e tri në të dytën. Thuhet se Sanxhaku ka identitetin e vet politik, Këshillin Kombëtar, po nuk dimë deri ku mbërrin statusi i tij. Nuk ka si të mos ndjesh keqardhje të thellë kur dëgjon se “shumica dermuese e sanxhakasve janë shqiptarë gjysmë të asimiluar dhe flasin gjuhën sllave”. Mbijetesa e tyre ka qenë e lidhur fort me zakonet e vjetra shqiptare, të Plavës, Gucisë, Pejës etj., por kjo nuk ka qenë e mundur përgjithnjë. Është mendimi se gjatë 50 vjetëve të fundit ata nuk u orientuan as nga Beogradi, as nga Podgorica, as nga Prishtina, duke mbetur kësisoj “jetimë”. Lëmë pas Sanxhakun si një zhgjëndërr dhe ecim bjeshkëve perëndimore të Serbisë, një parajsë e blertë ngado që hedh vështrimin. Këndej duket se nuk ka farka për të prodhuar sharra e sëpata! Siç nuk ka një përzierje kaotike të urbanes me ruralen, vetëm aty ku ajo vjen natyrshëm. Sa herë rrugëtoj maleve të larta si këto me zë malli i krojeve. Jo se nuk ka uji të markave e etiketave të ndryshme nëpër lokalet e drunjta buzë rrugës, por rrugë të tillë mes pyjeve të virgjëra sikur nuk kanë kuptim pa burimet e dlira e oazet gjithë freski, mrizet, kullotat, drurët e harlisur. A thua po i zhduk qytetërimi krojet e rudinave? Kur ja, hasim një krua me një mbishkrim në serbisht, që nuk e kuptuam emri i gdhendur aty ishte i ndërtuesit të kroit, apo i dikujt në zë nga ato anë? Një pushim i shkurtër në Uzhicë dhe makina vazhdon drejt veriut. Nuk të ka ndaluar njeri të të pyesë se kush je e nga vjen, punonjësit e pikave të kalimit kufitar dhe doganor bëjnë detyrën e tyre me korrektesë, si në çdo vend tjetër europian. Ky nuk është një lavdërim, por një standard në Serbi. Njëri nga bashkudhëtarët s’rri dot pa vërejtur se tek ne policët e qarkullimit nuk e kanë për gjë të të dalin përpara në çdo kilometër, nganjëherë me fjalor të vrazhdët?! Ne e duam veten, natyrisht, nuk duhet ta qortojmë vend e pavend, por në këtë rast, më shumë vlen e vërteta.

Novi Sadi, për pak ditë “kryqyteti bujqësor” i rajonit

Kemi bërë rrugë të gjatë që nga Adriatiku, mbi pesëqind kilometra, dhe pasi kemi pirë një kafe në përiferi të Beogradit, kemi marrë sërish udhën drejt Novi Sadit, edhe njëqind kilometra të tjerë, ku mbërrijmë pas orës 22. Fjetja na është rezervuar në “Hotel Park” në qendër. Paraditja e nesërme, me pak shi, është e gjitha bujqësore. Jemi në ish-krahinën e dikurshme autonome të ish-Jugosllavisë, Vojvodinë, ndaj është ajo që e mban dhe peshën në panairin bujqësor “gjigand” të Agrokulturës, që ka pushtuar qytetin nga qendra në periferi, ku janë stallat e lopëve, derrave, pularitë moderne etj. Për të shkuar deri në skaje duhet të përshkosh rrugë e rrugica plot me tenda të mbushura me pajisje dhe mallra bujqësore e blegtorale, ku vizitorët e panumërt i presin e përcjellin tregtarë të shumtë, zejtarë, mishpjekës etj., që reklamojnë prodhimet e tyre. Bien në sy prodhimet e fundit të mekanikës bujqësore, makineri nga më modernet të markave japoneze, koreane, kineze, gjermane, italiane etj., traktorë, autokombajna, freza, përpunuese të qumështit, çdo gjë që i nevojitet bujkut, blegtorit, bletarit, njeriut të lidhur me fermën dhe fshatin, nga plugu te traktori. Mund të gjesh dhe qumësht blete. Njerëzit nuk e kanë lëshuar punën. Takon aty vizitorë nga Korça, Vlora, Lezha, Tirana, Prishtina, biznesmenë kosovarë në Gjermani etj. Nuk mungojnë as kinezët. Këmbehen adresa kompanish, pihen kafe pune mes tregtarëve, nisin marrëveshje, bëhen blerje mallarash etj. (Ishim të pranishëm kur dy sipërmarrës, njëri nga Shqipëria dhe tjetri nga Beogradi, lanë një takim në Tiranë.) Një shkollë domethënëse për të gjithë ata ballkanas që i kanë lënë tokat djerr, në kërkim të “mushtit” të qyteteve. Na thonë se ky është një panair që zhvillohet njëherë në një apo dy vjet dhe ka gjithnjë dyndje fermerësh nga të gjitha anët e rajonit. Novi Sadi është qyteti i dytë pas Beogradit dhe dikur ka qenë kryeqyteti i Vojvodinës. Fushë, fushë dhe prapë fushë, do të thoshte Naimi ynë, por një fushë me bimësi, rregull, rrugë moderne, që venë si për Beograd, ashtu dhe për Budapest etj.

Beograd, një darkë mbi Danub me “Solomon”...

Beogradi është një qytet europian që e ruan stilin e vjetër perandorak në arkitekturën e banesave, monumenteve, siç është i ri e modern në lagjet si Zemuni etj. Është qyteti ku takohen Sava dhe Danubi si dy “dashnorë” që kanë shtegtuar gjatë për te njeri-tjetri, ku shuajnë “etjen” mijëra dashuri njerëzore. Duke qenë të lundrueshëm, jo vetëm të shkojnë mallin e detit, por kryejnë deri diku dhe punën e tij. Darka jonë me pak shi shijon më shumë mbi Danub, në një traget që si një luan i mplakur e ka ndalur përgjithnjë turrin dhe është lidhur me bregun me anë të një ure metalike, duke u kthyer në restorant për turistët. Peshku “Solomon” është dhe i preferuari ynë për darkën, me muzikë të ëmbël sllave etj. Danubi na përkund lehtë mbi valë dhe dikush nga ne kujtohet për “Titanikun”. Për shkak të kohëqendrimit të shkurtër nuk e kemi mundësinë të bëjmë një shëtitje nëpër Danub, siç është rituali i atyre që vizitojnë Beogradin, qytetin e një 1.7 milionë banorërve. Danubi është lumi i kryeqyteteve të Europës, ndoshta ka qenë ekzistenca e tij që i ka tërhequr qytetet drejt brigjeve të tij, pastaj njerëzit janë treguar të panginjur me lumin, sa i kanë hipur përsipër me ura, si në të gjitha qytetet e globit me lumë përmes. Me Danubin jemi takuar pesëmbëdhjetë vjet më parë në Vjenë, i njëjti lumë madhështor, poetik, me zogj të kaltër e pastërti. Ikim nga lumi për të soditur për pak çaste rezidencën e Josif Broz Titos. Më tej, mes dhjetëra hoteleve, është ai me emrin “Jugosllavia”. Janë objekte apo shenja të tilla që i kujtojnë vizitorit federatën e dikurshme me 6 republika dhe dy krahina autonome. Muzeu i Popullit, stoik dhe i heshtur. Para tij këndojnë artistë grekë, të veshur me kostume popullore, që ndihen si në shtëpinë e tyre. Është afërsia e dy popujve dhe magjia e artit që krijon harmoni. Çfarë duhet të përmbajë ky muze, kur është fjala për shqiptarët? Mbase diku në kasafortat e tij të hekurta është strukur e “mërdhih” ajo marrëveshja e Nikolla Pashiçit me Ahmet Zogun me 1924, bërë në ndonjërën nga këto rezidenca të vjetra, memece, kur patëm humbur Shën Naumin etj. Nuk dëshirojmë të përpihemi nga historia dhe gjyqi i saj i pashmangshëm, kemi thënë se është kohë integrimesh dhe duam të mendojmë si qytetarë të sotëm të rajonit, çfarë mund të bëjmë së bashku, përtej kortezisë qeveritare të dy vendeve. A po fryn më të vërtetë një erë e re në marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve? Në librarinë qendrore të Beogradit gjen libra të pafundëm në të gjitha gjuhët, ku bie në sy nobelisti Ivo Andriç, por nuk na zunë sytë asnjë titull në shqip, ndërkohë që Danillo Kish e shkrimtarë të tjerë serbë janë përkthyer në shqip prej tridhjetë vjetësh dhe i gjen në çdo librari. Nuk është as Ismail Kadare dhe kjo është çudia më e madhe. Nuk ka libra të shkrimtarëve të Kosovës, por as atyre të Luginës së Preshevës, megjithëse këta të fundit janë nënshtetas serbë. Nuk jemi për t’i kujtuar askujt asgjë, pasi jemi thjeshtë vizitorë, por fjalët e bukura të Brukselit për bashkëpunimin mes shqiptarëve dhe serbëve këtu sikur vijnë e zbehen.

Por lajmi i mirë është duke ardhur, të paktën në rrafshin kulturor. Mbrëmjen e së mërkurës, me 25 maj, sopranoja e shquar Inva Mula interpretoi në Teatrin e Beogradit “La Bohem” të Giacomo Puçinit, luajtur në të njëjtën skenë 71 vite më parë dhe nga Tefta Tashko Koço, duke bërë që historia të përsëritet bukur. (Dy ditë më parë artisja e madhe u prit nga Kryeministri Aleksandër Vuçiç.) Në vitin 1936 në kryeqytetin serb pati luajtur në teatër dhe Aleksandër Moisiu, duke iu përgjigjur me atë rast dhe pyetjes së një gazetari serb, për origjinën e të parëve të tij, ku artisti i madh deklaroi se ata rridhnin nga Mirdita. Tek përshkojmë rrugët e kryeqytetit serb, kujtohemi për shenjat tona këtu, që gazetari i “Top Channel”, Idro Seferi, i ka përcjëllë në ekran, nën okelion “Shqipëria” e Beogradit. Një lagje e vjetër thirret “Rruga e Skënderbeut”, po ashtu dhe “Rruga e Shkodrës”, ngaqë aty mblidheshin tregtarët shkodranë. Në sheshin kryesor ishte dikur dhe kafene “Albania”, si dhe pallati që ende mban emrin e Shqipërisë, edhe këto të lidhura me tregtinë. Sido të kenë qenë marrëdhëniet politike, ekonomia mes dy vendeve asnjëherë nuk është penguar. Në kohën e monizmit, mallrat që çanin “bllokadën” revizioniste ishin mineralet: kromi, bakri, hekur-nikeli, po dhe frutat, perimet, bimët mjekësore dhe mbreti i pijeve tona, konjaku “Skënderbeu”. Kurse nga kufiri verior hynin pajisje elektroshtëpiake, linja industriale të markave serbe etj. Pa ndonjë diplomaci ekonomike të dukshme, janë sërish shkëmbimet tregtare mes serbëve e shqiptarëve që e kanë traun e doganës të ngritur. Serbia ka një sipërfaqe tri herë sa Shqipëria, 83.4 mijë kilometra katrorë dhe një popullsi afërsisht dy herë më të madhe, 7.3 milionë banorë, me mundësi të mëdha bashkëpunimi në sipërmarrje, investime, turizëm, kulturë etj. Por së pari pak më shumë miqësi!

Presheva, dhimbja jonë e pafjalë

Rruga nga Beogradi në Nish, 225 km, përshkohet me kënaqësi, pasi jemi duke shkuar jo vetëm drejt njërit nga qytetet më të njohur të Serbisë, por njëherësh dhe për kah “Guri i Shpue” në juglindje, ku zgjatonin trojet tona etnike. Një rrugë e paqtë, e mirëmbajtur, me pjerrinat anësore të mbjella me bar të sapokositur. Toka bujqësore nuk është e zënë në asnjë cep. Diku shihen serat e perimeve, të përqendruara. Nuk e kanë mbytur rrugën në të dy anët karburantet, restorantet, ngrehinat e panevojshme. Natyra ishte gjithkund bujare dhe njerëzit fisnikë me të. Ata e kanë kuptuar se ajo nuk iu përket vetëm atyre, por gjithë breznive që vijnë e ikin mbi këtë tokë. Të duket se fshatrat e rrallë kanë ngrirë në kohën e Titos, nuk shihen vila të mëdha nëpër to. Gjithsesi, vëzhgimi ynë është i mangët, me çfarë pamë kalimthi, apo gjatë ndonjë ndalese të shkurtër.

Dëshira për ta parë Nishin ishte e dukshme, aty pati mbërritur Skënderbeu me treqind trimat e tij, kur qe arratisur nga Kostandinopoja, për të marrshuar pastaj drejt Krujës. Por asnjë gjurmë e tij, as e shqiptarëve të mëvonshëm, asnjë basoreliev se ky vend dikur ka folur e kënduar shqip. Vendi që i ka dhënë njerëzimit një perandor të ndritur të ligjit, Justinianin e parë. Pasi kemi shkrepur disa herë aparatin buzë lumit të Nishit, kemi marrë autostradën e Vranjas që vete për në Shkup, e cila po ndërtohej e re në pjesën lindore, për t’u kthyer diku në Luginën e Preshevës. Bujanovcin e lëmë në të djathtë dhe mezi presim të shihemi me shqiptarët e Preshevës, por pamja e qytezës është jo pak e trishtueshme për sytë tanë, pa shëtitore të mirëmbajtura, pemë dhe hijeshi. Rruga në hyrje e arnuar më copa asfalti në gjithë gjatësinë e saj, ngjan si një “hartë” e zvjerdhur. E vetmja bukuri që të zë syri është banderola e madhe me fytyrën e kandidates për deputete, Ardita Sinani, në ballinën e një ndërtese. Shqiptarët e këtushëm përfshihen në Serbi, por jo dhe urbanisht. Kanë mbetur as të nënës, as të njerkës. Kohët e fundit e kanë vizituar Preshevën, njëri pas tjetrit, Kryeministri i Shqipërisë, Rama dhe ai i Serbisë, Vuçiç. Njerëzit presin një tjetër qasje të Beogradit ndaj tyre. Pse jo dhe të Tiranës e Prishtinës? Por nuk janë të gjitha të këqiat që vijnë nga “lart”. Askund në bjeshkët e Serbisë nuk na zunë sytë plehra, përpos se në malin e begatë mes Preshevës dhe Gjilanit, kthyer në shesh të hedhjes së mbeturinave të qytezës. Çudi se si plehrat shtegtohen lart e më lart, duke ndotur pyjet, krojet dhe turizmin. Nuk janë vetëm të tjerët që nuk na duan, por nganjëherë nuk duam as veten. Sigurisht që do të kishim dashur një tjetër mbyllje për këtë reportazh, por as pamja e Gjilanit nuk na e mundëson këtë. Duhet të shkosh deri në Prishtinë, për t’i ndjerë ritmet e zhvillimit bashkëkohor…



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: