Elvi Sidheri: Ulkonja zbret në qytet
| E Shtune, 20.02.2016, 07:00 PM |

Ulkonja zbret në qytet

Nga Elvi Sidheri

Kur në dimër, në viset malore, ujqit të shtyrë nga uria e paepur, që i bën të mos i druhen asfare tytave të çifteve të fshatarëve apo barinjve të zonës; zbresin drejt fushave apo zonave të banuara; këtij fenomeni krejtësisht të natyrshëm të zinxhirit ushqimor sipas teorisë darviniane; nuk i përkushtohet ndonjë vëmendje e veçantë.

Si rëndom, ujku gjëmon gjënë e gjallë të fermerit apo fshatarit përkatës; vetë ujkun e gjëmon fshatari i armatosur apo fermeri përkatës; dhe në fund, delja përkatëse, ujku përkatës, apo ngandonjëherë edhe vetë fshatari apo fermeri përkatës, përfundojnë keq, sipas rastit; delja e shqyer nga dhëmbët e mprehtë të ujkut të uritur, ujku me ndonjë saçme apo plumb në brinjë dhe me raste, edhe fermeri apo fshatari përkatës, i kafshuar nga ujku i patrembur.

Sepse fundja, do njohur dhe vlerësuar fakti se pikërisht ujku në veçanti, pati qenë dikur, ndoca dhjetë mijë vite më parë, ai që pati zgjedhur me hir apo pahir, që t’i nënshtrohej vullnetit dhe përkujdesjes së njeriut, racës sonë humane, që në agun e ekzistencës njerëzore sipas devizës “homo sapiensis”, pati përzgjedhur jo rastësisht ujkun krenar, si bashkëudhëtarin e vet të parapëlqyer shtazor, në rrugëtimin e gjatë nëpër shtigjet e historisë së evolucionit njerëzor drejt ditëve të sotme moderne.

Paskëtaj, siç fort mirë e dimë, ujku qe shndërruar në qen, në kone, në çihuaua, në qenush pekinez e mijëra raca të tjera; kurse gjithaq, të tjerë ujq, patën zgjedhur me vullnet të lirë, të vrapojnë kryelartë pyjeve të gjithë planetit tonë, duke rendur pas preve, dhe duke i qendruar vazhdimisht larg njeriut; këtij shfrytëzuesi mijëravjeçar të kushurinjve të tyre, të qenit, mikut tonë katërputërsh shtëpiak.

Kështu si me ujqit ndodh qysh prej natës së kohëve; edhe në rrethanat lokale të provincës sonë botërore, pra të Shqipërisë sonë, andej nga 1941-i dhe gjer në 1944-ën, ujqit patën nisur të zbresin nga malet, dhe të mësyjnë me dhëmbët e mprehtë jashtë, drejt qyteteve, fushave, brinjave e gërxheve të gjithë territorit shqiptar, poshtë e lart Shkumbinit, gjer në Vermosh.

Patën qenë do ujq të uritur, rrjepacukë, herë-herë edhe fort ulkonja bishtdredhura, që digjeshin për të kafshuar e shqyer mish njerëzor qyteti; mish kulakësh, kllasash të përmbisura, intelektualësh, dijetarësh, klerikësh iluministë e atdhedashës; që zhuriteshin për gjak e mishëra të buta qytetarësh të kulturuar, të shkolluar e fisnikë.

Dhe brenda pak vitesh, koha e tyre pati ardhur vërtetë.

Nën direktivat dhe komandën e kryeujkut Marshall që angullinte së largu nga kryeqendra botërore e ujqve dhëmbë-gjakosur, pra Beogradi; ujqit dhe ulkonjat kërrmangrënëse të viseve tona shqiptare; më në fund ia patën arritur qëllimit, që pikërisht më 28 Nëntor të 1944-ës, të parakalonin sfidueshëm në mes të bulevardeve të hijshme me gjurmën e pashlyeshme të Mbretërisë Shqiptare dhe arkitektëve gjenialë italianë.

Pati qenë ky një parakalim ujqish plot neps dhe oreks të pashuar, që teksa shikonin popullatën e pambrojtur njerëzore të kryeqytetit shqiptar; ndërseheshin edhe më tepër kundrejt mishërave të tyre të pafajshme, nën ethet e një epshi të pafrenueshëm shtazarak, që do t’u kushtonte me jetë mijëra shqiptarëve, gjer në dhjetorin e 46 viteve më pas, kur në 1990-ën, megjithëse mjaft vonë, shpirti njerëzor i shqiptarëve të shtypur, kafshuar, zvetënuar e shqyer të gjallë shumë gjatë nga uria shtazarake dhe etja e pashuar për gjak e zgjedhës së kësaj specieje gjakatare ujqish dhe ulkonjash; do të ngadhënjente pëmbi frikën, dhe do t’i përmbyste pasonjësit e atyre ujqve të parë që patën mësyrë Tiranën në nëntor të 1944-ës.

Sepse shpirti njerëzor, gjithësesi, dikur triumfon mbi dhëmbët e gjakosur, mbi etjen për gjak, mbi prirjet dominuese shtazarake, mbi zgjedhën çnjerëzore, mbi ujqit dhe ulkonjat njerëzore.

Do të vinte edhe një ditë, më 20 shkurt 1991, kur populli njerëzor i Tiranës, përkundër kërcënimeve dhe kërcëllitjes kanosëse të dhëmbëve të përgjakur të klikës së ujqve e ulkonjave që prej 50 vjetësh patën uzurpuar pushtetin dhe çdo shteg jete e lirie në Shqipëri; të ngriheshin edhe njëherë, dhe të rrëzonin, të tërhiqnin zvarrë dhe t’i jepnin dërrmën simbolit të regjimit që ujqit e ulkonjat patën instaluar përdhunshëm prej 5 dekadash.

Dhe kështu u pat gremisur plot urrejtje e përçmim, monumenti i Ujkut të Madh, njeriut ujk që pati simbolizuar dhe zbatuar personalisht, të gjitha elementet e shtypjes dhe kanibalizmit që njerëzit ujq dhe ulkonja, patën ushtruar në mënyrë çnjerëzore mbi popullin njerëzor të Shqipërisë.

Por, ndërsa ky idhull i rremë, ky njeri-ujk që pati dashur të zëvendësonte Zotin dhe të shndërrohej në një hyjni të mbarsur në gjak dhe dhunë; më në fund pati rënë përtokë dhe qe copëtuar në mijëra fragmente; trashëgimia e tij gjakatare, nuk ish zhdukur përfundimisht, bashkë me të në ferr.

Kështu, 25 vite pas rrëzimit popullor të monumentit të Ujkut të Madh, këtij njeriu-ujk që pati prirë kopenë gjakatare të ujqve dhe ulkonjave përgjatë 5 dekadave të shenjuara nga etja për mish e gjak shqiptari e kësaj specieje deviante, këtij mutacioni gjenetik që i pati bërë gjëmën kolektivisht shqiptarëve pa dallim feje, krahine e ideje; ulkonjat dinë ende të flasin dhe përflasin.

Të gjykojnë, të sentencojnë, të vlerësojnë kërrmangrënien e tyre kanibaleske si diçka thelbësisht të fisme dhe të ligjshme, dhe të jetojnë me ndërgjegjen të lehtë si pendë zogu.

Sepse në shekullin e XXI; në anët tona, kjo gjë ende konsiderohet normale.

Ne jemi popull “modern”, që të kaluarën rregullisht e harrojmë brenda një kapsallitjeje sysh; dhe paskëtaj habitemi si fort, kur e kaluara na mblidhet si rrodhe nëpër këmbë dhe nuk na lë të bëjmë përpara.

Sepse Ujku i Madh dhe njerëzit ujq, angullijnë, kujisin, çirren pandalur!



(Vota: 8 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: