Binjaku: Adoleshenca dhe komunikimi me prindërit
| E Enjte, 31.03.2016, 08:59 PM |

Adoleshenca dhe komunikimi me prindërit…

Nga Entela Binjaku

Kur fëmija hyn në periudhën e  adoleshencës  tek ai ndodhin ndryshime të mëdha që lidhen si me përfytyrimin e tij për veten po ashtu edhe për bashkëmoshtarët. Cdo adoleshent e quan veten të rritur dhe zakonisht shprehet se “nuk është më fëmijë”. Pikërisht mbi këtë përfytyrim për veten ai kërkon të vendosë marrëdhënie të reja me shokët dhe të afrohet me të  rriturit. Adoleshenca nënkupton atë fazë të jetës kur tek fëmija lind ndjenja e vetëpjekurisë gjë e cila ndryshon mënyrën sesi ai i ndërton raportin me normat fëminore duke u afruar me shpejtësi normave të të rriturve.

Për shkak të rëndësisë që ka kjo fazë e jetës dhe  për shkak të rolit të rëndësishëm që ka shkolla në edukimin e adoleshentëve për një jetë në harmoni mes brezash të premten e datës 25 Mars  në mjediset e shkollës “Perikli Ikonomi” në Fier u zhvillua takimi  me temë: “Komunikimi prindër-fëmijë dhe adoleshenca”. Në këtë takim morën pjesë senatorët e shkollës, kryetari Bordit të Prindërve, kryetari i Këshillit të prindërve, nxënës dhe mësues në pension por që vazhdojnë kontributin  në edukimin e brezave të rinj. Takimi  u zhvillua në kuadër të nismës së Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve “për një shoqëri pa dhunë”, së cilës sic u shpreh drejtori i shkollës Alket Shkëmbi “kjo shkollë i është bashkuar që në fillimet e shpalljes së saj”. Komunikimi ndërbrezor është celësi për mbarëvajtjen e raporteve shoqërore, ndaj u theksua nevoja e edukimit me vecantitë e kësaj grupmoshe pasi shpesh herë mosnjohja krijon premisa për probleme apo komunikim të dhunshëm.

Adoleshentët përbëjnë një ndër kategoritë më të prirura për të qenë pre e sjelljeve të dhunshme për shkak të impulsivitetit të moshës, të ndryshimeve me natyrë psiko-emocionale dhe  fiziologjike gjë që kërkon edhe një lloj përshtatshmërie psikologjike.  Adoleshenca  i vendos prindërit përballë një lloj pasigurie lidhur me natyrën e ndryshimeve që vënë re tek fëmija. Ata shpesh i mundon ideja se a janë normale sjelljet e reja që vërejnë tek fëmija gjatë kohës që ai mbyllet në vetvehte, ka ndryshime    oreks;  apo ka ndryshime    orarin e gjumit,  preferon të rrijë vetëm, përjeton luhajtje emocionale,  nuk ka qetësi shpirtërore etj.

Fillimi dhe fundi i adoleshencës është i ndryshëm në njerëz të ndryshëm dhe    kultura të ndryshme.  Sipas mendimit të psikologëve, adoleshenca është një periudhë me një stres emocional të lartë, si rezultat i ndryshimeve të shpejta e të ndërlikuara që vihen re gjatë pubertetit. Studiuesia amerikane Margaret Mead  pohon:  “ky stres nuk është përcaktuar vetëm nga faktori gjenetik, por edhe nga përbërësi  kulturor, që është edhe përgjegjës i ndryshimeve gjatë  kalimit nga fëmijëria në moshën e rritur, e  që e vecon  një kulturë nga një  tjetër”.

Cdo njeri,  për të arritur pjekurinë dhe për t’u rreshtuar në radhët e të rriturve,  kalon patjetër  nëpër  këtë  moshë të  ndërmjetme.

Specialistët që merren me zhvillimin e kësaj grup-moshe, e përcaktojnë pjekurinë si atë gjendje apo moshë të jetës kur individi e kryen plotësisht zhvillimin e tij fizik, emocional, shpirtëror, social dhe intelektual. Shpesh ndodh që tek një individ mbyllet një nga këto aspekte por mund të mbeten pas të tjerat. Shpesh na ndodh të themi se “ishte më i pjekur për moshën që kishte”  kur flasim për një  15-vjecar që  reflekton një pjekurin intelektuale edhe pse mund të jetë i papjekur fizikisht.  Në përgjithësi adoleshenca nis 12  vjeç tek vajzat dhe  rreth moshës 14 vjeç tek djemtë. Ajo fillon me pubertetin dhe përfundon me pjekurinë, dhe është faza gjatë së cilës individi fillon të sillet në mënyrë të pavarur nga prindërit.  Pikërisht këtu lindin dhe keqkuptimet e mosmarrëveshjet mes tij dhe prindërve apo më të rriturve gjë e cila mund të kalojë në një konflikt apo komunikim të dhunshëm.

Adoleshenti është i gjallë, është aktivist shoqëror, ka dëshirën për të provuar gjëra të reja  por duhet orientuar nga të rriturit që kujdesen për të, që mund të jenë prindërit apo mësuesit  që veprimtaria dhe energjia e  tij t'i shërbejë shoqërisë dhe të jetë në dobi  të saj..

Në këtë moshë  aktiviteti i hipofizës provokon një rritje të sekretimit të hormoneve, pasuar nga një zhvillim fiziologjik i dukshëm si tek vajzat ashtu edhe tek djemtë. Shpejtësia  e këtyre ndryshimeve në fillimet e adoleshencës është e lartë por  ajo nis të ngadalësohet kur individi i afrohet të 18-ve.

Zhvillimi i pubertetit ndodh më përpara tek femrat se tek meshkujt e si rrjedhojë edhe pjekuria seksuale arrihet më përpara tek femrat.  Edhe kjo kërkon një njohje nga ana e prindërve të cilët duhet të kuptojnë edhe këto ndryshime që ndodhin tek fëmija.  Shqetësimi për adoleshencën duhet të ketë ekzistuar që në lashtësi për aq kohë sa për të  kanë folur Platoni, Aristoteli apo Sokrati dhe në këtë kohë që flasim janë gati 110 vjet që kur ka dalë në dritën e botimit,  për herë të parë një psikologji e plotë mbi adoleshencën. Ky studim i botuar nga Stenli Holl shënoi shënuar edhe gurin e parë kilometrik në botimet e shumta mbi këtë periudhë të jetës. Edhe në vendin tonë botimet mbi këtë fazë janë të pranishme por nevoja për njohje të literaturës mund të përcillet dhe thjeshtohet tek prindërit përmes bashkëpunimit me psikologun apo punonjësin social të angazhuar në shkollë.  Problemet dhe dukuritë që shfaqen në adoleshencë kanë natyrë të ndërlikuar e të vështirë pasi në to ndërthuren  në një të vetme aspektet fizike me ato psikologjike e sociale.

Prindërit nga ana e tyre duhet ta kuptojnë se cdo fëmijë ka nevojë të vlerësohet dhe të gjejë mbështetje.  Në adoleshencë, me ndryshimet që përjeton individi  kjo nevojë është më specifike. Në rastet kur nevoja për mbështetje, mirëkuptim dhe vlerësim nuk plotësohet pranë familjes, adoleshenti do ta kërkojë atë tek bashkëmoshatarët etij,  të cilët janë gjithashtu duke përjetuar të njëjta ndryshime.

Ndaj kërkohet që në ndihmë të një adoleshence që zhvillohet në harmoni, që i qëndron larg dhunës, të gjitha formave të shfaqjes së saj  dhe traumës që shkakton, prindërit të njohin tiparet  e  kësaj moshe, të forcojnë  bashkëpunimin me mësuesit, të kërkojnë këshillimin me psikologun dhe punonjësin social si dhe të nxisin fëmijët e tyre të kërkojnë ndihmë në cdo rast që ndjejnë nevojën të kërkojnë mbështetje,  siguri dhe mirëkuptim.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: