Vangjush Saro: Tema dhe punë të lëna përgjysmë
| E Hene, 04.04.2016, 08:18 PM |

Tema dhe punë të lëna përgjysmë

ose

N/Titull: “Një popull i strehuar brenda zërit të tij...”

Nga Vangjush Saro

Një punë e lënë përgjysmë, është më keq se një punë e pafilluar fare. Kështu thotë një fjalë e urtë. Për shkaqe që nuk mund t’i shtjellojmë aq lehtësisht sa duket në shikim të parë, në Shqipëri një tok punësh janë lënë e mbeten përgjysmë; kohë pas kohe, për shumë e shumë kohë; sikur dikush (parti, klan, familje, shërbim) mëton me këmbëngulje të mos ndryshojë e të mos zhvillohet ai vend. Kohët e fundit po flitet shumë për reformën në drejtësi. Tashmë, ajo është bërë legjendë. Politikanët po e tjerrin atë me sherre e duke u giciluar… Ua kërkon këtë reformë sovrani (me të cilin sillen si padronë); ua kërkojnë partnerët që i monitorojnë, ata më të afërtit dhe ata më të largëtit; iu bëhet presion pareshtur nga vetë situata dhe kushtet e vendit… Por ata as që duan t’ia dinë për këto subjekte. Ata vazhdojnë polemikat dhe sulmet propogandistike nga të dyja palët, skenar ku bie në sy roli prej karagjozi dhe zelli çoroditës e shkatërrues i opozitës dhe i drejtuesve të saj, rëndom njerëz pa integritet. Në këtë klimë groteske, liderët politikë po shkëmbejnë edhe letra, (a thua janë njëri në Hënë e tjetri në Tokë).

Vazhdojmë gjithë në temën e gjërave të lëna përgjysmë. Sa kohë, sa shumë kohë, që TVSH, i vetmi kanal televiziv publik, i pari kanal televiziv i vendit, vazhdon të jetojë një gjendje për të ardhur keq. Me aq shumë përvojë, me gjithë atë staf, në një territor për t’u pasur zili, institucioni vuan mungesën e investimeve dhe të kujdesit, duke qenë njëkohësisht edhe viktimë e korenteve politike dhe e orekseve të elitës politike. (Para disa kohësh, m’u dha rasti të merrja pjesë në një emision të njohur; shkova atje, kisha kohë pa hyrë dhe pa parë përqark. Zyrat, korridoret, studio, mjediset në tërësi, ishin për të ardhur keq. Sa iu takon pajisjeve, nuk kam tagrin të flas, por jam i bindur që assesi edhe ato nuk mund të ofrojnë një pamje tjetër.) Mandej, edhe “qershia mbi tortë” dhe ndër gjërat e fundit të lëna përgjysmë në këtë institucion: mungesa e drejtorit. Shikoni pra, sa qesharakë jemi; luajmë me ligjet, me nenet, me kohën, mjaft që TVSH të vazhdojë të mbetet një lodër në duar të pushtetit të radhës.

Një temë tjetër e lënë përgjysmë. Kohët e fundit, mësuam përmes mediave se një arkitekt italian, Stefano Boeri, ka fituar konkursin për hartimin e planit urbanistik të Tiranës. (Konkursi i shpalluar nga Ministria e Zhvillimit Urban.) E pra, nuk mbahet mend sa debate e konkurse i janë përkushtuar këtij… plaaaani. Mjaft të thërrasim pak në ndihmë kujtesën dhe do të rishohim që tryezat me bocete kanë qenë torta e çdo pushteti e klani. Po. Dikur bërtitej me të madhe se mungonte plani urbanistik i Tiranës; pastaj që ai ishte përfunduar… Pastaj thuhej prapë jo. Mandej po. Tani, sërish vjen në “axhendë” kjo gjë e lodhshme, si vetë koha e quajtur tranzicion. Për diçka me gjë flet edhe fituesi. (“Gjëja e jashtëzakonshme e Tiranës - thotë ai në një intervistë për Top Chanel (edhe kjo s’qenka shqip) - është një lloj muzeu i 900-s. Duke ecur në sheshet dhe rrugët e këtij qytetit, një njeri sheh ndikimin e kulturave të të gjithë planetit.”) Edhe pse nuk jemi plotësisht të një mendjeje me zotërinë në fjalë, le të urojmë që ky projekt të jetë i fundit që e mban pezull kryeqytetin.

Këto tema e punë të pambyllura asnjëherë, e të lëna pezull, nuk iu përkasin vetëm reformave e projekteve. Duke ndjekur të njëjtën fije të ndryshimeve e të mosndryshimeve, kujtojmë që flitet vazhdimisht për rinovime, për shembull… si ribëhet Kryeministria ose aksh ministri apo si do t’u dukërka Prefektura (e ardhshme); qenka problem i madh të kalkulosh ca ndryshime në një ndërtesë dhe pastaj t’iu hedhësh njerëzve hi syve me lyerje a një fasadë tjetër. Çfarë e bën të ndryshojë një gjë të lënë pezull? Lyerja? Sistemimi i karrigeve e kolltukëve? I dosjeve? I listave gjithfarë? Unë, bie fjala, nuk e kuptova çfarë ndodhi që Ministria e Arsimit lejoi anëtarët e një Komisioni (të teksteve e të përzgjedhjes së librave artistikë plotësues) të hidhnin në lista “veprat” e tyre e të miqve të tyre, ndërkohë që disa herë kanë plasur skandale me tekste mediokre e të ulëta, (si nga niveli artistik, ashtu edhe për nga morali shoqëror); bejte krejt të papërshtatshme për fëmijët e të rinjtë. Dhe për më tej, nuk e kuptoj, më mirë s’dua ta pranoj, që çdoherë kur ndërrohen pushtetet, duhet të ndërrohen edhe autorët e veprat që iu ofrohen shkollave, sikur të ishte fjala për gjeste politike dhe jo për art e letërsi(!)

Duke i parë ndonjëherë këto dhe tema të tjera, të ndërvarura apo të  trazuara aty-këtu nga çështje gjithashtu të mbetura pezull, si Gërdeci dhe pasuritë e pajustifikuara të politikanëve kryesorë e familjarëve të tyre, pse-të e shumta të tërkuzjes së tranzicionit (që është shndërruar në një makinë fitimprurëse për zyrtarët dhe partiakët e lartë dhe për familjet a klanet e tyre) e marrin ndonjë përgjigje. Më në fund, temat dhe punët e lëna përgjysmë, janë pjesë e gjithë procesit të papërfunduar apo të panisur për vendosjen e rendit demokratik dhe të shtetit ligjor. Një sjellje e tillë skandaloze dhe e pandëshkuar asnjëherë, ka lënë pezull e përgjysmë vetë fatin e atij vendi. Pjesa më e madhe e qytetarëve të tij ngrohen në diell dhe presin me sytë nga qielli të ndryshojë ndonjë gjë. Të ndryshojnë edhe këto gjërat e lënë përgjysmë. “Një popull i strehuar brenda zërit të tij...” Thotë diku shkrimtari i njohur britanik Xhejms Xhojs.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: