Sejdi Berisha: Shëngjini, Lezha dhe eksodi kosovar
| E Hene, 18.04.2016, 07:16 PM |

SHËNGJINI, LEZHA DHE EKSODI KOSOVAR, KJO HISTORI E RRALLË...!

(Ose, Ejani një natë ta bëjmë krypën mjaltë...!)

Reportazh nga Sejdi BERISHA

Duke udhëtuar në Rrugën e Kombit  me mikun tim dhe krijuesin T. Bezhani, që kishte kohë që kishim planifikuar t’i kalonim dy-tri ditë në Shëngjin, gjithnjë isha i preokupuar se si do ta filloja dhe si do ta përfundoja një shkrim nga kjo “vizitë”, sepse, ndoshta siç edhe dini, mua më “përplasin” dhe më ngushtojnë por edhe me kënaqin e më madhështojnë shumë gjëra, kuptohet, ato që janë të lidhura më njeriun, por detyrimisht edhe me kombin dhe me atdheun tim! Dhe, kjo ishte edhe gjëja në këtë moment më e vështirë se si t’ia lidhja “grykën” këtij shkrimi, sepse e dija se në Shëngjin por edhe në Lezhë do të na prisnin edhe shumë miq dhe krijues, të cilët janë edhe pjesë e jetës dhe e shpirtit tim.

Por, bënte mirë miku im i cili ngiste makinën që më ndërpriste në mendime duke ma ofruar bisedën për letërsinë, për kulturën dhe për vlerat shpirtërore, të cilat tani e sa vite bashkë me te por edhe me shumë miq e shokë të tjerë po përpiqemi t’i vejmë në binarë të shëndosh por edhe t’i afirmojmë ato, sepse, ende në këtë fushë ka një boshllëk dhe ndoshta edhe papërgjegjësi apo edhe dembeli. Por, mirë ishte kjo, sepse, gjithnjë e më shumë dukë iu afruar Shëngjinit, më provokonte për të lëvruar nëpër mendimet e mia ndoshta të çuditshme. Por, pothuajse në gjysmë të rrugës, u ndalem për të pushuar pak dhe për ta “shpartalluar nga një byrek që i kishim blerë në një furrë bukë në Gjakovë. Them të drejtën, për kjo ishte e mirëseardhur, sepse, përveç se u furnizova me pak energji, tash në mendje më ngarkoheshin shumë gjëra

Duke shikuar gjithë ato bukuri dhe begati përrallore të kësaj ane të atdheut, pastaj këtë rrugë-rilindje historike, më trokiti në tëmtha mendimi i Ernest Hemingwayt, i cili kishte thënë se: Lumturia te njerëzit e mençur është gjëja më e rrallë që njoh”! Dhe, mendova pak, e cila sikur inatisht m’u lidh m’u lidh edhe me kombin edhe me atdheun... Nuk di se pse, bile nuk di as ta shpjegoja në thelb! Po ç’mu desh kjo, i thash vetës, por si turravrap më doli edhe mendimi nga unë shumë i pëlqyer i Martin Luther King-ut: “Askush nuk të hyp dot në kurriz nëse ti nuk përkulesh”!...

Në këtë lëmsh, m’u “erdhi” edhe mendimi im, se: “Drejtësia është vetëm kuptim që nuk prekë as tokë as qiell, e kufiri është paradoks i lindur kopil”! Tash, me këto mendime më përzihej vërdallë historia e njeriut, historia e kombit dhe e atdheut, por, pse jo edhe e botës. Dhe, tash rruga m’u se nuk ishte më tepër thuajse një metër!

Posa arritëm, u drejtuam menjëherë për tek Hoteli “Rafaelo”, sepse, aty ishim akomoduar edhe disa vite më parë. Por, hoteli i vogël dhe simpatik më nuk ishte. Në vend të tij po i zinte rrënjët një objekt tjetër hotelier dhe turistik me përmasa më të mëdha. Megjithatë u drejtuam tek hoteli tjetër në kuadër të kompleksit “Rafaelo”...

Një prej pamjeve të Shëngjinit

Hotel “Rafaelo”, akomodimi ynë dhe kultura e turizmit...!

Afrohemi tek recepcioni i kompleksit tjetër të “Rafaelo”, dhe zonja që e kishim takuar edhe vite më parë, na përshëndet, kurse ne pyesim për çmimin në këtë kohë kur nuk kishte ende sezon turizmi. Nuk ishin çmime që “xhepit” tonë por as realitetit nuk i përgjigjeshin. Ose, shkurt, zonja nuk tregoi, ky mendim imi, respekt as tolerancë të kulturës turistike. Prandaj, u larguam dhe u nisëm sipër këtij kompleksi deri tek Restorant “Iliria”. Aty na priti një zonjë modeste por shumë e afërt dhe komunikatave, dhe pa ndonjë hamendje u akomoduam këtu, ndërsa, znj. Bore, na informoi për gjithçka rreth kushteve. Edhe pse dhomat ishin modeste, por na pëlqeu sjellja e zonjës, e cila na shpjegoi se ishte nga Kosova, kurse bashkëshorti i saj, i cili edhe ai ishte së bashku me te, kishte qenë një zejtar-bukëpjekës, i cili për shumë vite kishte punuar me suksese në qytetin e Pejës.  Mirëpo, përveç të gjitha këtyre, më joshi edhe emri “Iliria”, dhe tash, pas akomodimit, miku im Tahiri insistonte që patjetër të kontaktonim me mikun tonë, Zeqir Lushajn, një njeri i jashtëzakonshëm, me virtyte të larta njerëzore dhe kombëtare, por edhe një krijues karakteristik, i cili, jo vetëm që i ruan por edhe i afirmon me fanatizëm doket dhe zakonet e njeriut të Krahinës së Tropojës, të Malësisë së Gjakovës, prej nga e ka edhe prejardhjen.

Ky njeri, i cili, një kohë bukur të gjatë ka jetuar edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e që siç thotë edhe ai vetë, e di peshën dhe plagët e kurbetit, me këmbëngulje na fton në drekë. Të gjitha i lamë dhe u nisëm me makinë për tek shtëpia e tij, e cila gjendet në një shpat pak më larg, e prej nga njeriu e ka në shuplakë dore tërë Shëngjinin dhe një pjesë të madhe të detit shqiptar.

Dreka, miqësia dhe rrëfimi historik te shtëpia e Zeqir Lushajt

Tani, këtu ku nuk ishim për herë të parë, fillimisht, të imponohet madhështia dhe bukuria e kopshtit, në të cilin, z. Lushaj kishte kultivuar shumë trupa dhe fidanë pemësh, të cilat, secila veç e veç e kishte historikun dhe karakteristikën e saj; si mandarinat, mollët gjyle-ngjyrë alle, të cilën e kishte sjellë nga Prekazi, respektivisht nga nipi i Ahmet Delisë...


Krijuesit, Zeqir Lushaj dhe Tahir Bezhani duke biseduar për bukuritë e kopshtit të shtëpisë së Z. Lushajt

Krijuesit, Zeqir Lushaj dhe Sejdi Berisha para oxhakut-vatrës që e ruan me fanatizëm z. Lushaj

Gjërat e kulturës dhe etnografisë ruhen me fanatizëm

 

Ja, boça e misrit në derë që simbolizon shumëçka

Dua të theksoj, se posa zbrita nga makina për ta hapur derën e oborrit mu si në shtëpinë time, Zeqir Lushaj, në vend të rezës së derës, e kishte vënë një boçë të misrit, e cila menjëherë më asocoi në simbolikën e bereqetit dhe të mikpritjes së shtëpisë shqiptare.

Qëndrojmë një kohë bukur të gjatë në oborrin dhe kopshtin e shtëpisë së këtij burri, duke na shpjeguar për gjithçka çfarë kishte kultivuar e bërë këtu. Por, dua ta them një veçori tjetër. Posa doli tek dera e oborrit për të cilën fola, Zeqir Lushaj na flet me pietet dhe me ngrohtësinë e shpirtit sesi pas sa kohësh jete në Amerikë, ishte kthyer në atdhe:

-Tash jetoj, pushoj, krijoj, kuvendoj e këndoj lirshëm se më nuk jam në kurbet, i cili shumëkujt ia ka nxirë jetën, ia ka bluar mushkëritë... Tash, e di se një ditë këtu do të prehëm qetë e pa shkrumb mëmëdheu,...! –thotë Zeqiri, të cilit iu skuq fytyra nga ndjenja dhe malli, iu mbushen sytë më lot, dhe kështu më bëri edhe mua të tërin, që më dukej vetja se isha si një lypës me një strajcë të mbushur e stërmbushur me historinë e kombit dhe të atdheut tim! Më duket se ishte ky një provokim, që nuk do t’ia bëj “hallall” mikut tonë që na priti me këtë “peshqesh”, i cili më vonë na shërbeu për muhabet e biseda të gjata...

Tash, Zeqiri bashkë me bashkëshorten e tij, znj. Sabrije nga ftojnë që të ulemi në tyrezën e zemrës dhe të bereqetit e të madhështisë së Zeqir Lushajt, në dhomën e tij në katin përdhesë, e cila i ngjante një hapësire të rrallë solemne.

Në çdo kohë dhe në çdo stinë e situatë shtrohet sofra me të gjitha begatitë dhe bereqetet në shtëpinë e Z. Lushajt(Znj. Sabrije duke seruar gjellën)

Pos bukës dy lloje, një lakrori të shkëlqyeshëm gatuar nga duart e zonjës Sabrije, çorbës së gatuar enkas, mishit të viçit, por edhe kosit dhe sallatave, në tryezë sikur buzëqeshë një shishe specifike me verë të kuqe, të cilën unë edhe pse rrallë e konsumoj, shumë e kam për qejfi. Por kishim rënë në hallë si ta hapnim, sepse, çepin e kishte specifik, mirëpo, në këtë drejtim na doli në ndihmë, miku dhe krijuesi nga Gjakova, Tahir Bezhani. Por, mos të harroj se edhe rakia e veçantë ishte aty njëherë për z. Zeqir Lushaj dhe pak edhe për z. Bezhani... Ndërsa, Uji Lajthize kishte zënë avull në shishet e ftohta...

“Eja një natë ta bëjmë krypën mjaltë...!”

Ishte drekë edhe e paharruar, por edhe e gazepshme. E gazepshme, sepse, si z. Lushaj ashtu edhe znj. Sabrije, pandërprerë nuk na linin “rehat” duke na lutur që ta ndjenim vetveten sa më shlirë...!

Dhe, nuk do ta zgjasë rrëfimin këtu, sepse, do të nevojitej një kapitull i tërë libri. Mirëpo, folëm për letërsinë, për kulturën, për historinë e vjetër dhe të re...! Folëm për urat krijuese, për Mitingun e Poezisë në Gjakovë edhe për Orën Letrare në Bajram Curri,... Folëm për detin  dhe Rërën e Hedhur,... Folëm për vlerat e pavlerat,... Folëm për Naimin, për Konicën e Nolin, folëm për Ismail Qemalin, Ibrahim Rugovën, Adem Jasharin e shumë të tjerë... Folëm edhe për Enver Hoshën e Fadil Hoxhen,... Folëm për bashkimin e rrugëtimit kombëtar,... Folëm për Evropën, Ballkanin e Botën...!

Folëm edhe për babën tim dhe për prindërit e të tjerëve, që na sollën në jetë, na rritën e na ruajtën dinjitetin, faqen e bardhë, dhe duke i thënë z. Lushajt:

-Zoti ta dhashtë bereqetin dhe shëndetin...! –ai u provokua nga kjo dhe iu kujtua babai i tij, të cilin, për kontributin e tij në bukëdhënie në krahinën e Tropojës, vitin e kaluar e nderoi kjo anë e Shqipërisë me mirënjohje të veçantë, dhe tha:

-Babai, njëherë e kishte ftuar një mik të vetin në konak dhe i kishte thënë: “Eja një natë ta bëjmë krypën mjaltë”!

Tash, nëse zbërthehet kjo fjali, s’ka se si ndryshe përveçse del madhështi e njeriut të tokës së shqiponjave. Kaq... Dhe nuk dua të flas më për drekën, por në fund, kur dolëm për t’u përshëndetur, në kopsht pimë edhe nga një kafe në atë tavolinën historike që qëndron aty.

Te dera u përshëndetem për t’u takuar sërish. Dera e oborrit sërish u mbyll me boçën e misrit!

Çaste mbrëmjeje në Shëngjin

Te Restoranti “Iliria”, më shikim kah plazhi, në buzëmbrëmje, valët e detit dhe poezia më provokonin... Çfarë nuk më sillej vërdallë në këtë kokën time... Aty e takojmë Kozeta Zavalanin, krijuese dhe humanitare me disa nga miqtë e saj..., takojmë edhe shumë miq nga Kosova... Por tash, valët përkëdhelëse të detit e dielli në perëndim, krijonin piktura të rralla, të cilat mund të bëhen e shijohen vetëm këtu në Shëngjin e në tokën e kombit tim...

Një kujtim prilli 2016 në plazhin e Shëngjinit(Krijuesit, Tahir Bezhani dhe Sejdi Berisha)

Takimi me krijuesit e Lezhës në Shëngjin ose, Kosovën e mësova më mirë nga axha se sa nga historia!

Në mëngjesin e së shtunës, pasi pimë kafenë e mëngjesit, presim të takohemi me krijuesit lezhjanë, të cilët na kishin premtuar se do të vinin në Shëngjin. Dhe, ashtu edhe ndodhi. Viktor Gjikolaj dhe Azem Baliaj të mbushur plot energji krijuese por edhe madhështi e miqësi, posa u takuam dhe pimë nga një kafe te “Iliria”, ata “zgjodhën” një ambient tjetër, i cili edhe pse ishte i vogël, dukej shumë i ngrohtë dhe intim, ashtu siç e dëshirojnë edhe poetët, krijuesit. Në këtë “aheng” shpirti e miqësie, kuptohet, na u bashkua edhe Zeqir Lushaj.

Takim i përzemërt krijuesish i cili afirmon dhe i forcon hallkat dhe vlerat krijuese kombëtare(Viktor Gjikolaj(Lezhë), Sejdi Berisha(Pejë), Zeqir Lushaj(Shëngjin), Tahir Bezhani(Gjakovë) dhe Azem Baliaj(Lezhë)

Tash, këtu, sërish ia nisë “odisejada” e ngrohtë për kulturën, por edhe për problemet dhe historinë... Bisedat, edhe pse fragmentarisht, na sjellin shumë kujtime e gjëra që janë të lavdishme por edhe trishtuese... Shumë fitore, por edhe dështime nga vetvetja... Në këtë kontekst, krijuesi dhe humoristi e satiristi me peshën dhe mesazhin aq të mprehtë e intelektual dhe njeri gjithmonë plot buzëqeshje, Azem Baliaj, në një kontekst e tha:

-“Kosovën e mësova më mirë nga axha se sa nga historia...”! –ishte kjo një dëshmi e hidhur që edhe sot peshon mllef e plagë!

Por, vera e kuqe e “ngriti” ndjeshmërinë... Tani, nuk munguan recitimet e poezive të shoqëruara me sinqeritetin krijues, e gjithsesi edhe me “zjarrminë” e verës së kuqe. Në këtë “llahtari” shpirti, më shumë u shquan krijuesit nga Lezha, Viktor Gjikolaj dhe Azem Baliaj. Azemi., pasi ia dhurova librin “Konflikti me vetveten” dhe atë me poezi “Në lumë bie shi”, ai, më vonë kishte thurë një poezi plot satirë, poezinë “Kinezët në Shëngjin...(?!)”, e cila u mirëprit dhe u komentua nga shumë lexues,...

Ja, kjo poezi:

 

KINEZËT NË SHËNGJIN...(?!)

(-“Mosmarrëveshje me Sejdi Berishën”-)

 

Vëllai im prej Peje, poet i dëgjuar,
Nervat m'i grrith' duke folë përditë...
Për lumin, me shi lotësh turbulluar,
Që derdhet në det arat pa vaditë!

Ky lumë i madh, shpirt i pejanit trim,
Edhe ndenjen nganjëherë e prish...
Shi...i lëshonte, dje nëpër Shëngjin,
Dhe pse dielli po na digjte si pishë!

Duhet të bashkohemi, të mblidhemi
Bërtiste, si të parët kur nxehnin motin!
Prej një imazhi filluam të dridhemi...
"Vëllezërit" kinez po firmosnin portin!

Vëllai prej Peje dhe poetët e tjerë
U kontraktuan, pamja krejt i hutoi!
"Tollumbace" fjalësh, flatruan në erë...
Vetëm At Zef Pëllumi,"diçka" arkivoi!

(Lezhë,17 prill 2016. (ab)

Edhe diçka. Këtë njeri kaq alegro e virtuoz, e pashë sot se lotët ia përlanë sytë. Edhe kjo ishte dëshmi se ky njeri është i veçantë dhe njerëzor!

Edhe Ramiz LUSHAJ sikur ishte me ne...

Ramiz LUSHAJ, një krijues i palodhur dhe i devotshëm, vizita jonë në Shëngjin sikur e nxori edhe njëherë me ndijimin e tij shpirtëror, i cili brenda vetvetes ka madhështinë, peshën dhe vullnetin për ta bërë dritë çdo gjë që është me vlerën dhe madhështinë historike, historiografike dhe kulturore të të gjitha trojeve shqiptare.

Këtë e dëshmon edhe poezia e tij e botuar në kuadër të qëndrimit tonë në Shëngjin:

 

HAPIN E DYTË E BAJNË BASHKË

 

Berisha i Pejës e Bezhani i Gjakovës
Vetëm një hap janë larg.
Hapin e dytë e bajnë bashkë.

Toka, historia, eposet e Alpeve,
Iu dhanë talent, iu burimojnë frymëzim.
Fjalët iu ujëvarojnë në shkrime, e vargjeve…
Me libra i numërojnë hapat në të gjatin udhëtim.

Në hapat e tyre me lartësi burri,
I kanë veprat me lang qielli, me palcë guri,
Iu mjaltojnë hojet e jetës e të vetvetes:
Bezhanit të Gjakovës e Berishës të Pejës.

(Tiranë, 17 prill 2016)

Shpejt e shpejt duke e zënë ndonjë kujtim krijues para nisjes për në Lezhë

Edhe këtij takimi iu afrua fundi dhe u përshëndetëm me lezhjanët, për t’u takuar të nesërmen në Lezhën e Skënderbeut.

Në mbrëmje, sërish valët e detit dhe peizazhi në perëndim të diellit e bën të vetën, më përmalluan por edhe më madhështuan, dhe ec e ç’kapi këta dy faktorë, që pothuaj se janë pjesë e jetës së çdo njeriut dhe atë ndër vite, decenie e shekuj...!

Ikja për në Lezhë e pastaj për në Kosovë

Të mos harroj. Në mbrëmje, kur u kthyem në dhomë, mua dhe Tahirin sikur na “zigloi” nevoja për të ngrënë edhe nga pak bukë, të cilën e kishte sjellë Tahiri nga shtëpia e tij. Dhe, këtu unë e pata fatin që të ha pite me hitha, të cilën e kishte gatuar për merak bashkëshortja e Tahirit. Piten atij nuk ia kishte ënda, por ai “rrasi” djathë, suxhuk dhe sallatë...

 

Edhe një kujtim në plazhin e Shëngjinit(Tahir Bezhani dhe Sejdi Berisha)

E theksova këtë, sepse, kjo darkë e paplanifikuar na shërbeu që të vazhdojmë bisedat dhe komentet në mënyrën tonë. Mirëpo, ai, kësaj radhe më “lodhi” me rrëfimin se kur policia serbe e kishte maltretuar dhe rrahur e pastaj e kishte dërguar në burgjet serbe... Edhe kjo ngjarje ishte rrëqethëse si edhe shumë të tjera në Kosovë...

Tash, pasi në mëngjes i përgatitëm plaçkat për të udhëtuar, së pari në Lezhë e pastaj për në Kosovë, duke pirë kafenë e mëngjesit te “Iliria”, erdhi dhe në shoqëri na u bashkëngjit z. Sadri Ferati, nga Kosova, i cili është një njeri i devotshëm i kauzës kombëtare dhe njeri që angazhohet për zhvillimin e vlerave shoqërore dhe politike të Kosovës. Edhe këtë takim, e shfrytëzuam për biseda të përzemërta dhe konstruktive në të gjitha fushat, duke përfshirë këtu edhe letërsinë por edhe rrjedhat aktuale shoqërore dhe politike jo vetëm në Kosovë.

Në shenjë respekti dhe kujtimi ia dhurova dy veprat e mia që më qëlluan aty; librin me poezi “Në lumë bie shi” dhe librin me ese dhe shkrikme të tjera “Konflikti me vetveten”. Dy vepra të veta ia dhuroi edhe miku im, krijuesi nga Gjakova, Tahir Bezhani dhe pastaj u përshndetem dhe u nisëm për në Lezhë.

Pas bisedave padyshim se preferohet edhe një foto për kujtim-Shëngjin, 16 prill 2016(Sejdi Berisha, Sadri Ferati dhe Tahir Bezhani)

 

Pranë shtatores së At Zef Pëllumbit

Por, para se të niseshim për në Lezhë, kisha dëshirë që të bëja një foto pranë shtatores së A’t Zef Pëllumbit, që ishte mu pranë plazhit. Shumë më intrigon vepra, por sidomos titulli i librit të tij “Rrno për me tregue”! Dhe, këtë besoj se nuk ka nevojë shumë për ta shprushur... Është edhe histori, por edhe formulë e pavdekshme mësimi e qortimi...!

Takimi në Lezhë dhe vera e kuqe “Kallmet”

Posa arritëm në Lezhë rreth orës dymbëdhjetë, kishin qenë duke na pritur si dy yje që bëjnë dritë në pikë dite, krijuesit Viktor Gjikolaj dhe Azem Baliaj. U ulem në një restorant pranë lumit, por, paraprakisht, z. Viktor Gjikolaj na i dhuroi tre litra verë të sojit “Kallmet”; një për mua, një për Tahirin dhe një për krijuesin Muharrem Kurti, i cili aktualisht ndodhej në Gjakovë.

Takimi me krijuesit lezhjanë në Lezhë-17 prill 2016(Sejdi Berisha(Pejë), Tahir Bezhani(Gjakovë), Azem Baliaj(Lezhë) dhe Viktor Gjikolaj(Lezhë)

Edhe këtu, duke pirë kafe, biseduam e për çfarë nuk biseduam. Letërsia, vlerat por edhe afirmimi më i mirëfilltë dhe mbështetja morale mbase e materiale e krijuesve, ishte një prej temave. Por, kësaj radhe, më insistimin e Azem Baliajt, biseduam për eksodin e shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës, gjë e cila kishte mobilizuar të madh e të vogël në të gjitha trevat shqiptare, për t’i strehuar familjet, gratë, fëmijët, pleqtë dhe të tjerë, të cilët kishin mësyrë pa adresë me gjithfarë mjeti transportues, e më së shumti me traktorë, disa prej të cilëve edhe ishin të mbuluar me plasmas apo edhe çadra të improvizuara.

Dhe tani, shpirti i madh prej njeriut plot jetë, gaz e hare edhe në situata më të ndërlikuara dhe tragjike, ai i Azem Baliajt, një fragment të rrëfimit të tij për ato situata ia vlen ta veçojmë.

Ai shpjegonte se si kishin vërshuar kosovarët për të shpëtuar gra, fëmijë e pleq, dhe në ato raste patjetër se kanë qenë prezentë edhe përfaqësues të shoqatave të huaja humanitare. Dhe ai thotë:

-Ishte natë. Rimorkiot e traktorëve plotë e përplot me njerëz. Por, aty-këtu vërehej se rimorkiot lëkundeshin pandërprerë, kështu që një përfaqësuese ndërkombëtare, nga kureshtja pyeti: çfarë po ndodhë kështu?!... - ky i ishte përgjigjur:

-Edhe në situatat më tragjike dhe më të rënda, ky popull nuk hamendet për t’u shumuar dhe se nuk ka forcë që mund ta pengojë në ecjen përpara dhe në ruajtjen e identik dhe të historisë së vetë ...!

Edhe ky ishte një biser i së vërtetës të popullit tonë, që është më vitali dhe më i qëndrueshmi.

Dhe, nuk di se a puthitet fortë ky mendim, por megjithatë ia vlen ta theksoj për fund: “Kur ta hedhësh dheun mbi trupin e më të dashurve tu, atëherë e kupton se sa vlerë dhe peshë ka njeriu, kombi dhe atdheu mbase edhe njerëzimi...! Kaq.



(Vota: 91 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: