Vangjush Saro: Dhomat e Tregtisë, dalja nga koma
| E Hene, 14.03.2016, 09:10 PM |

Dhomat e Tregtisë, dalja nga koma

Përndryshe: A ka shpresë për Dhomat e Tregtisë (!)

Nga Vangjush Saro

Asnjëherë nuk u bë e qartë (vite më parë) përse u hoq me ligj detyrimi (po ligjor) për anëtarësimin e bizneseve në Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë. Një gjë është e vërtetë; që nga ajo kohë, rrjeti i këtyre institucioneve filloi të bjerë e të dobësohet, derisa u bë (dhe është) krejt inaktiv. Përveç këmbënguljes së ndonjë dhome të huaj, në ato kohë pati edhe një zell të habitshëm të pushtetit të radhës për të shtënë në dorë të gjitha kompetencat e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, duke filluar nga Regjistri i Dhomës (thjesht regjistrimi i biznesit) deri te certifikatat dhe modelimet e tjera që kanë të bëjnë me sipërmarrjen. E gjithë kjo luftë, a më mirë ky kthim prapa, bëhej që paratë e biznesit (të gjitha mundësisht) të shkonin te qeveria e atëhershme; dhe ndërkaq, prapa këtij qëllimi material, kishte një tjetër “pritje në ethe” për administratën e atëhershme; kjo e fundit mëtonte të kontrollonte krejt jetën institucionale të vendit, përfshirë atë të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë.

Një histori groteske më vete është edhe ai i Bashkimit të Dhomave të Tregtisë, themeluar me ligj pas vitit 1994, institucion me detyra dhe veprimtari konkrete, (ku kam pasur nderin të punoja si gazetar e zëdhënës përmbi një dekadë). Në ditët më të mira të tij, sidomos kur drejtohej nga Anton Leka dhe Luan Jaupi, ky institucion kërkonte rrugët ligjore dhe institucionale për të mëkëmbur biznesin dhe për të futur në lojë Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë të rretheve. Edhe rrethi më i largët e kishte një bërthamë të tillë. Dhomat përfaqësoheshin në Bashkimin e Dhomave të Tregtisë, si dhe në një sërë institucione qeveritare. Takimet për shkëmbim përvoje, si dhe me ente të tilla si Doganat, Tatim-taksat, etj., ishin të rregullta. Bashkimi i Dhomave të Tregtisë e Industrisë të Shqipërisë qëndronte përballë çdo qeverie me paketën e kërkesave të biznesit, në të gjitha fushat. Drejtues të Dhomave por edhe biznesmenë të veçantë, trokisnin në dyert e Bashkimit të Dhomave për probleme nga më të ndryshmet. Dhe shpesh herë e gjenin zgjidhjen.

Bashkimi i Dhomave të Tregtisë e Industrisë u bë anëtar dhe merrte pjesë rregullisht në takimet dhe veprimtaritë e një sërë institucioneve evropiane e më gjerë, si ABC (Shoqatat e Dhomave të Ballkanit), po kështu ASCAME, Eurochamber, etj. Bashkimi i Dhomave të Tregtisë e Industrisë u përfshi gjithashtu në disa projekte të BE, nga përfitoi ndihma materiale, specializime të punonjësve dhe të vetë sipëmarrësve, por edhe monitorim në kryerjen e funksioneve të veta. Institucioni botoi për disa vjet edhe organin e vet, gazetën “Albbiznes”, që trajtonte problemet kryesore të sipërmarrjes dhe të Dhomave të Tregtisë, patjetër ngrinte edhe probleme që i interesonin biznesit. Gazeta, e paguar në fakt nga vetë Dhomat e Tregtisë, shpërndahej në të gjitha institucionet e vendit, si dhe në ambasada; një sasi e pakët e saj, shkonte edhe në treg.

Por me kohë, Dhomat shtynë në “vetmi”, pastaj u rrudhën në 12 të tilla, sipas Qarqeve. Qeveritë përpiqeshin të diktonin në gjithçka. Dhe ende nuk kishte mbërritur më e keqja. Erdhi dita, u mbyllën të gjitha shtigjet për Dhomat e Tregtisë dhe për Bashkimin e Dhomave. Pothuajse të gjitha funksionet e këtyre institucioneve, i kaluan shtetit a thjesht kontrolloheshin prej tij dhe prej njerëzve të afërt të atyre që drejtonin shtetin dhe qeverinë. Nuk kishte më pavarësi, nuk kishte as edhe autoritet, Dhomat, edhe vetë unioni i tyre, filluan të lëngonin. Një kthim prapa dhe aq. Vit pas viti, Dhomat e Tregtisë - sa për arsyet që u shtjelluan më lart, aq edhe ngaqë u ngarkuan politikisht, si dhe me barrën e klaneve - morën tatëpjetën; dhe këtë problem e kemi ngritur jo një herë.

Këto kohë, po flitet për një projektligj të qeverisë (që po diskutohet në Kuvend) dhe synon që të gjitha bizneset të anëtarësohen dhe të paguajnë një kuotë në Dhomën e Tregtisë. Projektligji i Ministrisë së Ekonomisë, i cili i ka kaluar Parlamentit për diskutim në dhjetor të vitit 2015, parashikon ndryshime në ligjin e vitit 2006 për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë. Neni 6 i këtij projektligji thotë: “Anëtarësia në Dhomë është e detyrueshme për personat juridikë dhe vullnetare për personat fizikë, të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, QKR.” Projektligji përcakton gjithashtu që çdo anëtar i Dhomës duhet të paguajë një kuotë vjetore, ndërsa Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë (të Qarqeve, se aq katandisën ato 12) duhet t’ia kalojnë 30 për qind të kuotizacionit të mbledhur Bashkimit të Dhomave.

Sot mund të lexosh në shtyp se projekti “ka zemëruar shoqatat e tjera të biznesit”.  “Ministria e Ekonomisë, thuhet, argumenton në relacionin që shoqëron projektligjin, se kjo vendimarrje vjen pas problematikave të shumta me të cilat përballet Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë-organizatë e drejtuar nga Nikolin Jaka.” (?!) Që nga fakti se përmendet vetëm një kryetar, ky i Dhomës së Tiranës, se ngatërrohen Dhoma e Tiranës me një sërë Dhoma të tjera, po ashtu ngatërrohen Dhomat me Bashkimin e Dhomave të Tregtisë, etj., por edhe nga mënyra se si shkruhen dhe përcillen këto relacione, mund të kuptohet qartë se në çfarë “derexheje” kanë katandisur institucionet që dëgjoheshin dhe nderoheshin realisht përgjatë viteve ‘90 e më tej. Në shtyp, thuhet më tej se mungesa e një buxheti minimal për funksionimin e këtij institucioni “ka çuar në uljen plotësisht të rolit dhe në reduktimin e shërbimeve që duhet t’i jepen anëtarësisë.” Mandej: “Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë gjendet në pamundësi të plotë për të përmbushur detyrimet minimale që rrjedhin nga marrëveshjet ndërkombëtare… por edhe duke rrezikuar për t’u përjashtuar nga disa organizata siç janë EuroChambers, Association of Ballkan Chambers”… Faktet, emrat, gjithçka, shkruhet keq, interpretohet keq. (Mjerë gjuha shqipe e mjerë institucionet!)

Ani. Është e vërtetë që Dhomat, edhe Bashkimi i Dhomave të Tregtisë, kanë nevojë për një buxhet; është e vërtetë se mund t’i përjashtojnë nga institucione e organizma ndërkombëtare, ku ato janë përfshirë me njëmijë e një përpjekje dhe ku janë përpjekur të çojnë arritjet dhe problemet e tyre. Por (shkruesit, zyrtarët, e kështu me radhë) harrojnë të thonë e të shkruajnë që Dhomat e Tregtisë, pra edhe Bashkimi Dhomave, më së pari kanë nevojë për respekt, për t’u njohur, për të dalë nga koma, për t’iu kthyer funksionet, autoritetin; kanë nevojë për të rinisur dialogun me veten dhe sidomos me qeverinë, me qeveritë në daçi. Sigurisht, Dhomat e Tregtisë, posaçërisht drejtuesit e tyre, gjithashtu kanë përgjegjësi që kokoshi katandisi një thelë dhe ata e “kokoshi” i tyre duhen kontrolluar nga organet përkatëse.

Por le të kthehemi te pagesa. Është e njohur tashmë që një pjesë e këtyre institucioneve në vende të ndryshme të botës nuk i detyrojnë sipërmarrjet me ligj që të anëtarësohen. (Britania e Madhe, bie fjala.) Por ka edhe vende ku bizneset janë të detyruara të paguajnë për t’u anëtarësuar. Dhe këtu nuk ka asgjë për t’u mërzitur e për të bërtitur, siç po përpiqen të bëjnë disa organizata të tjera biznesi, Dhoma të Huaja le të themi. Ato kanë qenë edhe ndër iniciatoret dhe frymëzueset e heqjes së ligjit për anëtarësim në Dhomat e Tregtisë. Por tani që mbaroi “mjalti” i vizave, këto institucione duhen ringritur me këmbë në tokë. Fundja, nuk duhet harruar se vendet ku anëtarësimi është vullnetar, së pari kanë përvoja shekullore në këto fusha; së dyti, Dhomat e Tregtisë atje kanë prona, kanë edhe një sërë funksione e privilegje, që shteti nuk ua ka cënuar asnjëherë. Fjalët e shumta janë fukarallëk. Është e domosdoshme që Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë të rikrijohen e të funksionojnë. Nuk ka rëndësi mënyra e anëtarësimit. Disa Dhoma e Shoqata (të Huaja) të mos ua qajnë hallin sipërmarrjeve, se… po ngarkohen më një taksë të re. Nuk është fundi i botës. Fundi i botës është t’i denigrosh Dhomat e Tregtisë, t’i mbash ato sa për dekoracion, t’ua heqësh funksionet dhe t’i detyrosh të falimentojnë - siç ndodhi në këtë dekadën e fundit - kur shtet e qeveri e klane, bënë si deshën; sepse pa institucione dhe pa partner, fitohet më kollaj, sadoqë nuk iu hedh dot hi syve jetë e mot as sipërmarrjeve, as aktorëve ndërkombëtarë. Ata i kanë parë Dhomat teksa krijoheshin e punonin, i shohin edhe se si kanë katandisur sot.

Nuk ka rrugë tjetër përveçse të rikthehet detyrimi për anëtarësim, por edhe funksionet e tjera të vjedhura, në mënyrë që Dhomat e Tregtisë të vijnë në lartësinë e duhur, të rikthehen në funksionet e tyre normale. Kjo është në të mirë të bizneseve e të vendit, sepse ka ikur koha kur drejtohej me autoritarizëm dhe duke shtypur a zhdukur institucionet. Është një çështje më vete pastaj, jeta e brendshme e vetë Dhomave dhe respektimi i parimeve e statusit, që do të thotë midis të tjerave largimi i disa agallarëve që i kanë ato si pronë private. Nuk i shkruaj këto radhë pse ndokush prej tyre, për punë shkrimesh, nën urdhërat e PD-së (sikundër në ndonjë rast tjetër me urdhër të PS-së) më hodhi në rrugë dhe që prej vitit 2010 jam një i papunë. (Natyrisht, jo vetëm unë.) Duke apeluar që të përkrahen Dhomat e Tregtisë, mendoj, kjo nuk duhet bërë në emër të atyre që kanë abuzuar me qenien dhe pasuritë e Dhomave apo të Bashkimit të Dhomave; duhet bërë në emër dhe për interesat e institucionit e të vetë sipërmarrjes.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: