Ermira Babamusta: Premiera e Paftuar në New York
| E Diel, 14.02.2016, 11:03 AM |

Premiera e Filmit Paftuar në New York me Bujar Alimiani,  Roland Uruci dhe Julian Biba

“Paftuar”, filmi mbi dramën e emigrimit përjetuar nga bashkëautori Julian Biba

Nga Ermira Babamusta

New York - Producenti dhe skenaristi Julian Biba trajton në filmat e tij tema sociale, histori të emigrantëve, siç është filmi “Patuar” bazuar në ngjarjen reale përjetuar nga vetë Juliani. Ai gjithashtu aktron edhe është kordinator i skenave aksion. Juliani ka lindur në Shqipëri dhe u zhvendos në Shtetet e Bashkuara në vitin 2000. Duke pasur një kualifikim në karate, edukim ushtarak dhe trajnime policore, pasioni për filmat aksion ishte e natyrshme për të. Projekti i tij më i madh është skenari “Besim i Verbër” (Leap of Faith).

“Leap of Faith” ndryshoi totalisht mënyrën se si unë shkruaj dhe mendoj për skenarin. Është dizenjuar për një film që kërkon buxhet të madh, gjë që e bën pikën e fortë dhe të dobët të projektit në të njëjtën kohë,” thotë skenarist/producenti Julian Biba.

Julian Biba ka bashkëpunuar me skenaristin dhe regjizorin e njour shqiptar në New York, Roland Uruçi për filmin me metrazh të shkurtër “Paftuar” (Uninvited) për të cilin kanë qënë bashkë-skenaristë. Po ashtu Juliani ishte Asistent, Producent dhe Koordinator për skenat aksion në këtë film.

“Ky film është bazuar në ngjarje reale ku unë kam qenë dëshmitar okular dhe bëhet fjalë për shkeljen e të drejtave të njeriut nga njësitë greke të patrullës kufitare kundrejt emigrantëve ilegalë Shqiptarë. Shpresojmë që dikur të kemi fondet e nevojshme në mënyrë që të filmojmë versionin e gjatë të skenarit për të treguar të gjithë ngjarjen mjaft interesante.”

“Pata kënaqësinë dhe nderin të punoj me regjizorin Roland Uruçi; drejtorin e fotografisë Albert Elmazovski; dy aktorë, të cilët jam rritur duke i parë në television: Todi Llupi dhe Karafil Shena; aktorin/regjizorin e madh Laert Vasili; producentët e mrekullueshëm Tefta Bejko dhe Bujar Alimani; dhe aktorët Artan Telqiu, Albi Dhima, Armando Dauti, Griseld Kapllanaj, Sabrina Alimani, Ervin Kendella dhe Galip Cobaj.”

Pas filmit“Paftuar” Juliani ka ndjekur disa klasa aktrimi me aktor/regjizorin Ron Millkie dhe ka shkruar disa skenare, një pjesë prej të cilëve janë të bazuar në ngjarje reale.

“Dy nga skenaret e gjatë janë po ashtu të bazuar në ngjarje të vërteta në të cilat unë kam qenë pjesëmarres, si “E Ardhmja e Ndritur” (The Bright Future) që pak a shumë është një vazhdim i filmit “Paftuar”, por tani ngjarja kryesore ndodh në Athinë, Greqi. “Besimi” (Trust) bazohet në rebelimet masive me armë që ndodhën në Shqipëri në vitin 1997. Pastaj është edhe “Besim i Verbër” (Leap of Faith) i cili është skenari im i parë që nuk bazohet mbi ngjarje te mijat, por bën fjalë për dramën e një gruaje e cila humb njerëzit e saj më të dashur. Skenarët për filmat e shkurtër janë një kombinim mes atyre nga ngjarje reale e atyre të fantazuar.”

Juliani ka bërë një program intensiv me “ScreenwritingU” Programi Profesional i Shkrimit të Skenarit. Gjatë kohës 8 mujore të kursit ai përfundoi skenarin “Besim i Verbër” (Leap of Faith) që u publikua në revistën amerikane “Inktip” për t’u marrë në konsideratë nga kompani të ndryshme produksioni.

Përveç produksionit the shkrimit të skenarëve, Juliani ishte pjesë e serialit “Amerikanët” (The Americans) gjithashtu dhe tek “Misteret në Muze” (Mysteries At the Museum) në rolin e Al Kapones, në kanalin e njohur Travel Channel.

“E adhuroj serialin “Amerikanët” dhe pata një eksperiencë shumë të bukur vëzhgimi nga afër i një produksion të atij niveli. Al Kapone dhe detektivi i shekullit XIX, ishin dokumentarë ku na duhej të improvizonim dhe une e shijova shumë ate eksperiencë.”

“Gjatë Javës së Filmit Shqiptar në Nju Jork (New York Albanian Film Week) të producentes Mrika Krasniqi pata shansin të bëj biseda konstruktive me regjizorë si Iris Elezi dhe Fatmir Koci dhe m’u kërkua nga regjizori kosovar Sabri Pajaziti të aktroj në filmin e tij me metrazh të shkurtër “Një kohë e vështirë në Nju Jork” (A Tough Time in NY) përkrah aktorit shumë të talentuar Julian Gjaci. Kjo ishtë një eksperiencë shumë e bukur dhe shijova çdo moment të saj.”

Julian Biba momentalisht po punon për të shfaqur historinë e hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai thotë se skenari është akoma në progres dhe shpalos një nga vlerat më të mëdha të shqiptarëve “BESËN”, premtimi që një shqiptar tradicional e jep “duke preferuar vdekjen para se ta thyejë atë.”

Producenti Julian Biba po planifikon të organizojë disa shfaqje në Nju Jork, Uashington DC dhe Masaçusets për filmin me metrazh të shkurtër “Paftuar”, me objektiv kryesor prodhimin e variantit të plotë të këtij filmi.

Julian Biba dhe  Laert Vasili, filmi Paftuar



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: