Entela Binjaku: Shqiptarët dhe Çelentano
| E Enjte, 07.01.2016, 11:00 PM |

Shqiptarët dhe Çelentano

Nga Entela Binjaku - Anëtare e shoqatës "Miqtë e Çelentanos"

Ndërsa kompozitori gjerman Vagner thoshte se “muzika është gjuha e pasionit” një artist tjetër , amerikani  Luis Armstrong pohonte se: “ Muzikantët nuk dalin në pension. Ata ndalen së kënduari vetëm kur muzika nuk është më pjesë e shpirtit të tyre”.

6 Janari  shënon ditëlindjen e Adriano Çelentanos, artistit shumëdimensional që i ka kënduar dashurisë, jetës, rinisë, dhimbjes, pasioneve, kujtimeve të fëmijërisë, etj, artistit  me të cilin ndjehen të lidhur breza të tërë artdashësish.  I lindur në rrugën “Gluk” në një lagje të Milanos në 6 janarin e  vitit 1938 Adriano Çelentano i ka dhënë mbarë botës këngë dhe mesazhe të paharrueshme, emocione dhe ndjesi që vetëm muzika e tij është në gjendje të krijojë. Për shoqërinë shqiptare roli i muzikës italiane në përgjithësi dhe i këngës në veçanti sidomos në kushtet e mbylljes dhe të ndrydhjes totalitariste,  ka qenë dhe mbetet i pazëvendësueshëm.  Këtë e dëshmon edhe fakti se mjaft prej këngëve të këtij artisti këndohen edhe sot nga qytetarë që i kanë kaluar moshën e mesme dhe të avancuar, të cilët e kanë jetuar rininë e tyre nën atë regjim.

Disa prej këngëve të tij si përshembull:  “Kush nuk punon, nuk bën dashuri” arritën të depërtojnë edhe  përtej mureve të izolimit duke u bërë pjesë e kulturës shpirëtore të shumë prej shqiptarëve që jetonin rininë në vitet ‘70. Edhe pse në mënyrë të fshehtë, të rinjtë shqiptarë të atij brezi u njohën dhe u lidhën me artin e Çelentanos. Kjo këngë dhe shumë të tjera njihen  edhe sot si ndër himnet kushtuar dashurisë dhe  virtyteve njerëzore. Pikërisht mbi këtë lidhje të fortë që ka gjetur ky artist dhe muzika e tij në vendin tonë është themeluar më 1994  edhe shoqata “Miqtë e Çelentanos”, e drejtuar nga z. Shpend Xheka e cila ka në radhët e saj dashamirës dhe adhurues të muzikës së këtij artisti të çmuar.

Në ka ndonjë artist që bashkon pa asnjë dyshim dhe pa kundërshti breza të tërë njerëzish që ndajnë mosha të ndryshme, formime dhe shije, origjina dhe statuse të ndryshme, ai është Adriano Çelentano.

Ai njihet ndryshe si artisti që bën bashkë të gjitha moshat, sepse në muzikën e tij shkrihen në një të vetme shijet e të gjithëve; në  muzikën e tij  e reja dhe e vjetra ndjehen më afër se kurrë, duke ndarë sëbashku befasinë e mesazheve dhe nostalgjinë rinore.

Kënga që e bëri të njohur Çelentanon jo vetëm në Itali  ishte “24 mijë të puthura” e kënduar në “Sanremo”, një institucion muzikor prestigjoz  me rëndësi të madhe jo vetëm për shoqërinë italiane por edhe për atë shqiptare. Festivali i Sanremos ishte dritarja muzikore për shumë shqiptarë, ishte pasuria më e madhe muzikore që vinte nga përtej kufijve jo vetëm për dëgjuesit e thjeshtë dhe të zakonshëm, por edhe për ata që gëzonin një shije muzikore të kultivuar.

Në ditët që jetojmë ku liberalizimi muzikor ka njohur zhvillime të shpejta, të paimagjinueshme, ku liria e të dëgjuarit muzikë është e pakontrolluar dhe ku nuk njeh censurë, muzika dhe  arti i Çelentanos merr një vlerë edhe më të madhe.  Kjo lidhet me nevojën që ka shoqëria jonë të edukohet me vlerat e estetikës muzikore, me tekstet dhe melodinë e mrekullueshme, që gjenden aq thjeshtë, bukur dhe natyrshëm trupëzuar në muzikën e Adriano Çelentanos. Në kushtet kur shoqëria përballet me një “tollovi” muzikore ku suksesi i muzikës përcaktohet nga tregu dhe më pak nga mendimi kritik,  rëndësia e artit muzikor që vjen nga ikonat e muzikës siç është Çelentano,  është e padiskutueshme.

Ajo shërben si një gur themeli për shijet e cilitdo që është i dashuruar me muzikën e bukur, atë  që të bën të jetosh emocione të papërshkrueshme. Ashtu si Sheksipiri thotë: “nëse muzika është ushqimi i dashurisë, atëherë fillo të këndosh”, pse të mos jetë “Senza amore” të Adriano Çelentanos?!



(Vota: 7 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: