Dedë Preqi: Intervistë me këngtarin Tush Gjakova
| E Merkure, 18.05.2016, 07:38 PM |

JETOJMË BASHKË ME KËNGËN NË MËRGIM!

Nga Dedë Preqi

Edhe vaji edhe gëzimi janë pjesë të jetës, pa të cilat jeta nuk do të kishte kuptim, por sot, nuk është më ai vaji kur largoheshin  mërgimtarët prej familjes dhe prej atdheut, ndryshe duket gëzimi kur ai sot vijnë në trojet e veta, prandaj,  të gjitha këto peripeti këngëtari i ligjëron  përmes këngës, e cila është ajo që i trajton dhe shëron plagët e jetës, kështu e fillon fjalën këngëtari i njohur në mërgim zotëri Tush Lazri, apo siq e quajnë Tush Gjakova.

Pse të quajnë Tush Gjakova?

Keni të drejtë në pyetje, por megjithatë në këtë drejtim sëcili mundohet të prezentojë origjinën dhe rrugën e fshehtë të ndonjë dëshire, ndonjë ëndërr e cila do të ishte e fshehtë në thellësinë e ndjenjës, që mund të ushqejë atë që të rrah zemra, vendëlindja dhe origjina edhe pse ndonjëherë e ndrydhim pa nevojë nganjëherë botën intime gjatë portretizmit tonë në një botë tjetër, por, ajo që na mbanë dhe na ruan identitetin tonë kudo që shkojmë , është kultura dhe kënga si pjesë e lëndës kryesore dhe origjinale.

Keni filluar të këndoni që në bankat e shkollës fillore?

Ashtu është, kurgjë nuk fillon vetëvetiu, nëse nuk e përfillë me kohë, ashtu edhe unë si dashamirë i këngës, këtë natyrë e fillova që nga bankat e shkollës fillore. Por, dashuria për një art, apo për një shërbim të tillë, aftësohet vetëm përmes vullnetit dhe talentit që posedon njeriu, prandaj edhe unë e kisha një ndjenjë të lidhur me dashurinë për këngën, e cila më lindi që në moshën  rinore, të cilën e vazhdova deri me sot me plot pasion.

Edhe këngëtar edhe mërgimtar?

Unë nuk munda ta ndajë këngën dhe kur vendosa të marrë rrugën e mërgimit, që nga viti 1994, edhe këngën e mora më vete, të cilën e ruaj në shpirt, sepse përmes këngës edhe punën e përballojmë më lehtë, e cila më jep vullnet dhe më bënë të ndjehëm më mirë. Kështu që, pesë ditët e javës i  kalojmë në punë, ndërsa dy ditët tjera në fund të javës, jemi gjithnjë në organizime të ndryshme dhe ahengje, sidomos në dasma ku kërkohët më shumë në diasporë, poashtu edhe në Kosovë.

A e ke trashëgim këngën dhe muzikën?

Sigurisht që trashëgimia është ajo që e lidh natyrën e kësaj gjënie artistike dhe argëtuese, por diferencimet janë të dukshme, sepse atëherë këndohej në vertëtësinë e kompleksit historik, që përmes këngëve  folklorike  është përcjellë dhe ruajtë historia e jonë kombëtare, andaj  sot nuk mundemi ti shmangëmi këtyre natyrave autentike, por se është e mundur që sot, përveq tarshëgimisë si burim, të lindin edhe ide të tjera, sidomos të kohës bashkëkohore, të cilat si tërësi e nxjerrin idenë qëndrore, duke ia përshtatë kohës, por gjithmonë duke e ruajtë dashurinë dhe trungun që na bashkon, posaqërisht për atë që kemi mallë më së shumti, kuptohet për atdheun.

Sa projekte, apo videoklipe i keni realizuar?

Kam realizuar disa albume me këngë popullore, poashtu edhe videoklipe dhe këngë të tjera, ndërsa tani në kohën e fundit kam realizuar në Tiranë, videoklipin më të ri me këngën „Se pranoj“, një baladë, cila do të shijohet në fund të majit të këtij viti, me tekst të z.Bica, nga produksioni Sward, e cila do të lansohet në music AL,TV.

Këndoni përveq me disa këngëtarë të tjerë edhe me vellezër?

Kuptohet se muzika dhe kënga nuk bëhën vetëm, sidomos ne që këndojmë nëpër  ahengje të ndryshme dhe dasma, ashtu edhe unë këndoj të shumtën e herave me vëllezërit e mi, Prenin dhe Tomën, ndërsa në këtë sezonë shoqërohem edhe me këngëtarët e njohur Lule Bajra dhe Shkëlzen Shpenadia.

Trashëgimtarët e juaj a e duan muzikën?

Trashëgimtarët e mi janë Luisa dhe Luisi, të cilët e duan këngën dhe muzikën, por edhe shkollën. Luisa vazhdon gjimnazin dhe ushtron klavirën, ndërsa Luisi është më i vogël, por ka pasion në shumë instrumente.

Sot kemi shumë këngëtarë, të cilët këndojnë nga diaspora?

Diaspora është padyshim vendi ku përveq punës edhe muzika e ka vendin e vet të avansuar, pothuaj dhe më fisnikja, për arsye se tingëllon bukur dhe shpirti e dëshirion atë. Prandaj, ne këngëtarët kemi qëlluar sikur zogjtë Gerdelina, të cilët këndojnë ëmbël dhe kudo, ashtu edhe prezenca e jonë është me këngët tona në këtë mënyrë, për të argëtuar diasporën tonë kudo që gjindet.

Dikush ka lindur bashkë me këngën, apo?

Është e mundur se kënga bartet edhe si trashëgim, por nëse kënga nuk ka talent dhe përkushtim, ajo nuk mund të kultivohet si duhet. Një pjesë e madhe e këngëtarëve, këngën dhe muzikën e bëjnë për përfitime materiale, ndërsa një pjesë tjetër muzikën dhe këngën e kanë hobi, të cilën e kultivojnë në shpirt, që ndoshta do të ishte edhe një përparësi e qëlluar. Edhe pse shumica e këngëtarëve nuk janë të gjithë profesionista, më rëndësi është se, për ne shqiptarët që jemi të shpërndarë nëpër vende të ndryshme të botës, përmes këngëve dhe melosit tonë popullor e folklorik, ruhen traditat dhe trashëgimia e jonë kulturore.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: