Napoli, leksion “alla Maradona” për Vllazninë
| E Shtune, 16.08.2008, 09:52 AM |

Dash Frashëri

Edhe pse pati mbështetjen e jashtëzakonshme të më shumë se 16 mijë shikuesve në “Loro Boriçi”, Vllaznia nuk mundi të shmangte humbjen e thellë 3-0 kundër Napolit të Serisë A, që duket se siguroi edhe kalimin në turin e tretë të Kupës UEFA ende pa u luajtur ndeshja e kthimit dy javë më pas.
Një humbje e hidhur në shtëpinë historike të futbollit shqiptar, por me ngushëllimin e vetëm se atë e pësoi nga ish-skuadra e Diego Maradonës. Pas ceremonisë festive në një stadium të tejmbushur si kurrë më parë ishte sulmuesi i talentuar i Vllaznisë, Xhevair Sukaj ngacmoi që në minutën e parë, duke gjuajtur nga larg e duke krijuar edhe përshtypjen e një strategjie agresive të vendosur nga trajneri Agim Canaj.
Në fraksionin e minutës së parë, Napoli shtyhet shpejt përpara dhe fitoi goditjen e parë nga këndi. Blaze ekzekutoi dhe Rinaudo goditi me kokë, por topi nuk është në kuadrat.
Brenda pak sekondave, portieri 20-vjeçar i Vllaznisë, Olti Bishani, u dhuroi kundërshtarëve një tjetër goditje të lirë, por asnjë rrezik për shkodranët. Minuta e katërt risolli sërish në skenë sulmuesin e U-21, të transferuar së fundi te Hacettepe në Turqi, pas një krosimi nga një goditje të lirë nga e djathta, Sukaj goditi me zgjuarsi me kokë, por sfera përfundoi mbi trarin horizontal të portës së mbrojtur nga Ieco i Napolit.
Në minutën e 5-të, vjen edhe një faull ndaj Paolo Kanavaros, kapitenit napolitan, lojta ndërpritet, por asgjë e rëndë për vëllain e Fabio Kanavaros, kapitenin e Italisë.
Pas këtij momenti Vllaznia reagoi në të gjithë fushën, duke prodhuar emocione në “Loro Boriçi”, Napoli vuan jo pak agresivitetin e të zotëve të shtëpisë.
Minuta e 13-të solli edhe momentin e parë të rrezikshëm për Napolin. Goditje e lirë nga e majta për partenopeit, pas harkimit gjuan me kokë Pacienca, por Denis, i cili ndodhej pranë shtyllës së portës shkodrane nuk arrin ta devijojë drejt rrjetës. Minuta e 19-të, Sukaj shfaq vlerat e tij. Sulmuesi “arratiset” nga e majta, Kanavaro arrin të bllokojë përkohësisht, por Vllaznia vazhdoi aksionin me Gilman Likën, i cili fitoi një goditje këndi. Krosim i Osjes nga këndi, portieri “axurro” Ieco gaboi në dalje dhe nuk e kap topin, por Nallbani nuk arrrin të gjuajë drejt portës, duke hedhur poshtë shansin më të madh për të shënuar golin e parë kundër një skuadër italiane. Napoli duket i bllokuar nga strategjia e Canajt dhe nuk gjen hapësirën e duhur për të goditur portën tonë. Por vjen edhe goli i miqve. Minuta e 28-të dhe Napoli kaloi në avantazh. Kundërsulm nga e djathta, Maxho kroson, topi devijohet dhe braziliani Inacio Pia gjuan i pambuluar dhe shënon, duke përfituar edhe nga një hezitim i Telit. Hesht gjiganti “Loro Boriçi”. Braziliani i Napolit pati një tjetër rast për të dyfishuar rezultatin, teksa doli përballë Bishanit, por portieri shkodran tregohet i shpejtë dhe i heq topin nga këmbët. Në minutën e 40-të, një tjetër rast për Napolin, Maxho krosoi nga e djathta, Pia tentoi, por topi i goditur në formë voleji e brazilianit përfundoi mbi tra.
Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-1, teksa me fillimin e pjesë së dytë, Canaj ndërroi Amarildo Belishën, duke hedhur në fushë Suad Licin. Teksa pritej një impenjim i menjëhershëm i Vllaznisë, braziliani Pia realizoi një tjetër magji të tij, vetëm një minutë nga fillimi i pjesës së dytë. Vllaznia humbi topin në mesfushë, Denis e adresoi sferën te braziliani, i cili arriti të vidhej Admir Telit dhe duke shfrytëzuar një mosmarrëveshje midis portierit Bishani duke realizuar golin e dytë. Një ndëshkim nga rreshtimi i gabuar i prapavijës kuqeblu. Në të 53’, Rinaudo goditi më kokë, por Bishani e ndaloi pa asnjë problem.
Në minutën e 62-të, Napoli gaboi në mesfushë, Sukaj përfitoi duke “fluturuar” drejt portës së Iecit. Sulmuesi shqiptar i shqetësuar edhe nga Kontini, nuk arriti të gjuajë me forcë, teksa Ieco bllokoi topin pa problem. Minuta e 64-t dhe sërish Sukaj pranë golit. Sulmuesi i U-21, i cili u ndoq “live” në stadium nga presidentët e klubeve turke, Gençlerbirligi e Hacettepe, gjuajti nga jashtë zonës me të majtën, Ieco grushtoi shkëlqyeshëm, duke devijuar në goditje nga këndi. Dy minuta më pas, Lici ndërmori një aksion të shpejtë hyri në zonë, u lirua bukur nga Rinaudo, por italiani e pengoi. Lojtari e stafi i Vllaznisë kërkuan penallti, por gjyqtari rus e ndëshkon Suadin me karton të verdhë për simulim. Fundi i shpejtë i Vllaznisë erdhi në minutën e 75-të, kur argjentinasi Denis shënoi golin e tretë pas një topi të ardhur nga e djathta. 3-0 për Napolin. Është shumë, por miqtë kanë rast të godasin dhe rrjetën e jashtme me anë të De Zerit. Stadiumi “Loro Boriçi” nis të zbrazet. Tifozët nuk duan të vuajnë më. Tashmë, Vllaznisë i mbetet të shijojë bukurinë e “San Paolos” në ndeshjen e kthimit, me idenë se të paktën luajti kundër një ekipi të Serisë A, pas Partizanit kundër Torinos e Teutës kundër Parmës.


G. Albania

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: