Lutfi Alia: Festa e Karnevaleve
| E Marte, 02.02.2016, 10:19 PM |

FESTA E KARNEVALEVE

Nga Prof. Dr. Lutfi ALIA

Në muajin shkurt, festohen karnevalet, një festë popullore me origjinë pagane, e cila ku më shumë e ku më pak, kremtohej në kohë të shkuara dhe vazhdon në kohët moderne, kremtohet me tërë madhështinë e saj në Korçë, Shkodër, Tiranë, Durrës etj.

Karnevalet e kanë origjinën në lashtësinë e largët. Në antikitetin grek kremtohej si festa e Dionisit (ditët dioniziake). Kremtimi i këtij kulti nuk kishte natyrë vetëm fetare, por dhe kulturale e shoqërore, andaj u zhvillua si aktivitet i veçantë, duke perfshirë tërë popullin.

Gjatë ditëve dioniziake, ndërpriteshin punët, tërë veprimtaritë dhe banorët ftoheshin të merrnin pjesë në këtë festë, ku luheshin komedi, organizoheshin lojra, vallëzohej e këndoheshin këngë.

Tradita greke dioniziake u huazua nga romakët, që ia dedikuan këtë festë hyjnisë Saturn. Gjatë ditëve saturnale, organizohehsin bankete popullore, bëheshin sakrifikime, këndohej e vallëzohej. Gjatë këtyre festimeve, përmbysej rregulli social, pasi në ditët saturnale skllevërit fitonin lirinë dhe “barazinë” shoqerore, argëtoheshin së bashku me të tjerët, madje kishin të drejtë të zgjidhnin një “princ”, që ushtronte pushtetin gjatë ditëve të festës.

Ky princ i improvizuar konsiderohej karikatura e klasës fisnike, andaj vishej në menyre komike dhe me maskë, kësisoj personifikonte dhe hyjnitë e sketerrës-ferrit, të territ, të nëntokës, mbrojtës i të vdekurve, por dhe mbrojtës i arave, i të mbjellave, i vreshtave, i kopshtinjëve, i luleve. Ky hyjni, te ilirët ishte Baku, që ishte dhe hyji i argëtimeve.

Si shkruan aforisti Stanislaw Lec: “në ferr, djalli është hero pozitiv”, andaj dualiteti mistik i kësaj feste, komikja, konflikti i të mirës me të keqen, fitorja e optimizmit mbi frikën dhe dështimin, shprehen me satirë, me humor, me shaka dhe mënyra sfiduese, të praktikuara nga masa popullore.

Kjo traditë festimesh u transmetua ndër shekuj, por ndërkohë pesoj modifikime dhe ndikime, sidomos fetare, ndërsa ne thelb mbeti festa hokatare, argetuese, alegria kolektive, e mirënjohura festa e karnevaleve, që ka arritur në ditet tona me madheshtinë e kremtimeve mbarëpopullore, si në Venecia e Viarexhio në Itali, Rio de Janeiro ne Brasil, ashtu si dhe në Korçe e në Shkodër.

Nga thellesitë e shekujve, kjo festë, ka arrijtë deri në ditët tona e pastër e thjeshtë, plot humor dhe me alegri popullore, që së bashku krijojnë jo vetem gëzim, por dhe harmoni e unitet shoqëror.

Festa e karnevaleve festohet në muajin shkurt, në “zemer” te dimrit e në thelb ka fantazinë dhe simbolizmin, që shprehin daljen nga izolimi dimëror, braktisjen e të ftohtit dhe ky kapercim kozmik dhe shoqeror, shprehet me gëzimin kolektiv, me argëtime, me alegri dhe me humor, që shënon dhe kulmin e festës.

Gjatë karnevaleve të gjithë së bashku përjetojnë humorin, gëzimin dhe lumturine kolektive.

Në aspektin historik dhe fetar, karnevalet përfaqesojnë një festë, që simbolizon mbarimin e dimrit, ripërtëritjen e natyrës (pranvera), që vjen pas kaosit (dimrit), shpreh kapërcimin nga kaosi-mundimi, në rregullin dhe normalitetin natyral dhe social.

Këto ndryshime simbolizohen me ndeshjen mes të mirës me të keqen, mposhtjen e të keqes, të shëmtuarës, të konkretizuara me fitoren e të mirës, të bukurës, optimizmit, vitalitetit.

Pra si kuptohet, karnevalet janë festa e “rilindjes” të diellit, pasi në muajin shkurt, ditët dimërore fillojnë të zgjaten, duke rendur ngadalë drejt pranverës. Rituali i ndezjes të zjarreve në netët e kësaj feste simbolizon pikërisht ardhjen e ndriçimit dhe te ngrohtësisë pranverore.

Krishtërimi, që në fillimet e tij, e adpatoi këtë festë, duke i dhënë natyrë fetare, kështu aktin e sakrificës të kafshëve në tempuj dhe në sheshet publike, që kryhej për të nderuar hyjnitë (Dionisin, Saturnin, Bakun), e shndërruan në autosakrificë të pjesmarrësve, të cilët duke filluar nga e marta e parë e shkurtit dhe për një periudhë 40 ditëshe, deri ne festën e Pashkëve, nuk përdorin mishin, vezët, mëlçinë etj.

Nga kjo rrethanë, festa argetuese e Dionisit, e Saturnit, e Bakut, u pagëzua festa e karnevaleve, emër i krijuar nga bashkimi i fjalëve karne + vale (pa mish), pra festa e ditëve kur nuk konsumohet mishi dhe ky emër u pergjithësua e kështu u transmetua ndër shekuj deri në ditët tona.

Festa fillon ditën e martë të 10 ditëshit të parë të shkurtit, andaj quhet e “Marta e Karnevaleve” dhe përfundon në 10 ditëshin e parë të muajit mars.

Gjatë kësaj feste, përjetohet një atmosferë gazmore, harmonie shoqërore, alegrie dhe optimizmi, të konkretizuara nëpërmjet lojrave argëtuese, satirës, këngëve humoristike dhe ritualit të zjarreve, të cilat se bashku ngjallin entusiazëm, gëzim dhe ilaritet ndër banorët.

Karnevalet zhvillohen si cikël dinamizmi mitik, me kapërcimet e shpirtit nga qielli në tokë dhe zbritjen deri në ferr, pra është festë me dimensione metafizike, e lidhur me njeriun dhe fatin e tij.

Natyrën e kësaj feste, populli ynë e shpreh me shumë fantazi, me rite dinamike e plot humor, që evokojne konfuzionin mes dy kozmoseve (pranverës dhe dimrit).

Duke marrë këto drejtime, në thelbin e kësaj feste, u shfaqen dhe elementet mistike, kështu ritualeve i dhanë karakterin paradoksal, si formë komunikimi mes të gjallëve me të vdekurit, në përballjen e të mires, të bukurës, të fortës, me të keqen, kaosin, djallin, luçiferin, shtrigën. Këto aspekte negative simbolizohen me kostumet komike, që i veshin protagonistat e festës, si dhe me përdorimin e maskave, që i vendosin gjatë ritualit të shëtitjes nëpër rrugët e qytetit apo të fshatit, gjatë valleve dhe këngëve rreth zjarrit.

Kjo përballje e të mirës dhe e të bukurës, kundër të keqes, kundër të shëmtuarës, simbolizon përvojën e jetës të popujve, e konkretizuar me fitore të mirës, të bukurës dhe të optimizmit.

Suksesi i kësaj përballje, gjatë festës të karnevaleve mbyllet me djegien e dordolecit në zjarrin e madh. Dordoleci i shëmtuar, personifikon pjesët e keqia të shoqërisë, andaj duke e djegur, çduken të këqiat, sëmundjet, vuajtjet dhe lajmerohet rilindja e diellit, i hapet rruga ripërtritjes të mirës.

Ritualet pagane, profane, mistike, fetare të krishtera, si dhe ato moderne, që praktikohen gjatë festës të karnevaleve, kanë në epiqendër komiken, humorin, shakatë e bukura e goditëse, bisedat hokatare, këngët dhe vallet satirike.

Kjo atmosferë feste plot humor, plotësohet dhe me kostumet “qesharake”, me maskën, për të fshehur fytyrën. Kjo veçori e prezantimit të pjesmarresve me sterveshje e maskime, ka ndikuar, që popujt ta quajnë “festa e maskave”, ashtu si përdorimi i maskave dhe vallëzimi rreth zjarrit, ka inspiruar organizmin e të famëshmes “ballo me maska”, që sot praktikohet si një aktivitet modern. Karnevalet janë e vetmia festë popullore, ku në pikpamje estetike, protagoniste është e shëmtuara, e cila nga ana tjetër, e ka pjesë integrale të mirën, e mban të fshehur nën petkat e shëmtuara, madje lufton vetveten për të triumfuar e mira dhe e bukura.

Kjo festë, ka inspiruar krijimin e personazheve komike si arlekinin ne kulturen italiane, lolon palaçon nga shumë popuj, qerosin dhe shtrigën te shqiptarët etj dhe njëkohësisht ka inspiruar shumë piktorë, që e kanë mishëruar këtë feste popullore në piktura të shumta.

Një ndër veprat më të famëshme për festën e karnevaleve, është kuadri i piktorit rus me origjine italiane Mikhail Ivanovich Scotti, i cili në vitin 1839 realizoi pikturën në vaj (71,5 x 55,3 cm) “Në karnevalet e Venecias”, e cila ndodhet e ekspozuar në Galerinë Tretyakova në Peterburg - Rusi.

Në këtë tabllo, autori ka vënë në plan të parë një shqiptar, të veshur me fustanellën, me jelekun e bukur dekorativ dhe armët ne brez (shpatën dhe thikën), ndërsa në sup ka hedhur mantelin ngjyrë të kuqe Onufriane. Ky kavalier elegant, tërheq vemendjen e të gjithë pjesmarrësve me krenarinë, sqimën dhe hirësinë e tij, në veçanti tërheq vështrimet admiruese të femrave dhe në këtë atmosferë festive të karnevaleve të Venecias, ku mbizotëron superioriteti i tij, ai e heq maskën, duke i sfiduar të gjithë me bukurinë burrnore shqiptare.

Pjesmarrësit në ritet e karnevaleve, përdorin kostume jo të zakonëshme, vishen në menyrë “të shëmtuar”, me qellime që ta trembin “shpirtin e keq”, ta largojnë djallin, shtrigën, që të mos bëhen të rrezikshëme për kolektivin.

Në kulturën shqiptare, kostumet e karnevaleve jane atipike, nuk janë veshje gruaje, as veshje mashkulli, as imitime të dyve, por veshje imagjinare e tipit të shtrigës apo shtriganit, të shprehura më shemtinë si të djallit me brirë.

Mbulimi i fytyrës me maska, ka kuptim apotropaik, ku pamja mbinatyrore, e përçudnuar e maskës, nuk perdoret për të fshehur fytyrën, por sepse sipas bestytnive ka efekte magjike, pasi  largon shpirtin e keq – djallin – lugatin – shtrigën – shtriganin, pra ka fuqi mbrojtëse.

Gjatë karnevaleve, besohej se veshja në menyre komike me lëkura kafshësh, fytyra e mbuluar me maskën e shëmtur, britmat dhe këngët satirike, të shoqeruara me tringëllimat e zileve, shërbenin t’i trembnin dhe t’i largonin të këqiat e shoqërisë.

Në Shqipëri, karnevalet organizohehsin në Korçë dhe në Shkodër e pas një ndërprerje të gjatë per motive absurde partiaake, në dekadat e fundit janë rinovuar me tere vitalitetin dhe festivitetin kolektiv. Në fakt, në vendin tonë, karnevalet janë festuar dhe në shumë qytete të tjera dhe në shumë fshatra të malësisë, por këto evenimente jane fshirë nga kujtesa.

Në kohë të shkuara, karnevalet festoheshin dhe në Martanesh. Gjatë ditëve të kësaj feste, djemtë visheshin me lëkura bagëtishë – lëkurë dashi, shpesh me ngjyra të errëta; e mbulonin fytyrën me maska lëkure, mbi kokë vinin brinj cjapi ose dashi, kësisoj imitonin pamjen e lugatit (djallit), ndërsa në duar mbanin kumbonat dhe zilet e bagëtive, që i tringëllinin papushim.

Kështu të maskuar, djemtë shetisnin në grupe nëpër rrugët e fshatit, me ritmin e këngëve humoristike dhe duke i tundur ritmikisht dhe me forcë kumbonat e zilet, në mënyrë që tingëllimat e tyre të degjoheshin sa më shumë, për të trembur shpirtin e keq, të largonin lugatin nga vetia, nga familja, nga të afërmit dhe nga miqt.

Në prag të muzgut, djemtë e veshur me lëkura dhe me fytyrën të mbuluar me maska, grupe-grupe, mblidheshin në një nga oborret e shtëpive në kodrina ose në sheshet e lagjeve dhe së bashku me banorët e tjerë, ndiznin zjarrin dhe kërcenin rrotull, duke kënduar të gjithë së bashku këngën:

Hem me cigonë, hem me lodër,

Bukur kemi me u vésh,

Të martën ulet lugati n’Martanesh,

ká me j’u bâ t’tanëve me qésh.

Riti i zjarreve simbolizonte djegien e të keqes dhe ndriçimin e të ardhmes, ardhjen e pranverës, që afrohesh ngadalë, megjithë peshën e të ftohtit të dimrit.

Zjarret këngët dhe tringëllima e kumbonave dhe zileve, zhvilloheshin si një garë ndërmjet fiseve dhe familjeve, kush të bënte zjarrin më të madh dhe zhurmën më të madhe.

Ditën e fundit të karnevaleve kryhej akti i purifikimit me djegien e dordolecit, që simbolizonte djegien e të keqiave të vitit që kaloi, pra ishte akti i ezortiçizmit të vdekjes, i largimit të fatkeqësive dhe i semundjeve, thyerja e të keqes, të shëmtuarës, ishte mundja e shtrigës e djallit, ishte çdukja e fenomeneve negative të shoqërisë etj.

Nëpërmjet këtyre ritualeve festive dhe me këto bestytni, malësorët besonin se do të vinte një vit i mbarë dhe me bollëk prodhimtarie, pra karnevalet shprehnin dhe fekonditetin e tokës,ripërtritjen e natyrës, por njëkohesisht shprehnin dhe vitatlitetin e shoqërise malësore.

Aspekti i fekonditetit të tokës dhe ripërtritjes të natyrës, merrte një kuptim të veçantë në këto manifestime, sepse karnevalet zhvilloheshin para fillimit të mbjellieve të pranverës dhe të rikthimit të bagëtive nga merat, ku i kishin dërguar për dimërim.

Ndonëse festa e karnevaleve nuk festohet prej shumë kohësh në Martanesh, kjo traditë e lashtë është ruajtur në kulturën dhe jetën e malësorëve, e trashëguar nga lashtesia dhe e modifikuar në një formë tjetër rituali komik, si pjesë integrale e dasmave, e njohur si shakaja e “plakës me nusen”.

Kjo formë humori i kapërcen tabut fetare, madje feja, sidomos ajo myslymane, nuk i pranon keto lloj lojra me shtriga, me djallin dhe me transvestimente te shemtuara.

Gjatë dasmës, një nga gratë vishet me rroba të “këqia”, vishet si shtriga, me saktë e improvizuar me veshje të shemtuara burrash e pjesërisht grashë, e lyen fytyrën me blozë, vendos një cope postiqe si “mjekër”, duke u maskuar në mënyrë, që të mos njihet nga të tjerët.

Kështu e maskuar, “shtriga” kalon ndërmjet grave, bën humor, i ngacmon me fjalë, u lëshon “kunja”, në veçanti plakave - vjehrrave, të cilat i “çpon” për ndonjë ves te mirenjohur, p.sh atakon cingunet (dorështerguarat), ato që grinden me nuset, ndonjë që merret me thashetheme, ndonjë që nuk i pëlqen të punoi shumë, apo ndonjë që tymos duhan etj.

Gruaja protagoniste e ketij rituali vallëzon dhe këndon me humor, duke ironizuar dasmorët, në mënyrë të veçantë gratë e moshuara, të cilave u kushton këngë satirike, duke krijuar një atmosferë gazmore kolektive.

Në treven e Martaneshit, në rolin e humoristes në dasmat, jane shquar dy gra Mereme Gjoni dhe Hanife Kunxhiu, të cilat kanë spikatur me dinjitet si autore dhe aktore të këtij rituali pagan.

Për interpretimin e ketij roli, nuk mjaftonte që këto dy gra të luanin rolin e komikes, apo te imitonin te tjerët, por duhej intuite dhe inteligjence, duhej aftësi krijuese, për të thurur vargjet e kengës humoristike, të improvizonin patuta të bukura dhe inteligjente, të pëlqyeshme dhe të pranueshme nga të gjithë pjesmarrësit dhe sidomos nga “viktimat” e këtyre shakave.

Kulmi i ketij humori popullor arrrin në çastin kur arrijne nusja me dhenderrin, sepse i gjithë humori spostohet me këngë dhe poezi satirike të drejtuara dy të porsamartuarve.

Ky humori i bukur popullor, ishte dhe është culture.



(Vota: 9 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: