Bajram Gashi: Aksioni i armëve 1955 – 1956
| E Shtune, 26.03.2016, 07:29 PM |

Aksioni i armëve 1955 – 1956.

MBIJETESË NËN TERRORIN SERB

60-vjetori i aksionit famkeq të armëve në Kosovë, 1955 – 1956.

Aksioni për grumbullimin e armëve në Kosovë i viteve 1955-56, ishte një tjetër fantazmë tmerri, një shpikje e vjetër për kohë të reja, mbas atyre ngjarjeve ogurzeza të viteve 1912-1918-1930-1945, të cilat u programuan nga Veshoviçi, Çubrilloviçi e plot “viçave” të tjerë, e më pas deri tek Rankoviçi e Millosheviçi.

Qëllimi i këtij aksioni ishte, të thyente shpirtin e djalërisë kosovare të rimëkëmbur pas 10 vjetësh të masakarve të pas luftës, të njohura në historinë shqiptare si “Masakra e Tivarit” e vitit 1945, e cila ishte vetëm një pjesë e vogël e genocidit serb në Kosovë. Kështu në dimrin e vitit 1955-56, filloi aksioni famëkeq, gjoja se ishin zbuluar materjale për mundësimin e një rreziku të shpërthimit të një kryengitjeje të shqiptarëve kundër vëllazërimit Jugosllav. UDB-ja kishte përgatitur plane të hollësishme veprimi. Veç me mjete dhune duhesh godit, friksue e nënshtrue ky popull kryeneç dhe i pabindur, mundësisht edhe të largohej e të mos kthente kokën pas. Ideatori dhe zbatuesi i këtij aksioni ishte Aleksandër Rankoviç, ish Ministri i Brendshëm i Jugosllavisë.

Deshmi: "Baba gjallë e jetim pa babë"

Në Radafc, komuna e Pejës, Brahim Miftari mbasi ish rrahur e keqtrajtuar, kish dorëzuar të vetmen armë, i thanë se nesër do të sillte tjetrën armë dhe të gjente patjetër Idriz Fejzen, që e kishte edhe kushëririn e tij. Po ku ta gjente Idrizin? Ai ish lajmëruar, se kish mbërritur në Llakatund të Vlorës. S’pati derman tjeter, edhe Brahimi u nis në “drejtim të paditur”, duke udhëtuar rrugë pa rrugë, derisa edhe ai mbëriti në Llakatund. Idrizi kish lënë të vetmen bimë, të vetmin djalë Hysenin, vetëm 5-vjeçar. Ndërsa Brahimi, la dy djem, Xheladinin 7 vjeç dhe Miftarin vetëm 6 muajsh. E kish lanë shumë të semurë, gati për të vdek. Vonë, mbas shumë kohësh kish mësuar se Miftari rron dhe është mirë.

Në vitin 1975, Miftari rritet e shkon ushtar në Prizren, por do të privohej nga shokët. I dhanë pushkë druri, se s'kishin besim në të. Kushedi se ç'bluanin në mendje oficerët e tij. Kur e pyesin se si e kishte emrin baba, ai u ishte përgjigj plot kurajo:

- S'kam babë!

- Si ore s'ke babë?!

- Po s'kam pra! S'e njof! S'e kam parë kurrë! Hajde, po jeni burra, gjejmani babën ju, dhe unë do u falënderoj!

- Baba yt është gjallë. – i thanë oficerat.

- Atëherë unë jam jetim me babën gjallë. – u përgjigj Miftari.

Nezir Uk Dini rrëfen: “Na e moren babën dhe e futën në burg. Duhej dorzuar arma patjetër, ndryshe i cënohej jeta. Por baba u harrue, për ç’na gjeti ne të tjerëve. E morën gjyshin në milici duke e kërcënuar:

- Gjeje djalin ku e ke fshehur?! - Ndërsa vëllait i thonin: - Gjeje babën ku ka shkue?! - Nanës i thonin: “gjeje burrin ku e ke”!. Vllaut: “Gjeje babën, ndryshe do u zhdukim te gjithve”! Gjyshi ish largue e kish mbërritur në Vlorë. Ai ishte dënuar me 18 vjet burg në mungesë.

Haxhi Xhem Zeka nga Bllagaja e Gjakovës shpjegon tërë zemërim momentet e fundit, kur ka shkue me e marrë babën në milici. E kishin rrah e keqtrajtuar deri në atë gradë, sa s'lëvizte dot nga vendi. Po nuk ishin mjaftuar me aq, e kishin hedhur në grop të gëlqeres dhe vetëm kokën ia kishin lan jashtë. Shkon Haxhia, i biri, e sheh dhe alarmohet duke i’u drejtuar:

- Ç’ka u ba kshtu babë bre?!

- Ç’ka u ba s'e di as vetë! Ma mirë të më kishin mbytë se sa m'kan ba kështu për gazep të Zotit! Haxhija e merr babën dhe shkojnë në shtëpi.

Mbas pak ditësh, ashtu si shumë të tjerë, Xhema, mbas 10 vjetesh, edhe një herë merr udhën për Shqipni. Haxhia s'e le vetëm babën. Edhe ai për në shtetin amë. Mbas pak ditësh degdisen në Vlorë, në Degën e Punëve të Brendëshme. I indinjuar dhe i befasuar për indiferentizmin e organeve drejtuese, ndaj tyre, Xhema s'kish përtu fare; ua kish përplasur në fytyrë. Shumë optimist në fillim dhe shumë i zhgënjyer më pas. Ata ishin pritur shumë ftohtë dhe me shumë mospërfillje nga zyrtarët. Xhema i’u kish drejtuar:

- U kam thanë edhe atyre në Kukës, se nji herë më keni kthye para 10 vjetesh. I bana 10 vjet burg në Sërbi, e tash nuk shkoj ma. Ndryshe ma hapni rrugën e të shkoj këndej”… E dorën e kish drejtuar nga deti....

Demush Neziri nga Lluka, tregon.

Djali i pleqnisë Binaku, s'e mbante mend fytyrën e babës. Ai e kish lanë foshnjë vetëm 6-muajsh. Torturat më çnjerëzore kishte provuar Demushi në milici. Kaq e rrihnin Demushin herë pas here, saqë sa herë kthehej nga milicia i dërrmuar, aq herë ia prisnin nga një dash në shtëpi. Mbështillej në lëkurë për të lehtësuar dhimbjet dhe për t'i shëruar ato sa më parë. Një natë e kishin rrahur barbarisht me shufër hekuri. I shtrirë në dysheme, lidhur këmbë e duar dhe sa s'po vdiste nga uria. Në mes të dy këmbëve ia hidhnin copat e bukës dhe bënin lojë me të. Shpirti është i dhimsur. Përpiqej Demushi ta kapte bukën në mes të dy gishtërinjve të mëdhenj të këmbëve, por jo, ishte e pamundur.

Ja si i kishin than Demushit herën e fundit, pasi e kishin ba për vdekje:

-Shko në shtëpi e na sill çka të duash e sa të duash, se: Njeqind shpirtna n'i paç, ne kemi me t'i marr! Njëmijë pushkë me na i sjell, na  kemi me të vra! Njëqind lëkura n'i paç, kemi me t'i rrjep! - Shkon Demushi në shtëpi dhe i drejtohet gruas: “Dyke! Zoti ta baftë çajren! Bahu burrneshë e rriti fëmijët”. Demushi mori udhën në drejtim të kufinit. Edhe ai si shokët, te shokët dhe përfundon në Shënavlash të Durrësit, në shtetin "amë”, duke lënë në djep Binakun, djalin e vogël dhe gjithë shtëpinë në kujdesin e gruas.

Dyka, grua e fortë dhe trime i bëri ballë jetës, e rriti Binakun me mundim të madh. Binaku ish ba djalë i gjallë e trim, sapo i kish mbushur të 25-tat, dhe msyn në Shqipni, te baba. S'kish pyetur fare gjatë udhës, se ku e kish shtëpinë Demush Neziri. Sipas të thënave, veç kur kish hy në oborr të babës vet. Thërret fort, ashtu kosovarçe: - O......Demush Neziri! - Demushi hiç fare. As që e kish mendjen se kush po thërriste. Edhe një herë, po më fort se herën e parë: - Ooooo… Demush Neziri, o burrë! Po ktheu nji herë e shih kush po të thërret!

–Khtehet Neziri, po ç'të shohë?! Fërkon sytë mos është në anderr, mos u mpi, mos dikush i kish ba gja magji!? Ishte i biri, Binaku. E mban veten, e merr në grykë, përqafohen duke harruar të lëshojnë njëri-tjetrin. Dy zemra të forta, që s'di pse nuk plasën, pse s'shperthyen!. E kap veten Demushi dhe me zë të lartë i drejtohet gruas:

-Oooooj Ajshe! Ooooj Ajshe! A njeve oj burrnesh?! - Del Ajsha dhe i pergjigjet: - O..hoja..Demusho!

- Po del e shih kush na ka ardh?! Ka ardh sugari i Llukës! Ka ardh Binaki, moj grue.

Momente tronditse. Mbase në ndodhi të tilla lindën legjendat shqiptare si në tregimet e moçme. Po sa të tilla kanë ndodhur…..?

Dervish Shaqa, është një histori më vete. Ai kish kënduar që në fëmijëri kangë trimash e heronjsh. Me kangë në gojë u rrit e u burrnue. Ishte aktivist i rrallë në përpjekje për Shqipni etnike. Këngët e kënduara prej tij dhe Demush Nezirit, po e shqetsonin pushtuesin serb në Kosovë. U përpoq UDB-a ta bënte për vete, por qe e pamundur. Aksioni i armëve u bë një shkak më shumë për t’i nënshtruar, ndaj i’u qepën nga pas e s'po e linin rehat. Dorëzoi të vetmen pushkë, po duhej tjetra. E thirrën në milici, por tjetër armë s'kish. E rrahën me mjete të forta, sa e kishin ba për vdekje. Me shumë mundim arrin në shtëpi. Thërret gruan, i jep porositë e fundit për kujdesjen e djemve dhe i kërkon “hallallin”. Qan për dy djemtë që i la të vegjël, Shpendin e më shumë për Alin' që e la vetëm 5-muajsh. Derdhi lot edhe për Kosovën, për të cilën kurrë s’u sos fjala e s’u shterr zeri, sepse që 9-vjeç e nisi kangën në kuvende burrash e kurrë s’pushoi, edhe kur doli në Shqipni.

Alija, ishte djali i vogël i rapsodit të papërsëritshëm kosovar Dervish Shaqa, që nuk u takua kurrë me babën  e vet. Ishte një fatkeqësi e madhe për shumë familje të Kosoves, sepse shumë vajza e djem të mitur, prindërit e të cilëve u larguan për të shpëtuar kokën, mbetën në dorë të nënave, pa “traun” e shtëpisë. Askush nuk e kërkonte dhe uronte një fat të tillë, ndaj e përjetuan keq largimin e baballarëve në moshë të re. Të gjithë mbetën jetima me babë gjallë, por Alia e pati ma shumë të vështirë. Ai mbeti në Kosovë "jetim” pa babën, sepse baba vdiq në Shqipëri. Pa e pa baba djalin, as djali babën, një fat e tij mos e pastë kush! Mbeti një peng shpirti i ndarë më dysh dhe mall i pa sosur.

Alia, kur ishte rrit, hipte mbi çati dhe rregullonte antenën e radios, dëgjonte zërin e ambël të babës s’vet, përmes valëve të Radio-Kuksit. Dëgjonte kangët e trimave dhe i jepte kurajo vetes, duke pëshpëritur nën buzë: "baba i ka këndue Shqipnisë dhe pavarsisë së Kosovës”. Ishte një dëshirë e mall i Dervishit, që vërtet ai s'arriti ta shohë, të çmallet e ta plotsojë. Zemra ia ndjente se Kosova një ditë do të ngrihej e do çlirohej, dhe se bijte e tij do ta përjetonin dhe do ta preknin dritën e lirisë. Kur vdiq Dervish Shaqa, miqësi e shoqëri, artistë e këngëtarë të  Rrashbullit, Shënavlashit, Qerretit, Katundi të Ri, morën pjesë në ceremoninë e varrimit të këtij kollosi të folklorit mbarëshqiptar. Nga Partia-pushtet nuk pati pjesëmarrje, sepse pak ditë më parë kish vdek diktatori, kështu që s’kishin nge të merreshin me një artist, paçka se me Dervish Shaqen mburrej i tërë vendi. Djemve u erdhi haberi në Llukë me një telegram prej dy fjalish të thjeshta: "Baba të vdiq. Zoti të lashtë shnosh"! Alia hapi t'pame në shtëpi. Pëfaqsuesit e pushteti lokal i kan ardh e msy në derë. Nuk e kanë ngushëlluar fare, veç i kanë thanë, se: “baba yt ka ra prej katit të tretë dhe ka vdek prej idhnimit që ka vdek Enver Hoxha”. Alia e mban veten dhe aty për aty, ua kthen:

- Baba ka qënë sëmurë. Kemi qënë të lajmëruar dhe është ndodhur nën kujdesin e mjekëve më të mirë të qytetit të Durrësit. Ishte nën kujdesin e veçantë të kirugut të njohur Miri Hoti. - Atëhere ata i thonë:

- T'pamen e babës me e mbyll! - Ai u përgjigjet:

- T'pamen un' s'e mbylli! -Mua më ka dek baba, sytë po më digjen, se s'e kam pa kurrë. Vdes me sy hapur, që gjithë jetën time s'e pashë asnjë herë!

Aksioni i grumbullimit të armëve i viteve 1955-56, është vetëm një pjesë shumë e vogël në histrinë tragjike dhe heroike të Kosovës, që s’duhet lënë kujtese. Mjafton të përjetojmë pak genocidin e viteve 1998-1999, tokën e djegur, shpërnguljen biblike të një populli të tërë, ato mijëra viktima të masakruara, të dhunuara, të vrara, të mbytura e të djegura, shumë prej tyre të zhdukur e të mbetur pa varr.

Kosova dhe kosovarët sot janë të lirë. Le të kthejmë pak kokën pas dhe do shikojmë se breza të tërë kanë përjetuar veç terror, kanë vaditur dheun e të parëve me gjak, ku kanë mbirë veç lapidarë.

Është mirë kur kujton dhe keq kur harron të djeshmen.

Bajram Gashi

Shënavlash

Durrës, më 15. 03. 2016



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: