Entela Binjaku: Presidenca vlerëson Dom Lush Gjergjin
| E Premte, 13.05.2016, 08:21 PM |

Presidenca vlerëson Dom Lush Gjergjin

Nga Entela Binjaku

Presidenca e Republikës së Shqipërisë ka bërë traditë vlerësimin e figurave që në kohë e në fusha të ndryshme, i kanë shërbyer kombit dhe vendit. Në shumicën e rasteve këto figura gëzojnë një popullaritet dhe vlerësim të atillë në opinion falë punës dhe kontributit të dhënë sa që miratimi ndaj vlerësimit të tyre është jo vetëm i menjëhershëm, por edhe eshte pritur nga opinioni shqiptar. Hera-herës ka ndodhur që vlerësimet e bëra nga ky institucion kanë ngjallur reagim refuzues ose dyshues në vlerat e figurave duke krijuar mosbesim në opinion për vlerësimin e atyre që e meritojnë atë. Jetëshkrimi profesional i këyre personaliteteve zakonisht mbetet i panjohur në radhët e publikut ose ekskluzivitet i një pakice që mund të tregojë interes ndaj tyre për arsye specifike apo që ka një lidhje të ngushtë më ta. Shoqëria jonë ka shumë nevojë të njohi vlerat e personaliteteve që e kanë lartësuar kultuerën kombëtare vecanërisht në këto kohë kur besimi tek këto vlera është mjaft i lëkundur. Vendosja bri njëri-tjetrit të këtyre figurave ka krijuar ndonjëherë idenë e atij mikromjedisi që shoqëria e jeton cdo ditë ku njerëzit e vlerave vlerësohen po njëlloj sa ata njerëzit që kanë me pak punë e me shumë shërbim ndaj pushtetit. Në opinion ekziston edhe një qëndrim sipas të cilit këto personalitete nuk jetojnë më, ose vlerësohen vetëm pas vdekjes dhe se në radhët e tyre ka më pak njerëz që jetojnë. Kjo rrethane u krijua nga kushtet politike dhe shoqerore te vendit tone, pasi kur ata jetonin e kontribuonin me dinjitet per arsimin, kulturen, perparimin dhe prosperitetin e vendit tone, keto proçedura nuk praktikoheshin, kesisoj lista e personaliteteve te popullit shqiptar shtohet çdo dite si me at ate motive te shkuara, ashtu dhe me te koheve aktuale. Nisma për të propozuar vlerësimin e figurës te Dom Lush Gjergjit, biografi kompetent dhe i shkëlqyer i Nënë Terezës, nisi dhe u lind edhe mbi këtë sfond. Që nga shtatori i vitit të kaluar kur mbarë opionioni përkujtonte largimin nga jeta të Nënë Terezës lindi ideja për ta sjellë në kujtesë figurën e saj përmes vlerësimit të njerëzve që kanë punuar pranë saj apo i kanë shërbyer njohjes së Nënë Terezës në hapësirat shqiptare përmes punës së tyre dokumentuese. Figura e Dom Lush Gjergjit ishte një simbol i kësaj pune. Argumentat në mbrojtje të këtij propozimi lidheshin dhe përforcoheshin me nevojën për të vlerësuar njerëzit që kane punuar krah Nënë Terezës dhe që me përulësi i kanë shërbyer njohjes së punës së Saj, në këtë vit jubilar për Shqipërinë dhe Kosovën në pritje të shenjtërimit më 4 shtator. Në këtë nismë u bashkuan njerëz me personalitet të spikatur intelektualë, shoqata nga Shqiperia, nga diaspora dhe nga Kosova, njerëz që shprehën kënaqësinë që po mbështetsnin këtë propozim. Në një ditë të shënuar siç është 8 Maji, “Dita ndërkombëtare e nënës” Presidenti i Republikës së Shqipërisë kishte bujtur në shtëpinë e tij institucionale politikanë e diplomatë, njerëz të besimeve, qytetarë të angazhuar në jetën publike të vendit para të cilëve ai shpalli dhe dekorimin e Dom Lush Gjergjit me “Urdhërin e Kalorësit të Skënderbeut”. Në përfundim të kesaj ceremonie Dom Lush Gjergji mbajti një ligjërate, që po e prezantoj në vijim.

“I nderuari President i Republikës së Shqipërisë, zotëri Bujar Nishani,

Të nderuar pjesëmarrës, bijë dhe bija shpirtërore të Nënës Tereze,

Të dashur vëllezër dhe motra,

Në jetën time, pata hirin e Zotit, rastin, mundësinë dhe privilegjin e jashtëzakonshëm, që për afro 28 vite ta njihja për së afërmi Nënën Tereze; të shoqërohesha me të, të takohesha, të bisedoja, bashkëpunoja, lutesha, udhëtoja, vizitoja vende të ndryshme të botës, prej Qytetit të Amshuar, Romës, në Shkup, Prishtinë, Zagreb, Oslo, Budapest, Bukureshti, Kalkutë, e shumë e shumë qendra tjera botërore. Me Nënën Tereze ndihesha dhe vërtet isha i lumtur, i sigurt- si fëmija me Nënën, duke parë, përjetuar dhe mësuar kulturën e jetës, qytetërimin e dashurisë. Apo siç e kam definuar: “DASHURINË NË VEPRIM”.

Qysh nga takimi im i parë me Nënën Tereze, në Romë, në vjeshtën e vitit 1968, e deri te “kthimi në Shtëpinë e Atit”, më 5 shtator 1997, pata gëzimin, harenë, lumturinë, që të isha me Bijën, Motrën, Nënën, të Lumen Nënën Tereze, së shpejti edhe me Shën Tereze Bojaxhiun- Shenjtëreshën e Dashurisë. Gjatë kësaj kohe kam depërtuar në jetën dhe veprën e saj kaq madhore, të papërsëritshme, unike, që si pikënisje dhe pikarritje kishte gjithmonë binomin: ZOTIN – DASHURI dhe VËLLAN apo MOTRËN – NJERI.

Nëpërmjet Saj, mësova, dëgjova, përjetova shumëçka, mbi të gjitha, Zemrën e saj të madhe, kujdesin, dashurinë për të “varfrit ndër më të varfër”, të përbuzurit, të braktisurit, njerëzit në buzë të vdekjes, të gërbulurit. Me një fjalë, për të gjithë ata që askush nuk i donte, bile nuk kishin fuqi as t’i shikonin, përpos Zotit dhe Nënës Tereze.

Nga vëllai i saj, Lazër Bojaxhiu, kushëriri dhe moshatari i saj- kompozitori Lorenc Antoni, nga vetë Nëna Tereze, kam mësuar për jetën dhe fëmijërinë, rininë e saj në Shkup, në Prizren, në Letnicë, për familjen e madhe dhe të bekuar Bojaxhiu, babën Kolë, nënën Drane lindur Bernaj-Bojaxhiu, për motrën Age, për famullinë e “Zojës Ndihmtare” në Prizren, famullinë e “Zemrës së Krishtit” në Shkup, për shkollën fillore katolike “Zemra e Krishtit”. Po ashtu, në Shkup, për shtegtimet e saja të shumta në Letnicë, sidomos prej vitit 1912 e deri më 14 gusht 1928, kur ra vendimi jetësor para Trupores së “Zojës Cërnagore”: “Dua të bëhem motër misionare për t’i ndihmuar të varfrit e botës”.

Deshi Zoti, që shpëtova shumëçka nga harresa, ndoshta edhe shkatërrimi, për familjen e saj në Prizren dhe në Shkup, për familjen e cila e rriti dhe edukoi për bamirësi, flijim, dhurim, mikpritje, me ndjenja të thella bujare kombëtare shqiptare; për dy famullitë që kishin edukuar prindërit e saj, pastaj edhe atë, për thirrjen e saj të jetës së kushtuar Zotit, Kishës, Njeriut. Mblodha dhe botova dëshmitë, fotografitë, dokumentet e panjohura dhe të pabotuara për traditën, kulturën, qytetërimin, krishterimin tonë të lashtë apostolik, për martirizimin shumëshekullor ndër ne, që e kishte prekur edhe këtë familje të shquar dhe të bekuar, me vdekjen – helmimin e babës Kolë; për kontekstin jetësor, familjar, famullitar të krishterë dhe kombëtar shqiptar, që e qiti në dritë dhe e rriti Gonxhen tonë, për të qenë dhe mbetur përgjithmonë Nëna jonë Tereze, legjenda mahnitëse e Dashurisë në veprim anë e kënd botës.

Me 15 libra që ia kushtova Nënës Tereze, të botuara në 35 gjuhë të botës dhe në miliona kopje- së paku e mbajta të gjallë këtë histori, që ishte mrekullia e dashurisë flijuese, dhuruese, në shërbim të pashoq në botën mbarë. Dikur profesoresha e historisë dhe gjeografisë, u bë histori mahnitës e bamirësisë dhe mëshirës, ndërsa Kalkuta, “oqeani i mjerimit” dhe varfërisë, vend përkushtimi, shërbimi, dashurie flijuese dhe dhuruese, duke na bërë edhe ne disi protagonistë të kësaj aventure hyjnore dhe njerëzore, në kohë dhe në hapësirë.

Kështu, shpresoj dhe uroj, që Nëna Tereze të jetë mishëruar në mendjet dhe zemrat tona, si frymëzim i pashtershëm jete dhe veprimi në stilin e saj tashmë të njohur, të çmuar dhe nderuar ndër ne dhe në botë.

Ditët e kaluara së bashku në Oslo për marrjen e Shpërblimit Nobel për Paqe (10 dhjetor 1979), salikimi shtetëror në Kalkutë (13 shtator 1997), Lumturimi i saj në Romë, (19 tetor 2003), janë çaste kulmore, para-shijim i “parajsës”, ku çdo shqiptar, çdo njeri vullnetmirë, ndihej dhe ishte i lumtur, sepse Nëna Tereze kishte dëshmuar bindshëm fuqinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë pa asnjë dallim dhe përjashtim.

“Zoti, sot e do botën nëpërmjet teje dhe meje, na fton dhe na dërgon që të jemi Dashuria e tij, Drita e tij, Ngushëllimi i tij, jeta e tij në botën e sotme”, na porositi Nëna Tereze.

Dua ta përfundoj këtë paraqitje – përkujtim, nderim dhe falënderim me tri thënie të saja, testament shpirtëror për të gjithë ne, si dhe për mbarë njerëzimin:

“Pa dashuri dhe flijim jeta s’ka kuptim”.

“Vetëm Dashuria do ta shpëtojë botën”.

“Veprat e Dashurisë janë vepra të Paqes”.

Deri tash, kudo ndër ne, kemi shprehur dhe treguar nderimin, falënderimin, dashurinë ndaj së Lumes Nënës Tereze. Tash e tutje duhet të shtojmë edhe një element të ri: uratë apo lutjen nëpërmjet Asaj drejtuar Zotit, Krijuesit dhe Shpëtimtari tonë, sepse tashmë ajo është dhe mbetet Mbrojtësja dhe Avokatja, Përfaqësuesja më e mirë dhe më e dashur para Hyjit për ne.

Prandaj, Bijën, Motrën, të Lumen, Shën Terezen tonë duhet ta imitojmë në jetë dhe në veprimtari.

E Lumja Nëna Tereze, lute Zotin për ne dhe për botën mbarë. Amen.

Don Lush GJERGJI

Tiranë, 8 maj 2016



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: