Drita Lushi: Adhurimi
| E Premte, 01.04.2016, 09:00 PM |

ADHURIMI

Tregim nga Drita Lushi

S’e kisha menduar kurrë, që në moshën me ëndërrat  më të bukura  do të shkëputesha nga shoqëria,shkolla dhe  akoma më keq, do të ngujohesha në shtëpi. Megjithëse jetoja në një qytet të vogel  verior si Delina ime,  kurrë se kisha marrë jetën me pesimizëm.

Bukuria që më kishte dhuruar zoti,dhe vendosmëria , më ndihmonin  që ta shihja çdo gjë me optimizëm.

Im atë, njeri i  urtë e i thjeshtë, punonte hidraulik, ndërsa  nëna, infermiere në spitalin e qytezës,  u ishte gjendur përherë pranë të sëmurëve.

Ishim një familje e bashkuar dhe katolikë të mirë. Çdo fundjavë shkonim familjarisht në kishë. Vellezërit, në fillim  nuk e kishin me shumë qejf ardhjen, por mjaftonte  një vështrim i  babait dhe ata  bindeshin.

“Nuk është puna të vini  me zor”- u thoshte babai, “por të besoni thellë atë që bëni. Asgjë s’ka vlerë po s’u bë me shpirt”.

Ai na kishte mësuar të falënderonim Zotin për ato që na kish dhënë.

Isha në orë të letërsisë, kur  im atë, bashkë me dy vëllezërit,  hyn pa trokitur në klasën ku mësoja. Shtanga dhe u skuqa.Si mund të hynte kështu? Unë nuk isha fëmijë, për më tepër  asnjëherë nuk na kishte munguar edukata dhe vetëpërmbajtja në familje.

Pa  i  hedhur sytë fare nga banka ku rrija unë, ai  diçka  bisedoi me mësusesen, e cila më pas  më drejtohet: “Vilma  shko me babain”!

Nuk po merrja vesh asgjë.

U ngrita instiktivisht.

Dola nga klasa dhe  bëra rrugën me ta, pa këmbyer asnjë fjalë. Edhe vëllezërit ishin të tronditur. Ati ynë,që shquhej për urtësi dhe vetepërmbajtje, sot ishte “tjetër” njeri, e kjo tregonte se dicka kish’ ndodhur.

“Mos ndoshta gjyshja…”- mendova? Ajo kishte qenë sëmure prej kohësh, por jo aq, sa të mendoja të keqen.Pasi përshkruam rrugën përmes qendrës me hapa të mëdhenj që të mund të ndiqnim babain,  i cili nxitonte, arritëm në shtëpi, ku nëna ishte duke lotuar.”Po të kishte ndodhur gjë, do ishte veshur me të zeza”- mendova në moment.

Duke parë hutimin tonë nëna e mblodhi veten. Fshiu lotët dhe pasi na afroi pranë  vetes na tha:  “Mos u shqetësoni fëmijë. E rëndësishme është që zoti na ka dhënë shëndetin.Për disa kohë, do rrimë në shtëpi të mbyllur. Xhaxhai  juaj ka  vrarë komshiun e vet, - vazhdoi ajo pas një heshtje te shkurtër,-dhe njerëzit e tij, janë duke kërkuar çdo të afërm.Pasi bëri këtë veprim të shëmtuar  ai u “zhduk”- përfundoi ajo duke na parë në sy.

Mu  rrotullua  shtëpia. Vëllezërit mu dukën të tmerruar. Një ankth i tmerrshëm ra mbi mua si një rrufe në qiell të pastër. Nuk ishte vetëm  frika nga gjakësi, por në mendje më parakaluan të gjitha planet dhe ëndërrat e mia, që do ngeleshin të gjysmuara.

Isha në kulmin e ditëve dhe gëzimeve të moshës. Kush vajzë 17- vjeçare do pranonte të mbyllej në shtëpi, kur lulet e moshës njihnin vetëm stinën e pranverës? Kisha nevojë për ajër dhe  dritë, kisha nevojë  të shkelja rrugë, te vrapoja rrugicave ,e trotuareve.

Ishte stina ku do deshiroja te qeshja çdo minute, të shoqërohesha, të ndieja vështrimet adhuruese të djemve, të cilat më pëlqenin, e darkave i risillja në kujtesë ato, dhe  cdo gjë që më ndodhte gjatë ditës.

Nisa të qaja.

Çmund  të bëja tjetër?Vetëm lotët ndieja të gjallë  ato momente. Trupi sikur mu vyshk brenda një çasti.

E dija mirë se ç’do të thoshte ngujim.Mund të rrije vite të tëra brenda, mund të shihje transformimin e vetes, mund të  shihje vitet të të iknin nën këmbë, e shkolla të të mbetej një ëndërr.

Me dhimbseshin familjet që rronin në këtë mënyrë, e kur flitej për tó trishtohesha, por që një ditë do kisha këtë fat dhe unë?

Kurrë! As nëpër mend s’e kisha çuar ndonjëherë.

Por tani ishte një realitet.

Realiteti im.

Babi filloi të lutej e u përpoq të na qetësonte. Vëllezërit  nuk qanin, por heshtja e tyre fliste më shumë se çdo fjalë.

Edhe ata kishin shoqërine e tyre, shkollën, por kishin dhe njëri tjetrin. Ishin binjakë , por dhe shokë.

Tani  isha një e ngujuar.

Ndoshta, pa kaluar shumë,  për një muaj, ose më shpejt, do më braktisnin shoqet dhe shokët, ndoshta do më harronin dhe  emrin.

Unë do të  filloja të  “flisja” me muret, sendet dhe  orenditë.

Ç’ironi ë ?!

Do të flija sa të doja, a do rrija zgjuar, do këndoja, a do qaja.  Isha e “lirë” brenda mureve të shtëpisë! Mund të bëja ç’të doja!

Kjo po, që ishte “liri”.

Kisha filluar të ironizoja veten dhe situatën.

Ç’mund të bëja tjetër?

Kush do arrinte vallë të më kuptonte?

Të mbyllesha brenda, për mua do të thoshte të vdisje ngadalë, ditët dhe muajt do të zveniteshin nën letargjinë e tingujve të pazëshem që  përçonin muret rrethues ndaj meje.

Teksa ecja  nëpër shtëpi, rrotulloheshin, ecnin, vraponin, pushonin për të rifilluar përsëri sprintin edhe arsytetimet e ashpra, dëshpëruese,e të pashpresa.

Pas disa orësh ishim ulur të gjithë në dhomën e ndenjes së bashku me heshtjen, që  na kish mbuluar, ashtu si pluhuri mobiljet në shtëpitë e braktisura.

Në mendjen e gjithëscilit mund të kishte njëmijë pyetje, hamendësime, ankth, pasiguri. Asnjëri  nuk guxonte të thoshte me zë, vrazhdësinë e mendimeve.Druheshim, se mos padashur lëndonim tjetrin.

Heshtjen e theu babai.

“Çfarë u bë, u bë. Të shpresojmë që organet përkatëse të bëjnë punën e tyre.

Çdo gjendje nervozizmi do të na bënte keq”

  njëfare mënyre kishte të drejtë. A mund ti binim murit me kokë? Duhej menduar se ç’do të bënim ditët në vijim.

Në qytet,motrat e mamasë u kujdesën e  sollën cdo gjë që na nevojitej.Por nuk ishte ky problemi i  vetëm. Ç’do të bëhej me shkollimin tim dhe të vëllezërve? Ndoshta ne do të dilnim një ditë nga ky ngujim i mallkuar. Në fund të fundit njeriun shpresa e mban në këmbë

Tri ditët e para, qenë të mbushura me ankth stres,shpërqëndrim, trishtim. Nuk guxonim të shiheshim në sy.

“Duhet menduar për mësimet tuaja” -na u drejtua babai.

Këtë ua tha dhe tezeve të mia, dhe e madhja Diana, vajti në drejtorinë e shkollës. Drejtori u tregua i gatshëm, dhe siç na tregoi ajo, i kishte shprehur keqardhjen për ne dhe familjen dhe i kishte ofruar mundësinë e sjelljes së dy mësuesëve për të  vazhduar mësimet në kushtet e shtëpisë.

Mësimi do të  bëhej i diferencuar.

Elisabeta, mësuesja e letërsisë që e doja shumë, ishte treguar e gatëshme të na vinte në shtëpi, megjithse ishte shtatzënë. Po kështu edhe mësuesja e matematikës.

Filluan të vinin njëherë në dy ditë në shtëpi, dhe na jepnin mësim në mënyrë të alternuar. Kur unë mësoja letërsi, vëllezërit matematikë.

Ishim me fat që kishim një shtëpi të madhe dhe kështu patëm mundësinë të studionim të ndarë.

Me kalimin e ditëve, sikur filluam të ambjentoheshim  pak e nga pak me situatën.

Ardhja e mësuesve në shtëpi, ishte si  ajri i pastër që futej përmes mureve. Jo vetëm që me tó  mësonim, por flisnim edhe për gjëra të ndryshme, që ndodhnin  jashtë mureve të shtëpisë, në shkollë e përreth. Për mua ishin bërë si shoqe këto ditë të rënda.

Mjaft të hapej  e të mbyllej dera, të futej një njeri, dhe mua  më dukej sikur vinte një copë botë, një copë jetë brenda meje.

Shoqet vinin shumë rrallë.  Por s’mund t’i  gjykoja. Në familjet e ngujura, njerëzit kishin frikë të shkonin lirshëm nga frika e  hasmit.

Kur mësuesja e letërsisë  i erdhi dita e lindjes u trishtova që ajo do shkëputej nga ne,sidomos nga une.Jo vetëm që e doja shumë, por pasioni im për letërsinë ishte qëllimi që më jepte njëfarë  qetësie dhe gëzimi këtë kohë të mbylljes në shtëpi. Ajo më sillte libra të ndryshëm, të autorëve botërorë e shqiptarë  te cilët i lexoja me kënaqësinë më të madhe.

Koha ime  tashmë ishte e pakufizuar, e palimituar.

Ndoshta ditënata kishte jo njëzet e katër orë, ndoshta tani orët për herë të parë më dukeshin të pafundme, e une paralel me tó, ndihesha e vetme në zbrazëtinë time, ndërkohë që mes shoqeve, orët dhe koha s’më mjaftonin asnjëherë, e megjithatë, ndjehesha plot.

Por drejtori u tregua shumë i  gjendshëm. Na dërgoi një mësues tjetër, Tonin.

Megjithëse nuk e njihja, ( ai nuk  më kishte dhënë mësim në shkollë), përsëri  isha  e kënaqur. Do ishte më keq, pa mësim, sidomos pa letërsinë  time.

Me mësuesin e ri, nuk pata lirshmëri  si  me mësueset, të cilat  më ishin  bërë  si shoqe. Ndërsa vëllezerit u gëzuan që u erdhi “një burrë”.

Megjithatë ndonëse ditët e para ishin të veshura me ndroje, vetëm mësim e shpjegim ,në ditët që pasuan situata ndryshoi.

Profesor Toni ishte një burrë simpatik, i vetmi mashkull (veç babait dhe vëllezërve), me të cilin kisha kontakt, brenda mureve të shtëpisë.

Ai  ishte i thjeshtë dhe ashtu si me mësueset, filluam    flisnim   edhe për ato që ndodhnin Brenda mureve të shtëpisë.

Librat  zinin pjesën me të madhe të bisedave tona.

Pastaj, flisnim për autorët e veprave që lexoja, dhe biseda  vijonte  për shoqet  dhe  shokët e mij në shkollë.

Gjatë kësaj kohe kisha nisur të shkruaja poezitë e para.

Nje ditë, guxova dhe ia tregova profesor Tonit.

I lexoi i heshtur e ndërsa unë prisja me ankth përgjigjen e tij, ai m’u drejtua qetësisht:

“Vilma këto janë një mrekulli”

U bëra me krahë. Fjalët e tij qenë për mua një “liri” brenda lirisë  së munguar.

Kjo më shtyu te shkruaja  përsëri, madje me më shumë pasion, me më shumë dashuri.

Brenda meje ishin akumuluar ndjenja të gjithanshme, por mbi të gjitha, mbizotëronin ato të moshës, dhe gjendjes në të cilen ndodhesha.

S’kaloi shumë kohë dhe presori  mu bë aq i afërt, sa mezi prisja ditët kur  vinte për mësim.

I tregoja poezitë e mia, dhe njekohesisht i flisja  për gjendjen time  të re, që  çuditerisht kishte marrë një drejtim gëzimi, paçka se isha e mbyllur.

Ai qeshte dhe më dëgjonte ne heshtje.

Kisha çiltërsinë dhe gëzimin e një vajze që për pak muaj, do tÇ mbushte 18 vite.

Profesori, më dukej si një “pritë” që mund të mbante gjithë vërshimin e fjalëve të mia, të cilat grumbulloheshin në orët e vetmisë. Një pritë qe dinte të më mbante në “shtrat” optimal, në çdo stinë. Dinte të më nxirrte nga ditët e “thatësirës”, kur unë isha në gjendje dëshpërimi dhe përballonte “vërshimin” tim pranveror.

Kishte ndodhur pikë takimi ynë përmes fjalës, por dhe një pikëtakim shpirtëror .

Ishte një pikëpjepkje ,që e kuptonim në heshtje, dhe prandaj  biseda rridhte natyrshëm,e qetë.

Janë disa situata që s’kanë nevojë te shpjegohen,sepse  kuptohen aq mirë mes dy personave,a thua se kanë këmbyer vendet dhe shpirtrat  me njëri-tjetrin.

Eshte sikur t’i shpjegosh shpirtin dikujt që eshte brenda shpirtit tënd.

Një ditë ai më tha: “Fola me hasmin tuaj  Vlashin.Nuk e mendoja të më priste aq njerëzisht”

“E di që nuk ështe faji i tyre”- më tha, por zakoni këshu e do. Mua më vrane vëllain, e gjaku duhet larë me gjak.Ti mësues e di mirë këtë gjë.

Vertet  je në qytet, por zakonet  ti i njeh, e janë të njëjta”

“Mund    shkosh të bësh denocimin në polici dhe të merren ata me Ndrekën. Ai që kryen krimin duhet të dënohet”- i kishte thënë presori.

“Më vjen keq mësues, jemi në fshat këtu. E di qe je njeri i mirë dhe i ditur ,por jo vetëm gjaku që më dhemb, por s’mund të  koritem para njerëzve. Me gjithë respektin që kam për ty, e  fjalën tënde, s’mund të bëj ndryshe”- kishte ulur kokën i dëshpëruar Vlashi”

Jo vetem që më erdhi mirë për këtë hap te mësues Tonit, por u emocinova që ai kishte vepruar kështu, pa na thënë gjë fare.

“Do të  shkoj përsëri” – më tha. “Nuk tërhiqem”

Më mallëngjente, kjo përkujdesje e tij

Ndoshta ishte njeriu që e kuptonte më mirë se kushdo  situatën që përjetonte familja ime dhe une.

***

Ishte e shtunë.

Bie dera, dhe si çdo here shkon e hap im atë.

Ç’të shoh!

Vlashi ecte serbes pas mësuesit, e pas tij vinin dy burra të tjerë.

Nje çast u stepëm të gjithë, dhe nuk  ditëm  ç’të thonim.

Por, kur pame  profesorin  me ta, sikur morem  zemër.

“Mos u shqetësoni” – ndërhyri mësuesi kur pa hutimin tonë.

“Vlashi ka diçka për t’ju thënë”- nderhyri ai.

Te gjithe po shihnim nga ai burrë me mustaqe, me flokë  gjysëm të thinjuara, por me nje vështrim te butë, që dukej sikur i dilte kundër tipareve të tij të ashpra.

Ate ҫast mendova se ata sy, s’mund t’i bënin keq njeriu.

Veshtrimet tona, ishin ngulur mbi këtë burrë që kishte qenë, hasmi dhe gjakësi ynë deri pesë minuta më parë.

“Te kam ardhur në derë o Martin Gega”- tha ai, pas një pause që po bëhej rënduese për te gjithë.

“Une jam burrë e kam aq guxim e nder, sa ta jap dorën k£tu, faqe këtyre burrave, e të them që jeni te falur nga unë”

Babi i zgjati dorën  dhe dukej haptazi, që ish sa i hutuar aq edhe i emocionuar.

“Vajta në polici, bëra denoncimin për Ndrekën, dhe që sot, ti dhe familja jote, jeni të lirë të dilni  nga shtëpia dhe të jetoni si gjithë të tjerët.”

Pastaj iu drejtua mësues Tonit:

“Faleminderit mësues që m’ë hape sytë ,më qetësove shpirtin e nxehur dhe që më mbajte dorën të mos njollosej me gjak të pafajshëm”

Ishin çaste që po i perjetoja me emocion, por edhe me një ndjenjë mirënjohje të thellë për mësues Tonin.

Pas gjashtë muajsh ngujim, ne do të ishim përsëri të lirë.

Më dukej si ëndërr e pabesueshme. Te gjitha i kish bërë profesori…

Dola nga dhoma ku zhvilloheshin keto dialogje,e sapo u futa aty ku studioja, s’munda të mbaja lotët e gëzimit që më rrodhën.

Mësuesi e kishte kuptuar gjendjen time, dhe pas pak erdhi tek  unë, ndërkohë që të tjerët ishin ulur duke trokitur gotat e rakisë,siç  ishte zakon në kësi rastesh .

U ktheva nga ai , dhe qëndruam pa folur përballë.

Papritur i mora duart dhe ia putha.

Ai u ndodh i befasuar.

“Duart i puthen vetëm  njeriut që adhuron”- i thashë -duke e parë në sy.

Nëse në jetë kisha miq, shokë,te afërm, ai ishte per mua të gjitha bashke.

Vetëm sytë  tanë, mundën të flisnin.

Nje Lapidar adhurimi  që kisha nisur te ndërtoja për profesor Tonin, ate ditë kishte marrë permasa madhështore.

E gjërat e madhërishme, jetojnë përherë brenda nesh, ashtu sikurse do jetonte adhurimi im për të.

Dola në rrugë që ate çast. Ajri i pranverës m’u mbeshtoll trupit, e unë ndjeva lirinë  në çdo qelizë  të trupit tim.



(Vota: 11 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: