Fotaq Andrea: Miss USA - Votoni Serena Buçaj
| E Shtune, 04.06.2016, 03:11 PM |

VOTONI: http://vote.missusa.com

VOTA SHQIPTARE MUND TA KUALIFIKOJE

Serena Buçaj SI MISS USA 2016

BIJËS SONË SERENA BUÇAJ, PRINCESHË SHQIPTARE E BUKURISË,

QË DI TË RENDË ME HAP SHTOJZOVALLEJE

– Letër nxitëse e thirrjeje për shqiptarët

Nga Fotaq Andrea

E dashur Miss Serena, bija-motra jonë,

Në këto ditë të shënuara për ty e për gjithë shqiptarët, kur po votohet Miss USA 2016, më lejo të të dërgoj - si kurorë nga Panteoni i lashtë i bukurisë shqiptare - këto fjalë zemre për t'u ngrohur dhe ndjerë edhe më krenare, për t'i dhënë edhe më shumë hir e nur bukurisë tënde vezulluese me aureolë agimesh të bjeshkëve të dheut tonë.

Me të drejtë Beqir Sina të pagëzoi "Princeshë shqiptare e bukurisë", kur je shpallur tashmë "Miss Bukuria" e New Yorkut dhe kur po konkurron denjësisht për më tej. Më lejo me këtë rast të të kujtoj se Gjeniu shqiptar Faik Konica, një ndër etërit themelues të Shoqërisë "Vatra" – e cila sot drejtohet plot patriotizëm e përkushtim nga yt gjysh Dr. Gjon Buçaj – shkruante në frëngjisht tek "Albania" e tij që më 1897 një shënim titulluar "Më të bukurat", ku thotë: " Shqiptarkat janë përgjithësisht të një bukurie mahnitëse. Por askund tjetër kjo bukuri nuk është aq mrekullore sa në Lahnokastër. Ky fshat i hijshëm, me shtëpiza plot dritë nga bardhësia ndodhet në komunën e Voshtinës (në Shqipërinë e Jugut). Linjë e derdhur trupore, floknajë e vrrullshme, sy magjeps, pamje të madhërishme plot qetësi e hijeshi, kostume piktoreske; - ndoshta është fshati i vetëm në botë ku nuk mund të gjesh kurrsesi gra të pahijshme dhe ku bukuria është aq pranë idesë së përsosmërisë." (Albania", nr. 5, 30 korrik 1897, f. 87.)

Ja Serena, fjalë mjeshtërore nga Konica, që ka shkruar dhjetëra faqe për vashat shqiptare, për emancipimin dhe rolin e tyre në familje e shoqëri, që nga Mrika 16  vjeçare që i shpëtoi jetën në fushë të betejës Kryetrimit shqiptar Skënderbeu e gjer te Shega e "Lules së Maleve", që nga Helena e Trojës, simbol i bukurisë e "i zjarrit që ndezi vetë" gjer te  Greta Garbo "Hyjnorja", të cilën Konica e adhuronte dhe admironte me sy prej sfinksi.

Por le të mos shkoj më tej, dhe më lejo, Zonjushë Serena – sa fjalë të bukur ka gjuha shqipe që nga "Zot-Perëndi" bën femëroren "Zojë-Zonjë" në shkallën më të lartë të dinjitetit femëror dhe që këtej "Zonjushë – Mësuese" – më lejo pra, të të  bëj me dije se 76 vjet më parë, në maj 1935, në Orientin ende të paemancipuar, ku gratë edhe sot mbajnë perçe, konkretisht në Tunis, kryeqyteti i Tunizisë, shpallej "Miss Bukuria" një shqiptare: Jorgjeta Temo (Georgette Temmos), me siguri pinjolle nga familja patriotike shqiptare e Ibrahim Temos. 20 vjeçarja Jorgjeta, që ruante ende theksin shqiptar karakteristik në të folurën e saj, do mbante kësisoj lart "flamurin e sharmit sekret të Orientit", siç shprehet revista franceze "Afrika e Veriut" e 16 majit 1935 dhe do të konkurronte atë vit për titullin Miss Europa në garën ndërkombëtare të bukurisë në qytetin britanik Torquay.

Po në atë periudhë do vërejmë se piktori i famshëm botëror Henri Matisse, në një cikël vizatimesh e tablosh të viteve 30 të shekullit të kaluar, titulluar "Tema e Variacione" (170 vizatime) ka në qendër të tyre edhe një modeliste me origjinë shqiptare (nga nëna dhe babai) që quhet Nezi Hamide Shefqet, ish stërmbesë e sulltanit Abdyl Hamidit me një bukuri të përkryer. Tabloja e Matisës që ka pra në qendër 22 vjeçaren "Nezi shqiptarja" u shit më 1998, 44 milionë stërlina në ankandin Sotheby's të Londrës, një çmim ky rekord.

Por, duke u kthyer tek ti, bija e motra jonë Serena, me këtë emër të lashtë latin që ngjall qetësi e lumturi shpirtërore të kulluar, nuk ka si të mos sjellim ndër mend përshkrimin më të përsosur që i ka bërë vashës shqiptare francezi Pukëvil, tek i shihte ato, që në fillim të viteve 1800, si shtojzovalle të vërteta, me bukuri hyjnore, që kullosnin bjeshkëve bagëtinë, me të vetmin rojtar një qen molos besnik, që çapitnin lehtë, me hap vallëzues tek rrihnin ajrin me tingëllat e tyre të praruara mbi gjoks, në atë krahol të shtrënguar mbi xhubletën 3000 vjeçare ku vetëtinte mbi brezare një dorezë kame për të vetmin mjet mbrojtës të tyre. Ato vasha shqiptare, që u këndoi Lord Bajroni dhe i personifikoi te "Hajdeja" e tij, ato që vetë "Zoti u shtonte vallen" në Eposin e Kreshnikëve, ato që kënga iso-polifonike himarjote i quante "Vajza të Valëve", ato ishin dhe mbetën kështu simbol i bukurisë femërore shqiptare. Simbol bukurie, për nga floknaja rica-rica pis e zezë apo për nga gërshetat leshraverdhë të Bejkës së bardhë të malit, me sytë e tyre të zgjuar e  zhbirilues, me gojën kuti e dhëmbët inxhi, me qafën si sorkadhe mali dhe faqkat kuq si molla, me lëkurën bardhëllore si qumështi i dhisë, simbol i zanave dhe i përkrenares skënderbejane.

Sepse, Miss Serena, ti engjëll i bukurisë shqiptare, me siguri e di nga prindërit dhe familja që Olimbia, e cila lindi Aleksandrin e Madh, ishte iliro-molose-shqiptare; se mbretëresha Teuta arriti të sfidojë për tre vjet rresht Romën e lashtë dhe Senatin duke kontrolluar Adriatikun me flotën e saj; se princesha Argjiro, së bashku me Rozafën e Kalasë së Shkodrës, po edhe me Gratë suljote më pas, vërtet do të flijoheshin, por gjoksi i tyre do vazhdonte të pikonte jetë për të mëndur foshnjat;  se Shkëmbi i Ruginë Balshës në Llogara edhe sot vazhdon të rënkojë për krejt dhembjet historike të nënave shqiptare; se Vojsava do shihte në ëndërr një dragua tek do lindte dragoin shqiptar Skënderbe; se Donika 20 vjeçare do martohej me të dhe do mbronte kalanë e Krujës, kryeqytetit mesjetar të Arbrit; dhe se, më në fund,  bukuroshja Shote Galica, ashtu si Janica, Zhan d'Arka shqiptare, do udhëhiqte çetën e saj patriotike për liri me tërë ata burra mustak-rëndë dhe, tek do plagosej në kofshë, nuk do pranonte assesi të shihej nga sy mashkullorë, por do nxirrte fillikat vetëm rrëzë shkëmbit plumbin në këmbë me plumb, duke qëlluar drejt e mbi plagë, që do ta përthante më pas me raki, barot e duhan. "Hej grua shqiptare që ke ditur të lindësh burra!", do mund të thërriste atëherë nga shpirti shqiptaro-rumunia Dora d'Istria, princesha e kulturës evropiane, me një bukuri e sqimë të rrallë, plot sharm, për nder të së cilës në Paris do ndiqej "Moda Dora d'Istria".  Pale të shikosh fotot me bukuri të rrallë të Sadije Toptanit në shekullin XIX, Nënëmadhes së familjes mbretërore Zogu, apo të mbretëreshës Geraldina , e cilësuar kohët e fundit nga të huaj si e denjë për të qenë "Yll Hollivudi".

Ti Serena i di këto, se në deje të vërshon shqiptari, dhe ne, duke të shikuar të parakalosh në piedestal të bukurisë si sirenë e zanë mali shqiptare, domosdo do shkojmë ndër mend bukurinë hyjnore të Shën Angjelina Komnenës, dashurinë qiellore të Zojës së Shkodrës, pajtores së Shqipërisë, ajo Nan e Kshillit t'Mir për të cilën aq bukur këndoi e u lut At Fishta madhështor : "Të falemi, o Mri! virgjina e dlir', .../  O nana e bukur e K'shillit t'Mir; / Lutu, po, e derdhi hiret e m'dhaja / Si n'kohët e mocme n'kishë te Kalaja,/ Ku t'lutej Shkodra plot me dobi; /Të falemi, o Mri, të falemi, Mri!"

Ja, me këto lutje qiellore në gojën e poetit gjeni që dalin nga shpirti shqiptar, do dëshironim - o Serena, o yll i bukurisë, o e adhuruara e Perëndisë! - të merrje ti tërë votat e shqiptarëve të Amerikës, për t'u shpallur MISS USA 2016. Sepse për mrekulli, ky vit përkon edhe me shpalljen e "Nënë Terezës Shenjtore" në 4 shtator nga Papa Francesku, një ngjarje kjo madhore për popullin tonë që nxori nga gjiri i tij Nënë Terezën – Shenjtorja botërore e Bamirësisë.

SHQIPTARË, OBURRA VOTONI PRINCESHËN SHQIPTARE TË BUKURISË!

Një falënderim gjigand për Serenën, që po na nderon!

VOTONI: http://vote.missusa.com



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: