Gjon Keka : Fjalimi i Kastriotit, Lezhë, 2 Mars 1444
| E Merkure, 17.02.2016, 09:20 PM |

Fjalimi i Gjergj Kastriotit në Kuvendin e Lezhës 2 Mars 1444

Nga Gjon Keka

Në këtë fjalim ne mund ta shohim në dritën e qartë karakterin, personalitetin mbikohor dhe lidershipin vizionar të Gjergj Kastriotit, si dhe njeriun e burrështetasin e urtë e të talentuar, me besimin e tij të thellë në rrënjët e lashta të kombit. Fjalimi i tij u mbajt në kishën e Shën Nikollës më 2 mars 1444.,ku morën pjesë gjithë kryefisnorët dhe fisnorët, si dhe delegatë e përfaqësues të tjerë nga mbarë vendi. Ishte vërtet një nga fjalimet e Gjergj Kastrioti plot frymëzim, i rafinuar, mbushur me vetëbesim dhe kurajë. Ja se ç’foli ai në këtë meshë:

“Është ndoshta e panevojshme, o princa të admirueshëm, të përshkruaj urrejtjen e turqve kundër ndjekësve të Zotit tonë Jezus Krisht! Janë plagët e shumta, me të cilat është mbuluar krishterimi dhe Shqipëria që e dëshmojnë më së miri këtë. Gjithashtu, o Princa të Shqipërisë, ne e kemi përjetuar thellë se si armiqtë tanë e kanë pasuruar veten me të mirat e vendit tonë dhe na kanë rrënuar ne në gjithçka.

Më lejoni që të përmendim shkaqet e aksidentit të fundit, nga i cili ne tani kemi marrë mjaft këshilla dhe e kemi përmirësuar pozicionin tonë.

Është për të qarë me lot se si princat e kombeve të krishtera, nga mos uniteti dhe kontratat e dëmshme të tyre, duhet ta fajësojnë veten për mjerimin e përgjithshëm. Por qielli është dëshmitar se pushtuesi otoman mund të thyhet lehtë vetëm duke i bashkuar forcat tona.

Por unë nuk do të ndalem në fatin e trishtuar të princave të huaj. Ata janë vëllezërit e mi, të cilët u vranë mbrapa shpine në mënyrë të turpshme.

Më lejoni t'ju them, pra, pse shtëpinë time e zhdukën me qëllim në mënyrë të mjerueshme.

Babai im, miku juaj, u sulmua nga sulltani turk me një ushtri të madhe.

Fqinjët tashmë ishin nënshtruar para këtij pushteti barbar dhe askush nuk mundi t’i shkojë në ndihmë atij. Kështu që ai u detyrua të pranojë një ndër kushtet më të rënda: dhe kjo ishte shkatërruese për të.

Ai vdiq, bijtë e tij u vranë. Vetëm unë mbeta gjallë. Qielli e ka dashur këtë dhe unë shpresoj se ju do më lejoni që të marr hak ndaj të pabesëve.

Babai im ra viktimë e mos unitetit dhe e përqasjes së princave shqiptarë. Unë shoh akoma edhe sot të njëjtin fat si më parë të mbretërisë sime, por edhe ju, ashtu si unë, nuk doni të qëndroni në buzë të humnerës.

Çfarë mendoni?

Qëllimi i turkut nuk është vetëm shkatërrimi im... O trimat e mi të dashur, nga ky rrezik i papërshkrueshëm janë të kërcënuar të gjithë, edhe ju. Sa e lehtë do të mund të tingëllojë brohoritja e gëzimit të fitores, nëse ju jeni të gatshëm të ma dhuroni vetëm veshin tuaj për të dëgjuar këtë që po flasim sot. Mendimet dhe aspiratat e turqve janë të drejtuara në shkatërrimin e të gjithëve ne, nga i pari e deri tek i fundit. Nuk mund të jetë një turk, nëse nuk mendon kështu.

Ligjet e tij, zakonet e tij, karakteri i tij, sidomos gjithë vullneti i profetit të tyre Muhamed, i bënë ata shkatërrues. Ata nuk mund ta dinë emrin e Krishtit, sepse ata të tillë janë, dhe e njëjta ideologji e tillë është edhe te Murati, i cili është i rrethuar nga vezirët dhe bashkëpunëtorët e tij keqbërës. Ai mendon gjithë ditën për hakmarrje dhe për urrejtje. Ai e falënderon profetin e tij që i ka dhënë mundësinë për ta pushtuar Shqipërinë, pas humbjes shkatërruese në Hungari dhe në vendet e tjera. Ndërsa tani do të më shkatërrojë mua, që e gjithë kjo luftë të bëhet kundër princave të mi shqiptarë. Të gjithë ju, a doni të më shihni të lidhur në zinxhirë para tij?!

Kjo është aspirata dhe dëshira e turqve! Besomëni mua, besojini përvojës sime, njohurisë sime për këtë ideologji dhe për zakonet e saj! Mendoni ngjarjet e tmerrshme, nga e kaluara e deri në ditët e sotme.

Janë ndoshta tepër serioze këto fjalë që unë duhet t'i flas o princat e mi të çmuar. Janë njësoj si mjeku që tregon për rreziqet shëndetësore dhe për vuajtjet, dhe i njëjti më pas vendos për kohën e përshtatshme të operacionit.

Vetëm të bashkuar mund të rezistojmë; dhe pikërisht këtë njësi (unitet) e do edhe vetë Zoti.

Ju e dini se si në të kaluarën Hungaria, Transilvania, Bullgaria dhe Serbia ranë veç e veç nën pushtetin barbar të turkut.

Megjithatë, si në vitet e mëhershme, kur princat qenë të bashkuar, edhe qielli i kishte bekuar armët e tyre, dhe kështu ata korrën fitore më të shkëlqyera, fituan, e Krishterimi triumfoi. Ky është shembulli më i lavdishëm i fundit që ju keni para jush. Oh! Le të shkojmë pra dorë për dore, dhe mbrojtja hyjnore na është e sigurt!

Besoni vërtet se turqit do e kishin nënshtruar Shqipërinë dhe jetëgjatësinë e atit tim, nëse princat do të kishin rënë dakord që të dalin në ndihëm dhe në mbrojtje të tij?

Ishte pikërisht shkaku i mosmarrëveshjeve dhe i përçarjeve që vendi ynë i bukur ra viktimë e pushtetit otoman. Tani ju ftoj që të jemi unanimë, dhe kjo do të ndihmojë që ne të dalim triumfues, ashtu si Hungaria doli triumfuese ndaj këtij armiku të egër.

Forca e Shqipërisë është njësoj si një lumë i vogël që rrjedh në drejtime të ndryshme. Nëse të njëjtit bashkohen në një shtrat të vetëm, ata formojnë një pjesë të madhe dhe të fuqishme të lumit. Kjo rrethanë më frymëzon mua, më jep besim dhe shpresë e më magjeps se shqiptarët, me armët e tyre, do të korrin fitore të lavdishme e kështu krishterimi i Europës do të vërtetojë vlerën e tij të njëjtë. Unë vetë kam jetuar afërisht tridhjetë vite si peng dhe në oborrin e tyre, i mësuar me armët e tyre, e di mënyrën e luftës së tyre, e njoh tërë ushtrinë e tyre, ndaj mendoj se tani është koha për të vepruar me sukses kundër tyre. Prandaj, në qoftë se unë, si komandant i tyre në shumë beteja të përgjakshme e kam mundur armikun e tyre, si do të duhej të veproja unë tani? Vendi im, mirëqenia e tij dhe e miqve të mi, më kanë dhënë besën e tyre që me gjak të mbroj vendin. A nuk do të mbetemi fitimtarë? Mos lejoni që të frikësoheni nga thashethemet boshe rreth krocave të armiqve tanë, duke ditur se para pak kohësh ata janë mposhtur krejtësisht nga Huniadi, dhe që në bërthamë trupat e tyre ishin shkatërruar krejt. Kështu, ajo çka ka mbetur tani nuk është asgjë më shumë se një grumbuj banditësh, një turmë frikacakësh e barbarësh pa asnjë qëllim dhe përvojë. Unë i referohem edhe historisë së lartpërmendur të kohëve të fundit rreth betejës së mëparshme të Moravës, të Huniadit me forca të vogla, por të veshura fuqishëm. Perëndia nuk pyet për numrin e armiqve, nëse besimtarët e duan fitoren.

Më besoni, vetëm për shkak të mos unitetit tonë turqit mund të ngrihen përsëri. Ndryshe, ata nuk do të guxojnë kurrsesi të na sulmojnë, edhe nëse e mendojnë ta bëjë atë, sepse e gjithë ndërmarrja e tyre do u kushtojë shtrenjtë.

Kështu që ju po e shihni, o princa të urtë, se shpëtimi ynë varet nga ne vetë. Në qoftë se ne shikojmë se si shkatërrohen fqinjët tanë, në qoftë se ne mbetemi të frikësuar, joaktivë, atëherë ne do jemi si qengjat në gojë të ujkut.

Nga bashkëbisedimi i sotëm varet fati i Shqipërisë. Unë ju kam treguar për rrezikun e përbashkët, si dhe për mjetet se si duhet shmangur ai; ajo çka varet sot prej jush është përmbushja e kësaj që u tha, e planeve të mia të menduara në mënyrë të pjekur. Dhe, nëse ju e bëni këtë dhe e pranonin, Shqipëria do të shpëtojë dhe brezat që do të vijnë do të jenë mirënjohës dhe do të luten për ju e për shpëtimin e tyre dhe të vendit”.

Dhe kështu, princat e Shqipërisë vendosën në zemrat e tyre frymën e unitetit, si dhe frymën e rezistencës kundër armiku të tyre të përbashkët.

Përshtypja e këtij fjalimi ishte jashtëzakonisht e fuqishme; të gjithë delegatët e pranishëm (përveç delegatëve venecianë dhe të tjerë), pas një bashkëbisedimi të shkurtër zgjodhën Gjergj Kastriotin komandant suprem të forcave të përbashkëta të Shqipërisë. (...)



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: