Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me publicistin atdhetar Bardh Nëngurra
| E Diel, 21.02.2016, 10:00 PM |

INTERVISTË ME PUBLICISTIN ATDHETAR BARDH NËNGURRA

EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU

Bardh Nëngurra është një ndër nismëtarët e fjalës vërtetë të lirë në trojet tona. Autori i librave "Nëngurra e Istogut" dhe ''Fluturoj mbi Podgur'', dhe qindra artikujve, është i njohur për atdhedashurinë, guximin dhe sinqeritetin, për fuqinë publicistike dhe intelektuale, veti të cilat e rendisin si një ndër autorët  më të lexuar dhe më të diskutuar në Zemra Shqiptare.

GM: Z. Nëngurra, do ta fillojmë intervistën tonë që përpara se ju të vinit në jetë.  Do të kisha dëshirë  të na flisnit për prindërit  tuaj...

BN:Rranjët e mia familjare janë nga aty ku buron Drini i Bardhë, pra nga Radafci dhe Jabllanica e Madhe, komuna e Pejës. Fis Krasniqe dhe gjak i afërt i Krasniqës së Malësisë së Gjakovës.

Gjatë kërkimeve që i kam ba për rranjët familjare kur doja të botoj librin tim  "Nëngurra e Istogut", monografi per fshatin, nuk kam arritë të zbuloj se pse gjyshi i babës tim Mustafë Hasani kishte pas prona edhe në Bujan të Malësisë së Gjakovës e edhe në Jabllanicë të Madhe?! Megjithate falë gjyshes time Hylë Mursel Çetina, e cila ka jetue 116 vjet dhe ka vdek në vitin 1963, arrita të mesoj se gjyshi i babës tim Mustafë Hasani i famshëm i Jabllanicës së Madhe ka qenë kushëri i parë i Mic Sokolit të Bujanit. Gjyshja tregonte se kur ajo martohet me gjyshin Hajdin Mustafën krushk paska pas qenë edhe vet nji djalë i Mic Sokolit. E thash qëllimisht ma naltë për gjyshin e babës tim se ka qenë i famshem sepse ai si i ri kishte pas tregue urrejtje ndaj pushtuesve turq dhe formon nji grup trimash krasniqas me të cilet i shpall luftë të hapun valiut të Pejës, Asllan Pashës.

Shkaku i luftës së Mustafë Hasanit ushtria turke disa herë i sulmon fshatrat Jabllanicë e Madhe dhe Radafc dhe meqense Mustafë Hasani kishte shtatë djem e vendos që t'i shperndajë ata, t'i shperngulë nga Jabllanica për t'i shpëtue nga sulmet turke. Kështu ai urdhnon nipin Smajlin që bashkë me axhallarët e vetë bashkmoshatarë Temin dhe Hajdinin të shpengulen në Katund të Ri në fushë të Pejes. Aty kishim kushëri të fisit dhe blejnë tokë e fillojnë jetën e re. Mirpo në at katund kishte pas qenë nji malazez që ju kishte pas ba terror shqiptarve dhe atë pushteti turk nuk e ngucte pa dallim se çka bante. Nji ditë gjyshi im Hajdini bashkë me djalin e vëllaut  Aliun, që të dyt të ri 18 vjeçarë, vendosin ta rrahin malazezin. I zanë pritat dhe pasi paraprakisht kishin pas rregullue nga nji hu qarri e rrahin sa gadi e mbysin.

Kjo bahet shkak që ta shesin tokën edhe këtu dhe të shpërngulen diku tjetër sepse pushteti turk filloi t'i terrorizojë, jo vetëm familjen e tyne por edhe familjet e tjera të fshatit.

Me ndihmën e miqve të fisit Thaç i zoti i shtëpisë Smajli gjen tokë dhe e blen në Lubozhdë afër Istogut ku edhe vendosen pergjithmonë. Gjyshi këtu martohet me nji malësore të Llazit të Rozhajës fis Muriq me Hylë Çetina. Edhe familja e gjyshes Hylë kishte pas luftue panda kundër pushtuesit turk dhe atij malazez. Kjo i detyron ata të shpërngulen pak ma herët në Lubozhdë. Gjyshja ka pas tre vëllazen. Që të tretë kanë qenë burra të pashëm si kreshnikë, dhe asnjihere nuk ja kanë nda pushkën pushtuesve. Në anët e Podgurit veriperëndimor, nji tribun popullor me emnin Zymer Bruqi nga fshati Novosellë kishte pas dalë në mal dhe çetës së tij i bashkohet edhe gjyshi im Hajdin Mustafa bashkë me kunatin Bajram Çetina. Gjyshja në fshat mbetet në kujdesin e vëllaznive  Shabanit e Tahirit dhe edhe kushërinit  Isuf Çetina.  Ju lindin dy djem e dy vajza dhe gjyshi pasi i lind baba im Mustafa largohet dhe mbetet maleve të Rugovës i dëshpruem tej mase sepse natën qe lind baba im, në shtator 1921, bashkë me Azem Bejtë Galicën në luftë me forcat serbe të Kosta Peqancit i vritet Kapidani i çetës njiherit kunati Bajram Çetina dhe pas kësaj gjyshi diku 12 vite nuk duket i gjallë. Në mungesë të informatës për të e shpallin të zhdukun. Gjyshja me punë krahu si ma i miri burrë rritë katër fëmijët. Unë e mbaj mend mirë gjyshen. Kur ajo vdiq unë isha tetë vjeçar, por me duket se e shoh edhe sot e kësaj dite. Ka qenë alamet femne me nji fizik të hatashem e bukur dhe asaj i vardisej nji pis i familjes Januzaj. Gjyshja në nji rast e gjuen me kobure dhe përpak e vret pasi ai kur e sheh atë se si korr misrin me drapen dhe për rreth i rrinë fëmijët ashtu hypun në kalë s'i kishte pas qenë i gjuen fjalë dhe gjyshja që gjithmonë ka mbajt në shokë koburen ja perplas me ta sa gadi e vret. Ik ai qen, por ma vonë per tju hakmarrë, kur në anët e Podgurit bante zullume vojvoda i kralit të Serbisë katili Miliq Kërsta,  komshiu i Januzaj shkon dhe paguen Miliqin me 5 lira ari dhe kijet e zgjedhes për ta kidnapue gjyshen dhe me ja dërgue atij që ta çnjerzojë. Miliqi vjen natën dhe i qet rrethin kasollës së vogël ku jetonte gjyshja me katër fëmijët. Në perpjekjet e xhandarve serb të Miqiq Kërstës gjyshja vret nji xhandar, por asaj ata ja vrasin dy vajzat Mirën 18 vjeçare dhe Rroshen 16 vjeçare. Ka qenë kjo në vitin 1928, në vjeshtë. Ajo në perpjekjet e saj mbinjerzore arrinë t'i nxjerrë djemtë nga pullazi i shtëpisë dhe i hudhë në anën e pasme të saj ku ishte nji rrugicë dhe ma të madhit Selimit i thotë të ik shpejt e të shkojë te Sadri Osaj, por të kujdeset për vëllaun ma të vogël Mustafën. Ato çaste komshiu serb Mikaile Ristiq pasi dëgjon krismat e pushkve del dhe i kërkon Miliq Kërstës të largohet e mos ta tmerrojë atë grue me femijë të vetëm në shtëpi. Mirpo Miliqi medomos donte ta çojë në vend kërkesen e Mustafë Januzajt dhe nuk largohet, kjo edhe sjell deri te kapja e armve e Mikaile Ristiqit dhe vëllaznive të tij kundër Miliq Kërrstës. Miliqit i vriten tre xhandarë, dy nga ta familjarë, njeni djalë i vëllaut e tjetri i axhës dhe Mikaile Ristiqit i vritet vëllau Nedelko Ristiq. Pra shpetimtari i gjyshes time bahet komshiu serb Mikaile Ristiq. Nga ky rast neve si familje gjithmonë deri në ditet e sotshme kemi pas marrdhanje shumë të mira me familjen e shpëtimtarit të gjyshes tonë. Vetëm nji vit ma vonë axhën tim Selimin e helmon dhe e mbyt komshiu Bllagoje Simiq me porosinë e të vëllait vojvodë Kosta Simiq - Peqanac. Kështu gjyshja ime Hylë nga katër femijë mbetet vetëm me nji, me babën tim Mustafën te cilit ajo vet ja kishte pas lanë emnin e vjehrit të saj të famshem.

Baba rritet në perkujdesje të nanes së vetë, por edhe të dajve Shaban e Tahir Çetinaj e edhe të familjës së Rrustë Sadrisë së Rugovajve të Cërrcës. Në vitin 1941 baba angzhohet në luftën antifashiste dhe me shpresen se pas çlirimit do bashkohet Kosova e Shqipnia ai merr pjesë ne disa luftra për të perfundue ma në fund në luftën e Drenicës në janar 1945 ku vjen me Batalionin e partizanve shqiptar të Shqipnisë në komandën e Mal Sadikut dhe dezerton nga aty e bashkangjitet forcave nacionaliste të Shaban Palluzhës. Në atë luftë plagoset në kambë, dhe pas shumjes së revolucionit në Drenicë ai arrin të ik në mal bashkë me Sadri Isuf Januzaj, bashkfshatar, por vetëm pas disa javësh i zanë rob dhe i fusin në kolonat e partizanve që i dërgojnë për në Tivar. Kur arrijnë afer Vermnice nji partizan shqiptar në cilsinë komanduese e njeh babën tim dhe meqense e kishte nip ( ai kishte qen kusheri i gjyshes time dhe quhet Haxhi Verbaj ) i dhimbset dhe tinza i thotë:... ma mirë provo e ik dhe edhe nëse të vrasin pas shpine se sa me shkue ku po ju dergojnë. Baba kur merr vesh se ai ishte daja i tij i beson dhe njofton Sadri Januzajn dhe të dy bashkë hudhen nëper nji prrue dhe ikun. Per fat nuk i kishte pas marr asnji plumb sado qe i kishin pas gjuejt me breshni disa herë. Vinë në bjeshket tona të Istogut dhe strehohen nëpër shpella disa mujë. Lëshohet nji amnisti dhe dorzohen, por pas të ashtuqujtunës Informbyro, prishja e Titos me Stalinin e arrestojnë baben dhe e dergojnë në burg si anmik i popullit. Në burg ai takon trimat e njoftun te Rugovës ;  Sylë Mehmetin- Nikçi, Bajram Ramën - Muriq dhe Arif Reka -Hajdaraj. Sylë Mehmeti i mëson shkrim-leximin dhe nga ato çaste baba bahet dashamirë i librit. Ban burg deri në mars 1953. Dhe tash axha i babës së Ibrahim Rugovës Azem Sadri Rugova shkon në Isniq të Deçanit te miku i tij Mushak Kukleci me i kërkue nuse babës tim. Mushaku ja ban perhajr vajzen e vetme qe kishte Zyhranë, nanën time. Qejzin (pajën) ja paguen vet Azem Sadri Rugova dhe edhe shpenzimet e darsmës. Hamarin e Rugovajve Azemi e adapton si shtëpi banimi perkohësisht për familjen e re të posaformueme dhe aty në at hamar qe ishte shtëpia e jonë kam lind unë. Kjo asht arsyeja e lidhjes time emocionalisht me Rugovajt e Cërrcës, i konsideroj si familjen time.

Baba edhe pas disa tentimeve të gjejë diku punë nuk ja arrinë. Punon punë krahu ku mundet, fshati i falë nji troll pronë e askujt dhe aty dajet e babës bashkë me Azem Sadri Rugoven i ndertojnë nji shtëpi me mure guri e cila shkatrrohet në luftën e fundit që u ba në Dardani. Baba Mustafë blente libra, pat ba nji bibliotekë me nji fond të mirë librash. Më mesoi që kur isha 5 vjeçar të shkruej dhe lexoj. Na i lexonte vargjet e Lahutës dhe shpesh edhe na i recitonte, por gjithmonë msheftas në kujdesin ma të madh. Gjithmonë na thoshte se pushtimi turk pesë shekullor na ka shkatrrue vlerat tona dhe kulturen tonë. Nëper ndeja në odat e fshatit ishte tmerr për hoxhallarët, jua bante bajat ato prrallat e pallavrat e tyne që i quejshin nasihat. Ishte shumë i kujdesëshem ndaj njerzve, por trim i pashoq. Ka pas nji karakter që me mburrje e përshkruej këtu. Fshati Lubozhdë ishte fshat shumnacional por edhe shqiptarët ishin në disa lagje të fiseve të ndryshme. Në lagjen Pepaj dhe në atë të Shalës së Kodrës kishin sikur i thonë havale. Femnat mshifeshin nga mashkujt që nuk i kanë familjarë, mirpo baba im ka qenë i vetmi burrë i fshatit qe ka pas lirinë e besimin e tanë fshatit të futet në secilin oborr pa thirë te dyert dhe të presë përgjigje nga ndonji burrë i shtëpisë.

Ai e ka dit trungun familjar deri në 10 breza, mjerisht unë e kam mbajt mend pjesërisht dhe po e them tue fillue nga unë: Bardhi i Mustafës, Mustafa i Hajdinit, Hajdini i Mustafës, Mustafa i Hasanit (me 1948 emnin e këti stërgjyshi sistemi komunist jugosllav na e ban mbiemen familjar), Hasani i Smaka-së , Smaka i Deliut, Deliu i Sokolit, Sokoli i Gjonit. Baba Mustafë thojke se deri te Deliu kemi qenë të besimit katolik. Ishte i dyshimtë për Smaken se cilin besim ka pas ai. Kjo po i bjen se islami në trungun tim familjar ka qendrue vetëm në katër gjenerata. Ai thoshte se definitivisht banorët e Jabllanicës së Madhe dhe Radafcit jan islamizue pas vitit 1865. Dhe të njëjtat mendime i kishte edhe djali i axhës së babës axha Hajdar Bilalli që ishte nja 20 vjet ma i vjetër se baba. Në vitin 1965, nëse nuk po gaboj, baba më ka tregue nji Kryq të cilin e nxori në prezencen time nga fundi i magjes së miellit. Mbaj mend se si per Krishtlindjen bante buzmin në fushë dhe pastaj në shtëpi poashtu në mbramje na sillte arra, dhe pemë tjera, thojke duhet me i ngranë se sjell begati kjo.

Ndërsa për nanën time mund te them se asht e familjes së mirnjohun shaljane Kukleci të Isniqit afër Deçanit, vajza e Mushak Bajramit që ka qenë burrë i njoftun per trimni e  urti i Podgurit. Edhe gjyshi Mushak ka dit shkrim-lexim, kishte pas krye disa vite shkollë në gjuhën serbe në kohen e SKS - mbretnia serbo-kroato-slovene. Ka qenë poliglot, ka folë pastër shqipen, serbishten, italishten, gjermanishten dhe gjuhën rome, në nivel komunikimi edhe hungarishten. Ka qenë antikomunist i përbetuem. Nana asht rritë jetime pa nanë në kujdesin e vajzave të axhallarve të saj. Ka pas edhe dy vëllazen qe në vitin 1945 kishin pas perfundue në Lublanë të Sllovenisë ku martohen njeni me nji sllovenkë e tjetri e nji boshnjake të Bosnjes. Kjo sllovenka ka qenë vajzë e hallës së njeriut te dytë pas Titos në Jugosllavinë komuniste. Falë kesaj grueje të hatashme dhe humane neve si familje kemi arritë të mundim varfninë. Nana ime ka qenë nji grue shumë puntore. Pajat e nuseve dhe veshjet kombëtare qe i maronte ajo ishin të njohuna gjithandej Dukagjinit. Nana nuk ka dit shkrim as lexim, por ka dit tabelen e shumzimit dhe llogaritjet matematikore ma mirë se dikush i shkolluem.

GM: Çfarë kujtoni nga fëmijëria dhe nga rinia juaj e hershme?

BN: Linda me 20 korrik 1955 në fshatin Lubozhdë, komuna e Istogut. Koha kur linda ishte e vështirë për shqiptarët në Dardani (Kosovë) sepse ishte koha kur aplikohej i ashtuqujtuni aksioni i mbledhjes së armve të popullit shqiptar në Dardani, aksion ky qe udhëhiqej nga njeriu i dytë i pushtetit të Jugosllavisë komuniste, sekretari federativ i punve të brendshme Aleksander Rankoviq-i. Ishte varfni absolute dhe mjerim.

Linda si femiu i parë dhe kjo do thotë se si fëmijë me ranë në shpatulla kujdesi për familjen (vëllaznit dhe motrat) sepse baba ishte i shpallun si nacionalist dhe nuk lejohej të punsohej askund. Disa herë e burgosën dhe kohë pas kohe mbante nga disa vite burg. Ai punonte vetëm verës punë krahu nëper arat e komshive në mihjen e misrit dhe kositjen e livadheve. Ato para qe i fitonte na blente miell per buken e cila shpesh nuk na mjaftonte deri në veren tjeter . Tokën qe e kishte ble gjyshi kur shpengulet nga Jabllanica e Madhe afer Pejës dhe kalon në Lubozhdë pra 4 hektar na i zaptojnë kolonistet malazez me mbiemnin Popoviq të ardhun nga Berane e Malit të Zi.

Nana ka qenë puntore e madhe. Ajo me punët e dores si qendisjet, me mbarimin e kostumeve kombëtare në vek (tezgjah) dhe pastaj pëlhurave si dhe qilimave e gjanave tjera na ka rritë.

Ishim pesë fëmijë; tre djem e dy vajza. Unë ma i madhi. Nga uria më vdes motra Fatmirja në moshen 6 vjeçare. Vdekja e saj la shumë vrragë në shpirtin tim. Isha fëmijë i urtë, por i etshëm për shkollim. Mësoja shumë dhe lexoja që pa fillue ende të shkoj në klasën e parë. Shkronjat mi mesoi baba ndërsa nana ma mësoi tabelën e shumzimit. Urrejtja ime kundër pushtuesve sllavokomunistë rritej sa ma shumë lexoja libra qe mi sillte baba e shumë i merrsha edhe nga Atdhetari Smajl Blakaj nga fshati Vrellë ku ishte shkolla qe shkoja unë. Guxoj të them se kur mbarova shkollën fillore isha pothuej njeri i pjekun komplet me karakter, dhe burrni qe më kaliten të kem edhe Atdhedashuni. Kërkova bursë të shkollohem në shkollen e mesme te muzikës, por nuk ma dhan. U deshpërova dhe kalova ilegalisht kufinin me 22 gusht 1969 dhe dola në Tropojë, Shqipni. Sado qe isha nji femijë nuk më trajtuen si e prita, me mbajten 56 ditë atje dhe më dorzuen te roja kufitare jugosllave . Kjo më dorzoi te policia e ata më dërguen në Pejë te shefi i sigurimit policor të qarkut të Pejës qe ishte z. Adem Lluka. Fati im që më drozuen te z. Adem i cili me qortoi pse kam ik dhe me keshilloi të shkoj në gjimnaz e ta harroj Shqipninë e Enver Hoxhës. Tanë kohën që më merrte në pytje Adem Lluka aty pran meje ishte edhe baba im Mustafa. Adem Lluka nuk ka lejue qe ikja ime të shënohet në dosjet e policisë sepse ai ka njoftë babën tim dhe per të ka pas respekt dhe i thotë, nese nuk fol djali askund ku ka qenë do e shpëtoj disi. Humba nji vit shkollim. Vitin tjeter u regjistrova në gjimnaz në Istog. Pasi kreva tri vite, shkaku se as bukë nuk kishte familja, unë lash vitin e fundit pa e krye dhe ika pa lajmrue familjen , sepse baba asesi nuk do më lejonte, pra shkova në Lublana të Sllovenisë ku gjeta punë në nji fabrikë të letrave dhe ku fillova të mbajë familjen me pagën që merrsha. Besa per nji vit e diçka gjendja e familjes u përmirsue sepse pagat në Lublanë ishin të mira e unë punoja nga dy ndrrime shpesh pasi puna ishte me akord dhe pas nji viti u regjistrova në gjuhen sllovene me korrespondencë ta kryej vitin e katërt  të shkollës së mesme. E kreva me sukses të shkelqyeshëm, dhe u regjistrova në shkollën e naltë qe quhej;  Visha Poklicna Administrativna Shkolla, që i bjen Shkolla e lartë administrative profesionale. Tashma ndihesha se megjithate pak kam arrit nga dëshira ime për shkollim dhe punoja punën në fabrikë derisa u fejova më bashkëshorten që e kam edhe tash dhe u martova më 28 shtator 1980.

GM: Më shumë se dhimbje. Fatmira nuk jetoi më shumë se gjashtë vjet!...

BN: Ishim tmerrsisht të varfën, para se me dal te rasti i motrës time Fatmirës po tregoj rastin që pak e mbaj mend edhe vet, por ma shumë nga fakti se nana e ka perseritë shumë here gjatë jetës se saj. Kam qenë 4-5 vjeçar dhe baba i burgosun, në shtëpi gjyshja plakë, nana e re dhe unë femijë, katër ditë pa asnji fije mielli në shtëpi që të gatuhet ushqimi i perditshëm, pak miell misri, hitha të ziem dhe kripë. Unë lodhem aq shumë nga uria sa ja filloj me piskama me qa. Krejt afër me shtëpinë tonë kemi pas nji familje serbe që kanë pas mbiemnin Radivojeviq. Plaka e asaj shtëpie, Rosa asht quejt, degjon vajin tim dhe vjen e pyet se pse po kjan djali. Nana i thotë po qan oj zonja Rosa se ka kater ditë e netë qe asgja nuk ka shti në gojë. Zonja Rosa vrapon shpejt në shtëpi dhe merr nji gjysem buke misernike te nxehtë dhe jua sjellë. 8 ditë tjera neve kemi mbijetue me at gjysëm buke qe na e fali komshija serbe. Dhe tash te rasti i Fatmirës, e mbaj mend se ajo ka qenë fëmijë i shëndetshëm dhe asht rritë me shendet, mirpo pasi baba askund nuk punonte sepse nuk e lejonte sistemi dhe nana shpesh turpnohej me i kerkue ndihëm dajës (vëllaut të saj te i cili në Lublana u rrita unë) shpesh ishim përsëri me mungesë buke. Unë kur erdha nga Lublana tri ditë para se me vdek Fatmirja pash se ajo ishte lodh, nuk lëvizte vetëm dëneste, dhe jo vetëm ajo por edhe vëllau Ibrahimi ishte tha si krande, nana dridhej në kambë, Daja ja fali babës disa dinarë dhe ai shkoi e bleu miell. Në mbramje u ulem rreth sofrës me ngranë bukë të gatueme të nxehtë dhe vetem me kripë dhe qepë. Unë nuk ngrana se nuk pata uri. Natën Fatmirja piskati dhe piskama e saj na zgjoi nga gjumi. Kur u zgjuem pam se ajo kishte  humb vetdijen. Pash se kur baba ndezi llampen e vajgurit asaj ju kishte ba ftyra verdh dhe në cep te buzës i kishte dalë pak si shkumë. U ngritem të gjithë sepse flijshim në nji dhomë mbi nji shtrat të drrasave mbi të cilin kishte shavar (lloj bari per me shtru shtratin në at kohë), Ibrahimi fjeti perseri ndersa unë jo, u afrova te vendi ku ajo ishte e shtrime dhe e shikoja, baba mundohej të me largojë, por nuk pranova. E kam dasht shumë motren time Fatmiren  e edhe ajo me ka dasht mu, bacë me therriste ndersa unë ate e therisja motrushe. Dashni femijesh ma, por e sinqertë si vella e motër. Posa filloi të zbardhë drita baba u ngrit dhe shkoi te nji malazez që flitej se ka qenë infermier në ushtri dhe kuptonte shumë per shendetin. Erdhi ai dhe e shikoi, e ndegjoj me stetoskop dhe ajo dha shpirt ato çaste derisa neve ishim të gjithë rreth saj. Mbaj mend kur baba tha; fluturove te Zoti oj flutura e ime dhe i dolen dy pka loti. Ma vonë nana tregoi se me ditë të tana nuk kan pas bukë, dhe se vajza asht sëmurë nga uria. Neve tanë jeten jetuem me ndjenjën e asaj tragjedie se na vdiq motra e bija për nji kafshatë bukë. Ishin kohna të randa atëhere dhe di se ka edhe raste ma të vështira se rasti i jonë.

GM: Ku u strehuat në Shqipëri për gati dy muaj? Ç'kujtoni nga Shqipëria komuniste?

BN:  Po unë kisha dëshirë të shkollohem. Pikrisht atë vit qe mbarova shkollën fillore me të gjitha notat shembullore  policia e arrestoi babën dhe me procedurë të shpejt ja dhan 9 muaj burg. Ishte koha kur nga kreu i shtetit jugosllav erdhi urdhni qe të bahen racat e deleve merine, nji racë kjo e deleve australiane. Neve kishim 35 krenë dele dhe ato i kullosësha unë nëper shpatijet e bjeshkve të fshatit. Nji ditë derisa delet kulosëshin dhe unë lexoja në kambë nji libër erdhi nji xhip (makinë)  i komunës. Ndaloi para tufës së deleve të mia dhe nga xhipi dolen dy policë dhe nji burrë i gjatë me mustak, civil pa uniformë. Ky civili më pershendeti shqip; a po të kullosin o qoban? Po han ngapak ja dredh unë. I kujt je o djalë? Jam i Mustafë Hajdinit i them unë. Po ku e ki dashin më pyeti ai dhe me sy shikonte rrotull ku do e sheh. Unë i them ja ai atje a nuk po ja sheh b... mes kambve a! Burri me dy hapa ju afrue dashit tonë qe unë ja kisha lan emnin Shytan që kur pat lind dhe e kapi e ngriti perpjet dhe e futi mbrapa në xhip. Unë fillova të piskas dhe ju afrova e me sa mujta i rash me grushta në gjoks, ..hajn ik lëshoma dashin, dashi asht i imi, nuk ke pse ma merr. Piskama ime ndegjohet deri te shtëpija e dajve të babës që ishte afër aty dhe baba vrapon nëpër bahqe të dajve dhe kërcen mbi gardh e i del para zyrtarit komunal. Pa folë asnji fjalë shtyn zyrtarin anash, hap deren e xhipit dhe kap me nji dorë për bashkë të leshit dashin dhe e lëshon e ai vrapon te delet. Policët i kthejnë automatikët. Zyrtari ju thotë të presin dhe fillon t'i spjegojë se dashin ja marrin por do ja sjellin nji të racës merine sepse ajo racë duhet të kultivohet tash e tutje në këto treva. Baba pa ju dridhë syni e kapi për gjoksi dhe e shtërngoj tue i thanë shumë qetë por bindshem, e di , juve edhe delja bardhokë racë e kësaj toke, edhe dhitë e kuqe racë e kësaj toke ju pengojnë e jo ma neve shqiptaret. Merinja le të rritet atje ku e ka falë Zoti, por bardhokat e kanë këtu atdheun dhe e shtyni tutje, tash policet filluen t'i afrohen me armët drejtue kah ai, unë piskata mos ma vritni babën dhe hyna në mes, ato çaste vrapojnë edhe dajët e babës Ismaili dhe Arifi dhe në at tollovi baba me duer prapa shpine nga gardhi i dajve nxjerr nji hu bungu dhe sa qelë e mbyll syt i bjen me të njënit polic. Mbaj mend se quhej Dragosija, ishte i gjatë dy metra, ra sa gjan sa gjatë pertoke, polici tjeter u hutue dhe baba ja kapi armen, ja nxori nga dora dhe tash me te i urdhnojë ta merr kolegun dhe edhe këtë civilin dhe të ik e ma mos ti bjen ndermend me ardh me ja tmerrue fëmijet. Iken ata ndersa arma mbeti te baba. Pas diku nji ore u rrethue fshati dhe baba doli vet e u dorzue. Mbaj mend se nana i pat thanë, armen e paske ke edhe tjera ( mbante pushkë ai në shtëpi ) dhe mos u dorzo, por ai tha jo se nuk e marr as familjen e as fshatin në qafë. E morën dhe neve mbetëm me lotë për faqe. Mbaj mend se nga shumë vite burg e ka shpëtue grueja e dajës tim sllovenka që kishte pas lut Eduard Kardelin që të nderhyn.  Pra derisa baba ende ishte në burg në Prizren une mbarova shkollën fillore, kerkova burs që të shkoj në shkollën e mesme të muzikës në Prizren, por nuk ma ndan. Vendosa me dalë në Shqipni ku mendojsha se do më ndihmojnë dhe do shkollohem.
Kam shkue pa i tregue askujt te dajët në Isniq, dhe kam lut nji djalë të dajve të vie me mu deri në bjeshkë ku delshin ata me bagëtinë. Bjeshka quhej Roshkodol. Kemi shkue bashk dhe pasi kam pa Xheravicën edhe pse asnjiherë ma parë nuk kisha qen afër saj nga mesimet në gjeografi besojsha se kisha orientimin se kah duhet të shkoj per të dalë në Shqipni. Flej nji natë te dajet në stan aty dhe ai djali qe me shoqnojë u kethye me porosinë time qe të i tregojë gjyshit tim Mushakut (baba i nanës) se unë kam dalë në Shqipni. Fikall vetëm jam nis dhe kam kalue nëper shkambinjë e male dhe vetem Zoti më ka shpëtue pa u rrokullisë nëper shkembinjë diku. I lodhun i dërrmuem pas diku 12-13 orve ecje kam pa drita shtëpijash. Kam thirrë te e para dhe ka dalë nji plakë e ka pyet se kush asht. Jam i huej oj nanë mezi me del zani mu. A kosovar je a? O u lafshi në shtar po ku po doni që po vini ore tha plaka dhe doli e me mori brenda. Nuk do e pershkruej në detaje atë familje. Por do them se varfnia e sajë kishte qen edhe ma e tmerrshme se ajo nga e cila kisha ik unë me shpresen se po vi te nji mirqenje tjeter normale. Nuk kishin pas bukë të me jipnin, në prush të oxhakut plaka pjeku dy patate dhe mi dha. Shtrati ishte me dyshk firi dhe atu fjeta atë natë. Te nesërmen djali i plakës doli heret nga shtëpia dhe më tha të rri aty e mos të dal perjashta. Ndejta me plaken dhe pas nji kohe erdhi nji polic e me mori. Kemi ec kambë bukur gjatë dhe kemi shkue në Tropojë. Aty më futen brenda në stacion policie dhe menjiherë filluen me pytje. Pse kam dal andej, kush më ka dërgue, kënd duhet ta takoja, çka duhet t'i thoja etj, etj., pytje që unë fare si merrsha vesh pse më baheshin, pergjigjet e mia ishin shumë të sinqerta, dua të shkollohem, në Kosovë nuk kam kushte, baben e kam të burgosun jemi familje e varfën etj. Zgërdhiheshin dhe i bani njeni tjetrit me sy ata dhe fillonin përsëri nga e para. Kur panë se unë nuk kam çka ju them tjetër më morën, jashtë ishte nji makinë policie dhe u nisëm për nji rrugë që mua mu duk e gjatë nji vit. Pas shumë ore udhtimi arritem në Kukës. Aty më dorzuen te policia e Kukësit, dhe edhe ata tri ditë rresht më kanë marrë në pyetje. Çuditesha se si qenka Shqipnia, unë isha vetëm 14 vjeçar femijë dhe pse tan ato pytje!!? Tri netë kam fjetë në çelinë e shtëpisë policore në Kukes. Pas kesaj më dërguen te nji shkollë aty dhe aty nji burrë që u prezantue si drejtori i saj më mori. Me dha nji dhomë ku ishte nji shtrat dhe nji tavolinë e vogël me nji karrige. Këtu do flesh, mund të dalish në oborr të luejsh volejboll po deshte dhe më tregoi vendin ku do luja. Kur fillon shkolla nëse do të lejojnë organet e policisë do fillosh shkollimin këtu. U ndjeva pak i lehtësuem sepse më kishte hy frika në palc. Çastet që mbetesha vetëm qaja sa mujsha në heshtje. Isha ba pishman për veprimin tim, por tash s'kisha si ik nga aty. Rrafsh 51 ditë kam ndejt aty në at dhomë që se di as sot a ishte burg apo far dhome e far konvikti nxansish. Ushqimin që ma sillshin aty mezi e kapërdija. Njerzit me shikonin sikur t`isha unë far krimineli. Mendja nga familja nuk më hiqej asnji çast, doja të dija se a ka dal baba nga burgu, më kishte humb busulla dhe nuk e dija ditën kur ati i mbarohen ata 9 muj burg që ja kishin dhan.
Me ndihmën e Zotit shpëtova pa u lujt nga mendja dhe ma në fund pas 51 ditve erdhen tre policë, dhe më morën, më hypën në makinë policie dhe me dorzuen te kufini me Kosovën. Aty më mori policia kosovare dhe më derguen në Pejë. Aventura ime e nji adoleshenti mori fund. Shpëtova që më kthyen. Pershtypjet e mia per ato pak gjana qe i kam pa në Shqipni janë të tmerrshme. Ma mirë as mos t'i kujtoj tash. Ama e pranoj se kjo më ka kendell dhe i kam besue babes pastaj sepse ai thojke  komunizmi asht ma i keq se fashizmi. Po e ceku këtu se sivjet kam mësue pse me kthyen nga Kukësi. Baba posa kishte pas dal nga burgu kur vjen e merr vesh se çka kam ba unë kishte pas qajtë si femijë. Kishte pas shkue në Pejë te shefi i stacionit policor të Pejes z. Adem Lluka dhe e lut të baj çmos të më kthejnë. Baba e Ademi kishin pasë qenë bashkë në aksione të punëve për ndërtime hekurushash dikur në disa vende dhe kishin pas nji miqësi të mirë gja që unë se kam ditë deri vonë. Veren e 2015 mësova se Adem Lluka më paska pas kërkue të me kthejnë me kërkesën e babës tim. Këtë ma tregoi nji familjar i Adem Llukës në restorantin Freskia në Istog në gusht 2015. Ademi i kishte pas premtue babës nëse baba i garanton se unë asnjiherë nuk do flas se kam qenë në Shqipni, Ademi nuk do e shenojë askund në dosjen time këtë per të më ndihmue mu. Po të shenohej kjo padyshim se do e kisha shumë të veshtirë jetën atje unë. Ju baftë shpirti dritë të dyve Ademit dhe babës tim.

GM: Pas fëmijërisë së vështirë do të ndalemi tek dashuria. Si u njohët me bashkëshorten?

BN:  Shpesh i marr vetit inati pse jam shumë i sinqertë. Kjo shpesh më ka ba dam. Megjithatë e kam për mburrje këtë tipar të karakterit tim. Ishim të varfën, disa nga vajzat e klasës qe si femijë me ato andrrat rinore i kisha deshrue ti kem nuse , të kuptohem njenen nga to jo të gjitha (qesh)... tashma pasi unë u largova nga gjimnazi dhe bana moshën për martesë ma nuk kisha iden se ku janë ato. Mirpo shpesh e kem mendue për njënën ta gjej dhe t'i shpreh dashnin që ndjesha për të. Nuk munda ta baj këtë per faktin se ajo kishte mbarue shkollimin e lartë dhe unë e konsideroja veten si të padenjë për të pasi unë mbeta puntori fizik në fabrikën e letrave në Lublanë. E harrova këtë deshirë feminore. Mundësia tjetër ishte fejesa me shkues sipas traditës që ishte ende në anet tona. Edhe këtu se kisha guximin ti them babës ta çojë msitin te dikush që njifsha ndonji vajzë në at familje. Neve ishim të varfën, nuk kishim tokë fare, nji shtëpi të vogël guri e mbulueme me tjegulla të vjetra dhe edhe me kashtë thekne. Kush ja jep vajzen nji fukaraje mendoja unë. Mirpo kisha frikën se mos po gaboj e po lidhi veten me far vajze të kombësive sllave me të cilat punoja dhe me të cilat kisha kontakte tanë kohën. Kisha pa se si kishin pësue dajet e mi qe ishin martue me vajza të kombeve e kulturave tjera. Ata bashkë me fëmijët e tyne ishin asimilue. Nji ditë derisa isha me pushime në familje në fshat vjen të më vizitojë z. Ramë Kelmendi nga fshati Dubravë i Istogut me të cilin u bam miq në kohën kur ai ishte ushtar në Lublanë dhe unë shkoja ta vizitojë. Rama kur pau nanën time të dobtë nga shëndeti me sulmoi pse nuk martohem tja bi nanës nji nuse që t'i ndihmojë në punët e shtëpisë. Dhe aty për aty më propozoi të shkojmë ta shohim nji vajzë në Mitrovicë qe kishte pas qenë vajza e nji mikut të z. Ramë. Vendosëm të shkojmë ditën e neserme dhe takimin e lam në kafenenë e Istogut qe quhej Koreniku. U takuem aty dhe morëm nga nji pije para se të nisemi, kur aty futet nji kusheri i nanës time i cili gjithmonë na ka respektue dhe nerue. Kur na pau erdhi dhe u ulë te na. Rama i tregoi se do shkojmë në Mitrovicë me lyp dorën e nji vajze për mu, por daja (Tahir Kukleci quhej ai)  reagoi ashpër dhe i tha Ramës (ata ishin kolegë pune dhe miq mes veti) ti trus se nuk asht met nipi jem me i gjet ti nuse. Ja gjan daja nji qe se ka shoqen në  tanë Dukagjinin. Dhe ja filloi të ma spjegojë se paska te familja e grues ti tri vajza te mira e të bukura dhe se ai neser do ma bjen fjalën për njenën e per cilën do vendosë grueja e tij, dada Fatime qe e thirrsha unë. Kishte merak goten e rakisë daja dhe i pimë nga disa birra bashkë. Unë u ngrita dhe i thash Ramë Kelmendit eja të nisemi per Mitrovicë, por Rama nuk pranoi, jo me tha, ti nuk po e njifke mirë Tahirin, ky asht burr i zoti dhe mbaron punë. U ktheva në shtëpi dhe i tregova prindve. Te nesërmen diku rreth orës 13.00 therret daja Tahir bashkë me të birin Fadilin te dyert e oborrit dhe Fadili ja shkrep rafall revoleje bashkë me zanin e dajes Tahir ...o urime , urime nusja o nipalan.

Shpesh e ngacmoj gruen time dhe i them se më ka kushtue tri birra të Pejës fejesa me të. Nusen time se kam pa kurrë deri diten e martesës tonë. Mirpo asnjihere nuk kisha me andrrue fat ma te mirë se sa e kam me të. Ajo quhet Nushë dhe asht vajza e Rrustem Ali Hoxha-jt nga fshati Llozhan i Pejës. Asht motër e pesë vëllaznive dhe e vetmja motër. Për mu ka qenë shok dhe perkrahës i denjë në ecejaket e mia jetësore të cilat nuk kanë qenë të lehta, mi ka rritë dhe edukue tre fëmijët tanë dhe ajo per mu asht vet shpirti i jetës time.

GM: Gjatë kohës që kryenit shërbimin ushtarak në ish- Jugosllavi kemi mësuar se jeni dënuar me 6 muaj burg ushtarak. Cila ishte arsyeja e dënimit tuaj?

BN: Po në shërbim ushtarak më morën me 06 janar 1981. Në mars filluen demostratat e njohuna të shqiptarve në Dardani. Neve ushtarët shqiptarë në armatë e kishim shumë të veshtirë sepse nuk na lejonin të rrim bashkë ma shumë se dy veta me njani tjetrin. Isha në Zagreb në kazermën ushtarake Borongaj ku kishte diku rreth 6000 ushtarë e nga ta 1200 ishin shqiptarë. Mes tyne kishte të anës time istogas e mes tjerve ishte edhe kunati (Skënder Hoxha , vëllai i grues time ). Na i hapnin letrat qe na i dergonin familja, vjehrri im Rrustem Hoxha më dërgonte shpesh para në emnin tim te cilat duhej t'i ndaj me Skënderin dhe për të kontaktue me të duhej leja nga eprori i njisitit ku ai shërbente. Mirpo unë me atë natyren time rrebele vendosa ta kundershtoj këtë disiplinë. Isha antar i LKK (Lidhjes Komuniste të Kosovës) sepse pa qenë antar nuk kisha si punsohem, dhe tash edhe në armatë kishte organizatë partiake. Aty unë ngrita zanin. Kundërshtova rregulloret qe ishin caktue vetëm për neve shqiptarët e ato nuk vlenin për kombet tjera sllave. Mund të bahen bashkë e të flasin, këndojnë, luajnë pakufi serb, kroat, boshnjak, slloven, hungarez , rom etj, por nuk guxojnë të bahen bashkë ma shumë se dy veta shqiptarë. Na akuzonin se mund të formojmë grup irredentist në ushtri. Në mbledhjen e partisë nuk më kundërshtuen e shenuen në proçes diskutimin tim, por nji oficer tha, pse vetëm mu më pengojka kjo ndërsa asnji shqiptar tjetër nuk e ka ngritë këtë brengë deri tash. Nji ditë me thirri nji oficer i sigurimit ushtarak në bisedë informative sikur i quejshin ata. Posa hyna në zyren ku ai ishte dhe e përshendeta si ushtar me rregullore ai ma hudhi nji zarf para kambëve dhe tha; ... kush je ti qe ke vesh uniformen e ushtarit jugosllav e të dergon letër Enver Hoxha? Në filim u tremba se mendova mos asht far kurdisje, por kur kapa zarfin dhe e pash ja fillova të qesh dhe edhe t'i piskas ati ashpër tue i than; zavezhi i ne deri se na mene jer nije u ovom svetu samo jedan Enver Hoxha nego ima i drugih ... ( mbylle e mos piskat se nuk asht në këtë botë vetëm nji Enver Hoxhë, por ka edhe të tjerë ). Ky që ma paska dergue këtë leter ash kunati im qe quhet Enver dhe e ka mbiemnin Hoxha. Ky asht nxanës dhe asht femijë. A edhe nga emnat po doni me gjet shkak të na maltretoni a? Mora letrën dhe dola pa lejen e ti nga zyra. Më bërtiti të ndalojë, por nuk e respektova. Per çudi ai nuk urdhnoi rojën të më arrestoj. Të nesërmen pasi disha se në kazermën tjetër që quhej Mareshalli Tito ka nji  epror të naltë shqiptar dhe vendosa të shkoj në zyrë te Kapiteni i Klasit të Parë Ahmet Krasniqi. Më pranoi Kapiten Krasniqi dhe më degjoi në detaje. Pasi edhe më qerasi me nji kafe tha, nga dita e sodit ma asnji epror nuk do të guxojë të të marrë në pytje ty. Te nesërmen vet Ahmet Krasniqi intervenon dhe me emnojnë të punoj si përgjegjës për shpërndamjen e bukës nga furra nëper kazermat tjera që ishin 12 sosh që furnizoheshin nga furra e kazermës ku sherbeja unë. Mirpo padrejtësitë që ju baheshin shqiptarve më dermojshin në shpirt dhe nuk mujsha të hesht. Për ditën e Armatës Jugosllave me 22 dhetor organizohej koncert me kangë e valle nga ushtarët. Unë kisha çiftelinë aty, nji deçanas z. Nazmi Shehu kishte nji violinë dhe shpesh neve bajshim muzikë e këndonim bashkë. Unë u paraqita qe ta kendojmë nji kangë për 22 dhetor. Ma kërkuen tekstin të perkthyem dhe më than se ban ta këndoj me violinë, por jo edhe me çifteli sepse qenka instrument irredentist nacionalist ky. I tregova Ahmet Krasniqit, ai më tha, hesht mos kundërshto tash, por kur të vish për festën merr çiftelinë me veti dhe del në binë me të e filloja kangës. Ashtu veprova dhe këndova kangën qe ishte nji kangë e Riza Bytyqit dhe ka këtë tekst:

Vend i dashtun ku unë linda

sa me mall unë të kujtoj

kurrë so sot dashni nuk ndjeva

shumë për ty Kosovë lotoj... etj.

Te gjithë të pranishmit na përshëndetën me ovacione dhe mendova se kaloi edhe kjo.

Mirpo të nesermen kapiten Lubiq Zheljko më tha se do bahem pishman pse kam kendue për Kosovën. Nuk e mora seriozisht dhe vetëm ju zgërdhiva tue mos e perfillë.

Në familje në Lubozhdë ishin lodhë pa të ardhuna sepse vetëm unë isha ai që punoja, ishte njifar ligji që thoshte se ushtarët që janë mbajtës-ushqyes të familjes e mbarojnë sherbimin pas  nji viti. Kisha ba kerkesen per këte dhe komisioni ushtarak shendetsor që për neve kosovarët ishte në Nish në Serbi, pasi kishte thirr t'i kontrollojë prindët e mi shpall se te dytë janë të aftë dhe të zotët të punojnë andaj refuzohet kërkesa ime për lirim nga shërbimi pas nji viti. Meqense nana ishte shumë e smut dhe baba nuk kishte të drejtë punsimi nji ditë kur me erdhi letra me vendimin e ati komisioni unë shava me za drejtësinë e shtetit fashist ndaj shqiptarve. Shamja ishte kjo: .. mater ovoj drzhavi koja smatra da se albanci i pred smrti su zdravi i mogu da rade... (nanën e keti shteti që për shqiptarët mendon se edhe para vdekjes jan të zotet të punojnë) dhe vazhdova, nese edhe nana ime asht e aftë se di se kush qenka invalid ?! Kjo solli deri te arrestimi im dhe pastaj mbajtja në paraburgim gjashtë muaj ditë. Edhe këtu me nxori dhe më shpetoi Ahmet Krasniqi i cili kishte mbështetjen e madhe të Gjeneral Ramiz Avdylit. Po e ceku se falë kapiten Ahmet Krasniqit dhe kolonel Filip Kotelit nga kazerma e jonë e as nga ajo Mareshali Tito nuk e ka psue asnji shqiptar sepse ato vite per ditë ndodhte te bajnë "vetvrasje" ushtarët shqiptarë. Pra ata i vritnin dhe thoshin se kan ba vetvrasje. Ahmet Krasniqi ma vonë u ba Minister i Mbrojtjes në qeverinë e Kosovës të cilin e vranë në Tiranë kasta banditeske e LPK-së enveriste. Kolonel Filip Koteli ka qenë nga nji fshat i rrethit të Tuzit dhe ka qen nji patriot i madh shqiptar.

GM: Pas lirimit nga ushtria dhe daljes nga burgu, kthimi pranë të afërmeve do të ketë qenë sfida e rradhës... Si e keni përballuar?

BN:  Po sfida e radhës ishte që ditën e parë kur pasi mbarova sherbimin në ushtri kisha vizitue familjen në Lubozhdë u ktheva në Lublanë në vendin tim te punës.  Koleget me priten mirë dhe njeni nga ta me bani pyetjen se a mos jam ba baba. Po i thash kam nji djalë, ka lind derisa isha në ushtri. Me perqafoi dhe më urojë kolegu i punës qe ishte nji slloven njeri shumë i mirë. Marjan quhej kolegu. Perçudi pas pak më pyeti se si ja kam lan emnin djalit. Petrit i thash unë. Provoi ta shqiptojë, por nuk mujti dhe tha, mirë s'ka problem ti jeton  këtu mes nesh dhe neve do e thirrim Pero ose Petar. Mu duk se mu errsue gjithçka për rreth. Te bahet Petriti shqiptar Pero apo Petar sllav, jo kurrën e kurrës dhe atë ditë e kam nderpre punën dhe kam marr ato pak gjana qe i kisha dhe jam kthye në Lubozhdë. Ishte sistemi i tillë qe pasi njeriu nderpret vetvetiu punën dy muj nuk kishte të drejtë në te ardhuna nga zyra e punësimit mirpo Drejtori i Fabrikës ku punoja në vendim ma kishte pas shkrue se më kanë largue nga puna shkaku i vonesës time pasi kam mbarue shërbimin ushtarak. Kur pash vendimin e thirra në telefon dhe i thash se ka gabue sepse e kam leshue vet punën, ndersa ai qeshi dhe më tha e ke dhuratë nga unë pagën për dy muj derisa nuk do e kishe marrë po ta shenoja  se e ke lan vet punën dhe më uroi shëndet e fat dhe nderpreu lidhjen tue me thanë, gjithmonë je i mirëseardhun në mesin tonë nese do kesh nevojë.

Shumë vite ma vonë e kam takue at njeri i cili u pat ba udheheqës i Republikës Sllovene dhe e kam falenderue për kujdesin që kishte pas për mu. Ishte ky z. Dushan Shinigoj.

Dy vite kisha të drejten e pages nga zyra e punësimit, por unë dëshiroja të gjej punë sa ma parë. Nuk ishte lehtë. Istogu ishte vend i vogël dhe mundesitë e punsimit ishin pothuej minimale. Megjithate pas disa mujve arrita ta baj nji rreth miqësh sa së pari gjeta punë unë në sipermarrjen tregtare Korenik e pastaj kalova në postë si roje nate ndëersa në vend timin në Korenik punsova vëllaun, pati kundërshtime për këtë rokadë mes neve vëllaznive , por sekretari i Korenikut tashma i ndjeri Xhevat Ferati ma punsoi vëllaun dhe nuk i bani mall kundërshtimet që i bajshin serbët e malazezët. Pastaj gjeta lidhjen dhe punësova dhe dhandrrin dhe edhe vëllaun e vogël. Diçka që në dukje ishte fare e pamundun vetëm per mu, unë falë gjindshmenisë time dhe sinqeritetit me njerëz punsova pothuej tanë familjen.

GM: Me aq sa kam informacion, ju keni studiuar për Drejtësi...

BN: Më 1983 u regjistrova në fakultetin juridik dhe me afat të rregullt kryej dy vitet e në vitin e tretë e ndërpres shkaku i ngjarjeve qe filluen të ndodhin në ish Jugosllavi e në veçanti në Dardani (Kosovë). Shkaku i represaljeve dhe kërcënimeve të UDB-së jugosllave... Me keqardhje e them se nuk pata ma rastin të vazhdoj studimet për drejtësi. Mbeta apsolvent i përjetshëm.

GM: Më vonë Norvegjia do të bëhej “atdheu juaj i dytë”...

BN: Në Dardani situata keqësohej për ditë e ma shumë. Tashma nuk ishin protestat shqiptare ato që sillshin gjendjen e jashtzakonshme dhe orën policore, por ishin protestat e serbve dhe malazëzve që thoshin se gjoja kanë zullume nga shqiptarët se diskriminohen, dhunohen, rrezikohen etj. Dhe pas ardhjes së Sllobodan Millosheviçit në pushtet në republikën e Serbisë filloi procesi që t'i mirret Kosovës statuti si element konstituiv i Federatës Jugosllave që kishte fitue me Kushtetutën e viti 1974. Ishin disa amandamente që u qiten në dikutim publik dhe unë si antar i LKK-së në mbledhje partiake kundërshtova ato ndryshime dhe me diskutimet e mia taman profesionale sepse isha njohes i mirë i ligjeve dhe të drejtave kushtetuese të asaj kohe në Jugosllavi kisha qellim tju spjegoj fshatarve në bashkësitë lokale qe mos ta votojnë ndryshimin e amandamenteve kushtetuese. Në Istog ishim nji grup shumë i fort në këtë çashtje dhe në ball si prijës e kishim Avokatin Shaban Manaj. Kjo gjatë fundvitit 1988 dhe fillimin e 1989, mua me solli në pozitën e nji të kërkuemi nga policia. Më arrestuen, me mbajten 8 orë në biseda informative sikur i quejshin ata dhe ma caktuen lajmrimin për ditë në polici te inspektori Tomisllav Baboviq në ora 08.00 të mengjesit.Vendosa të ik jashtë diku. Me ndihmën e nji istogasi që quhet Nazim Shatri kalova në Suedi vetëm pa familjen time (grueja me tre fëmijet e vegjel qe kisha) ku po më ndihmën e disa miqëve pas 7 mujve qendrim në Suedi arrita ta nxjerr nga Istogu edhe gruen e femijet dhe pas nji viti kalova në Norvegji ku jetoj edhe sot e kesaj dite.

GM: Si ishin vitet e para të emigrimit... deri në ditët e sotme? A kishit kontakte me emigrantët shqiptarë atje? Po raporti juaj me politikën cili ishte?

BN: Në Suedi koha kur unë arrita aty ishte kohë perçarjeje të mergimtarve shqiptarë mes veti. Kishte grupacione qe luftonin njëna tjetrën. Ma të zellshmit për kundërshtime mes veti ishin enveristët qe u organizuen përmes lëvizjes ilegale LPK e për të cilen nuk dihej se ku e ka selinë qendrore, kush asht lideri i sakt i saj. Pastaj ishin migrantet e vjetër nga Shqipnia qe kishin ik nga pushteti i Enver Hoxhës por edhe ata disa ishin antar të Legalitetit, të tjerët të NDSH-së dhe të tretët të Ballit Kombëtar. Dhe të gjitha këto organizata percilleshin nga Shoqatat e Mërgimtarëve Jugosllavë ku kishte edhe shumë shqipfolsa antarë të tyne. Aktivitetet e shqiptarve në Suedi raportoheshin në Beograd dhe ka pas raste kur familjaret e aktivistit në Suedi e kanë psue atje në vendlindje. Unë sado që fillova t'i kontaktoj shumicën e emnave atje nuk u angazhova askund sepse pash se asnji nga ato organizata nuk asht si duhet. Kisha respekt vetem per nji migrant nga fshati Golem i malësisë së Gjirokastres i cili asht edhe shqiptari i parë qe ka shkel në Norvegji ku ka jetue 14 vite e pastaj kishte pas kalue në Suedi. Asht ky z. Hysen Çami ose Hysen Çelay sikur ishte i regjistruem në dokumente. Vetëm me bacen Hysen kam mbajt kontakte pothuej nji vit të tanë.

Kur me 23 dhetor në Prishtinë formohet Lidhja Demokratike e Kosovës unë isha në qytetin ma verior të Suedisë në Kiruna. Menjihere kam telefonue në Prishtinë dhe kam kërkue të ma dërgojnë Statusin dhe Programin e LDK-së dhe pasi atë ma dërgon Prof. Jusuf Buxhovi unë marr iniciativën me ata shqiptarë që kisha besim se do e perkrahin formimin e Degës LDK në Suedi. Te gjithë ata që i kam telefonue e kanë përkrahë, pos Muhamet Shatrit i cili kishte frikë se UDB-ja do merrte vesh dhe pastaj do i largojnë nga puna në Prishtinë vëllaznit e tij Nexhatin dhe Hakiun si dhe vëllain ma te vogël, mjekun në shtepinë e shëndetit në Istog Xhavit Shatrin. Muhamet Shatri me kërcënoi që mos tja përmend emnin askund. Mirpo pasi LDK u regjistrue në Gjykaten Federative jugosllave si parti legale Muhamet Shatri mbledh farefisninë qe kishte në Suedi (e kjo ishte nji ushtri e tanë) dhe ditën kur mbahet Kuvendi themelues i Degës së LDK-së në Malmö ai vjen dhe me ushtrinë e vet farefisnore propozohet dhe zgjidhet kryetar i Degës së LDK-së në Suedi.

Unë meqense isha në Kiruna dhe ku kishte shumë shqiptarë aty dhe në disa qytete tjera per rreth, bashkë me z. Florin Hysa dhe z. Mujë Mushkolaj  formuem Nëndegën e LDK-së në Kiruna ku më zgjodhen Kryetar të saj. Në strehimoren e refugjatve aty ishim diku 130 shqiptarë, unë kërkova nga drejtoria e shkollës që fëmijët tanë të kenë mësues për orët plotësuese në gjuhën amtare dhe në mungesë te kuadrit (asnji nuk ishte aty me shkollim të mesëm nga Dardania) fillova të punoj mësues me 34 femijët aty . Kjo punë bahej pa pagesë por unë e kam ba me vullnet sepse mësoja shumcka edhe vet bashkë me femijet pasi plan programin e gjeta nga planprogrami shkollor i Dardanisë.

Në Kiruna formova edhe Shoqatën Kulturore Shqiptare qe ja lam emnin Durimi ku më zgjodhen poashtu Kryetar i saj. Mirpo si kryetar i nëndegës së LDK-së dhe i shoqatës tonë atje ma së shumti jam marr me frenimin e shqipfolsve nga prapshtitë e tyne që i bajshin si hajnitë nëpër shitore, thyemjet e shtëpive dhe banesave suedeze, vozitjet e makinave pa patent shoferi, vjedhjen e derivateve të naftes në pompa të tyne për makinat e veta, pra ikshin pa e pague e besa edhe në ngatrresat që i bajshin mes veti kryesisht për shkak të ngatrresave të femijve në shkollë apo diku jashtë e edhe shkaku i ngacmimeve seksuale te grave e femnave të njëni tjetrit. Distanca Kiruna malmö ku ishte selia e degës LDK per Suedi ishte diku 2000 km. por unë shpesh kam shkue atje në organizime. Kryesisht kam mbajt lidhjen me Sekretarin e Degës z. Ramadan Rexhepi -Osmani. Ky burrë pat ba çmos t'i bashkojë Shoqatat shqiptare në Suedi dhe formojë Federaten e Shoqatave të bashkueme Shqiptare në Suedi. Nxori dhe botoi edhe organin e kësa Federate revisten tremujore  "Qëndresa " në numrin e parë të së cilës unë dërgoj nji shkrim për botim dhe botohet me titullin "Letër nga Svappavara''. Redaksia e revistës ishte shumë profesionale. Ramadan Rexhepi-Osmani Kryeredaktor, Prof. Kosovë Rexha Balaj redaktor përgjegjës, Muhamet Shatri redaktor etj. Mua më emnuen bashkpuntor nga regjionet Lapland dhe Norboten.

Me 28 nandor kalova nga Suedia në Norvegji. Meqense me erdhi përgjigje negative per azil nga Kiruna e Suedisë kalova në Narvik në Norvegji. Narviku asht qytet në veri të Norvegjisë. Aty e gjeta me shqiptarë përplot strehimoren e refugjatve. Si gjithkund edhe aty përditshmeria e tyne ishte hajnija nëpër shitorë dhe pisllaqe të tjera. Per fat të keq ditën e parë që arrita aty hasa në nji polic antishqiptar i tmerrshëm, kishte pas miqësi me nji familje serbe ai dhe u pata perplasë keq me të. Mirpo që t'i shpëtoj hakmarrjes më shpetoi fakti se grueja ime u sëmur  keq dhe mjeket na propozuen të shkojmë në jug të shtetit sepse shkaku i smundjes asht klima. Ndejtëm në Narvik deri me 26 qershor të vitit 1991 dhe na gjeten nji vend në Hamar qytet 120 km në veri të Oslos.

Ketu ishin 120 shqiptarë, si gjithandej, hajni dhe imoralitet mes tyne. Aty i gjeta edhe nji mjek nga Prishtina dhe nji magjister psikolog nga Tetova. Mjeku ishte njeri i lig, tinzar, dhe egoist, më të nuk munda të baj as miqësi e as far organizimi kolektiv. Ky magjistri ishte perfid por më përkrahte dhe nuk guxonte të më ndalojë pasi e pau se e njofta mirë tashma. Mu ba krah dhe ja fillova luftës kundër hajnave, formova këshillin shtepiak të kampit , ku me zgjodhen kryetar, formova Nëndegën e LDK-së ku përsëri më zgjodhën kryetar. Këtu fillova kursin për shofer të makinës dhe gjatë kësaj kohe u bana mik shpirti me mësuesin e autoshkollës z. Bjørn Ofstad. Ai më prezantoi te rrethi i vet miqësor e familjar dhe kështu për nji kohë të shkurt arrita të baj miq norvegjez qe ishin njerëz me peshë në at komunë, tue fillue nga krijues të ndryshem deri te njerëz të politikës dhe fesë. U njoftova me Peshkopen e parë femën në historinë e Norvegjisë me Rosemarie Kohn. Miqësia ime me z. Bjørn Ofstad solli deri te leverdia e shqiptarve në strehimore refugjatësh sepse unë angazhohesha ta mbaronin kursin e shoferit te Bjørni pothuej të gjithë ata që dëshironin dhe pagesa ishte fare simbolike, e disa edhe pa pagesë. Brenda nji viti ( 1991-1992 ) 130 shqiptarë u ban me patent shoferi . Si kryetar i Nëndegës së LDK-së mblidhja ndihma për Dardaninë në fillim diku nji vit me të ashtuqujtunin organizim; familja ndihmon familjen ndërsa pasi u formue fondi i ashtuqujtun 3% i qeverisë së Kosovës bashkë me arkatarin z. Bekim Kelmendi nga Peja kemi mbledh shuma të konsiderueshme të parave që i dorzojsha unë personalisht te arkatari i degës në Oslo.

Në vitin 1995 saktësisht me 27 janar, pra pas qëndrimit torturues nëpër strehimore refugjatësh ma në fund UDI që asht Departamenti i Refugjatve i Norvegjisë më lëshon lejeqëndrimin në baza humanitare, mua dhe familjes time. Vetem 15 minuta pas kumtimit të lajmit nga avokati se më asht dhan qendrimi më telefonon nana se ka ndrrue jetë njeriu ma i shtrenjet i jetës time, idoli im , heroi im baba Mustafë. Ishin mbush ma shumë se 5 vite pa e pa dhe Ai iku. Nuk kisha si shkoj ta varros, nuk kisha pashaportë, dhe po të rrezikoja të shkoja disi rrezikoja jetën time se do më arrestonte policia serbe.

Në gusht të vitit 1995 UDI ma dha nji shtëpi në nji fshat të vogël që ishte komunë në vete por ishte larg nga Oslo 300 e më tepër km. Alvdal quhej. Zakonisht shqiptarët protestonin kur ju caktojshin vende të vogla dhe me kambngulje kerkonin qytet si vendbanim, une nuk reagova, por ju vuna nji kusht; nëse nuk më gjeni punë atje nuk do rri, do iki diku ku ka punë sepse nuk due të jetojë me ndihma te socilait. Meqense nuk kishte punë fare atje ata më derguen në shkollë tue mi mbulue shpenzimet e shkollimit dhe unë shkova në Shkollën e naltë të gazetarisë në Volda, nji qytet në pjesen veriperndimore të Trondheim-it qe asht qyteti i dytë nga madhësia në Norvegji. Dy vite shkollim atje por pasi mbarova nuk kishte përsëri punë askund aty për mua andaj kërkova punë me telefon kudo shifja se ka fabrikë apo vend pune. Gjeta punë në nji fabrikë të gypave plastik në Sandefjord. Aty posa fillova punën bleva shtëpi dhe punova katër vite. Nji ditë pesoj fatkeqesi në vend pune, doren e majtë ma zan makina që punojsha në te dhe përpak e humbas shuplakën e dorës. Shërimi zgjati tri vite dhe për fat shpëtoi dora. Mirpo punë fizike nuk kisha mundesi të punoj ma. Shkova dhe mbarova për kategoritë e tjera për vozitës dhe u punsova si shofer autobusi ku punova 13 vite derisa psova infarkt në zemer dhe shëndeti u shkatrrue për tu pensionue ma në fund si invalid për punë në vitin 2007. Mirpo gjatë tanë kësaj kohe që kam punue  në fabrikë e edhe si shofer autobusi por edhe sa isha refugjat panderpre kam shkrue artikuj të cilet i kam botue në gazeta shtetnore dhe lokale. Në vitin 1993 kam marr shpërblimin e vitit për shkrimin tim replikë me nji gazetar proserb që shkruente panderpre kundër shqiptarve dhe historisë tonë në Dardani. Ai mbronte tezen serbe se Dardania asht djep i kulturës serbe. Shkrimi im me titullin  Storserberen (Serbomadhi) Andor Norman botue në ditoren Hamar Dagblad ma pat dhan shpërblimin e vitit si artikulli ma i mirë dhe pata marr shpërblim në të holla si dhe nji mirnjohje. Në vitin 1996 mora poashtu shpërblimin e parë si artikull i vitit në gazeten ditore  Sandefjord Blad  me shkrimin me titull;  Norge er Paradis for Kjeltringer (Norvegjia asht parajsë per mashtrues). Kam botue mbi 200 shkrime replika me autorë të ndryshëm që shkruejshin kundër shqiptarve e pro serbve. Kam pas disa takime me liderë partishë në Norvegji si dhe takim me tre ish kryeministra të Norvegjisë; Gru Harlem Brutland, Kjel Magne Bondevik dhe Jens Stoltenberg. Ndërsa kryeministrin aktual zonjen Erna Solberg e kam lider të partisë që jam antar dhe atë e kam takue disa here. Të gjitha këto takime jan ba kur kam pas çka kërkoj, protestoj apo denoncoj ne lidhje me neve si mergatë në këtë shtet dhe edhe për problemet që janë në Shqipni e Dardani e që ato probleme këtu përfolen me nji sy tjetër jo ashtu si asht realiteti. Meqense e di se Norvegjia asht shteti ma mik i Serbisë ne mesin e shteteve europrendimore asnjihere nuk e kam pas të veshtirë me i përcjellë komentet, publikimet, shkrimet dhe pastaj me reague me fakte kundër tyne. Shkaku se isha gjithmonë nji militant i LDK-së dhe i Ibrahim Rugovës kam pas dhe edhe kam shumë kundërshtar shqipfolsa te cilët në pamundësi të luftës intelektuale me mu ata panderpre me kanë shpif e perfolë me aq sa kan gjet mundësi e metoda. Pra orientimi im Rugovist dhe kundërshtimi im për hapjen e xhamijave shqiptare (sikur po i qujnë ketu) kanë nxitë lukuninë shqipfolse kundër meje. Nuk jam perkulë asnjihere, dhe gjithmonë jua kam këthye në te njejten masë. Nuk ja kam pas friken asnjihere kërcënimeve të tyne anonime gjithmonë pse unë shkruej jo vetëm në ZSH, por edhe në gazeta norvegjeze kundër financimit të xhamijave në Norvegji. Në vitin 2006 pasi pash se sa vështirë e kishin shqiptarët me udhtue për vendlindje në raste të mortit në familje sepse nuk kishte linje direkte nga Norvegjia në Prishtinë e as në Tiranë, unë shkova dhe kontaktova  drejtorin për marketing të kompanisë Norwegian z. Daniel Kjeldan. Ja spjegova nevojën për nji linje direkte nga Norvegjia për Prishtinë, ose për Tiranë. Fillimi i lobimit tim shkoi mirë, por nuk e di se kush lajmëroi kompaninë ajrore serbe Jat dhe ata ndërhynë menjiherë. Kishin dërgue fakte të Norwegian se gjoja ata e kanë aeroplanin e tyne dhe se shqiptarët mund ta përdorin atë deri në Beograd nga ku deri në Prishtinë i çon nji taksi me 50 euro dhe ata nuk udhëtojnë aq shumë andaj asht e paleverdishme hapja e linjës për ta. Nji ditë shkova te z. Kjeldan pa paralajmrim dhe aty gjeta nji perfaqësues të serbve të Jat-it. Ai nuk e dinte se kush jam dhe u keqkuptua, kur z. Kjeldan me përshëndeti dhe tha se nuk do ketë mundësi të hapet linja. Serbi i gëzuem filloi të flasë me mu norvegjisht dhe të flasë keq për shqiptarët, e ndëgjova nji copë herë derisa me erdhi te hunda dhe i kerkova falje z. Kjeldan. Ja ktheva serbit serbisht tue ja perkujtue se po flet me njeriun e gabuem ai dhe i thash se nëse unë jam gjallë linja do hapet. Te nesërmen shkova bashkë me reporterin e TV shtetnore norvegjeze, shqiptarin Shemsi Bunjaku, dhe në tavolinë ja përplasi emnat e 17.000 shqiptarve qe do e perdorin atë linje nëse hapet. Te gjithë këta emna i gjeta vet në internet pa dijenin e tyne. Serbi mbet me gojën hapun sepse ai thoshte se nuk ka udhtar. z. Daniel Kjeldan më premtojë aty per aty se linja do leshohet dhe ajo nga 12 prilli 2008 asht linjë e rregullt Oslo - Prishtinë. Kur me 2008 i ndahet Presidentit Marti Ahtisari çmimi Nobel për paqe pasi pash se askush nga shtetet tona shqiptare nuk vjen për ta përgëzue, unë thërras kolegun tim z. Shemsi Bunjaku, z. Nufri Lekaj, z. Enver Seferi, z. Imri Trena dhe z. Shemsi Rukovci dhe shkoj përmes Profesorit Geir Lundestad (të cilin e kam mik) që asht Drejtor i Institutit për ndamjen e çmimit Nobel për Paqe dhe në Institut na pret vet Prof. Geir Lundestad dhe unë ja dorzoj atij nji dhuratë në emnin e shqiptarve per Marti Ahtisarin. Po e ceku se edhe aktivitetin tim dy vjeçar per linjen ajrore Oslo - Prishtinë e edhe shkumja te presidenti Ahtisari shqipfolsve anti LDK-ist dhe anti Rugovist dhe atyne me tru islamik ju ka pengue dhe kanë folë sa kan mujt keq për mu, ata si zakonisht kur fluturon aeroplani i parë me 12 prill 2008 organizohen dhe qesin bakllava e flija dhe shkojnë në lokalet e aeroportit me ba festë gezimi ku ftojnë personelin e aeroportit dhe gazetarin reporter z. Shemsi Bunjaku per ti inçizue ata e publikue ma vonë në TV dhe normal me ju mbet nami atyne pastaj për linjën, dhe kur z. Sh. Bunjaku reagon dhe jua përkujton se kjo linje asht hap nga Selim Hasanaj i cili ka ba 35 udhtime me makinën e vetë nga Sarpsborg deri në Forneby që asht distancë 120 km nji drejtim që në total i bjen se ka ba 8400 km rruge me makinë te veten dhe shpenzimet e veta dhe se duhet me njoftue Selimin për festen  ata i thonë, hiqu atij antiislamisti atij qeni të Ibrahim Rugoves.

Ky fakt me ka pas dëshprue tejmase dhe u terhoqa tue u marr vetem me veten time dhe me familjen time qe deri tash bukur shumë e kisha lanë në mëshirën e fatit tue vrapue pas punve për mergatën tonë këtu, që të na njohë ky shtet si popull me dinjitet e jo si hajna e narkobosa. Në verën e vitit 2009 meqense kisha ba emen si artikullshkrues në gazeta dhe kisha shumë norvegjez miq mesuesi i muzikës dhe kangetari z. Frank Wisur me propozon të antarsohem në partinë e Djathtë Høyre Parti dhe pasi u antarsova z. Frank Wisur me  propozon te këshilli për kandidat këshilltar komunal për zgjedhjet që do mbaheshin në vjeshtë (11 shtator) e vitit 2009. Mora pjesë në garë dhe fitova tue u ba shqiptari i parë deri tash Keshilltar Komunal në Norvegji. Mandati ishte 5 vjeçar deri në shtator 2015.

GM: Duke shfletuar arkivën shoh se shkrimi juaj  i parë në “Zemra Shqiptare” është botuar  më 19-01-2008. Si na gjetët dhe pse vendosët që të jeni pjesë e revistës sonë?

BN: Po më kujtohet si sot kur miku im dhe komshiu këtu në Sarpsborg z. Ismet Berisha me telefon më jep adresën të hap ZSH-në dhe të lexoj aty shkrime të mira. Para se me folë pse e si fillova me shkrime te ZSH, po prezantoj pak kush asht z. Ismet Berisha. Ismeti ka lind në fshatin Dyz të komunes Podujevë në Dardani, ka mbarue shkollën e medresesë në Prishtinë dhe edhe dy vite fakultet për mësimin islam në Prishtinë. Ismeti kur shkon në shërbimin ushtarak arrestohet bashkë me disa shqiptarë të tjerë dhe akuzohen se paskan përgatitë sulm diversant në kazermen e tyne, denohet me pesë vite burg të cilat i mban dhe posa vjen nga burgu ik e vjen në Norvegji ishte kjo fillimi i viteve 1990. Kur unë shpërngulem në Sarpsborg 1997 ketu gjej z. Ismet Berisha me familjen e tij, nusen dhe tre djem të vegjel. Ishte festa e Bajramit dhe meqense kisha dëgjue se Ismeti asht hoxhë dhe se ka udhëheqe shqiptaret në namazet e Ramazanit në nji qytet afër ketu i them bashkëshortes time se do shkojmë tja urojmë Bajramin sespe ishte i vetmi shqiptar aty që e kisha pa ma parë. Shkuem dhe na priti për mrekulli. Kur u ula pash nji shishe Wiski në vitrinë dhe mendova se e ka ble per tja falë ndonji miku norvegjez. Mirpo ai më tha, a tja qojmë nga nji. Më erdhi keq, mendova se se ndegjova mirë dhe i thash; jo tu rrit nera nuk pij sot diten e Bajramit në sofrën tande e ti ke axhirue Ramazanin dhe je imam. Ai qeshi dhe u ngrit, mori shishen, luti zonjen tna i sjell gotat dhe i mbushi ato. Hajde urime Bajrami më tha dhe e çoi me eks gotën e viskit. Haram asht çka del nga goja më tha e jo çka hyn në gojë. Kaq per z. Ismet Berisha. Imam i shkolluem por shqiptar me zemer e shpirt. Me ka pas dergue baba me zor te bahem hoxhë thotë shpesh Ismeti dhe unë vetes time ju betova se do e kryej shkollimin por nuk do bahem hoxhë por do bahem dreq.

Dhe ky Ismeti ju kishte pas gjet juve. Me telefonoi qe te ju lexoj edhe unë tue mendue se po ban dreqni si e ka zakon mendova se asht far blogu për dashuriçka e flerte dhe disa ditë nuk e hapa ZSH-në. Nji ditë erdhi Ismeti musafir te unë dhe me tha hajde me pa se cka shkruen sot ZSH. Nuk më kujtohet saktësisht, por di se kishte pas qenë nji shkrim i Paul Tedeschinit. E lexuem bashkë me za me Ismetin dhe pastaj pash fund e krye revisten. Me la mbresa te hatashme. Në fillim fillova me komente, por mbaj mend mirë se ishte Paul Tedeschini ai qe me luti ta shkruej nji shkrim. E shkrova dhe ja sot e asaj dite jam me juve, jam i juvi, jam ai qe ju gezojë e edhe idhnojë bukur shpesh. Me vjen keq pse me z. Paul Tedeschini nuk mujta ta mbaj miqesinë sepse ai u tregue i pandershem me mu.

Nese dikush ja ka qit thinjat e bardha dikujt padyshim se do ja kam qit unë Gëzim Markut me kryeneqsinë time dhe konfliktet me komentues të ligj e te padenjë.

GM: Viti 2009 ishte një vit i veçantë për ju sepse botuat librin e parë me titull: “Nëngurra e Istogut”...

BN:  Po në ketë vit ma në fund arrita ta kunorzojë andrren time të feminisë qe ta botojë monografinë per fshatin tim të lindjes Lubozhdës. Kisha disi nji ndjenjë se më lindi edhe nji fëmijë.

Ama kisha edhe droe se si do pritet libri im. Jam befasue se sa bashkfshatari më erdhi në promovim në Istog. Te gjithë me radhë me përqafuen dhe më uruen. Ndihesha shumë i lumtun.

Libri u shpërnda brenda pak ditësh dhe shkak i kërkesave të shumta e kam ribotue në verën e 2014-tës edhe njiherë. Sot at liber e kanë shqiptarët në të katër anët e botës, di se asht në biblioteken e Welington në Zeladë të Re ku e ka vendos poetja dhe mikja ime zonja Silva Tërnava. Asht në Amerikë, në Kanada, në të gjitha shtete  e Europes etj. Mirpo ai libër edhe ka nxit disa shpirtshitun shqipfolsa me shpirt islamik që më kanë sha e kercënue pse kam shkrue për tragjedinë e familjes shqiptare të Adem Palushaj, familje kjo e besimit katolik qe e detyrojnë të shperngulet ose të ndroj fenë te bahen muslimanë. Kam përsëri kërkesa për at libër dhe duhet ta baj edhe nji ribotim sivjet nëse mundem.

GM: Lexuesit tanë, apo ata që nuk e kanë librin, do të ishin të interesuar të mësonin më shumë në lidhje me ''tragjedinë e familjes Palushaj''... Çfarë mund të na thoshit lidhur me të?

BN: Librin e kam botue të paren herë 1000 copë dhe asht shpernda gjithandej mbrenda nji kohe të shkur në vitin 2009. E kam ribotue perseri me 500 copë tjera në vitin 2015. Dhe kam kerkesa per te nga të gjitha anët. Duket se asht pikërisht fati i familjes Palushaj qe ka zgjue interesim të madh per librin. Unë per faktin se askush i pasardhësve të kësaj familje që sot jetojnë në disa fshatra të komunës së Klinës me mbiemna Palushaj, Dodaj dhe Quni, pra askush nga këta nuk ka pranue të flas me mu per rastin e paraardhesve të tyne në Lubozhdë në mesin e viteve 1800 saktësishtë per rastin e detyrimit të shpernguljes së tyne me dhunë në vitin 1865 nuk kam shkrue ne detaje rastin e kesaj fatkeqesie dhe padrejtësie. Kam provue me i kontaktue dhe kam gjet disa , por ata si duket kan pas frikë apo se di pse , ndoshta edhe krenaria e rrejshme qe asht ves tipik i joni ka ba qe ata mos të prononcohen. E thash krenaria e rrejshme sepse disa nga keta më kan kundershtue dhe më thonë se nuk asht e vertetë se deridje bashkfshatarët dhe vëllaznit e tyne shqiptar të fisit Shalë kur të prim nga imami i xhamisë së Vrellës i rrethojnë per ti detyrue të pranojnë islamin ose do i djegun per së gjalli me rob e femilje dhe gjanë e gjallë Adem Palushi fillon pushken dhe i vriten tre mashuj të ti dhe se vetem me besen e nji kumare të familjes Shatri ai arrin të baj armpushim dhe ik me tesha vesh bashk me robë e fëmijë dhe vendosen pastaj në Marmull fshat ky në anen e Gjakovës. Keta me kan kundershtue dhe thonë se Adem Palushit nuk ju ka vra asnji mashkull ndersa Palushët i paskan pas vra mbi 20 veta shaljan shqiptar musiman.Kjo nuk qendron dhe nuk asht fare e sakt. Deshmi se ju kan vra tre mashkuj familjes Palushaj jan edhe sot tri varre në Lubozhdë.  Dhe unë veq se kisha dhe kam telashe deri edhe kerrcnime pse kam shkrue per nji rast shumë tragjik të nji familje shqiptare qe e peson nga pushteti turk osmanli nga disa mendjemedhenje pasardhesa te  familjes Palushaj sepse atyne su pelqen fakti qe muslimanet jua kan vra tre mashkuj fakt kjo dhe krejt normale sepse nji familje nuk ka pas si lufton me dy katune te ndihmuem nga zabit e qaush turq, une kam telashe e kerrcnime edhe nga disa bashkfshatar të fisit Shalë të Lubozhdës te cilve nuk ju ka pelqye zbardhja e rastit nga ana e ime e disa qak me marrin si mbrojtës i katolikve , i kryqalive dhe ma shofin per të madhe dhe me kan sha e ofendue. Megjithate deshmite jan të gjalla edhe sot dhe ato flasin vet. Kujt i pelqejnë apo nuk i pelqejnë unë skam pse merzitem. Shamjet me randojnë shumë shpirtin, por friken nuk ja kam askujt. Bile po e ribotova at liber edhe njihere patjeter do i fus në te edhe kundershtimet dhe kerrcnimet qe mu kan ba. Mentaliteti jonë asht i quditshem. Nuk e deshron realitetin , i trembet ati. Unë ndryshe nuk di të flas. Kjo më sjell shpesh në situata qe tjeret me urrejnë. Unë jam krenar për veten time dhe punët qe i baj.

GM: Ndërsa më 2014 do të Fluturonit mbi Podgur...

BN: Me nxitjen e tash të ndjerit Daniel Gazulli dhe me përshtatjen e poezive të mia në gegnishte si dhe nji recenzentë per to e me radaktimin e Zeqir Lushajt në vitin 2014 botova librin me poezi ''Fluturoj mbi Podgur''. Edhe ky libër asht prit shumë mirë dhe do e ribotoj sivjet.

GM: A jeni i pranishëm në botën letrare norvegjeze?

BN: Në mars 2015 u bana antar i NFF- Norsk faglitterær forfatter-og oversetterforening që në shqip do thotë:  Shoqata e Shkrimtarve të Letërsisë Shkencore dhe e Përkthyesve në Norvegji. Pra u bana edhe këtu shqiptari i parë deri tash si antar i nji shoqate krijuesish në Norvegji.

Jam antar i NFF, por ende ketu nuk kam prezantue ndonji libër. Po punoj në perfundimin e nji libri me shkrime publicitare për shoqninë norvegjeze qe i kam botue gjithandej në ditoret e Norvegjisë. Këtu antar jam ba me librin shqip "Nëngurra e Istogut".



(Vota: 142 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: