Entela Binjaku: E veçanta e një dite të veçantë
| E Hene, 09.05.2016, 07:06 PM |

E veçanta e një dite… të veçantë…

Nga Entela Binjaku

Për herë të parë për Nënë Terezën  kam dëgjuar të flitet në fillimet e viteve ’90. Në kujtesën  time ka mbetur  një foto e saj  në aeroport,  në shoqërinë e  politikanëve    kohës. Nuk kam dëshirë ta kujtoj ashtu, edhe pse ai është një fakt historik. “Lidhja ime” me këtë figurë të madhe të kombit u vendos kur isha 18 vjec. Sapo kisha nisur studimet e larta, në Oradea të Rumanisë.

Në dhomën e hotelit ku do të qëndroja për një vit të tërë,  ishte një poster i madh në  mur, sipër krevatit tim. Disa shprehje të renditura në anglisht që për botën time të varfër shpirtërore ishin …magjike.

i lexova me një shpejtësi  dhe kërshëri të madhe e lumtur njëkohësisht  që anglishtja  modeste që kisha mësuar në shkollë nuk po më linte në baltë. Mbaj mend që vetëm një fjalë nuk kuptova. E kujtoj edhe sot “Life is a bliss…”Kur në fund të posterit  lexova  “Mother Teresa”… nuk u besoja syve!  Si ka mundësi këto shprehje kaq të bukura i paska thënë një shqiptare? Në atë boshllëk shpirtëror  dhe trishtim  që të jep largimi nga shtëpia, këto shprehje ishin të pazëvendësueshme.

E solla këtë detaj për të vijuar  atë që parapriu vajtjen time në Presidencë ditën e djeshme.

Në shtatorin e kaluar lindi ideja për të shkruar një artikull për Nënë Terezën në përvjetorin e largimit të saj nga jeta.

Më tej ideja u zhvillua për të shkruar rreth njerëzve që i  kanë kushtuar  kësaj figure nga puna e tyre. Ata ishin disa,  por mes tyre shkëlqeu pa më të voglin hezitim emri i Dom Lush Gjergjit. Nga ai cast fillova të konfirmoj se emri i tij njihej më shumë në diasporë dhe thuajse aspak në Shqipëri.

Duke studiuar  jetëshkrimin vija re se puna e cmuar e bënte figurën e tij  edhe më të cmuar. Erudicioni, përkushtimi, kultura e gjerë, bamirësia, puna e tij e palodhur dhe përulësia  shërbyen si arsye  për  t’i drejtuar kreut  të shtetit kërkesën për vlerësimin e këtij  personaliteti.

Për ta mbështetur kërkesën  mendova ta  përforcoja edhe me mbështetjen e patriotëve të mij.  Kështu fillova të kërkoj,  t’u shkruaj dhe t’ju kërkoj mbështetje për propozimin.

Disa  m’u përgjigjën menjëherë. Disa  asnjëherë. Disa  mendonin se aq sa kisha punuar unë, mjaftonte… dhe asnuk u lodhën të gjenin dikë më shumë. Dikush  më tha  se nuk do të donin të deklaronin fare mbështetje për klerikë. Një pjesë u cudit pse pikërisht një prift katolik. Një pjesë më tha se në Kosovë ka pak katolikë. Një pjesë ndjeheshin shumë më të rëndësishëm sesa ajo që dërgonte kërkesësn, këta përgjegjeshin vetëm një herë.  Një pjesë më dhanë me gjithë zemër emrin e  e tyre dhe të miqve të tyre. Unë i kam mirëkuptuar të gjithë. Sociologjia më ka dhënë aq shumë shpjegime  për cdo sjellje sa tani nuk kam më asnjë kohë për të shpenzuar për të kuptuar njerëzit, kam vetë,  ngut për të bërë punë të mira!

I falënderoj  të gjithë, të gjithë pa asnjë përjashtim! Vlen më shumë se një mësim!

Disa me shumë, dikë më shumë se cdokënd tjetër! Ata ishin me mua mbrëmë, edhe pse jo fizikisht!

Në mbyllje po sjell dy detaje nga kjo përvojë:

Pasi kisha punuar dy muaj me kërkesën,   kur e “lëshova” nga duart…. M’u duk sikur m’u shkëput një pjesë nga trupi. Kjo ndodhi para se të shkoja në Bruksel, dhe mua më pëlqen shumë Brukseli.

Nuk e kisha takuar asnjëherë Dom Lushin, e takova mbrëmë për herë të parë, dhe kjo kur ai u vlerësua  me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

Presidenca shqiptare e vleresoi Don Lush Gjergjin, biografin e Nënë Terezës me motivacionin: “Për veprimtarinë e tij jetësore në drejtim të nxitjes së tolerancës dhe vëllazërimit ndërfetar në trevat shqiptare; për punën e përkushtuar shumëvjeçare intelektuale për nxjerrjen në pah të historisë, trashëgimisë dhe identitetit të popullit shqiptar dhe figurës së ndritur të Nënë Terezës” .

Më poshtë gjeni dhe teksin e kërkesës që i kemi dorëzuar Presidencës sëbashku me 19 emra që ju bashkuan asaj.

“Doktor i Shkencave Dom Lush Gjergji, prift katolik shqiptar dhe Vikari Gjeneral i Ipeshkëvisë së Kosovës, është një ndër figurat e shquara të kombit shqiptar, patriot, veprimtar shoqëror, studiues i historisë dhe kulturës shqiptare, shkrimtar, publicist, organizator i shumë veprimtarive shkencore, kulturore, fetare dhe artistike për popullarizimin e vlerave të kombit tonë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe në diasporën shqiptare.

Me punën e palodhur dhe devotshmërinë, me urtësinë dhe mençurinë, me ndërgjegjen e  lartë qytetare dhe kulturën, me veprat e shumta të botuara dhe me veprimtaritë e organizuara në trojet tona dhe nëpër botë, dom Lush Gjergji i ka dhënë vlera kombit tonë.

Propozimin për  Dr.  Dom Lush Gjergji e bazojmë në këto merita:

1.      Për kontributin e lartë në shërbim të unitetit  kombëtar, duke punuar krah prof. Anton Çetës në veprimtaritë e pajtimit të gjaqeve;

2.      I shquar në organizimin e aktiviteteve arsimore për luftën kundër analfabetizmit;

3.      Për aktivitetin në përcjelljen e  vlerave të kulturës dhe traditës shqiptare, edukimit me ndenjën e altruizmit dhe bujarisë. Ky kontribut e ka bërë të njohur në popull dhe në qarqet akademike shqiptare;

4.      Mbi tridhjetë vjet ka qenë drejtor dhe kryeredaktor i revistës fetaro-kulturore “DRITA”  duke  dhënë kontribut në sintagmën e At. Gjergj Fishtës – “Fe e Atdhe”;

5.      Aktivitetin në fushën e botimeve e pasuroi edhe si drejtues i shtëpisë botuese katolike ”DRITA” në Prishtinë, përmes botimeve në shërbim të kishës dhe të kombit, si dhe në njohjen e figurave të historisë dhe kulturës sonë kombëtare;

6.      Për aftësitë në drejtimine radiostacionit “Radio Maria” të Kosovës, në Prishtinë;

7.      Ka merita si bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugovës duke ndërmjetësuar denjësisht për lidhjen e miqësisë me shumë vende të botës perëndimore, si me USA, Vatikanin, Italinë, Kanadanë etj.;

8.      Është autor i më shumë se 60 titujve të shkruar në shqip dhe në shumë gjuhë të huaja, duke iu paraqitur  lexuesve si një intelektual i palodhur.

9.      Në studimet dhe botimet e panumërta në fushën e psikologjisë dhe të pedagogjisë në gjuhën shqipe dhe atë kroate ai ka treguar punë dhe përkushtim të çmuar. Në qendër të këtyre botimeve qëndron institucioni i familjes me të gjithë aktorët e tij, hulumtimi i psikologjisë shoqërore të popullit, analiza e ndjenjave kryesore që jeton njeriu si dashuria, jeta dhe vdekja, vetmia, edukimi dhe komunikimi etj.

10.   Dr. Dom Lush Gjergji njihet për aktivitetin në fushën e mendimit dhe të letrave duke qenë anëtar i disa prej institucioneve të rëndësishme si: “Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës”, “Gazetarëve dhe Publicistëve Katolikë të Evropës”, Anëtar i “Akademisë Evropiane”.

11.   Si kryetar i Shoqatës Humanitare Bamirëse të Kosovës “Nëna Tereze”, Dom Lush Gjergji i ka qëndruar pranë popullit shqiptar të Kosovës, në periudhat më të vështira për të, duke ofruar ndihma në ushqime e veshmbathje, duke kontribuar në mbështetje të sistemit shëndetësor me 150 ambulanca popullore etj. Në mënyrë të veçantë, ky kontribut ishte konkret në vitet e vështira të luftës kundër persekutimeve të milicisë dhe ushtrisë serbe.

12.   Aktivitetin në fushën e shërbesave fetare e ka filluar në vitin 1973, pas pëfundimit të studimeve magjistrale në filozofi dhe  diplomimit në teologji në Universitetin Papnor “Urbaniana” nё Romë të Italisë. Ai ka shërbyer në disa prej famullive të Kosovës, si në Ferizaj, Binçë dhe Prizren. Në po këtë periudhë  dom Lush Gjergji mbrojti dhe titullin Doktor i Shkencave në 1975 në  “Psikologji”  në Universitetin shtetëror «La Sapienza» të Romës  me temë: “Roli i femrës shqiptare në familje dhe në shoqëri”.

Prej vitit 2010 është emëruar Vikar Gjeneral i Ipeshkvisë së Kosovës me seli në Prishtinë, detyrë

të cilën e mban edhe aktualisht.

13.   Studimet dhe botimet e Dom Lush Gjergjit kushtuar së Lumes Nënës Tereze të përkthyera në mbi 20 gjuhë të huaja, kanë për synim të ndriçojnë dhe të afrojnë pranë lexuesve këtë figurë të nderuar të kombit tonë. Nënë Tereza –figurë simbol i dashurisë njerëzore, i solidaritetit dhe humanizmit të jashtëzakonshëm është e pranishme në më shumë se 15 vepra të dom Lush Gjergjit. si dëshmi e gjallë e angazhimit intelektual, moral, kulturor dhe fetar të Tij.

Librat për figurën e Nënë Terezës janë botuar në shqip, kroatisht, italisht, anglisht, frëngjisht,

gjermanisht, spanjisht, polonisht, hungarisht, rumanisht, sllovenisht... deri edhe në serbisht.

14.   Më 5 shtator të këtij viti, në Prishtinë, organizoi koncertin për Nënë Terezën ku përuroi hymnin e “Nënën Terezës”, kënduar nga artistja Inva Mula, shoqëruar nga orkestra e Filarmonisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës.

Nisur nga sa më sipër përmendëm, si dhe nga atmosfera e gëzuar në prag të përvjetorit  të dymbëdhjetë të “Lumturimit të Nënë Terezës”, paraqesim propozimin tonë që Dr. Shkencave Dom Lush Gjergji të nderohet me urdhërin “Nderi i Kombit”.



(Vota: 13 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: