Elvi Sidheri: Barriera kurde
| E Enjte, 03.03.2016, 08:26 PM |

Qyteti i Vjetër në Dijarbakir, i rrënuar nga ushtria turke

Barriera kurde

Nga Elvi Sidheri

Në këto kohë të vështira dhe fort të koklavitura të gjeopolitikës, real-politikës dhe gjeostrategjive ndërbotërore; kur shumë rende sociale dhe baraspeshime të lashta sa shekujt; politike, po shkërmoqen sikur të kishin qenë veçse kështjella rëre; kur “nuk merr vesh i pari të dytin” pra, për t’i rënë drejt, një faktor kyç po dominon skenën luftarake dhe politikën e niveleve të larta globale; duke arritur të çajë (thuajse) krejt i vetëm nëpër magmën e zjarrtë të Lindjes së Mesme...

Kurdët pra!

Një popull i lashtë indo-europian, me rrënjë tejet të thella në mugëtirat e largëta të historisë së racës njerëzore; që prej mijëra vitesh jeton dhe frymon, praktikisht asnjëherë në paqe dhe qetësi, në një rajon ngaherë të përflakur, sa edhe vendimtar për fatet e balancave strategjike botëorore.

Kurdët, siç e dimë, ndahen mes Turqisë moderne, Iranit, Irakut dhe Sirisë kryesisht; mënjanë një diaspore tepër të gjerë në Perëndim.

Populli i Saladinit të madh − krye-udhëheqësit të ushtrive medio-orientale, që dikur qenë përballur me  përparimin e kryqëzatave drejt Tokës së Shenjtë dhe Varrit të Krishtit; një vigan i respektuar dhe kujtuar sot e kësaj dite me vlerësimin më të lartë të mundshëm në Europë dhe analet perëndimore, për shpirtin e tij të fisëm dhe human, për drejtësinë e vendimeve të veta dhe peshën e patjetërsueshme të fjalës së tij prej burri; bashkëkohësi i Rikard Zemërluanit dhe bashkëndarës i të njëjtit ngadhënjim moral me mbretin e paepur anglez −, pas vdekjes së kryetrimit të vet; pati rënë në gjysëmerrësirën e kobshme të historisë; nga e cila, akoma edhe sot nuk ka mundur të dalë.

Pa iu futur një analize të gjatë historike sa edhe gjeografike lidhur me shkaqet dhe arsyet e gjëmës kurde; do vënë në dukje fakti se kurdët, ndajnë shumë trajta të ngjashme historike me kalvarin shqiptar në 5-6 shekujt e fundit.

Të rënë nën sundimin turk, gjatë Perandorisë Osmane, kurdët, ashtu si edhe ne shqiptarët, qenë (njëkohësisht) shtypur, përfshirë në aparatin shtetëror dhe ushtarak osman, si dhe përdorur rregullisht si “mish për top” nga turqit.

Gjë që mund të ilustrohet fare qartas, po të rinxirret në pah “Gjenocidi Armen” dhe format skajshmërisht mizore të përdorura në zbatimin e kësaj masakre me përmasa të papara gjer atëherë.

Xhon Turqit, të “iluminuar” me idenë e kthjellët deri në dëshpërim, se Perandorisë së Tyre shumëshekullore Osmane, po i vinte me shpejtësi marramendëse koha e putrifikimit të pandalshëm dhe pakthyeshëm; patën vendosur që ta spastrojnë njëherë e mirë territorin e Azisë së Vogël dhe kryesisht Anadollit, nga minoranca e madhe në numër dhe tejet e fuqishme, armene.

Duke mëtuar të hiqej në këtë mënyrë makabre, tërësisht qafe një komb i tërë; një pakicë e pamposhtur etnike, dhe gjithaq pjesëtarët e një feje të pahonepsur nga pashallarët e sarajeve të Stambollit.

Në këtë mënyrë, duke shfrytëzuar fqinjësinë dhe bashkëjetesën e hershme në të njëjtat territore, të armenëve me popullsinë kurde; autoritetet osmane i patën vënë kurdët kundër armenëve, duke ua “deleguar” pjesërisht kryerjen e këtij krimi monstruoz, kurdëve, dhe shmangur kështu, “ndotjen e duarve” xhonturke me gjakun armen, për aq sa ishte mundësia (megjithëse është evidentuar botërisht fakti se urdhërat, strategjia shfarosëse dhe shumica dërrmuese e krimeve ndaj popullatës civile armene, u patën kryer ekskluzivisht nga armët, pushkët dhe bajonetat turke).

Por, historia paskëtaj, nuk do të tregohej aspak e butë me kurdët, dhe aq më pak dorën në zemër do ta vinin turqit e Republikës Laike dhe moderne të ngritur në këmbë me aq mund nga Mustafa Kemal Ataturku shqiptar.

Turqia e re Kemaliste, veç shumë aspekteve tejet pozitive, të bazuara tek shteti modern, laiciteti i fuqishëm, ligjet bashkëkohore dhe ekonomia progresiste, ashtu si edhe te asnjëanësia gjatë Luftës së Dytë Botërore; gjithësesi e mbështeste ekzistencën e saj themelore, te parimi që ky shtet, nuk duhej kurrësesi të kishte ndonjë minoritet.

Pavarësisht faktit, se edhe pas Traktatit të Lozanës në 1923-in, nga Turqia do të largoheshin me përdhunë qindra-mijëra, e në mos, miliona të krishterë, nën njollën poshtëruese të “Rum Miletit”, edhe kur, si në rastin e “Karamanlinjve” të Kapadoçias, bëhej fjalë thelbësisht për popullata të mëdhaja turqishtfolëse, të besimit ortodoks.

Traktat “falë” të cilit, edhe shumë shqiptarë qenë trajtuar si “mall shkëmbimi” mes Turqisë dhe Greqisë së kohës; duke vërvitur nga njëra anë popullsinë e Çamërisë për në Izmir (si turq), dhe nga ana tjetër, shqiptarët e Evros, gjaku i Fan Nolit, të përzënë brenda natës nga Turqia si “mall pa Zot” drejt Greqisë, si grekër, për shkak të fesë të tyre ortodokse.

Turqia e re pra, nuk duhej në asnjë mënyrë të parashikonte, lejonte apo toleronte, pakicat etnike, qoftë nëse realisht këto do të ekzistonin, apo jo.

Dhe kështu, të parët që e patën pësuar, patën qenë padyshim kurdët, një minoritet i stërmadh etnik, që kudo tjetër në ndonjë vend normal demokratik, do të qenë trajtuar si shtetformues; por që, prej thuajse 100 vitesh, përçmohen, shtypen dhe synohet t’u tjetërsohet identiteti nga autoritetet e Ankarasë.

Kurdët përbëjnë së paku 15% dhe maksimalisht 25% të popullsisë së shtetit turk.

Por atyre nuk u njihet as e drejta e gjuhës, e arsimit në gjuhën e tyre mëmë, dhe gjuha kurde nuk lejohet të përdoret askund dhe në asnjë rrethanë.

Partitë politike kurde, edhe gjatë ndonjë periudhe kalimtare, kur lejohen të formohen, më pas rreth tyre shtrëngohet rregullisht laku i censurës shtetërore, gjersa të nxirren jashtë ligjit dhe udhëheqësit e tyre të hiqen qafe ligjërisht, apo edhe për fare.

Në dy palë zgjedhjet e fundit parlamentare në Turqi këtë vit, partia kurde HDP, megjithë fushatën shtetërore demonizuese kundër saj dhe ithtarëve të vet, vrasjeve, atentateve të dyshimta në mitingjet me simpatizantët e vet, dhe zgjedhën e hapur shtetërore, arriti dy herë të kalojë pragun e vënë apostafat kundër partive kurde, prej 10%, dhe hyri në parlament, duke përbërë halën kryesore në sy për regjimin e presidentit autoritarist Erdogan.

Prej muajsh ndërkohë, në zonën me shumicë kurde të Turqisë, ku luftohet ditë për ditë në mes të zonave të banuara (Dijarbakiri, kryeqyteti i kurdëve të Turqisë, është skenë e bombardimeve dhe luftimeve rrugë më rrugë, sidomos në zonën e qytetit të vjetër, ku prej muajsh; njëlloj si në Siri); bombat bien si karamele, grykat e topave të tankeve gjëmojnë, dhe avionët lëshojnë predha papushim.

Por, kurdët e Turqisë, gjer më tani, megjithë kalvarin e tyre shekullur, mund ta konsiderojnë veten me fat, krahasuar me vëllezërit e tyre të Kurdistanit irakian, të cilët dikur Sadam Huseini, do t’i bombardonte në një orvatje të qartë “dërrmë-dhënëse”, edhe me armë kimike ndër më të tmerrshmet.

Sot, Kurdistani Irakian, është praktikisht një shtet treçerek i pavarur, me qeverinë, autoritetet demokratike dhe ushtrinë e tij; që mbështetet nga fuqitë Perëndimore, gëzon kontrollin mbi shumë fusha naftëmbajtëse, dhe për habi dhe aspak rastësi, mban marrëdhënie mjaft normale me Ankaranë zyrtare (nafto-politikë).

Kurdistani Irakian dhe luftëtarët e tij të guximshëm “Peshmerga” (ata që shkojnë kokëlartë drejt vdekjes); patën përbërë edhe pengesën e parë serioze për Kalifatin e çartur gjakatar; dhe në dy vitet e fundit, forcat kurde irakiane, kanë ditur të shtyjnë kërcënimin kalifatist, gjer në dyert e Mosulit, qytetit më të madh (dhe ndër të fundit) që Kalifati ende sundon në Irak.

Ndërsa për kurdët e Iranit, nuk ka shumë të dhëna, qoftë edhe për afërsinë e madhe gjuhësore dhe sa i përket origjinës së përbashkët mes iranianëve dhe kurdëve (ndonjë kryengritje e shtypur në gjak nga autoritetet e Teheranit, u njihet gjithësesi edhe kurdëve të Iranit); dihet fare mirë ndërkohë, çmimi i tmerrshëm që kurdët jazidë (jo-myslimanë, por Jazidiste) u paguan kalifatistëve mizorë, me rënien e qytetit të Sinxharit; kur mijëra gra e fëmijë u patën përdhunuar e skllavëruar vetëm për shkak të fesë së tyre, dhe mijëra të tjerë u patën vrarë në mënyrat më çnjerëzore.

Kurse kurdët e Sirisë, janë nën sytë e tërë botës, me heroizmin e tyre të pashoq, në mes të një vendi të rrënuar nga lufta më e përgjakshme dhe e llahtarshme civile, e mijëvjeçarit të ri, por edhe e historisë së vonë botërore.

Rrethimi i qytetit të Kobanes nga xhihadistët e Kalifatit − dhe qëndresa e paepur, vetëmohuese gjer në skaj, e banorëve dhe mbrojtësve kurdë të këtij qyteti, ndërsa pak qindra metra më tutje, nga ana turke e kufirit, tanket turke bënin poza dhe për ta thënë copë turqisht, eglendiseshin duke bërë “sehir” sesi një qytet, rrënohej dita-ditës dhe rrafshohej me tokën, duke i bërë ballë valëve të njëpasnjëshme të sulmeve kalifatiste −, janë ende tepër të gjalla si imazhe, për t’u harruar dot.

Kobane jo vetëm që nuk ra, ashtu siç dikush në Mosul apo Raqqa shpresonte, por edhe përkundër talljes makabre dhe fërkimit të duarve në katet e epërme të vendimarrjes në Ankaranë e sunduar nga hija autoritare Neo-Otomane e President-Padishahut Erdogan; kurdët e këtij qyteti, i dhanë një grusht të paharrueshëm njëkohësisht Kalifatit dhe ambicieve të marra gjakatare të liderëve të tij, por edhe politikës së verbër anti-kurde të Ankarasë Erdoganiste në Siri (do theksuar se në ndërkohë; jo çdokush në Turqi, mendon dhe vepron si klika Erdoganiste në qeveri; meqënëse në zgjedhjet e para parlamentare të vitit 2015, kur AKP-ja Erdogan-Davutogllu pësoi një fiasko madhështore; partia kurde HDP, hyri në parlament pavarësisht dhunës shtetërore, me thuajse 14% të votave; pikërisht falë mbështetjes masive të votuesve përparimtarë turq, që kështu i dhanë goditjen e tyre të fortë regjimit).

Qysh atëherë, kurdët sirianë, kanë arritur ta zbythin armikun kalifatist, nga shumica e trojeve të tyre amëtare; duke çliruar qytete pas qytetesh, dhe duke arritur të krijojnë një rrip të pavarur tokash kurde (Rojava, siç e quajnë vetë kurdët këtë territor), dhe rrezikuar që të kontrollojnë tërë vijën kufitare siriano-turke; si dhe, duke shkaktuar drithma të forta paniku eventual, në pallatet e pushtetit erdoganist.

Dhe gjithmonë, ky popull vërtetë martir, ka ditur të jetë në anën e duhur të skakierës gjeostrategjike; duke patur mbështetjen e vazhdueshme amerikane; si pasojë e konstatimit të paevitueshëm të Uashingtonit, se partner më të besueshëm dhe thelbësor, në luftën kundër fondamentalizmit kalifatist; përveç kurdëve, vështirë se mund të gjehet.

Një popull pra, që sa i përket tragjedive historike, ndarjes së imponuar dhe të pashpirt në disa shtete, mungesës së një atdheu të përbashkët dhe të lirive themelore; ashtu si edhe për nga përndjekjet shekullore dhe tentativat e vuajtura në lëkurë të shfarosjes totale; përngjan mjaft me ne, shqiptarët.

Një popull që është kthyer në barrierën e fundit përballë barbarisë më ekstreme.



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: