Elvi Sidheri: Mrekullia izrealite në 68 vjetorin e krijimit të Izrealit
| E Shtune, 14.05.2016, 07:08 PM |

Mrekullia izrealite në 68 vjetorin e krijimit të Izrealit

Nga Elvi Sidheri

Në këtë përvjetor të krijimit të shtetit hebre, mënjanë rrëfenjave të zakonshme të njëanshme mediatike për ditën e së ashtuquajturës katastrofë palestineze (Izraeli u pat themeluar me një vendim historik legjitim të Kombeve të Bashkuara, të votuar edhe nga Shqipëria në kohën e vet, që territorin e ish mandatit britanik të Palestinës, e ndante mes hebrenjve dhe palestinezëve; të refuzuar në mënyrë të dhunshme në bllok nga tërë vendet arabe, me pasoja katastrofale për popullin palestinez), del nevoja të thuhen disa të vërteta për këtë vend dhe popull mik.

Më tepër se kremtimi i kësaj date, do të ishte me vend të kujtohej, të çmohej një vend që në njëfarë mënyre është kthyer në një paradoks, tejet i vogël si shtrirje gjeografike, por i jashtëzakonshëm në vlerat që ngërthen në vetvete: i ndodhur gjeografikisht në portat e Orientit, ky vend përbën ndoshta bastionin e fundit të vlerave që dikur përhapte dhe mishëronte Perëndimi.

Sepse megjithë dritëhijet e veta, ashtu si në çdo vend tjetër të botës, historia e Izraelit ka të bëjë me mbrojtjen thelbësore të vlerave – të demokracisë, të të drejtave të njeriut, të ndarjes mes pushteteve të ndryshme institucionale – që në pjesën tjetër të botës së qytetëruar, gjithmonë e më tepër mbrohen vetëm vetvetiu, pa përkushtimin e duhur.

Israeli do të lindte në një ambient tejet armiqësor, në të gjitha kuptimet, me vendet fqinje që nuk e pranonin dhe e urrenin ekzistencën e tij, gjë që shumica syresh përveç Egjiptit dhe Jordanisë, vijojnë ta bëjnë akoma sot, me një natyrë të vrazhdë, me burime natyrore thuajse krejtësisht të munguara... Kështu që ky vend do të piqej duke u mësuar të bashkëjetonte me vështirësitë, me armiqësitë.

Gjë që nuk do ta pengonte që të përbënte ndoshta eksperimentin më të jashtëzakonshëm të integrimit të shumanshëm që ndonjëherë të kish ndodhur në çfarëdo shoqërie njerëzore: aty ku bashkëjetojnë në paqe – ose së paku thuajse paqësisht – njerëz me origjina nga më të ndryshmet, secili prej tyre me trashëgiminë e vet përkatëse kulturore, ortodoksë hebrenj që ndjekin përpikmërisht parimet e Torahut, agnostikë dhe ateistë; njerëz që ia përkushtojnë jetët e tyre ushtrisë dhe pacifistë; familjet më tradicionale dhe komunitetet më liberale që mund të hasen në mijëra kilometra nëpër atë rajon të shquar për prirjet mbytëse ekstremiste. Ku bashkëjetojnë gjithashtu komunitete druze, të krishterë të shumë kishave të ndryshme (mbi 160 mijë syresh, i vetmi komunitet i krishterë në Lindjen e Mesme, në rritje të vazhdueshme), dhe padyshim, edhe myslimanët, më shumë se një milion, që gjithaq kanë fatin të shijojnë të drejta të atilla që në shumicën dërrmuese të vendeve arabe do të përbënin një ëndërr të ndaluar.

Dhe e gjitha kjo ka qenë e mundur, është ende e mundur, pikërisht falë faktit se përmbi secilën prej këtyre diferencave, qendron një vullnet i paepur për t’i mbrojtur këto vlera të çmuara. Të cilat mbrohen në vijimësi pa komplekse, pa mëdyshje, sadoqë jo edhe pa polemika. Ato mbrohen, kur është nevoja, edhe me forcë, gjë që përbën shtegun e fundit që të lë nganjëherë armiku, nëse ai është mjaftueshëm i marrë apo fanatik.

Kur arrijmë ta njohim në thelb Izraelin dhe izraelitët, atëherë menjëherë të tërheq vëmendjen, një europiani apo pse jo, edhe një shqiptari, ndjenja e epërme e krenarisë dhe përkatësisë së shumicës së banorëve të këtij vendi. Ka edhe nga ato raste të skajshme të atyre që e urrejnë vendin e tyre, por në përgjithësi, izraelitët, qofshin ata të lindur në Izrael apo gjetiu, ndihen krenarë që i përkasin një komuniteti që po arrin diçka, që po ia del mbanë, që ka një arsye për të bërë përpara çdo ditë, për të luftuar dhe gjithashtu, në mungesë të alternativave të tjera, për të vdekur për vendin e tyre.

Dhe sado të duket e habitshme, është e pamundur që njeriu të mos ndjejë zili dhe admirim për këtë ndërgjegjësim lidhur me faktin se komuniteti dhe vlerat e vendit të tyre, përbëjnë për izraelitit diçka që e meriton çdo sakrificë, një ndjenjë fort e largët për gjendjen ku dergjet tashmë Europa dhe atdheu ynë i rraskapitur.

Kushedi, për më tepër, qoftë edhe një mosbesues mund ta ndjejë këtë admirim, sepse kur arrin ta njohësh Izraelin, atëherë kupton faktin se ky ndërgjegjësim komunitar nuk bie aspak në kundërshtim me një individualizëm të theksuar. Ekziston një thënie e vjetër hebreje që thotë se kur takohen dy hebrenj, menjëherë shfaqen tre pikëpamje të ndryshme lidhur me gjithçka, gjë që duket të shpjegojë fort mirë këtë afirmim të vazhdueshëm të unit, e që shpesh arrin të bëhet edhe kundërthënëse dhe që karakterizohet gjithaq, nga një vënie e shëndoshë në dyshim e autoritet shtetëror.

Por ka edhe diçka më të rëndësishme në këtë temë dhe që do vënë fort në dukje, sepse pak vende në botë mund të konsiderohen më miq të Perëndimit, sesa Izraeli (pikëtakim ndër të shumtët, me prirjen e natyrshme shqiptare në këtë këndvështrim). Faktikisht, do pranuar se Izraeli përbën diçka më tepër sesa thjesht një aleat të Perëndimit: ky vend përbën llogoren e parë të luftës ndaj fanatizmit, luftëtarin e parë. Dhe jetët izraelite që jepen për të luftuar kundër fanatizmit, jo vetëm që mbrojnë ekzistencën e këtij vendi, kësaj mrekullie të vogël të shkretëtirës, por edhe të mënyrës sonë perëndimore të jetesës, mijëra kilometra më larg. Të mos ketë asnjë dyshim: nëse nuk do të ekzistonte Izraeli, beteja mes qytetërimit dhe mendësisë së prapambetur gjakatare që po ndodh në Lindjen e Mesme, do të spostohej në mes të Europës.

Por ndërkohë, pikërisht izraelitët vdesin dhe shohin bijtë e tyre të bien në fushëbetejë, jo vetëm përballë moskokëçarjes, por edhe përballë moskuptimit dhe gjithashtu edhe urrejtjes nga shumëkush në këtë kontinentin tonë të moçëm që harron shpejt të shkuarën e tij dhe që nuk arrin të ndërgjegjësohet lidhur me faktin se kjo është gjithashtu lufta e vet, e vlerave dhe kulturës sonë perëndimore.

Për ta mbyllur, do theksuar se sidoqoftë izraelitët ngjajnë shumë me ne europianët, me ne shqiptarët po ashtu, sepse në këtë vend të vogël mesdhetar frymohet me të njëjtën dëshirë për të jetuar dhe të njëjtën ndjesi komuniteti si edhe tek ne, sepse marrëdhëniet, miqësitë, baret, mënyra sesi kalohen darkat, kremtet apo ulen izraelitët së bashku në tavolinë, ngjan shumë me tonat. Sepse në Izrael, një shqiptar, një europian, do të ndihej si në ambietin e tij.

Janë këto, arsye më tepër sesa të mjaftueshme që çdo 14 maj të përkujtojmë dhe t’i japim rëndësinë e nevojshme faktit që në anën tjetër të Mesdheut që lag brigjet tona të përbashkëta, ndodhet një vend i vogël, që paraqet shumë ngjashmëri me ne.

Kështu pra, si një vend që priti shekuj për pavarësinë e tij, nuk mund të mos urojmë Izraelin.



(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: