Engjëll Koliqi: Gjurmëve të Martirëve të Karadakut
| E Hene, 28.03.2016, 02:01 PM |

REPORTAZH NGA UDHA E KRYQIT NË STUBËLL:

NË STUBLLAVAQË U MARSHUA

GJURMËVE TË MARTIRËVE TË KARADAKUT

Mbi njëmijë besimtarë katolikë shqiptarë, nga mbarë Kosova kanë kujtuar mundimet e Jezu Krishtit, në kodrën mbi Stubëll, apo siç i thonë në plisbardhën e Stubllës, të quajtur Stubllavaqa. Këtë ceremoni, me meshën shenjte e ka hapur dhe me bekimin me kryq e ka mbyllur Vikari Gjeneral i Ipeshkëvisë së Kosovës – Dr Dom Lush Gjergji.

Shkruan: Engjëll KOLIQI

Siç kishte paralajmëruar javë më parë, famullitari i Stubllës – Dom Albert Jakaj, këtë të shtunë, thuaja pranverore, të 12 marsit, Stubllës ia kishin mësy besimtarët katolikë nga mbarë Kosova, të të gjitha famullive, përveç Zymit dhe Bishtazhinit, që kishin ardhur një javë më parë. Qëllimi i të gjithëve ishte i njëjtë – devocion dhe lutje Zotit, në Udhën e Kryqit, në Kodrën e Stubllavaqës.

Ceremonia e devotshme filloi në ora 11, me meshën shenjte, të udhëhequr nga Vikari Gjeneral i Ipeshkëvisë së Kosovës – Dr Dom Lush Gjergji, në kishën famullitare të Shën Jozefit në Stubëll. Megjithëse shumë e madhe, kisha ishte e vogël për t’i pranuar të gjithë besimtarët që kishin ardhur për devocionin e Udhës së Kryqit në Stubllavaqë. Dom Lushi ka mbajtur një predikim special për këtë ditë, ashtu siç di vetëm Ai. Ndër të tjera ka thënë se duhet që secili prej nesh ta pyesim veten, sa jemi të denjë të marshojmë Udhës së Kryqit, të martirizimit të Zotit tonë Krisht, për të na shpëtuar ne nga mëkati i rrjedhshëm. Duke e bërë këtë pyetje, Ai na ka porositur që ta çojmë në vend porosinë e Gonxhes sonë – së Lumes Nënë Tereza, e cila së shpejti do të jetë Shën Tereza, për të kërkuar falje dhe për të falur.

Dom Lushi nuk ka harruar të flasë për martirët e Karadakut – të Stubllës, të Binçës, të Vërnakollës e të Terziajve. Pasi ka shpieguar shkurt historinë e martirizimit të tyre, deri në Anadolli të Turqisë, martirizimin e tyre e ka krahasuar me mundimet e Jezu Krishtit në Udhën e Kryqit dhe na ka ftuar të gjithëve, që të ndjekim shembullin e tyre të besimit dhe të atdhedsashurisë së palëkundshme, edhe nëse është në pyetje jeta jonë. Ata – ka thënë Ai – kanë dhënë edhe jetën për binomin, që na e predikonte At Gjergj Fishta FE-ATDHE. Prandaj, në përfundim të kësaj meshe – tha – të gjithë bashkë po nisemi dhe po marshojmë, të prirë nga Kryqi, gjurmëve të martirëve, në Stubllavaqën tonë e të tyre, që e kanë pasur si simbol qëndrese, si plis të bardhë të shqiptarisë e të krishterimit tonë paqësor e të dashurisë universale.

Sipas porosisë së Dom Lushit, janë nisur, të gjithë me gëzim – edhe fëmijë të moshës nën shtatë vjeçe, edhe pleq të moshës mbi 90 vjeçe. I tërë marshimi është zhvilluar nën ritmin e lutjeve të devotshme dhe të këngëve kishtare, speciale të kreshmeve. Megjithë pjerrtësinë e madhe të marshimit, të gjithë thonin se po ecin lehtas, pa e ndier fare lodhjen. Në fytyrat e të gjithëve vërehej një gëzim vezullues dhe një kënaqësi e madhe shpirtërore.

Në fund të marshimit, pasi u përkujtuan me lutje e këndime të katërmbëdhjetë ndalesat e mundimeve të Jezu Krishtit, mes dy kryqave të mëdhenj në Stubllavaqë, të afruar te kryqi i drurit, i moçëm me shekuj, i Madhi Dom Lush e dha Lajmin e Madh, më sa vijon: “Nesër, më 13 mars mbushen tre vjet të zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit, të Papa Françeskut, ndërkaq të martën, më 15 mars, në Vatikan do të mbahet Konçistori i kardinajve, ku Papa do e nënshkruajë dekretin, me datën dhe vendin e kanonizimit (shenjtërimit) të Nënë Terezës – Gonxhes sonë. Besojmë se datë e shenjtërimit do të caktohet 4 shtatori i sivjemë, në vigjilie të Festës së Saj – 5 shtatorit dhe shpresojmë që ceremonia të mbahet në Romë, ku ne do të mund të shkojmë më lehtë se në Kalkutë, sepse indianët po kërkojnë me këmbëngulje që ceremonia të zhvillohet në Kalkutë”. Me të shqiptuar këtë lajm të gëzueshëm Dom Lushi, të gjithë të pranishmit duartrokitën gjatë.

I zoti i shtëpisë – famullitari Dom Albert Jakaj, në fund ka falënderuar dhe ka përshëndetur Dom Lushin, vëllezërit tjerë meshtarë pjesëmarrës, motrat e nderit, që ishin disa dhjetëra, si dhe të gjithë besimtarët pjesëmarrës, të cilët i ka ftuar në një koktej rasti, te salla e kishës, organizuar nga Ai dhe Këshilli i Kishës, për të marrur nga një hamburger dhe nga një pije freskuese. Njëkohësisht Dom Alberti ka paralajmëruar një marshim tjetër në Udhën e Kryqit, nesër në ora 15, me afër 400 trupa të KFOR-it, si traditë që e kanë bërë nga një marshim në çdo vit, në kohën e kreshmeve.


Stubëll, 12 mars 2016

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: