Gjon Frani Ivezaj: Historia e Kelmendit ndër shekuj dhe biri i pamposhtur Pjetër Nua Ujka Mernjaçaj
| E Hene, 18.01.2016, 10:21 PM |

Historia e Kelmendit ndër shekuj dhe biri i pamposhtur

Pjetër Nua Ujka Mernjaçaj

Nga Prof. Gjon Frani Ivezaj

Mes Alpeve të Shqipërisë së Veriut ndodhet Kelmendi (Kelmeca) një perlë e bukurisë shqiptare ndër shekuj. Banorët e saj të hershëm qysh nga lashtësia dallohen për shpirtin e tyre të çiltërt, trimërinë, burrërinë, besën, mençurinë, humorin e hollë mendjekthjell dhe bujarë të mëdhenj. Ata ndër shekuj kanë bërë historinë e lavdishme të Krahinës dhe popullit shqiptar, duke u përleshur fyt për fyt me armiqër shumë shekullore që kanë shkëlur trojet e Arberisë.

Me një besnikëri të admirueshme ruajtën të pacenuar traditat e moçme shqiptare, si banorë krenarë shqiptarë malësorë kreshnikë. Gjatë viteve të zjarrta të historisë me gjak dhe vetëm më gjak janë të gdhendur ndër shekuj çdo germë e artë ne historinë e lavdishme të popullit shqiptar.

Kelmendi, ka një histori të vjetër, për të cilin kanë shkruar shumë udhëtarë, studiues të huaj dhe vendas gjatë shekujve. Kelmendi, permendet ne relacionet kishtare derguar Selise së Shenjtë në Vatikan nga prelatët katolik shqiptarë të Arbërisë. Kështu mund të permendim Budin, Bardhin, Bogdanin, etj. Midis shumë figurave të shquara që njihen sot për fat të mire gjerësisht në botën shqiptare, mund të permendim: Bajroni, Nopça Ippen, Baldacci, Milan Shuflai, Zhan Klod Faveirial, Edith Durhan, Marin Bici, Jorga, Arqipeshkvi i Tivarit, Shkodrës dhe Shkupit Imzot Pjetër Bogdani, At Giuseppe (Zef) Valentini S.J., At Gjergj Fishta O.F.M., Dom Ndre Mjeda, At Anton Harapi O.F.M., At Benardin Palaj O.F.M., At Marin Sirdani O.F.M., At Aleksander Sirdani O.F.M., Ipeshkvi Imzot Joakin Serreqi, dokumentet kishtare, regjistrat e famullive, të Ipeshkëvive të Tivarit, Shkodrës etj., dhe relacionet kishtare me Seline e Shenjte dhe ne veçanti me Papa Gjon Albanin, Klementi, nga ku mendohet se e ka origjinën Ati i Shenjtë...

Po ashtu për Kelmendin, flitet qysh në kohët më të hershme. Më e rëndësishme eshtë permendja e emrit gjatë kohës që nis të ndërtohet Rruga Egnatia. Dr. Milan Shiflai një albanolog i shquar kroat e ndesh gjatë studimeve të tij emerin e Kelmendit qysh në shekullin XI. Në librin e tij të mirënjohur: “Serbët dhe shqiptarët” (Tiranë, 2002, f. 15), ndër të tjera shkruan, se “më së shumti qëndroi e forte ndaj rrëbesheve të kohës fortesa Klementina”.

Marin Bici, shkruan se malësorët shqiptarë janë vetëm të besimit katolik të ndarë në fiset: Kelmend, Grudë, Kastrat, Hot dhe Shkrel. Dr. Milan Shuflai thotë se në vitin 1614, fiset veriore, në mesin e të cilëve edhe kelmendasit, të cilët kishin 600 luftëtarë, me betim vendosën Lidhjen për tu mbrojtur nga ushtria barbare otomane.  Në vitin 1638, Perandoria Islame Otomane e dërgoi komandantin Vuçi Pashën me ekspeditë ushtarake kundër Malësisë së Madhe. Në fillim të muajit shkurt Vuçi Pasha u nis me një ushtri prej 12.000 otoman në drejtim të Kelmendit të pamposhtur.

Gjatë vitit 1723-1727, hungarezi Imzot Zmajevik si Arqipeshkvi i Tivarit, rithekson se: “Shqiptarët ose fiset e Kelmendit, shtriheshin me vendbanimet e tyre autoktone përgjatë bregdetit malazez deri në Zarë të Kroacisë.

Kelmendasit, kanë jetuar përtej Rugovës në distriktin boshnjak të Novi Pazarit, gjatë fushatës së trupave austro-hungareze në Bosnje në vitin 1737-1739, kundër valëve barbare të pushtuesve mizorë të Perandorisë Islame Otomane.

Fisi shqiptar nga Kelmendi, u shpërmgul në fshatrat e Sremit të Kroacisë më 1737, për t’i shpetuar masakrave të ushtarëve mizorë otoman, nën udheheqjen e Arqipeshkvit të Shkupit, Imzot Mikel Suma. Kështu shqiptarët nga vitit 1437 deri më 1744, për të njejtat arsye që cekëm me lart, shperngulen në Itali të Jugut dhe Romë. Banorët e Shpajës me dhunë janë shperngulur në Peshter në shekullin XVIII.

Më 28 gusht të vitit 1736 Ipeshkëvi i Shkodrës Imzot Anton Vlladani thotë se hapësira e kelmendasve është e ndarë në dy misione. E para, sipas tij quhet Selcë, që ka 130 shtëpi katolike me 1180 frymë dhe është në udheheqjen e françeskanëve. Ata kanë selinë dhe kishën e tyre të Shën Kelmendit të mbuluar me dërrasa. Në këtë mision baritor janë dy misionarë françeskanë, ku ka 80 shtëpi me 800 frymë. Aty gjendet kufiri me Ipeshkvinë e Shkodrës. Fakti është se kelmendasit në Shpajë, krahas Selcës, kanë pasur kishën kushtuar Shën Kelmendit Papës së Romës me origjinë shqiptare.

Ushtria turke gjatë vërshimeve ushtarake drejt Kelmendit, kishte prishur çdo gjë në krahinë. Rezistenca e vendasve ishte e fortë dhe e vendosur për të mos iu nënshtruar pushtuesve otoman. Komandanti turk Vuçi Pasha, duke e parë se ishte e pamundur për të nënshtruar malësorët trima të Kelmendit, mendoj ta thyente me premtime dhe dredhi. Brenda një jave ai çoi lajmin se kushdo nga burrat dhe gratë që do të dorëzohet tek ushtria turke do të ishte i falur për çfarëdo kishte bërë. Ai premtoi se do t’i shpërblente për dëmin që ishte shkaktuar për shkak të luftës me ushtrinë e tij.

Kështu, në vitin 1638 në Luftën e Kelmendit, komandantin turk Vuçi Pashën e vrau trimëresha legjendare Nora e Kelmendit, duke treguar edhe një herë se gratë shqiptare janë të forta dhe përkrah burrave trima shqiptarë malësorë. Në histori, kanë mbetur të skalitur emrat e burrneshave sypatrembur të maleve tona, që morën pjesë në shumë ngjarje historike, krah për krah me trimat malësorë në shumë fushë beteja të përgjakshme.

Nikë Lekë Pepa, ishte fytyrë qëndrore në Kelmend dhe mbarë Malësi. I urtë, trim dhe gumximtar, luftar i vendosur kundër sulmeve turke dhe slave, që sulmonin Kelmendin herë pas here. Ai ishte pjesëmarrës në Lidhjen e Prizrenit të vitit 1878, ku u betua me bashkëluftëtarët e tjerë për të mbrojtur trojet shqiptare. Ishte koha kur Mark Milani me ushtri malazeze sulmon Plavën e Gucinë. Ai mori pjesë active me armë në dorë së bashku me trimat e Kelmendit në luftën e Nokshiqit në vitin 1879, ku ushtri e Mark Milanit u kthye mbrapsht.

Studiuesi Nikollë Shyti në librin e tij “Kelemendi ne mjegullnajën e historisë”, shkruan: “Gojëdhënat krijojnë bindjen dhe qartësojnë se ky fis e mori emrin nga i pari, i quajtur Kelmeca. Prindërit i kishin banuar diku ne Drekal të Kuçit. Vdekja i mori, por lanë një djalë të vogël. Shtregtoi dhe u bë rrogëtar në Bekaj të Trieshtit. Emri i tij i vërtetë ishte Ahmat. I urtë, i pashëm aq sa i ndërruan emrin për ta thirrur me përkëdheli “Kelmeco”. Në shtëpinë ku u pajtua si rrogëtar jetonte një vajzë me emrin Bumçe. Çdo ditë kullotnin delet së bashku. Kaluan vitet. Vajza që kishte hedhur shtat si zanë ra në dashuri me Kelmecin. E frenonte zemra e rrogtarit nevojtar për të kuptuar ndjenjat e saj që të merrte guximin që t’i shfaqte atë që ndjente për të. Erdhi një ditë që Bumçja ta mund ndrojtjen. Urtë e butë mori guximin t’i shfaqë dashurinë e fshehur në zemrën e çiltërt të saj e i thotë: - Kelmeco, je prej mishi apo prej guri? Je njeri apo engjëll? Se kupton që unë po shkrihem për ty!?.... Mish e gjak të riu si ti kam. Por një gjë dua të të them: yt atë me jep bukën, më ka besue e mbajt si rob (njeri i afërt) të vetin. Ndera nuk dhunohet. Ta bëjmë me mend këtë punë… Vajza me zgjuarsi, takt dhe durim bëri të gjitha përpjekjet deri sa ia mbushi mendjen të atit. Mori bekimin e tij dhe u martua me Kelmecin… (Shyti, f.11).

Kelmendasit hershmerinë e tyre e kanë dëshmuar edhe shumë historian të huaj në shumë vepra që ata kanë shkruar për historinë e shqiptarëve dhe të malësorëve të Shqipërisë së Veriut dhe Malësisë së Mbi Shkodrës në veçanti.

Akademikët shqiptarë të mirënjohur si Prof. Eqrem Çabej në disa punime të tij albanologjikë, përmend se: “Emri i kështjellës (Klementina)… duhet të përbëjnë fazën e lashtë të fisit të sotëm të Kelmendit të veriut.” (Hylli i Dritës”, “Pellazgo – Ilirët”, f. 500-5001).

Kjo kështjellë paraqet një strukturë interesante, që i përshtatet kohës kur ajo është ndërtuar, me një infrastrukturë të pasur.  Sërisht duhet theksuar se nëse e shikojmë në planin historik Kelmendi dallohet nga çdo trevë tjetër e Atdheut tonë për faktin se gjatë shumë shekujve ajo ka qenë një tokë trimash, që kanë luftuar gjithnjë për liri dhe pavarësi.

Që nga lashtësia e deri më sot, ajo është shquar për luftrat kundër pushtuesve të huaj deri tek ato të fundit të Perandorisë Islame Otomane dhe pushtimi komunist që i bëjnë kësaj krahine të famshme në histori nga diktatura. Kelmendi është e vetmja krahinë e Shqipërisë që nuk është pushtuar asnjëherë dhe të përdoret si vegël në shërbim të pushtuesve të ndryshme. Asnjë pushtues nuk ka arritur ta pushtoj e sundoj, perveç shqipfolësve sllavo komunistë, të diktatorit Enver Hoxha, që dërgoi ushtri të madhe të drejtuar nga krimineli Mehmet Shehu, për të arrestuar trimin e maleve Prekë Calin me shokë të tjerë antikomunistë. Ata me dredhi mundën të shtijnë në dorën Krahinën e Kelmendit të pamposhtur.

Midis shumë malësorëve trima të Kelmendit theksojmë, se një meritë të madhe ka fisi me vlera të mëdha patriotike i Bajraktarit Mark Tomës nga Selca, që ndihmoi Prekë Calin, si një shtëpi fisnike dhe me zë në tërë krahinën.

Emancipimi i madh i krahinës dhe burrave fisnike të Kelmendit, shprehet edhe në respektin, që ata kanë treguar gjithmonë për gruan shqiptare. Asnjë zonë tjetër e Shqipërisë nuk e respektoi dhe e vuri në vendin e merituar femrën shqiptare, në pidestalin e nderit në luftrat çlirimtare përkrah burrave.

Kelmendi, ka nxjerrë gjithnjë burra të pushkës dhe atdhedashurisë. I tillë ishte trimi i pamposhtur Prekë Cali, si fis i parë vojvodë në Selcë nga 12 lagjet e këtij vendi, duke pasur edhe kryet e vendit në Kelmend.

Bjeshkët e këtij fisi, duke qenë e kufizuar me Kuçin (trevë ilire) sot si pjesë e Malit të Zi, përherë u takonte barra më e rëndë në mbrojtje të tokave të të parëve.

Të parët e fisit, që bënë emer shumë të mirë në historinë e popullit shqiptar ishin: Memi i Smajlit, Turk Isufi, Ujk Isufi, axha (ungji) i Prekë Calit Ucë Turku (vojvodë i Selcës), bajraktari Mark Toma Pllumbaj, Dedë Shabani, Dul Doshi dhe djali i tij i pashëm Kir Duli, Nikë Turku, Gjokë Nikë Selmani, Marash Mark Selmani etj., të cilët, gjithnjë janë përleshur flakë për flakë me synimet shoviniste të kuçasve malazezë.

Kelmendasit, gjithnjë me pushkën si shok të pandarë, gjithmonë ishin të parët, aty ku ishte fronti më i vështirë, aty ku dërdhej gjaku i flamurit e trojeve të shenjta të atdheut.

Prekës dhe të tjerë kelmendas iu drejtuan Komisionit, që kishte dalë në terren e po verifikonte kufijtë: “… Shtetet e Mëdha dhe ambasadorët e tyne, Komisioni Qendror i Kufijve, i ka njoftë si toka shqiptare. Ju si amanetqar të Misionit, që keni marrë përsipër jeni tue e shpërdorue. Ato zhgarravina në hartë nuk i njofim. Me ne, nuk ka mujtë me luejtë as ushtria e Sulltanit turk. Këto troje i kemi larë me gjak, gjatë gjithë shekujve, kundra atyne që deshtën të i marrin. Edhe sot luftarët e Kelmendit, janë gadi të vdesin për trojet e veta, ashtu si dikur të parët e tyne. Prandaj ndigjoni fjalët që po ju them: Mos kërkoni të luani me kufijtë tanë, që janë aprovue se është tokë shqiptare, përndryshe… Mendohuni mirë se atë majë nuk e kaloni lehtë! Njeni nga të Komisionit tha: - “Zotni Cali, për pak çaste Komisioni don me bisedue mes vedi.” Ata u larguan në nji anë dhe nuk qëndruan shumë. Meqenëse i kuptuan intrigat e përfaqësuesve jugosllavë, vendimin e morën shpejt. Kur u kthyen njeni prej delegatëve iu drejtue Prekës, duke i folur: -“Zotni Cali, Komisioni, vendosi që ju bashkë me shokët që ju shoqërojnë t’i prini Komisionit, duke e shkel terrirorin tuej që keni pas me fiqnjët.”

Malësia në mote, ka mbrojtur trojet me dinjitet e krenari kombëtare. “Vendasit ndër shekuj, kanë shkruar historinë me gjak arbëror, me një betim solem të quajtur ‘tabe’, që do të thotë besëlidhje e qëndrueshme, me moton: “Besa e Zotit, është besa e burrave, për Nder - Atdhe - Besë e Fe”.

Partizanët komunistë nga ana e tjetër, nuk e mendonin, se do të hasnin në rezistencë aq të fortë, prandaj po vinin të qetë. Kur filloj pushka, këta nuk kishin nga të shkonin, sepse ishin të izoluar në shtigjet e ngritura dhe nuk kishte forcë ushtrie t’i shkatërronte pozicionet mbrojtëse të malësorëve, që ishin fortifikimet natyrore shumë të sigurta. Malësorët kishin epërsi ndaj partizanëve, sepse sëpari bënin një luftëe mbarojtëse dhe njihnin shumë mirë vendin e tyre, ku, gjatë luftimeve u vranë, plagosën dhe ranë në lumë shumë partizanë.

“Prekë Cali bashkë me me 15 burra, u ngujuan në shpellën e famshme mbi fshatin Vukël, që u mbiquajt Shpella e Prek Calit.

Mark Luka dëshmon: “Na, ketë shpellë e zgjodhëm për me ba qëndresën e fundit, me e la vedin e me vdek per së mbari. Për shtatë ditë rresht, gryka e shpellës nuk ka pushue as natë as ditë prej plumbave e zjarrit të mitrolozave. Komunistët vendosën me na marrë me uri e me pabesi. Na u dorzuem me një kusht, që të vinte Frati i Vuklit, kryetari i këshillit, si dhe të mos dhunoheshim. Por komunistët nuk e mbajtën fjalën e dhanë. Dhe as besimin e Fratit. Kur na çuen ke shtabi i batalionit, në Rrapsh të Hotit, Mehmet Shehu, u ndodh ballë për ballë me Prek Calin: - E, Prekë Cali, - i tha Mehmeti, - të pat ardhur dita ta mbyllesh historinë tënde me shkronja ari, po të bëheshe me ne! Pse bëre kështu? - Zotni, - iu përgjigj Prekë Cali, - faji bie mbi ju, se ju u batë aleat me anmikun shekullor tonin, me Serbin.”

Preka e besniku deri në fund Mirash Fran Rrukaj, e dinin se mbas kësaj që ndodhi, brigadat partizane do të dyndeshin nga Rapsha e Kelmendit, si dhe nga krahu tjetër i Gusisë, ku, kishin përkrahjen e vëllezërve binjak sllav. Në këto kushte, nacionalistët morën udhën e arratisë. Hienat e pangopshëm komunist, u lëshuan nga të dy krahët mbi krahinën e Kelmendit.

Mehmet Shehu, me brigadën e vet ndeshkuese të inkuizicionit kundër malësorë e kundër katolikë, vendoset në fushim në fushën e Rapshës. Malësorët, prisnin gjëmen e madhe në shtëpitë e tyre. Nuk kishte informacion, se kush e kishte radhën: Kelmendi apo Kastrati. Në natën e 1 janarit 1945, kryexhelati terrorist Mehmet Shehu e përgjaku Kelmendin. Me urretjen patologjike të trashëguar nga koha e pushtimit turk, sulmi i hienave të kuqe ishte i befasishëm. Nga Gryka e Grabonit dy toga me sllavoserb, marshuan drejt Kelmendit.

Ata hapën zjarr tek Ura e Tamarës mbi popullatën e pambrojtur, me synime të pastra spastruese pa mëshirë. Sikurse pritej, menjëherë bishat partizane iu vërsulën luftëtarëve malësorë, i lidhën dhe ushtruan dhunë mbi ta. Si në kohën e skllevërve i lidhën me konop njëri pas tjetrit, duke i shtyrë, ndonëse ata mezi lëviznin, nga mundimet me ditët e tëra pa gjumë. Më pas i hypën në një kamion e shpejt i nisën për Shkodër.

Njësitë partizane, që i shoqëronin ishin të vogla, pasi pjesa më e madhe e tyre qëndruan aty, për të filluar terrorizimin e tërë Kelmendit. Ata që janë dëshmitar të kësaj poshtërsie të pashembullt, e kanë parë me sytë e tyre, provuar mbi shpinën e vuajtur tërë torturat, që asnjëherë s’mund t’i parashikonte mendja e njeriut. Të gjithë të plagosurit i lidhën pas kalit dhe ashtu nën tortur, ata pothuajse ishin në prag të vdekjes së sigurt. Prekë Cali, me 15 trima kelmendas kapen rob, duke i kaluar gjyqit ushtarak, i cili i dënoi me pushkatim.

Brigadat e Ndjekjes bënë kërdi, duke derdh gjak malësori shqiptar. Ata si të uritur vranë e shkatërruan, dogjën dhe prenë, e sëfundi pushtuan Kelmendin e papushtuar në shekuj. “Ishte mbasdite e unë po qëndroja me nji shok përbri zyrës së Posttelegrafës. Diku u dëgjuan të shtëna armsh. Njerëzit kishin marrë lajmin, se Prek Cali asht dorëzu e pritet t’a binin para Postës. U shihnin grupe individësh.

Dikush në heshtje e të tjerë shakllabana që banin komente. Pas disa kohe u panë kamionat. Ato lëviznin ngadalë, saqë u afruan pak nga pak aty ku populli të mund t’i shihte shumë mirë “reaksionarët”, që s’mundën t’i përballonin ushtrisë. Ishin pikrisht këto komente që banin njerzit servila e katila, që asnjiherë nuk u ngopën me gjakun e sternipave ilirian.

Binte në sy shtati i tyne si lisat e bjeshkve të Kelmendit, ku mes tyne dallohej trupi vigan i martirit Prek Cali. Disa fundrrina komunist filluan t’i pshtynin e përbuznin ashtu të lidhun. Kjo pamje e shemtum ma prekte shpirtin. Edhe unë, si kureshtarët që erdhen duke u shtu rrinim të ngrim në heshtje me keqardhje, që vriste me logjiken e përbuzjes ndaj masakruesve të burrit vigan kelmendas, që shikonte se ku po shkonte qyteti i tyne i dashtun Shkodra, e cila pretendonte se ishte qyteti ma i zhvillum në Shqipni…

Grupi i Prek Calit doli në gjyqin komunist. Ai i zhvillua në nji ndërtes dykatshe, diku në veriperendim të Gjimnazit. Unë ndoqa tri seanca, si dëshmitar okular në at se çfar dëgjova e pash ndaj Prek Calit. Në fillim të seancës nuk lejohej me marr pjesë shumë popull, mbasi komunistët kërkonin që gjyqi të zhvillohej sa ma shpejt. Prek Cali, nuk ishte vetëm i pushkës, besës, traditës etj., por edhe nji trim që me gojën e vet nxirrte fjalë të matuna, i qetë, që mohonte pa frik të gjith akuzat e rreshtume kunder tij.

“Unë jam këtu, - u shpreh Prek Cali – ndër të tjera, për me marr pergjegjesin e luftës kundra partizanve që u ba në Kelmend. Dhe për t’drejt tjetër nuk keni pse m’akuzoni. Kam luftue kundra shkjeve, kur deshten me na nda prej nanes Shqipni dhe kam mbrojt at çka asht e jona. Mundësi ma të madhe nuk kam pas. Vërtet jam malcor pa shkoll, por jam shqiptar. Ju m’keni marr ne bes e s’kam nevoj me ju kerkue falje. Un as Mbretit si kam kerkue falje, kur m’ka denue se isha opozitar…” (Kolec Pikolini, “Rregjimi i hisnave”, f. 55)

Malësori e pagoi, por kurrë nuk trathtoi truallin e shtëpisë së vet, duke mbrojtur lirinë nga ofensiva komuniste asokohe. Me shumë urretje, se nuk mundën të kapnin luftëtarët nacionalistë të lirisë, forcat terroriste partizane: “… banë nji kërdi të zezë, tue torturue deri edhe gra e fëmi. Ata mashkuj apo luftëtar, që gjendeshin në shtëpi i arrestonin, u digjnin shtëpitë, u merrnin pasuninë, ndersa familjet (e luftëtarëve në arrati) tyne i internonin në krahinat e vendit… Edhe Preka, me nji çetë luftarësh trima e besnik, vendosi e u ngujua në nji shpell, që ishte mjaft e ilzolueme e i përngjante nji fortese të vogël, me nji shprese fare të vogël, se mund të bante si dikur Kelmendi me ushtrin turke, të cilët zinin vende në ndonji luginë ose bregore, duke mos i ndjekur kryengritësit nëpër male.”

Por odiseja e të ngujuarve në shpellë, nuk do të përfundonte me dorëzimin e tyre. Të parët që u pushkatuan, ishin: Dedë Lulash Smajli dhe Dedë Gjon Deda, të cilit i kishin prerë me parë mishin dhe trupin me sopatë. Fran Zef Bajraktarit, ia nxorrën sytë dhe e varrosën të gjallë me gurët e malit. Luc Gjon Bajraktarin, e prenë në qafë me bajonetë dhe e hodhën në greminë. Fran Zef Bajraktarin e groposën të gjallë, pasi i dogjën kullën. Marash Vat Lumajn, e pushkatuan para popullit të Vermoshit, si agjitator kundër bolshevizmit. Dedë Prek Nikën, e sollën nga kampi i Tepelenës dhe e pushkatuan pa gjyq, në mes të kelmendasve. Uk Mark Biku, u pushkatua në mes të katundit Brojë, për të ngjallur panik. Nik Mark Rezaj, i cili qëndroi 21 ditë i varur në burgun e Koplikut, u pushkatua përsëri pa gjyq. Gjelosh Fran Pellumbi, vdiq në burgun e Kavajës nga torturat çnjerëzore, me fjalëte fundit: Poshtë komunizmi! Pas një gjyqi në Shkodër, u dënua me vdekje kreshniku i Vermoshit, plaku 70 vjeçar Prek Cali. Ky gjyq, do të dënonte plot 25 vetë, nga të cilët edhe 4 me burgim të përjetshëm, ndërsa të tjerët kryesisht me 30 vjet burg. Kështu Kelmendi u përzhit dhe u ndeshkua përsëri.

Këto janë kelmendasit, që kishin të ruajtur në gene prej gjeneratave virtytet më të mira, si mikprirës e bujar, trima sypatrembur e atdhedashës, njerëz të besës e fetar. Ata e donin meshtarin si antarë të familjes, duke i besuar fjalën e nderit… Malësia, humbi 137 bijë të saj, trimat e devotshëm në kryengritje. U burgosën 345 burra e u internuan 41 familje të shpallura reaksionare. Malësia, u vesh me petkun e zisë. Malësorët trima, denbabaden të patundur në trojet e tyre, u shpërngulën në kampet e internimit të Tepelenës, të Kavajës, të Vloçishtit, në burgjet e kampet e punës, më çnjerëzore që ka njohur historia.

* * *

Prej këtyre maleve kreshnike lindi i mirënjohuri Pjetër Nue Ukaj Mernjaçaj (1930), në një familje e mirënjohur në mbarë Kelend. Pjetri qysh në femijëri u ushqye me atdhedashuri nga prindërit e tij fisnik, për tokat respektin, traditat dhe zakonet e të parëve të derës kreshnike. Ai degjonte dhe mbante në kujtesë të gjithë ngjarjet historike të lavdishme të treguar në odat e burrave nga të gjithë antarët e familjes së tij, miqët dhe personalitetet e shquara të kombit shqiptar, që kanë bujtur dhe ishin miqët e kësaj dere bujare dhe fisnike.

Familja e Pjetrit, gjithnjë ka qenë e dalluar për bujari e shprehur në çdo rast, që njerëzit i kanë kërkuar ndihmë; mikpritje me zemër të pastër shqiptari për të gjithë miqtë, dashamirësit dhe bujtësit e rastit, që kanë qëndruar në konakun e mbushur çdo mbrëmje me malësorë; trimëri e shprehur në çdo luftë dhe përpjekje, për të ruajtur me dashuri trojet e të parëve tanë etj.

Pjetri, ka treguar gjithnjë shembull pozitiv, për të mirën e vendlindjes dhe kombit shqiptar, duke luftuar gjithnjë, për liri dhe demokraci edhe në emigracionin e largët të SHBA-së.

Atdhetari i palodhur i çështjes shqiptare, malësori sypatrembur e trim Pjetër Mernjaçaj, ka ikur në ish Jugosllavi më 22 tetor të vitit 1958.

Mes vështirësive të mëdha të motit dhe terrenit të thyer malor të Alpeve Shqiptare të Veriut, Pjetri me 9 antarë të tjerë të familjes së tij, kalojnë kufirin dhe hynë katundit Bekaj të Trieshit, në Mal të Zi.

Me vonë ata fituan azilin politik për të ikur drejt SHBA-së në vitin 1967, ku në fillim si shumë të tjerë shqiptaro-amerikanë u vendos në Bronx të New York-ut.

Pjetri, ka marrë pjesë aktive në çdo demostratë antikomuniste me flamur ne dorë, që për shumë kohë janë zhvilluar në New York, Chicago, Washtington, D.C dhe disa shtete të tjera të Amerikës. Ai, është një aktivist i palodhur në ndihmë të Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë” (sot “Zoja e Shkodrës”) dhe ka bashkëpunuar gjithnjë me klerikët katolikë shqiptarë, si me atdhetarin e shquar Dr. Mons Zef Oroshi (1912-1989), Dom Prek Ndervashaj, dhe të tjerë klerikë katolike që vinin nga bota e lire për vizitë në Amerikë. Pjetri, e ka mbështetur gjithnjë shtypin e lirë katolik në Amerikë dhe posacërisht revistën “Jeta Katolike Shqiptare”, e cila fillon të botohet për herë të parë në vitin 1966.

Vitet kalojnë dhe Pjetri, një ditë të bukur martohet me Lenen e Zef Dedit Micakaj, më 12 dhjetor 1967 në Bronx, një vajzë fisnike malësore prej një shtëpie të ndershme, bujare e respektuar dhe nderuar në Bekaj të Trieshit. Kjo shtëpi tipike shqiptare, dallohej gjithnjë për besë, nderë dhe bujari, ku më së shumti dallohen: Zef Dedi me vëllezërit e vet Nikollë Dedi, Tomë Dedi, Palok Dedi, Luc Dedi dhe Gjokë Dedi.

Pjetri, si aktivist i madh e i palodhur i çështjes shqiptare në SHBA dhe posacërisht në New York, mori pjesë aktive në shumë demostrata antikomuniste, që organizoheshin nga shoqatat e ndryshme kulturore e nacionaliste, para OKB-së dhe Shtëpisë së Bardhë në Washington, DC.

Ai me shumë bashkathetarë të tij, kërkonte drejtësi dhe ndalimin e persekutimit të egër komunist kundër familjes së tij, Kelmendit, Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë, lirinë fetare, lirinë dhe kthimin në shtëpitë e tyre të të gjithë personave, që padrejtësisht janë të syrgjynosur e keqtrajtuar nëpër kampet e internimit dhe burgjet e ferrit komunist.

Ky bir kelmendas, që vjen nga një familje shumë e mirë e Malësisë së Madhe, gjithnjë kërkonte që në Shqipëri të vendoset sistemi përparimtar pruralist demokratik, me votë të lire, për të gjithë shtresat e shoqërisë shqiptare, ku, populli të vendos vetë fatin e tij, permes funksionimit të shumë partive politike, sipas modelit të në shumë vendeve perëndimore të botës së përparuar dhe kampionit të demokracisë SHBA-së.

Pjetri, është një figurë e njohur për aktivitetet e tij atdhetare në SHBA, që luftonte për një Shqiperi të re demokratike, ku të gjithë trojet etnike të jenë të bashkuara, me një demokraci dhe përparim të kombit shqiptar brenda një flamuri etnik.

Me qetësi e modesti, ai flet tubimet antikomuniste dhe të ofron për të parë nga afër dokumente, fjalime, fonde financiare, të mbledhura me zemër nga bashkëatdhetarët, që e donin me gjithë shpirt vendlindjen e tyre, pa dallim feje, krahine ideje.

Në disa takime të rëndësishme, ai ka mbajtur ligjeta me përmajtje dhe frymë të thekshme atdhedashurie dhe antikomuniste, për të sensibilizuar opinionin amerikanë, mediat, senatorët, kongresistët qeverinë dhe Presidentët e SHBA-së gjatë viteve të ndryshme.

Pjetri, ruan me kujdes edhe një korrespondencë të pasur, që ka pasur me aktivistin e palodhur të çështjes shqiptare, ish kongresistin republikan Joseph J. DioGuardi (Member of Congress, 1985-1989).

Në këto tubime të përbashkëta marrin pjesë edhe shumë zyrtarë të lartë të Bashkisë së Yonkers-it si dhe kongresistë dhe senator amerikanë, që kanë kontribuar gjithnjë me zemër për çështjen shqiptare dhe atë të Kosovës në veçanti.

Pjetri, i kujton zotit Pjeter Arbnori, se data 25 Prilli, është dita që i kushtohet ngritjes së Flamurit Kombëtar Shqiptar në shenjë respektit dhe kujtimit të nipit të tij Nikë Mernjaçaj, ceremoni e cila ka vite që po bëhet traditë, si një e drejtë ligjore e administratës së qytetit të Yonkers-it dhe për të gjithë gjeneratat e ardhshme shqiptare dhe amerikane.

Në vitin 1991, menjëherë mbas hapjes së Shqipërisë dhe rrëzimit të komunizmit, në vitet në vijim Pjetri, sikurse shumë bashkatdhetarë të tjerë shqiptaro-amerikanë, ka patur shpesh ftesa, për të marrë pjesë në shumë aktivitete kulturore dhe patriotike në vendlindje Kelmend, Shkodër dhe Tiranë.

Shtëpia e Pjetrit këtu në New York, bëhet mikpritëse për shumë politikanë dhe figura të tjera të rëndësishmë të shquara nga Shqipëria dhe Kosova. Kështu në shtëpinë e tij kanë ardhur shkrimtari dhe poeti i shquar Prof. Martin Camaj, në vitin 1980, ish editori i gazetës “Dielli” intelektuali i shquar shkodran Prof. Arshi Pipa në vitin 1998, Akademik Prof. Mark Krasniqi në vitin 1999, Prof. Dr. Akademik Engjell Sedaj në vitin 1980, Profesor Kristo Frashëri në vitin 1986, Prof. Anton Çetta në vitin 1979, Adem Demaçi në vitin 1989, Tomë Berisha në vitin 1989, ish Presidenti i ardhshëm i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në vitin 1986, Prof. Luan Gashi etj.

Të gjithë këto personalitete të botës shqiptare të ardhur nga vendlindja, i pritën e i nderuan, me bukë e zemër të bardhë si malësorë Pjetri me bashkëshorten e vet Lenën e Zef Dedit Micakaj, një grua fisnike e bjeshkëve kreshnike të Malësisë së Veriut.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: