Drita Lushi: Dallgë malli
| E Shtune, 14.05.2016, 06:56 PM |

Drita Lushi

DALLGË MALLI

Libër me poezi nga Sabit Abdyli.

-Mendime-

Zjarr është poeti, zjarr!

Digjet të djeg pore, që përpushen si yje,

Ngroh në acar dimërak,

freskon në vapë përdëllese.

Libri më i ri i autorit Sabit Abdylit,titullohet “Dallgë malli”dhe  ndahet në katër pjesë : “Mall”, “Imazh”,”Kapriҫoze” dhe “Qiellit të saj”

Poezitë e Sabit Abdylit, kanë një shtrirje kohore të konsiderueshme ҫ’ka tregon, që ndjeshmëria fle me poezinë, në të shkuarën, të tashmen dhe do të rrugëtojë edhe në të ardhmen e poetit.

Ato janë të shkurtra, por përҫojne një peshë emocionale të madhe të autorit ku ndihet malli për Atdheun, që vjen herë si dallgë e herë i qetë por nuk shuhet kurrë.

Ndoshta këto poezi, bëjnë shpirtin e poetit të shuajë brengën e largësisë nga Kosova.

Atje në Aukland,veҫ familjes edhe poezia i qetson dhimbjet e shpirtit e të largesisë dhe ai vazhdon shqip të derdhë zemrën ne vargje

në secilin varg timin një zog
thur një baladë
”, shprehet autori në poezinë “IKE”sepse vetë jeta me të priturat dhe të papriturat është një baladë, një histori, që vetem autori di ta shkruajë dhe lexuesi ta përjetojë përmes vargut, dhe zogjtë jane kënduesit me zërin e poetit.

Ai i zgjedh fjalët dhe vargjet vijnë natyrshëm, lirshëm janë të prekshëm, te ndjeshëm, të butë si malli…Ai përdor gjithë spektrin e figurshmërisë në poezitë e tij të cilat lexohen lehtë dhe të ngelen në kujtesë.

“Shi i ftohët bregut oqeanit,
mot me diell te ju.
Dallëndyshet ju erdhën,
thanë gjë për ne:
ju folën për dhembjen, 
rrugën e kthimit?”

shprehet autori në poezinë, “Jetë bore” ku ҫdo varg flet aq shumë, dhe ҫdo koment, do ia zbehte vleren.

Libri trajton një larmishmëri tematikash, që nga përditshmëria, atdhetarizmi, dashuria për vendlindjen, vargjet për figura historike të vendit të tij, por edhe për njerëz të veҫantë, që kanë lënë gjurmë në jetën e shkrimtarit

Ai është larg, dhe vargjet e tij duket sikur zbresin në lexim me aromë deti, oqeani, qielli, toke me ngjyrat e diellit dhe fshehtësinë e reve dhe ke dëshirë t’i prekësh me lexim e sy, ti kesh pranë ti rilexosh teksa i ndjen varg, pas vargu.

Vargjet shprehen lirshëm dhe vijnë qartë dhe pastër tek ne, nuk kanë rimim apo skemë te caktuar, por janë te sakta dhe estetike.

Libri “Dallgë malli” është një prurje me vlerë, në letersinë e shkruar shqipe, që vlen të lexohet, jo vetëm nga emigrantët,por edhe nga ҫdo shqiptar, që e do poezinë.

Sabit Abdyli eshte një shkrimtar i kompletuar me prurjet në proze dhe poezi. Botimet e tij,tregojnë qarte shpirtin prej artisti te pjekur, qëmtues i vemendshëm i ngjarjeve, ҫasteve dhe ngritjen e tyre mjeshtërisht në artin e fjalës.


Drita Lushi - Tiranë, maj 2016

(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: