Berisha: Ankthi dhe dhembja si triumf i lumturisë
| E Enjte, 05.05.2016, 08:33 PM |

Libra të rinj

ANKTHI DHE DHEMBJA SI TRUMF I LUMTURISË

(Beqë Lokaj: “Dhembje por lumturi”, roman-2016)

Nga Sejdi BERISHA

Në këtë vepër është karakteristike se rrëfimi i ngjarjes dhe shprushja e temës fillon me një përshkrim të thjeshtë, për t’u ngarkuar pastaj me mall dhe etje, gjë e cila fuqishëm reflekton botën djaloshare por të gërshetuar me peshën e vetmisë dhe të ligatinës-kurbetin, që ka gërryer mendjen e shpirtin, e që shumëkush e bën pjesë labirinti të një jete bizare, mbase edhe shpeshherë të shfrenuar, e cila jo rrallë sjellë probleme pa rrugëdalje. E, të gjitha bashkë, njeriun e sjellin në rrugëtimin e rëndë, me gabime por edhe me dhembje. Dhe, vazhdon rrëfimi për takimin me të dashurën, më të cilën ishin afruar me njëri-tjetrin krejt rastësish. Këtu edhe fillon nyja dhe përthurja e zgjidhja e një lëmshi karakteristik të jetës dhe të botës së një të riu, respektivisht të dy të rinjve:

“... E kishim lënë takimin më të dashurën time Leonen, me të cilën ishim njohur krejt rastësisht, befasisht. E kisha kërkuar më vite e muaj, orë e çast pandarë. Kisha ëndërruar shumë më vite që ta takoja princeshën, sy kaltëroshen, të arrinte befas e të ma rrëmbente zemrën e virgjër deri aty, pastaj, së bashku të niseshim bulevardeve të gjata të jetës, kapur dorë për dore rreth globit, botës”.

Përplasja me vetveten dhe “lëmshi” i botës së një të riu në mërgim...

Më vonë, një përshkrim i zjarrtë i takimit, sikur na lë përshtypjen se dashuria e tillë, ose do t’i bëjë të qëndrueshme të gjitha rrjedhat dhe sfidat e jetës, ose, ajo do ta ngrit si deri në kupë të qiellit, për t’i rrënuar ato pamëshirshëm me përplasjet që pasojnë më vonë, siç ka ndodhur dhe ndodhë shpeshherë në jetë. Andaj, si gjithnjë, kur është në pyetje dashuria, e veçmas ajo në rrethana specifike, zakonisht, jetën e rëndojnë problemet bizare e të natyra të ndryshme, që, gjithsesi reflektojnë ose për të mirë ose për të keq, dhe kështu e “shkatërrojnë” shtëpinë e ëndrrave. Andaj, autori i këtij libri, Beqë Lokaj, të gjitha i vë në spikamë si dhembje e dilema, të cilat shtresohen si kallëzim mbase historik i dy të rinjve dhe, jo vetëm i dy të rinjve, të cilët, kur është në pyetje dashuria, nuk njohin kufij të asnjë natyre:

“...I frikësuar e njëkohësisht i trishtuar deri në çmenduri, më presin apo s´më presin, me heshtje apo me shumë bujë. Ndoshta i them vetes, duhet të jam i përgatitur të përballem me intriga e të pavërteta. Sepse, mendja ma thoshte se ata nuk më njohin dhe nuk kanë besim ke unë. Isha shqetësuar e paksa me droje e pasiguri.  E terë kjo vjen ngaqë unë jam i huaj e ata s´më kanë parë ndonjëherë, për çfarë, dorën n´zemër, njëfarësoj është e kuptueshme. Kanë frikë nga njerëzit ardhacak, siç na thonë”.

Të gjitha këto ndodhi, janë argumentuar që në kapitullin e parë, i cili lë përshtypjen se ngjarjet nuk do ta merrnin kohen kah e mbara. Ose, ndoshta autori ka dashur të na bëjë me dije se gjërat në rini nuk duhet marrë as kuptuar turravrap, apo pa një pjekuri, sepse, ato do të sjellin telashe por edhe ngjarje të tjera që godasin mu në zemër dhe në shpirt.

Dialogu dhe pesha e fatit ose zëri i arsyes prindërore për fatin e fëmijës

Në kapitullin e dytë, autori, tash merret me Leonen, njëri prej personazheve kyç. Dhe, dialogu prindëror për vajzën e tyre merr “zjarr”, pra, për Leonen, që autori, ndoshta për ta bërë ngjarjen sa më interesante dhe bindëse, e “zgjatë” këtë “atmosferë” nervozizmi dhe ndoshta edhe pasigurie në dialogun:babë-nënë:

“...  Tash, në një anë ishte koha ajo e cila do ta bënte të veten, e në anën tjetër, ndoshta shëndeti i tij që kohëve të fundit kishte filluar t’i keqësohej shumë. Ajo, herë pas herë e luste për qetësim e përmbajtje, duke ia tërhequr vërejtjen që mos ta ngacmonte veten e shëndetin për gjera të tilla, për dashuriçkat e të rinjve të kohës, dhe shtoi:

-Qetësohu! Ende nuk dihet e vërteta, e deri më tani as nuk ka gjë të tepruar. - ia përsëriti disa herë ajo, por ai nuk u ndal. Andaj, ajo prapë ia tërhoqi vërejtjen”.

Por, gjatë tensionimit të ngjarjes, personazhi kryesor, në këtë rast, Nisi, djaloshi i ri dhe i dashuruar, vë në sprovë vetveten, gjithnjë për ta mos humbur Leonen. Prandaj, edhe shpërthen:

“... -Është Zoti ai që i përcakton fatet e jo ti! -Por u përmbajta,  zgjodha heshtjen si mjet urtësie e për të mos e acaruar situatën më tepër. Pasi isha i mendimit se ende nuk e kisha humbur arsyen por edhe të shumë kërkuarën. Ajo, sonte s´do të jetë më mua, por shpresa qëndronte fortë e pa luhatur se ende nuk e kam humbur yllin ndriçues...!

Këtë pyetje disa herë ia bëra vetvetes, sepse, kisha dëshirë të dilja nga terri e të dukëm në dritën e llambës së rrugës e t’i përgjigjëm qartë:

-Ja, ku jam!... Të gjitha që i the janë gënjeshtra e trillime tuaja. E, nëse më të vërtet ia arrin t’i ndash dy zemra të dashuruara, ke bërë një krim të shëmtuar e as gjë më shumë...!”.

Dhe, gjatë tërë kohës, autori rrëfimin e bën njëtrajtshëm, duke e sforcuar hallin e djaloshit, i cili sikur tash kishte vetëm një qëllim; bashkimin me Leonen dhe vetëm kaq e asgjë tjetër!

E tërë kjo ngjarje zhvillohet thuaj se si në film dhe në trajtë monologu, dhe kështu, personazhit kryesor, Nisit, ia vështirëson edhe luftën për rrugëdalje, apo zgjidhjen e problemit dhe të dilemave, që në këtë rast e kishin kapluar:

“...Tej mase isha i shqetësuar dhe i habitur nga ajo që dëgjoja, dhe e kisha harruar vetveten, sepse, tani më shumë isha i shqetësuar për fatin e Lenit. Trembesha se mos vallë i kishte ndodhur ndonjë e keqe, ndonjë e papritur?! Mendimet e liga dhe të paqarta më mbanin të mbërthyer, sa që njëherë edhe sikur të përmbysej bota, desha të dilja e ta pyesja se çfarë i ka ndodhur. Më keq nuk ka ku shkon, thash, por e zgjodha heshtjen si mjet më të mirë”!

Kështu, tërë kohën vazhdon odisejada e dyshimit dhe e mospajtimit të prindërve, e sidomos e babait, për fatin e vajzës së vetë.

Kjo “zhagitje” mendimesh e bisedash, zgjatë deri në momentin kur nëna, respektivisht, Lleilla, nuk ia thotë bashkëshortit:

“... -Prapë po të them se ajo tani i ka hallet e veta. Atë foshnje, atë qenie që e mban në barkë e pritet ta sjell në këtë botë të shthurur, nuk e ka lehtë e pa pasoja, për tërë jetën.

Mesa di unë, është para një vendimi të dhimbshëm dhe aspak të dëshiruar. Shpresoj që ky të jetë zemërimi yt i fundit... - i tha ajo prerazi me kokë të ngarkuar dhe nervoze”!

Dhe, tani prej këtu, ngjarja sikur merr kahe më ndryshe, apo më të arsyeshme. Tash, babai i vajzës kthen dhe ndërron mendimin dhe flet mirë e arsyeshëm për djaloshin, i cili kishte rënë në dashuri me vajzën e tij. Kjo, edhe e kthen logjikën e të menduarit se jeta është diçka që ka shtratin, rrugën dhe kahen e vetë, e cila nuk mund të pengohet dot...

Kështu që, tash biseda kalon tek problemi se si të huajt po i sjellin në vendin e tyre dhe po i shkollojnë, e pastaj po shkaktojnë probleme dhe po nxisin edhe urrejtje nga më të ndryshmet, pra edhe nacionale:

“... Unë po ta them edhe njëherë, unë nuk po i sjelli këta njerëz, janë punëdhënësit ata që po i sjellin e po i presin më krahë të hapur,... Ata po përfitojnë nga “mrekullitë ekonomikeapo (Wirtschaftwundere) që ne po krenohemi. Unë, kështu e shoh... E ti, trillo sa të duash”!

Personazhi kryesor, që rrallë i përmendet emri, pra Nisi, tani është në shumë dilema që në rrethana të cilat t’i imponon jeta të ngërthyera në shumë dilema, edhe atëherë kur nuk ke të drejtë të mendosh ashtu. Andaj, gjatë tërë kohës, Nisi rropatet me dramën-dashuri, në të cilën gërshetohen shumë gjëra, por edhe fati dhe historia e njeriut tonë nëpër kohëra e periudha, pra, edhe në kurbet.

Andaj, edhe rrëfimi në këtë libër fiton në peshë për ta komentuar temën që shtjellohet më shumë edhe në rrafshet tjera...

Edhe zogjtë shtegtarë si dëshmitarë dhe pjesë e dhembjes për dashurinë e më vonë mesazh për jetën e lumtur...!

Në këtë rrugëtim përcëllues, autori, edhe zogjtë shtegtarë i bën pjesë jete, por edhe dëshmitarë për peshën e dashurisë dhe për dhembjen e shpirtit: “... Edhe ata i kam dëshmitarë, pasi kanë parë një dashuri plot zjarr e pasion, të sinqertë e  pa hile mes dy të rinjve. Mes dy zemrave të pafajshme. Që nuk kishin bërë as një të keqe as mëkat askujt, po i takonin shtresave, klasave e besimeve të ndryshme, mes pasurisë e varfërisë”.

Tani, takimi i beftë i Nisit me Leonen, sjellë gjëra krejtësisht të reja, të cilat flakin dilemat dhe ankthin, që gjatë tërë rrjedhës së ngjarjeve, gjeneronte vuajtje, mall dhe gjithçka tjetër që trazonte shpirtin... Por, kumtimi i Leones, se në trupin e saj frymon edhe një qenie, sikur tani vulosë çdo gjë:

“... -Këtu frymon një qenie e re!... Fryt i pastër i dashurisë sonë... -tha ajo pa m’i ndarë sytë dhe shtoi:

-Beso, nuk e ke harruar kur qonim dashuri, me pakujdesi të pafalshme adoleshente, mbrëmjeve të ngrohta te ura buzë lumit. Isha te mjeku dhe ma konfirmoi shtatzëninë”!

Tani, e tërë drama me të cilën autori e ka “maltretuar” lexuesin, duket si diçka që solli lumturinë e dy të rinjve, të cilët u bashkuan dhe filluan për të krijuar jetë të re dhe familjen e tyre, ashtu siç e kishin ëndërruar:

“...-Me rëndësi është që të kaluarën duhet lënë pas, kurse ti të ndihësh mirë pranë meje,... edhe unë pranë teje. Që nga ky moment, jeta duhet të merr kahe tjetër, drejtim të mbarë. Kurse, e tërë ajo që ka ndodhur, me rëndësi është të kalojë pa pasoja, pa lëndim zemre e shpirti...”!

Dhe duke e sublimuar tërë ngjarjen, libri “Dhembje por lumturi” i autorit, Beqë Lokaj, është një shkrim dhe ngjarje që lexohet me kërshëri që sa do që është ndoshta modeste, ka peshën dhe vlerën e vetë në fushën e krijimtarisë letrare.



(Vota: 21 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: